E merkure, 08.10.2025, 11:47 PM (GMT+1)

Kulturë

Xhemail Peci: Bedri Tahiri dhe intervista si dëshmi e ringjalljes së luftës për liri

E hene, 06.10.2025, 06:56 PM


BEDRI TAHIRI DHE INTERVISTA SI TRIBUNË E LIGJËRIMIT PUBLIK, SI DËSHMI SE LUFTA PËR LIRI NGJALLET E RINGJALLET HERË SI SALAMANDER PREJ ZJARRI, E HERË SI FENIKS PREJ HIRI

Shkruan: Xhemail Peci

DY PENA SI DY KRERË TË SHQIPONJËS

Pena e Bedri Tahirit, me flatrat e fjalës shqipe ka ngritur në piedestal emrin e madh të komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; ka nderuar, ka lartësuar dhe ka përjetësuar emrin e gdhendur në mermerin më monumental të lirisë së atdheut, emrin e shkruar sa me gurra të gjakut po aq edhe me shkronja të arit, emrin e madh të Adem Jasharit...

Ashtu sikurse do të shkruante Marin Barleti për veprat heroike të qëndresës skënderbegiane, për rrethimet e Krujës apo edhe për rrethimin e Shkodrës, ashtu siç do të shkruante Marin Beçikemi për rrethimin e qytetit të tij të lindjes-Shkodrën, ashtu siç do të shkruante edhe Dom Ndoc Nikaj për rrethimin e hekurt të Shkodrës prej forcave vrastare serbo-malazeze, ashtu do të shkruajë edhe Bedri Tahiri për rrethimin e Jasharajve në Prekazin historik.

Ai ka pasur fatin dhe privilegjin që ta takonte dhe ta njihte nga afër Heroin që u bë legjendë e gjallë për çdo shqiptar atdhetar. Në mënyrë të veçantë, ai e përjetëson epopenë e Jasharjave ashtu siç e ka përjetësuar Mihal Grameno Epopenë e Luftës së Mashkullores.

Dy pena si dy krerë të shqiponjës, njëra e Mihal Gramenos dhe tjetra e Bedri Tahirit, flasin me gjuhë gjaku. Në penën kryengritëse të Bedri Tahirit, lavdia ademjashariane nuk është një lavdi përkëdheltare, por një lavdi e shkruar me epope gjaku. Lavdia e Jasharajve është lavdi e sakrificës dhe e flijimit familjar...

***

Librat si biografi e shkrimtarit dhe si autobiografi e kombit

Shkrimtari me penë në dorë dhe zjarri për liri bashkëjetojnë në kapërcyell të shekujve, ushqejnë njëri-tjetrin, flasin me kohët që thërrasin të shfaqin përmasën e tyre. Ndërkaq, librat shpalosen si testament brezash, herë si biografi e shkrimtarit e herë si autobiografi e kombit. Pena drejton pushkën, dija ushqen shpresën, fjala si një bekim i bardhë fton përjetësinë. Intelektuali del në ballë të kohës, profesori gjithmonë në gjirin e popullit, kronisti në sfondin e historisë, me ditarin në klasë si udhërrëfyes për brezat e duke shkruar me flatrat e fjalës shqipe emrat që mbetën përjetësisht në zemrat e breznive orëmira, duke latuar në mermerin monumental të lirisë së shumëpritur të mëmëdheut feniksët e këtij trualli, salamanderët e tokës bujare të gjakut. Ai u bë kështu një me frymën e flatrave të shqiponjës, zbriti në thellësinë e shekujve e u ngjit në majat e bjeshkëve, piu ujë në gurrat e frymëzimit të Rilindësve trima e të mençur, u mishërua me idealet më fisnike, u bë zë për kohët kreshnike, u dha zemër masave e u ngjalli kujtimet krenare në kohë dhembjesh e zezonash të panumërta, shpalosi një vizion jetik dhe lartësoi një mision sa fisnik po aq edhe bujar, ndezi e rindezi prushin, herë si unor e herë si strall, i dha zjarr luftës për liri, u dha flakë krismave të pushkës, gju më gju me luftëtarët e maleve e me popullin e plisabardhëve, nuk i la të treten kujtimet e kohës, shkroi skica e gdhendi portrete, ngjalli përmendoren e sopatës kryengritëse e lidhi fjalën e bukur shqipe një me gërshetën e Nuses së Maleve kreshnike, shpalosi mençurinë dhe dënoi dinakërinë, lartësoi diturinë dhe flaku injorancën, foli me zërin e arsyes dhe jo me rrëmbim, iu bë krah urtisë e i dha zë trimërisë, vuri përballë kohët e së djeshme, të sotmes dhe të nesërmes; me përmasën e guximit dhe me peshën e gjykimit i foli përjetësisë, ftoi mendjet e bashkoi zemrat, gdhendi epokat përmbi emrat, u ndal e tha ca fjalë me mall e zjarr të gjallë për ata që toka mëmë i mban në gjirin e saj si luftëtarë e kryeluftëtarë, shpalosi mite e legjenda, sfidoi kufijtë e copëtuar të historisë së fragmentuar me aq padrejtësi, ngriti në piedestal kullat kështjella, dëshmoi për heroizmin e gjokseve me parzmën prej çeliku, rreshtoi e kujtoi, nderoi e përjetësoi martirët e lirisë, dëshmorët dhe heronjtë e atdheut; odën e pa si një akademi përplot mençuri, filozofi e largpamësi, ua dha hakun atyre që u injoruan tinëzisht, nxori në dritë ata që u harruan e po harrohen qëllimisht, vlerësoi lart të gjithë ata që në çastet më të vështira bashkuan mendjet dhe zemrat, tha për të satën herë me krenarinë e ligjshme se kjo tokë, ka pasur, ka e do të ketë Zot sot e mot; mbajti shënime, skica e fletore, shkroi e rishkroi biografi atdhetarësh, skaliti portrete dëshmorësh, gdhendi mermerë heronjsh, ua rikëndoi këngën e të gjitha këngëve, u foli brezave për amanetin e të parëve e me fjalën e tij të urtë dhe të mençur, me shëmbëlltyrën e tij të veçantë la gjurmë e përshtypje më fisnike, risolli në kujtesën kolektive qëndresën e pashembullt epike, bëri me dije se kohët janë sa ziliqare po aq edhe hileqare, bëri thirrje që t’i flasim mendjes në mënyrë që historia të mos përsëritet më kurrë, nxori gjithmonë arsyen përpara euforisë, modestinë përpara mendjemadhësisë, syçeltësinë kundrejt ligatisë, atdhetarinë dhe madhështinë e saj kundrejt shpërfilljes më çoroditëse ndaj lirisë; mësoi dhe dëgjoi, pastaj ligjëroi e shkroi, dhe më tej qëndisi fjalët më të bukura për epope kreshnikësh, hyri në salla e në auditore, u ul këmbëkryq në oda e në ballë të oxhakut, foli me zërin e zemrës e me zërin e gjakut, dritë lirie iu bë pena e fjala sërish mori bardhësinë e grykave të Valbonës, sepse ai besoi dhe beson fuqishëm se më e para ishte fjala, se fjala është sa fryma po aq edhe flatra, se fjala çanë shtigje e pret perona, bën copa-copa zinxhirët e skllavërimit të njeriut, përshkon rrugë e lë gjurmë të pashlyeshme, sepse ai është njeriu, shkrimtari, intelektuali, atdhetari, e kronisti që beson se fjala është firmamenti i breznive orëmira, testamenti i përjetshëm i të gjithë atyre që vunë krenarinë përmbi lumturinë.

Intervistë për të bukurën dhe të madhërishmen, të drejtën dhe të vërtetën, lirinë dhe mëvetësinë

Intervista e Bedri Tahirit është larg stereotipeve. Ajo është e veçantë si me mprehtësinë e mendimet, me thellësinë e gjykimit ashtu edhe përmasën e shtjellimit të ideve, temave e motiveve të shumta. Intervista e tij është një bashkëbisedim me historinë, një kuvend me mençurinë dhe me trimërinë e këtij populli, një ligjërim i hollë e me shtresime të shumta kuptimore, të cilat rrezatojnë sa dritë, po aq edhe dije, kulturë, lexim, përkushtim e përjetësim të së bukurës dhe të së madhërishmes, të së drejtës dhe të së vërtetës, të lirisë dhe të mëvetësisë së një kombi të përgjakur ndër shekuj, toka bujare e të cilit u bë copa-copa nga vendimet arbitrare të Fuqive të Mëdha e të shteteve shoviniste ballkanike.

Poetika e titujve të veprave

Ai ka shkruar biografi të heronjve të kombit si Hasan Prishtina (Truri i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare), Azem Bejta e Adem Jashari (Legjendë e Legjendave), ka skalitur me penën e tij të denjë atdhetare një sërë emrash të përjetshëm në kolonën monumentale Flakadanët e Lirisë, ka ngritur përmendore që mungojnë e ka lartësuar heronjtë që kurrsesi nuk guxojmë t’i harrojmë, ka përjetësuar komandantët dhe kryekomandantët e lirisë së shumëpritur të atdheut, madje jo vetëm një (si Hys Popova), por me dhjetëra yje në yllësinë shqiptare, si fjala vjen Vesel Galica-atdhetar e mentar i shquar; ka nderuar duke madhnuar frymëzuesit e brezave si Abdyl Krasniqin, Xhemë Tërnafcin (Sugari i Çetës së Azem Galicës), Ramadan Bajraktarin, Jashar-Jasharin (Komandant Duraku), Kamer e Murat Loshin-në histori e në traditën gojore, poetin e dëshmorin Mustafë Shytin, me të drejtë dhe me krenari ka predikuar se atdhetarizmi jeton në përjetësi,  ka shpalosur përpjekjet titanike të brezave atdhetarë në trilogjinë kushtuar shpirtrave atdhetarë: Drenica-një shekull trimërie, Lufta e Drenicës, Drenica-Djep Trimërie, ka ngritur në piedestal ata që ranë fli për liri.

Në poetikën e ligjërimit të tij të rrjedhshëm ka përkujtuar se sa i bekuar është Gur i diellit shenjtor, ka paralajmëruar agun e lirisë ka dënuar procesin e mallkuar të diferencimit ideo-politik, ka fshikulluar drejtësinë e vënë në sprovë (gjë që tingëllon gjithmonë aktive), pra ka ngritur kështu me peshën e fjalës së tij ‘Shtjella lufte’, dhe po me bukurinë e shprehjes së tij ka ngritur kështjella fjale, ka zbërthyer toponiminë e Galicës, duke projektuar trilogjinë e udhë përshkrimeve: Nga Shqipëria në Shqipëri, Në Grykë të Valbonës, Përshtypje nga Franca, ka shkruar tregime e skica të shkurta, ka shkruar proza poetike, ka shkruar poezi si ngazëllime shpirti, ka shkruar vështrime, dimensione, këndvështrime e përsiatje letrare, në të cilat ka vlerësuar autorë e vepra të autorëve të ndryshëm dhe të etapave të ndryshme letrare, duke u shprehur veçmas në mënyrë afirmative për krijuesit e letërsisë bashkëkohore shqipe brenda dhe jashtë atdheut, e sidomos për kolegët dhe miqtë e tij të shumtë krijues, si në veprat: Përsiatje recensionale, Ligjërime e përimtime, Dimensione letrare, Metamorfoza, Poetika e të rrëfyerit, Çaste shpirti (poezi), Pavdekësia (poezi-prozë), Këndvështrime letrare, Kohë e mjegullnajave (poezi), Qëmtime letrare, Jetë letrare, Dardania mësim lirie, Vlerësime letrare, së bashku me romanet Kohë ethesh dhe Degdisja, në të cilat ka shpalosur realitetin e kohës të cilin e njeh mjaft mirë si pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në rrjedhat e vrullshme të kësaj kohe.

Nuk ka dyshim se në poetikën dhe publicistikën e tij, lajtmotiv kryesor është Atdhedashuria. Ai ua falë kryeheronjve epitetet më të përzgjedhura sa dhe të merituara (Truri i Lëvizjes Kombëtare dhe Legjendë e Legjendave). Ai e projekton kështu dhe e artikulon kështu palë-palë e fjalë-fjalë sintezën e epokës së një koke kryengritëse, e cila në historinë e përpjekjeve të pareshtura të kombit shqiptar, ka lënë gjurmë e ka vënë vulë.

Prandaj, Alfa dhe Omega e frymëzimeve të Bedri Tahirit është shkronja A- Albania, Arbnia e Vogël, Azem Bejta dhe Adem Jashari.

Bedri Tahiri, e thënë me fjalët e kreshnikut të fjalës shqipe Ramiz Kelmendit, ka një debolesë të veçantë për shkronjën A, por jo vetëm për kryeshkronjën e alfabetit, e cila jo rrallë ka skalitur emrat e kryekapidanëve të atdheut.

Shkrimtari, intelektuali dhe atdhetari Bedri Tahiri ka një dashuri të veçantë edhe për një binom tjetër: “Galica dhe Drenica, janë frymëzimet e mia të para...

Më tej, shkrimtari vë në piskamë sa krenarinë po aq edhe dhembjen, e përmbi çdo gjë qëndresën e pamposhtur, luftën për liri e për dinjitet kombëtar, duke u kthyer në retrospektivën historike dhe duke e shpalosur atë palë-palë:

“Galica është histori në vete. Sakica e Prekazit e Pushka e Galicës janë të vizatuara në derë të mbretit,- thoshte mulla Brahimi i Polacit. Vërtet pushka e Galicës nuk pushoi që nga koha e Perandorisë pushtuese otomane. Më 1908 është vrarë Bejtë Galica, në betejën e njohur kundër Shemsi Pashës, që u zhvillua në afërsi të Deviçit. Gjatë vitit 1917 shumë djem shqiptarë vajtën xhynli dhe humbën e u tretën në dhera të huaja.

Kurse, që nga viti 1912 e deri më 1924, gjegjësisht 1926, Azem Galica me Nusen e Maleve- Shotë Galicën udhëhoqën çetat çlirimtare në luftërat dhe betejat kundër pushtuesve të ndryshëm: kundër serbëve, kundër austro hungarezëve, kundër bullgarëve dhe sërish kundër serbëve.”

Shfaqet në sfond kështu një kronikë e gjallë prej gjaku, ploje dhe masakrash të papara, reprezalje të panumërta gjatë gjithë historisë e deri në luftën e epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës:

‘Gjatë kësaj lufte, Galica pësoi shumë. Më 17 mars 1999 e tëra u rrafshua me tokë. Ishte kjo djegia e shtatë e saj gjatë historisë njëqindvjeçare. Mu për këtë edhe nuk arriti të shtohet shumë popullata e saj dhe thuajse kurrë burrat e saj nuk arritën të mplaken e të vdesin me kokë në jastëk. Popullata u dëbua dhe u degdis gjithandej trojeve shqiptare e në mërgatë, mbetën vetëm burrat dhe luftëtarët e lirisë, të cilët për asnjë çast nuk u larguan nga shkrepat e Arbërisë së pamposhtur.’

Pena e Bedri Tahirit përshkon kështu gjithë historinë dhe autoktoninë e Drenicës, qëndresën e saj epike që nga Millosh Kopilqi e deri në ditët e sotme.

Vendlindje si gurrë frymëzimi dhe privilegji i dritës së mjekërbardhëve

Shkrimtari ndalet për ca çaste për të shpalosur përjetimet e tij të veçanta të cilat u bën edhe frymëzimet e tij të mëdha. Në kështjellën e kujtesës Bedri Tahiri nxjerr në pah ca kalldrëme kujtimesh, portrete njerëzish të thjeshtë të cilët shquhet sa për mençurinë po aq edhe për bujarinë, portrete luftëtarësh të skalitur sa me dashuri aq edhe me mjeshtëri:

‘Çdo lis e çdo gur në vendlindjen time paraqesin histori në vete. Paskëtaj, rrëfimet e pleqve nëpër oda, përjetimi i shumë zezonave, ishin më shumë se shkollë. Interesant, që kur isha i vogël  dhe kur fëmijët nuk e gëzonin të drejtën me qëndrua në odë, unë e gëzoja atë privilegj...

Madje, vlen të përkujtohen edhe disa imtësi, që për mua patën ndikim pozitiv dhe sikur me parapërgatiten për ardhmëri. Ta zëmë, kur shkonim me prashit misër në Ashlan, te miqtë e dyfishtë, plaku me mjekër të bardhë, Shaban Sheremeti, ulej nën hijen e lisave në krye të arës dhe mua më nxirrte nga rreshti i prashtarëve:

-Ulu këtu e kuvendojmë për histori! Mëditjen ta paguaj unë,- më thoshte dhe ia shtronim muhabetit për shtatë palë qejfe. Dorën në zemër, të tjerët nuk më shikonin me sy të mirë, por...

Dhe, nga ai mësova shumëçka. Mjafton që ishte dëshmitar i gjallë i Betejës së fundit të Azem Galicës, Epopesë që u zhvillua më 15 korrik 1924. Ai, si dymbëdhjetë vjeçar, një ditë pas betejës kishte ardhur në Galicë dhe në oborrin e kullës i kishte numëruar të vrarët e asaj dite. I kishte numëruar edhe qerret mbushur me të vrarë serbë që i kishin bartur për Mitrovicë...

Shkoja për të dëgjuar rrëfimet e xha Rushit Sylës, që ne e thërrisnim mixha Rushë. Ai qe plagosur në Betejën e fundit te Azem Galicës dhe na kënaqte me tregimet e tij të lezetshme e interesante, të përcjella edhe me gjeste e britma tamam luftarake. Nga ai mësova shumë ngjarje historike, mësova shumë këngë kreshnike apo krahina siç i quante ai, mësova shumë përralla e shumë legjenda. Madje, nga ai mësova edhe shumë përvoja luftëtarësh...’

Gdhendja e Portretit të Gjyshit

Me një kolorit të gjallë fjalësh, me një përshkrim poetik e me një kujtesë e cila nuk venitet kurrë, shkrimtari shpalos në plotni portretin epik të gjyshit të tij, një njeri me tipare e virtyte dalluese të racës ilire-arbërore, një pagëzues brezash e një admirues i madh grykëhollash që hanin shtigje lirie në këtë tokë të lashtë Dardanie:

‘Im gjysh, Tahir Tahiri (1894-1958), paraqet histori në vete. Po, po, ore të keqen vëllai, histori e shkuar historisë. Edhe pse nuk pata fat ta njihja e ta mbaja mend për të gjallë, më la pa i mbushur dy vjet të plota, për të mësova shumë e shumë. Siç më tregonin të tjerët më vonë, ai më kishte dashur aq shumë saqë e zinte gjumi mbi kaptellin e djepit tim, të zbukuruar me rruaza ngjyrë qielli e me dhëmbin e ujkut, duke më përkundur e duke më nanurisur me këngë të ndryshme trimërie. Këngën e Ahmet Delisë dhe atë të Azem Galicës i kishte pasur në maje të gjuhës. Atë, madje, e pata edhe nun, më pagëzoi me emrin që i flinte në shpirt.

Tahiri kishte ardhur në këtë botë në janarin e egër e me borë të vitit 1894. Galica e tij asokohe numëronte hiç më shumë së shtatë shtëpi të vogla përdhese, strukur te këmbët e Sukës së Madhe, bri Kërshit të Hutit. Qe i biri i Shaban Tahirit, kryeplakut galicas, i cili shquhej për urtësi, burrëri, trimëri e bujari. Oxhaku i Shaban Tahirit qe bërë i njohur në gjithë Drenicën heroike e emri i kishte vajtur edhe më larg.

Në odën e tij prej guri, punuar nga mjeshtër të njohur dibranë, gjenin sofrën shtruar, natën e ditën, të gjithë: miqtë e dashamirët, lypsarët e skamnorët, udhëtarët e nevojtarët, trimat e luftëtarët.

Mirëpo, Tahiri veçohej prej të gjithë të tjerëve. Ai, në vend të shatit e parmendës, parapëlqente pushkën, atin dhe vizitat nëpër miq e nëpër shokë. I pëlqente të bënte edhe punë të rrezikshme e të ndaluara, merrej me tregtimin e duhanit kaçak. Punëtor i pashoq ishte i vëllai, Smajli.

Dhe, mu për këtë arsye, dy herë vajti ushtar, njëherë për vete e herën e dytë për Smajlin, bedel. Kjo e fundit i kushtoi shumë, gati e pagoi me kokë. Shkoi vullnetar (gjynli). Gjatë vitit 1917 shumë djem shqiptarë vajtën xhynli dhe humbën e u tretën në dhera të huaja.’

Tahir Shaban Tahiri shfaqet edhe në sfondin e merituar të një dimensioni të shumanshëm, ku rrezaton portreti i tij prej atdhetari e prej mendari, prej fisniku e prej bujari, portreti prej një luftëtari të paepur i cili në krah të kreshnikut të paepur Shaban Polluzha dhe bashkëluftëtarët e tjerë trima, kokardave çetnike ua vunë kufirin tek thana...

Mos të harrojmë se në aksionin famëkeq të mbledhjes së armëve, organizuar nga satanai gjakpirës, Aleksandër Rankoviqi, Tahiri nuk e dorëzoi pushkën e tij besnike, e gjeti një të keqe e të ndryshkur, sa për të thënë e për ta mbyllur atë plagë vrastare, e cila la pasoja të rënda e të papara ndër shqiptarë.

Si nëpër mite dhe legjenda, si në për baladat dhe gojëdhënat shpaloset sërish simbolika e numrit shtatë, një tragjedi në vete por edhe një ogur i bardhë që do vinte më pas. Një portret i një njeriu të etur për dije e për dritë, i cili për fat të mbarë do të kishte për mësues një atdhetar shpirtbardhë; një  dëshirë e këputur në mes për të shkak të kushteve të vështira por edhe një dhunti e një intuitë për lakmi, një adhurues i madh i librit, një bukurshkrues i rrallë dhe një admirues i madh i folklorit, gjithsesi një prelud dhe një paralajmërim për një dhunti dhe një admirim të njëjtë, që do të vinte e do të shpalosej më vonë në sofrën bujare të kësaj vatre atdhetarësh e mentarësh: Ky ishte i biri i Tahirit- Mehmeti...

Mehmet Tahiri (01. 06. 1935- 01. 06. 2018) u lind më 1. 08. 1935 në Galicë të Drenicës. Rrjedh nga një familje e njohur për burrëri, bujari, mençuri e atdhedashuri.

Për shkak të shumë zezonave, Tahiri u martua në moshë të shtyrë me Fatimen nga Klina e Poshtme. Në fillim fati e shqelmoi keq, shtatë fëmijë i vdiqën radhazi. Pra, pas gjashtëmbëdhjetë vjetësh martesë u lindi Mehmeti, për të cilin thonë se ishin gëzuar edhe trarët e shtëpisë.

Djaloshi imëtak ishte natyrë e zgjuar. Mësimet e para i mori në Prekaz të Epërm dhe ishte nxënësi më i mirë në gjithë shkollën, ku mësonin nxënës nga shumë fshatra të Drenicës. Kishte fat që për mësues ta kishte Shaban Jasharin, babanë e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.

Përkundër kësaj, kur erdhi koha të vazhdonte edhe në klasat e larta në Balinc të Vushtrrisë e paskëtaj të emërohej mësues, kushtet e rënda ekonomike e detyruan ta ndërpres shkollimin dhe t’u rreket punëve të rënda të shtëpisë, për ta mbajtur gjallë familjen.

Megjithatë, ai mbeti njeri i ditur dhe u bë mjeshtër i hollë, që, çka i shihte syri ia punonte dora. Njohuritë matematikore dhe intuita e tij mahniste edhe ata që kishin zënë dije të larta. Llogaritja e përpiktë e materialit ndërtimor dhe konstruktimi i çative si të mbira të shtëpive, i dhanë emër në gjithë Drenicën. U dallua edhe si matës i mirë e i drejtë i ngastrave të pronave të atyre që ndaheshin.

Mirëpo, ajo që e shquante më së shumti ishte leximi artistik i librave me folklor shqiptar, shkrimi i bukur dhe mbamendja prej eruditi. Këngët kreshnike dhe përrallat që i kishte mësuar nga i ati, Tahiri, i interpretonte për lakmi, me një rrjedhë të logjikshme e shumë mbresëlënëse.

Mori pjesë dhe kontribuoi mjaft edhe në Projektin hulumtues shkencor “Eposi i kreshnikëve 2012-2014”, udhëhequr nga epikologu i palodhur Prof. dr. Zymer Neziri. Këngët e rrëfyera prej tij i mblodhi e i sistemoi drejtoresha e Muzeut të Vushtrrisë, znj. Shukrane Begu, të cilat u botuan në vëllimin DRENICA.

Më 15 janar 2015, kur, në Institutin Albanologjik, në Prishtinë, u bë përurimi i 15 vëllimeve paralibra, Mehmet Tahirit iu nda kjo Mirënjohje.

Dhe, për koincidencë, edhe në atë botë vajti pikërisht në datën e lindjes, më 1. 06. 2018!’

Bedri Tahiri kujton kështu me pietet prindërit (babë Mehmetin e nënë Nazifen) dhe mësuesit e tij, familjarët dhe farefisin dhe gjithë ata që luftuan, qëndruan e kontribuuan për liri dhe dritë, por të cilët edhe ndikuan në formimin e tij intelektual e atdhetar, gjë që dëshmon se rruga e dritës dhe e diturisë, ashtu sikurse edhe ajo e atdhedashurisë me rrënjë,  nuk është rastësi:

...Shoqërimin me librin letrar e kam nisur që në klasën e pestë të shkollës fillore. Vepra e parë që kam lexuar është romani për fëmijë “Bambi” i Feliks Salten, të cilin ma dhuroi kujdestari im i respektuar, Nasuf Ahmeti, me motivacion: “Për sukses të shkëlqyeshëm dhe sjellje shembullore”.

Aty për herë të parë bleva edhe gazetën “Zani i rinisë”, të datës 1 mars 1967. E bleva me dy ve të pulës që ia shita Gazi Goranit, pronarit të ëmbëltores që funksiononte në bodrumin e ndërtesës ku mësonim, e cila, njëherësh  ishte edhe ndërtesë banimi për minatorët e Magnezitit, minierë që tashmë ishte në të mbyllur. E bleva, sepse kishte filluar fejtoni i Ahmet Malokut për heroin Azem Bejtë Galica.

Çudi, sa më vullnet mësonim, edhe pse na mungonin thuajse të gjitha; nuk kishim libra, nuk kishim fletore, nuk kishim as lapsa. Një laps e ndanim disa veta dhe kur na thyhej maja e mbrehnim me një copë xhami të thyer...

Rivarrimi i eshtrave të Azem Galicës

Në muajin maj 1971 u bë edhe rivarrimi i eshtrave të heroit kombëtar Azem Bejtë Galica. Ishim fare të vegjël dhe gati nuk dinim gjë. Thoshin se nga një shpellë e thellë i ka nxjerrë një mësues me emrin Abdyl Krasniqi. Sipas dëshirës së vajzës së tij, Azemines, ata u rivarrosen aty ku e kishte pasur kullën e fundit e ku e kishte zhvilluar edhe betejën e fundit. Në rresht na çuan deri në Galicë.

Kodrën e Vogël, ku, zakonisht i kullotnim qengjat e viçat, përplot njerëz. Në një arkivol ca eshtra dhe një plis mprehacak, i bardhë dëborë. Fare pranë një plak që dridhej nga sëmundja e vitet. Më vonë e kuptova se ai ishte bashkëluftëtari i heroit, Emin Lati nga Prekazi. Më shumë nuk më kujtohet nga ai ceremonial madhështor.

Nga bankat e shkollës fillore më kanë ngelur edhe shumë kujtime. Nuk i harroj kurrë shëtitjet që i bënim nëpër shkollat e afërta fillore si në Prekaz, në Qirez, në Novalan, në Ashlan etj.

Në klasën e shtatë e patëm organizuar edhe një ekskursion në Shkup, në Ohër, në Shën Naum, në Strugë etj. Sa kënaqësi! Ishte hera e parë që po largoheshim nga shtëpia dhe për ato tri ditë qemë mërzitur shumë, sa mezi  pritëm për t’u kthyer në gjirin e ngrohtë familjar.

Profesori mëmëdhetar Xhemail Pllana ose Andon Zako Çajupi

Në ndjenjën e tij të theksuar të mirënjohjes, të respektit e të falënderimit, Bedri Tahiri nuk lë pa përmendur asnjë që ka merituar të kujtohet e të nderohet, prandaj ai kujton me pietet të rrallë profesorin atdhetar Xhemail Pllana, të cilët me të drejtë ia kanë dhënë epitetin që i shkon aq shumë, sepse ata që kanë pasur kënaqësinë dhe krenarinë për ta njohur, për ta takuar e për të mësuar nga fjala e tij e urtë dhe e mençur, Xhemail Pllana i ka ngjarë poetit të madh të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, jo vetëm me portretin e tij, por para së gjithash e mbi të gjitha, edhe me atdhedashurinë e tij të zjarrtë për gjuhën, për kulturën, për atdheun, për flamurin dhe për kombin. Xhemail Pllana e Meriton në plotni respektin dhe nderimin e breznive orëmira:

‘Nga Mitrovica u ndava me një përshtypje të mirë, veçanërisht nga profesori i gjuhës shqipe, Xhemail Pllana, ose Çajupi, siç e quanin nxënësit.

Në Skënderaj e gjeta veten më mirë. Më pranuan në paralelen I3 (vetëm tri paralele kishte gjithsej) të kujdestari Sali Gashi nga Kryshefci, mësimdhënës i matematikës, një pedagog i matur e shumë i afërt me nxënës.

Sidoqoftë, kushtet i patëm mjaft të vështira. Herë- herë edhe pa bukë e pa ujë. Tre veta bëheshim për ta blerë një fortal bukë (një e katërta e bukës rrumbullake që piqeshin me dru dhe mbanin erë të mirë). Disa herë, kur e shihte se nuk kemi dhe i binim andejpari, edhe na e falte furrtar Islami.

Në të shkuar, në kopshtin e mësuesit Shaban Jashari, gjithmonë e kemi pasur derën hapur për të pirë ujë në pusin ku e linte kovën dhe kur qëllonte ai vetë edhe ndonjë mollë a dardhë, po qe koha e tyre.’

Me po të njëjtin respekt, me po të njëjtin pietet dhe me po të njëjtin admirim, Bedri Tahiri përkujton mësuesit e tij, arsimtarët e tij, profesorët e tij, edukatorët  brezave, si dhe përshkruan dashurinë për librin, dashuri kjo e veçantë dhe e madhe e cila e ka përshkuar të gjithë rrugëtimin e tij jetësor, intelektual e krijues:

‘Nga lëndët mësimore më së tepërmi më pëlqente gjuha dhe letërsia shqipe. Profesor Bali Gashi më nxiti për të lexuar vepra letrare. Orët e lektyrës i mbaja unë. Edhe biologjinë e pata për qejfi. Temën e diplomës e mbrojta nga kjo lëndë. Profesor Abdullah Geci më propozoi që ta studioja biologjinë. Lëndët që nuk më shkonin ishin matematika dhe edukata fizike.

Krahas shkollës, vendet më të dashura për mua u bënë Biblioteka e qytetit dhe libraria “Rilindja”. Ato dy vende i vizitoja rregullisht. Në Bibliotekë merrja libra për të lexuar e në librari blija libra. Çdo para që më binte në dorë e shfrytëzoja për të blerë libra. Biblioteka ime e vogël, në një qoshe të parmakut në odë, po hidhte shtat.’

Ai ndalet për një çast tek një shkrimtar i madh e shpesh i harruar ose edhe i mënjanuar herë qëllimisht e herë rastësisht, Jakov Xoxa, pastaj tek poezia e parë, tek përpëlitjet dhe krajatjet e një jete të rëndë e plot mundime, plot vija e vragë të cilat i kishte lënë koha me tërë ironinë e saj:

‘Dorën në zemër, edhe për të punuar, punoja. Besa punoja edhe punë të rënda, prashitja, kositja e prisnim tulla prej balte. Nxirrja barna (bimë të ndryshme) dhe i shitja. Nuk e harroj gëzimin tim kur në Mitrovicë, në librarinë matanë Urës së Ibrit, me parat që i fitova nga shitja e barnave, bleva kompletin e Jakov Xoxës, përgatitur mirë nga “Rilindja”, me lidhje të fortë e të paketuar mirë.

Krahas leximit, që më ishte bërë ushqim i domosdoshëm, në shpirtin tim u ngjall edhe një dashuri tjetër, krijimtaria letrare. Poezinë e parë e botova në fletushkën e shkollës që titullohej ”Shkëndijat e Drenicës”. Sa shumë më gëzonin ato publikime! Edhe profesori i letërsisë, Nezir Rreci, më bënte përshtypje me botimet nga folklori ynë i pasur...

Në vitin 1974 mbarova Gjimnazin me sukses të shkëlqyeshëm. Unë e kisha zgjedhur drejtimin matematikor-natyror dhe temën e diplomës e mora nga biologjia te prof. Luan Morina. Ajo quhej “Shumimi i bimëve” dhe e mbrojta me sukses të shkëlqyeshëm, bashkë me lëndët e tjera të grupit, të parapara me rregullore...’

Dashuria e madhe për letërsinë

Duke e shprehur sërish dashurinë e tij të madhe për letërsinë, duke kujtuar dhuratën e tij të pare më të çmuar-romanin ‘Bambi’, duke përkujtuar me të drejtë se letërsia, gjithmonë ajo e mirëfillta, gjithmonë ajo artistikja, gjithmonë ajo që shquhet nga e bukura dhe e madhërishmja, e fisnikëron shpirtin dhe e formëson edhe e lartëson njeriun, Bedri Tahiri na e përkujton se edhe një poet tjetër i madh por fatkeqësisht tragjik-pafundësisht tragjik, padrejtësisht-tragjik, Lorka i madh, mund të rrinte pa bukë por jo edhe pa libra:

‘Letërsinë e kam dashur gjithmonë, që nga klasa e pestë fillore kur e mora dhuratën e parë për sukses të shkëlqyeshëm, romanin “Bambi” të autorit Feliks Salten, i cili më është djegur në luftën e fundit bashkë me tremijë libra të tjerë, por që do kisha shumë dëshirë ta kem.

Dhe, kështu për të studiuar zgjodha atë që më pëlqeu më së shumti: Letërsinë dhe Gjuhën Shqipe. Dhe, nuk gabova. Në afatin rekord diplomova. Pra, në nëntor të vitit 1979, mbrojta temën e diplomës “Poema shqiptare në letërsinë për fëmijë” te profesor Agim Deva.

Dashuria për folklorin...

Ka çaste dhe mbresa që hyjnë përjetësisht në kujtesën e një shkrimtari, sado të vogla që mund të duken ato. Të tilla janë çastet që evokon shkrimtari për fillimet e tij, për trokitjet në dyert e Institutit Albanologjik, këshillin e urtë të profesorit largpamës e pajtimtar gjithëkombëtar

Dhe, duke pyetur nëpër korridorin e errët, më drejtuan për në zyrën e studiuesit Anton Çetta.

Oh, sa i afërt e sa i lezetshëm ishte ai!

Kur ia shpjegova arsyen e shkuarjes sime aty, ai, e shikoi fletoren, e pëlqeu atë punë, por më tha: Nëse më dëgjon mua, shko e mbaroje fakultetin e pastaj ke kohë për t’u marrë edhe me ketë punë!

Unë e dëgjova dhe vazhdova shkollimin, pa e lënë anash as folklorin...

Megjithatë, nga ato shënime që i pata lënë aty, nuk doli gjë në dritë, kurrë nuk i pashë të publikuara me emrin tim, as nuk arrita t’i gjeja më vonë.

Hasan Mekuli-Kokë Gjeniale

Për Bedri Tahirin 10 qershori ka edhe një domethënie shtesë, pos rëndësisë historike që ka ndër të gjithë shqiptarët atdhetarë.

Viti më i suksesshëm për mua qe 1979-ta.  Po, po. Atë vit të mbarë i kurorëzova tri punë jetike: u martova, diplomova dhe u punësova.

Dhe kush mund të kryente studimet e letërsisë pa kaluar përpara Profesor Hasan Mekulit? Një kolos i vërtetë, një erudit i pashoq, një njeri që deshi letërsinë dhe artin e letrave shqipe me shpirt, një ligjërues i papërsëritshëm, një kritik sa mendjehollë po aq edhe shembullor, një vigan i vargmaleve të Plavë-Gucisë. Shkurt shqip, Hasan Mekuli ishte një gjeni shkuar gjeniut, dhe ne që dolëm siç do të thoshte Ramiz Kelmendi, nga mëngët e duarve të tij nuk ishim pak, prandaj e nderon, prandaj e lartëson, prandaj e përkujton Bedri Tahiri:

‘Suksesi i dytë i atij viti qe diplomimi në Fakultetin Filozofik, dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe. Përfundimi gjithmonë është më i vështirë, andaj edhe unë e shtrëngova rripin. E kishim Letërsinë botërore, lënda që e kishim dëgjuar katër semestra dhe e cila, shumëkujt ia “humbte” nga dy-tri vjet. Dhe, unë, pikërisht asaj ia kisha mësyrë të parës dhe e dhashë pa asnjë problem. Profesori Hasan Mekuli ngeli i habitur dhe më dha një notë të kënaqshme. Dorën në zemër ishte kokë gjeniale, por edhe lënda qe e papërcaktuar dhe shumë e gjer, andaj studentët që përtonin të lexonin, kurthoheshin në të. Atë afat i dhashë edhe të gjitha provimet.’

Porosia e Madhe e Eqrem Çabejt

Dhe, ditën kur e mora ditarin në dorë, e lexova dhe mbajta vath në vesh mendimin e të madhit, Prof. Eqrem Çabej, thënë për mësuesit dhe rolin e tij:

“Ju do të bëheni mësues. Mësuesia nuk është profesion, ajo është mision. Ju do të punoni për formimin e njeriut. Gabimet që mund të bëjnë profesionistët e ndryshëm, mund të korrigjohen me disa shpenzime, por gabimet që mund të bëni ju me nxënësit, janë të pakorrigjueshme. Po të formosh shtrembër karakterin e një njeriu, është shumë, shumë e vështirë, në mos e pamundur, ta ndreqësh atë. Ju duhet të edukoni përmes sjelljes suaj, përmes shembullit tuaj”.

Në mbrojtje të letërsisë e të atdhetarisë:

Shkrimtari hedh dritë në kohë, kujton një zezonë ku puthadorët dhe zgaqët (siç i quante poeti e poligloti Ndre Mjeda) e shtrinin qafën para pushtuesve djallëzorë, e gjithë kjo e paraqitur me bukurinë e shprehjes e cila reflekton dramacitetin e gjendjes:

‘Nuk shkoi shumë gjatë dhe më ra të sprovoja situata të rënda. Në marsin e vitit 1981 plasën demonstratat studentore në Prishtinë. Ato shpejt reflektuan kudo në Kosovë. Një shtrirje të veçantë ato patën edhe në qytezën e lashtë të Vicianës, në Vushtrrinë e Hasan Prishtinës. Shkolla jonë u shndërrua në një çerdhe të fuqishme revolucionare, sado që pati elementë pengues brenda dhe jashtë saj.

Dhe, i riu si veriu!

Mua kurrë nuk më vajti mendja se duhej peshuar ndonjë veprim. Zemra më bëhej mal kur shihja të rinj e të reja veshur kuqezi, duke mos u bërë syri terr para tytave të armëve të policisë serbo sllave.

Hajde botë, hajde!

Po ne mësimdhënësit kah t’ia mbanim, ore vëllaçko!!!

Ca më të moshuar, silleshin më me maturi. Ca të tjerë qëndronin indiferentë, sikur nuk shihnin e nuk dëgjonin gjë prej gjeje. Ndonjë i rrëmbyer shpërthente si zorra në prush, pa u përmbajtur dot. E ca të pakët fare, që, vërtet, në shpirt u vlonte ndjenja e vëllazërim-bashkimit, dilnin hapur kundër tyre, pa e menduar se vuloseshin me damkën e turpit.

Për çudi, vetë nxënësit, çdo gjë e lexonin qartë në sytë tanë. Ata e kuptonin brendinë tonë hiç pa folur. Më së vështiri e kishim ne mësimdhënësit e gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe ata të historisë. Puna jonë përcillej me përkujdesje të shtuar. As këtu nuk ia rrudhja fare. Plan-programin e censuruar nuk e përfillja dot. Sipas tij, shumë tema me përmbajtje kombëtare duhej mënjanuar, sepse, siç thoshin mjeranët trutharë, ato ngjallnin nacionalizmin shqiptar!

O tempora, o mores!

E unë ç’bëja në këto raste?

Bëja atë që duhej bërë, në ditar shënoja njësinë sipas plan-programit a nxënësve ua shpjegoja njësitë e ndaluara, ato kombëtaret.

Gjatë një ore, një nxënëse ulur në bankën e parë e vërejti këtë veprim dhe ngadalë më tha: Profesor, mos gabove, në ditar shënove diçka tjetër e në dërrasë të zezë shkrove: Veprimtaria letrare e Ismail Kadaresë!

Unë i buzëqesha dhe, pa i thënë asgjë vazhdova shpjegimin. Edhe ajo, mbase më kuptoj dhe vazhdoi të shkruante në fletore.

Profesori për një çast, fjalën ua lë breznive që ngriti e kaliti në rrugën e madhe të dijes të vetëdijes kombëtare, prandaj me të drejtë nuk mungojnë ndjenjat e thella të mirënjohjes e të falënderimit, të respektit e të lartësimit të figurës së dashur të profesorit, ashtu siç nuk mungon as përmasa e krahasimit:

‘Të gjitha këto që i përshkrova më lart, më së miri i dëshmon dhe i plotëson tregimi i nxënëses sime, Remzije Zekolli, tashmë krijuese, e cila shumë vite më vonë shkroi tregimin “Bedri Tahiri dhe Ismail Kadare”...

Një dialog mes brezave:

- Çka mendon Remzije, pse plaka Nicë i kishte varrosur eshtrat e kolonelit Z. pikërisht nën pragun e derës së shtëpisë?,- më pyeti  Profesori.

-I nderuari profesor, po ishte kohë lufte, dhe që të mos e vërenin ushtarët e tjerë, e kishte varrosur nën pragun e shtëpisë. Pra, për shkak të sigurisë së lagjes që okupatori të mos hakmerrej për vrasjen e kolonelit.

- Mirë, mirë, po pse pikërisht aty e jo në oborr,  afër ndonjë gardhi?- vazhdoi ai, siç duket, i pakënaqur me përgjigjen time

Unë prapë ngulja këmbë në atë  se plaka trimëreshë atë e kishte bërë që të mos vërehej nga ushtarët okupatorë.

Profesori, ashtu siç ishte  afër meje vajti tek dërrasa e zezë dhe pasi mori një qëndrim prej një ushtaraku, filloi të fliste me një zë të qetë, por shumë të vendosur:

-Nxënës të dashur, Remzija u përgjigj mirë, por unë po shtojë edhe këtë dhe, kujdes, mos e harroni. Plaka Nicë është personazhi më interesant e më domethënës në romanin e shkëlqyer të Kadaresë që ju e keni lexuar. Koloneli Z.  kishte hyrë në shtëpinë e saj me qëllime të ulëta, ia kishte vrarë burrin, paskëtaj ia kishte marrë  vajzën katërmbëdhjetë vjeçare dhe e kishte dërguar në çadrën e tij për t’ia marrë nderin. E siç e dini edhe ju, nderi për shqiptarin është më shumë se vetë jeta. Dhe, vajza e gjorë, posa kthehet të nesërmen në shtëpi, vetëflijohet, mbytet në pus. Kur natën tjetër erdhi sërish koloneli gjakatar, për ta marrë prapë vajzën, sepse nuk e dinte se ajo kishte vajtur në atë botë, plaka Nicë e priti afër derës me sëpatë dhe ia mori shpirtin. Trupin e tij e varrosi vetë nën pragun e shtëpisë, në mënyrë që, sa herë të hyjë e të dalë,  ta shkelte me këmbë...

E gjithë klasa mbetëm më syhapur nga profesori,  i cili aq bukur na e shpjegoi simbolikën e varrimit të kolonelit dhe gjithë romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, saqë leximi i veprave letrare na hyri në gjak. Aty u bindëm se, qysh thoshin të mençurit: Misioni i mësuesit është i shenjtë! Puna e profesorëve tanë ishte edhe një detyrë patriotike. Ata rrezikonin jetën dhe punën e tyre dhe, fshehurazi nga pushteti e politika e kohës, na sillnin libra të ndaluar.

Ky është një kujtim i skalitur thellë në mendjen tim e që, në shpirtin tim mbolli edhe dashurinë për librin e për letërsinë.

Hazir Mehmeti dhe Fryma Atdhetare

Autori nderon edhe një emër tjetër, lartëson përcaktimin dhe qëndrimin e tij të drejtë e atdhetar të shokut të tij më të ngushtë në atë rrugëtim përplot frymëzim e të sfiduar me linçim, me diferencim, me sfidim të skajshëm, por që në fund ka për ngushëllim një qëndrim dinjitoz të cilin do ta shprehtë një nga nxënësit e tij, e që në të vërtetë , është edhe një qëndrim i tërë brezash atdhetarë:

‘Në këtë frymë vepronin edhe shumë të tjerë. Më i zëshmi ishte shoku im i ngushtë, me të cilin na ndante vetëm nata, profesori i biologjisë, Hazir Mehmeti nga Beçiqi. Ai vepronte edhe më hapur se unë. Bashkëpunimi ynë ra në sy të të gjithëve. Klasat tona dalloheshin për të mirë. Në çdo manifestim protestues, ishin në radhët e para.

Për të qenë, frymëzimi nuk u mungonte. Kjo hetohej edhe në vetë ditarët e klasave tona. Emrat ua patëm shënuar kuqezi: emrat e vajzave me të kuq e emrat e djemve me të zi. Ah, sa bukur rrinin! Ma doje t’i shihje! Por, kjo edhe na kushtoi. Komitetlinjtë që erdhën për të na diferencuar, pse nxënësit tanë kishin dalë në demonstrata, e patën edhe një dëshmi më shumë.

Unë e pata një “privilegj”, nuk isha anëtar i LKJ. Kjo ma zbuti dënimin, mora një vërejtje sindikale dhe një dënim simbolik material.

Vite më vonë, një nxënës imi, djalë i një furrtari nga Lubizhda e Hasit, Jahir Xhibexhiu, m’i përkujtoj ato momente: “Profesor i nderuar, edhe sot ndjehem krenar që të kam pasur profesor, edhe më krenar si kujdestar klase. Nuk keni qenë vetëm profesor, por edhe një edukator i shkëlqyer. Edhe më shumë se kaq, keni qenë e jeni atdhetar i devotshëm, prof. i nderuar. Si sot më kujtohet që Ne, klasa Juaj, në atë kohë, në ditar i kemi pasur të shënuar emrat me ngjyrë të kuqe e mbiemrat me të zezë. Në atë kohë, falë Jush, kemi qenë Flamuri kuq e zi”.

Ama, në anën tjetër, kjo nuk qe edhe pa pasoja; banesën që ma ndau kolektivi, ma hoqën në komitet, pikërisht pse nuk isha komunist. Paskëtaj edhe në APJ më dolën probleme...’

Inkuizicioni Mesjetar ndaj Intelektualëve dhe Profesorëve Shqiptarë

Me një kujtesë të freskët e me një finesë fjalësh, intelektuali dhe profesori përkujton atë kohë të pakohë, ku shovinizmi serbomadh po bënte terror përmbi rininë studentore e përmbi inteligjencën atdhetare, duke e flakur burgjeve dhe rrugëve. Duke e përshkruar atë periudhë ngjarjesh të vrullshme sa edhe të bujshme, me nëntekstin e ligjërimit të tij të hollë, Bedri Tahiri bën thirrje për të mos e harruar atë kohë tepër të vështirë sa edhe të padrejtë:

‘Megjithatë, krenohem pse nuk isha anëtar i LKJ! Këtë e pohon vite më vonë edhe vetë Kamer Rrukiqi, profesori i larguar nga puna. Ai, në një letër që do të ma dërgon më pastaj, pos tjerash shkruan:

“Pak kohë ishim kolegë në Gjimnazin e Vushtrrisë. Ajo pak kohë, por edhe orari i ndryshëm i orëve të mësimit, u benë shkak që ne të mos njihemi më gjerësisht dhe më përse afërmi. Pra edhe të bisedonim shlirshëm! Ishte kohë e zymtë! Kohë kur njerëzit diferencoheshin, në pro dhe kundër shtetit të huaj. Kishte të tillë që edhe pas orarit të mësimeve qëndronin në lokalet e shkollës për...

Kisha vërejtur një person që po sa i kryente orët, ikte. Ai ishte Prof. Bedri Tahiri, i cili si i ri, nuk donte të bëhej "Aktivist", nuk donte të pranonte angazhime nga Partia dhe organet sekrete. Gjithmonë i kam pasur parasysh ikjet e Tij në shpejtësi! Ashtu qysh e kisha vlerësuar nga largësia, ashtu edhe më doli më vonë në afërsi! Sepse, aty ku përfundoi arma e UÇK-së, aty filloi "arma" PENË e Bedri Tahirit për të shkruar historinë tonë të re, historinë e lavdishme të UÇK-së dhe më gjer, direkt nga ngjarjet, direkt nga burimet, pa lenë hapësirë për falsifikime, siç ndodh shpesh në shkencën e historisë...”

Fjala si Obelisk, kur bëhen një Lisat dhe Plisat

Shkrimtari i beson fjalës së shkruar, burri fjalës së dhënë e në logun e historisë takohen sërish të bijtë e mëmëdheut. Galica pret në gjirin e saj krushqit e lirisë. Amanetin s’e tretë dheu, që nga Agroni e Teuta, që nga Gjergj Kastrioti-Skëndërbeu e deri tek ismail Qemali e Hasan Prishtina. Fjala shqipe si një trëndafil përmbi bokërrima. Kuvend mes burrash e mes prijatarësh. Breza të djeshëm e breza të përjetshëm. Pena dhe pushka, lisat dhe plisat. Fjala e dhënë dhe fjala e shkruar për të mos i harruar kurrë:

Më 25 korrik 1990 Galica kishte festë. Po mbahej një Tubim i Madh Popullor, asi çfarë i organizonte Azem Galica sa ishte gjallë. Që në orët e hershme të mëngjesit nga të katër anët kolonat me “krushq” me flamuj në ballë po marshonin drejt Galicës. Mbi 30.000 mijë qytetarë erdhën në Galicën kreshnike. Aty ishte edhe komandanti legjendar Adem Jashari, i cili edhe u betua që ta ndiqte rrugën e tij lavdiplote

Galicasit të gjithë tok: burra, gra pleq, fëmijë, atë natë s’kishin fjetur fare. Në katundin e tyre po vinte e tërë Kosova.

Bedri Tahiri duke folur në tubimin e madh popullor, të mbajtur më 25 korrik 1990 në Galicë, ku morën pjesë mbi njëzet mijë qytetarë, me ç’rast ndërhynë forca të mëdha policore serbe.

Edhe pse ndërhyri policia serbe, duke kërkuar që të ndërpritej tubimi, çdo gjë kaloi për mrekulli.

Aty, nën binën e improvizuar, ishin edhe Adem Jashari, Sahit Jashari etj., të armatosur deri në dhëmbë.’

Jo vetëm kaq. Bedri Tahiri mban ditar lufte, shkruan ato që përjetuan këta njerëz e këto male, dëshmon për lirinë dhe për përjetësinë e atyre që me gjakun më të kulluar Evropës tinëzare i shkaktuan tërmet:

As në luftën e fundit çlirimtare të UÇK-së, galicasit nuk qëndruan duarkryq.  Më 5 prill 1998, djemtë e Galicës, para Obeliskut dhe varrit të Azem Bejtë Galicës dhanë betimin dhe formuan celulat e para të Ushtrisë Çlirimtare, të cilat vepronin në kuadër të Brigadës 114 “Azem Galica”, gjegjësisht “Fehmi Lladrovci”. Në korrik të atij viti, më 18 korrik 1998, në kufirin ndarës shqiptaro- shqiptar, të Rrasa e Zogut, në Padesh, ra edhe dëshmori i parë galicas i UÇK-së, djaloshi sypatrembur, Adem Ramadan Ademi. Ndërkaq, më 2 maj 1999, në Studime të Vushtrrisë ra dëshmori tjetër galicas, profesori Bahri Rexhep Haxha.

Me Kryelegjendarin Adem Jasharin

Ca dromca kujtimesh që hedhin dritë për Kryekomndantin. Ca kujtime e ligjërime me flakërime fjalësh e me flatra të shqiponjës dhe ca shkronja të gjuhës mëmë që paralajmëronin lirinë e mëmëdheut:

‘Në fakt, me Adem Jasharin edhe ishim kushërinj nga fisi, edhe në vitin e parë ishim në një shkollë (në vitin e parë, pastaj ai kaloi në shkollën teknike, njëherë paralele e Mitrovicës e pastaj vitet tjera në Mitrovicë). Siç e theksova edhe më lart, në Tubimin gjithpopullor në Galicë, më 25 korrik 1990, Adem Jashari me Grupin e Prekazit ishin në Galicë dhe, meqë milicët serbë u tërhoqën pa ndërhyrje, edhe trimi nuk reagoi…

Daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e kam përjetuar nga afër dhe e pata përshkruar kështu, në artikullin “Shqipet fluturojnë në qiell”.

Poetika e Përshkrimit

Në intervistën e tij të veçantë, ashtu sikurse edhe në veprat e tij të shumta publicistike-historike e letrare, vërehet një poetikë e theksuar e përshkrimit, veçori e ligjërimit të Bedri Tahirit, i cili e laton fjalën e bukur shqipe me pasion, i cili e gdhend atë me durim, i cili ia ofron atë lexuesit duke i dhënë një shkëlqim të ri stilit të tij, si dhe një vezullim të veçantë leksikut të tij të pasur e shpesh edhe aq të rrallë me shprehjet dhe fjalët e gjetura e të goditura me aq kujdes dhe me aq shije ideore e estetike:

‘Agu i së mërkurës u gdhi fare i zymtë. Natyra hijerëndë sikur parandjellte diç të pazakontë. Qielli i mërrolur veçse s’lotonte. Dielli nuk dukej gjëkundi. Po vononte të hidhet dritë mbi horizont. Retë e harlisura tërbueshëm kalëronin në qiellin e pafund.

Drenica ende përkundej në djepin e ëndrrave liridashëse. E, drejt saj, që me natë, ishte nisur kolona e zezë mortore. Bishat e etura për gjak, tërë turfullimë e ulërimë, ngarendnin e ngarendin çmendurisht. Të dehur e të verbuar nga egoizmi mashtrues e të zhytur në batakun e mitit të rremë të pathyeshmërisë, futeshin thellë e më thellë në zemër të saj...

Dhe, papandehur, të Kryqi i Popit, dheu u trand si nga tërmeti. Thellë, në gjirin e tokës mëmë shpërtheu fuqishëm amaneti i brezave. Si Feniksi nga hiri i vet, u ringjallën: Millesh Kopiliqi, Ahmet Delia, Shaqir Smaka, Shotë e Azem Galica, Shaban Polluzha e Tahir Meha. Të bërë tok sikur folën për njëherësh: Mjaft më barbarë!

Lugjet përreth oshtinë, duke e përcjellë kushtrimin. Kodra-kodrës ia zgjati dorën. Malet u përqafuan vëllazërisht dhe u lidhën në besa-besë. Shqipet fluturuan lart mbi kreshta.

Një tufë rrezesh, në kryqëzim resh, u lëshuan mbi shkollën “Përparimi” të Llaushës. Në mësonjëtore drita e mundi errësirën. Brezi brezit amanet. Halit Gecaj, para filizave njomëzakë, që përpiqeshin ta përpijnë çdo fjalë të tij. U fliste për 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë. Atë ditë të shënuar, u thoshte ai, plaku i urtë vlonjat, Ismail Qemali, bashkë me patriotë të tjerë, arriti ta bëjë një Shqipëri të Pavarur, por fare të vogël, pa Kosovën martire dhe pa Çamërinë fatkeqe. Nesër, kur t’ia bashkojmë këto, do ta bëjmë të tërën Shqipërinë...

Një breshëri plumbash e mbuloi shkollën.

-Na e vranë mësuesin!- bërtitën vogëlushët e lemerisur.

Gjaku zuri të pikojë mbi ditar. Ai u kalamend, por e mbajti veten. Mezi arriti t’u drejtohet nxënësve: “Mësoni dhe punoni për lirinë e Kosovës!”

Korbat, me krrokamën e tyre, u zmbrapsën. Duke ikur, të mllefosur, zunë të shfryjnë në të pafajshmit. Nuk kursyen asgjë. Qëllonin kudo e këdo: shkollën, xhaminë, shtëpitë, fëmijët edhe bagëtinë e gjorë. Dielli i hutuar nga kjo barbari e paparë harroi të ecte e zogjtë ndalën këngën.

Llaushë, 28 nëntor 1997. Lumenj njerëzish vërshuan nga çdo anë. Të gjithë tok i bashkonte flamuri kuqezi. Jo për ta kremtuar Ditë e Tij, por për ta përcjellë mësuesin në amshueshmëri. Ah, sa bukur qëndronte mbi trupin e tij! Flamur i lashtë, flamur besnik! Mbi pesë shekuj e gjysmë jetë e rezistencë. Dhe, prore i pandryshuar. Që nga epoka lavdiplote e Skënderbeut kemi ecur bashkë. Kudo të pandarë: në lindje, në dasma, në festa, në beteja e në vdekje!’

Plumbat dhe Shkronjat: Shqipet Fluturojnë Lart Mbi Kreshta!

Një kontrast me sfond të thellë. Një skenë makabre që nuk i shpëton syrit shqiponjë e as penën së mprehtë. Një lukuni ujqish të çartur dhe një gjakim i pandalshëm për liri. Ulërima ogurzeza të Uraleve dhe qëndresa epike e shqiptarëve. Flatra shqiponjash e flora të fjalëve shqipe që përkulen mbi varre martirësh të mëmëdheut:

‘Fare pranë, nxënësit e tij sy përlotur. Ata përjetë nuk do ta harrojnë orën e fundit, që mësuesi i dashur e sypatrembur ua mbajti nën zhurmën e autoblindave e flakën e mitralozave.

Tej, larg në një qoshe, kishte zënë vend një plak i mbetur. I mbështetur mbi kërrutën e tij tërë nyje e i futur në gunën e arnosur, që i shkonte deri në tokë, mërmëriste me vete: U lumtë, ore djema, u lumtë! Ju, vetëm ju, do t’ia sillni Kosovës dritën! Edhe ne patëm luftuar mjaft, por ju keni edhe shkollë e nuk mashtroheni lehtë. Kur jeni të bashkuar s’ka ç’ju bëjë askush jo. Ah, mësues, mësues! Ju, që nga shkolla e parë shqipe, po u përsëritet historia. Çdo pushtues u pati halë në sy, por ama ato shkronjat të arta s’kanë frikë nga plumbat. Tre muajsh ishe kur serbët ta vranë babanë...- dhe lotët i vërshuan mollëzave thatake. Nxori shaminë e rrudhosur e zuri t’i fshijë, pa ua varur veshin të tjerëve përreth.

E lumenjtë rridhnin pa u ndalë. E terë Kosova po vinte aty për ta ndarë dhembjen e pikëllimin. Ishte kjo një dhembje krenare, sepse po hapej një faqe e re e historisë sonë.

Flamuri ynë fare pranë aspiratave shekullore, pranë Nëntorit të Tretë. Kjo shihej qartë në fytyrën e secilit pjesëmarrës. Këtë e thoshin edhe të gjitha zemrat që ishin bërë NJË. Por, më shkoqur e thanë vetë shqipet, që zbritën nga malet dhe duke u përkulur mbi varr thanë: “Të lehtë e paç dheun, or vëlla!”

Zëdhënës Zemrash

Në ditë të zeza e në një kohë zezonë, toka lahej me gjak. Dëshmitë nuk guxonin të mungonin, sepse ato ishin fshehur aq shumë nga barbarët. Thonjtë e magjistricave sikur ato në tragjeditë e krimeve makabre në veprat e Shekspirit, po mëtonin të fshinin sërish gjurmët e krimit. Koha kërkonte zemra dhe zëdhënës zemrash. Shkrimtari u bë zë kohe e zë zemrash:

‘Unë isha caktuar zëdhënës i UÇK-së për Galicë dhe si koordinator për media e për vullnetarët që ia mësynin Drenicës, meqë isha si urë lidhëse…

Ditën kur shpërtheu lufta në Prekaz të Poshtëm, më 5 mars 1998, me Haqif Mulliqin dhe disa të tjerë kemi vajtur deri në Prekaz të Epërm dhe nga aty, nga lagjja nën shkollë (nga Brahovitë) e kemi përcjell betejën. Këtë e dëshmon fotoja nga aparati i Haqifit, të cilën edhe e ka publikuar…

Stili i dëshmisë së ditëve të përgjakura

Toka bujare e gjyshërve dhe e stërgjyshërve u la sërish me gjak. Por në ndërgjegjen e shkrimtarit, me të drejtë rri shqetësimi se vallë a do të mund të shkruajë kronikën e një kombi të përvuajtur. Për një çast, ai sikur pyet: Vallë, kush do të dëshmojë për ditët e përgjakura, për bajonetat mbi bebëzat, mbi djepat, mbi gjirin e grirë me thika? Ndalet sërish dhe kridhet në kujtime. Flet me të gjallët dhe më rënët për liri. Vë kohët përballë njëra-tjetrës. Sfidon vdekjen. Njëlloj e sfidon edhe robërinë. Ai nuk harron se ka një mision, koha i ka ngarkuar mbi supe të jetë dëshmitar për historinë, për lirinë dhe përjetësinë e saj. Ai shkruan kronikat e gjakut, dëshmi e ditëve të përgjakura, skena është rrëqethëse e fjala  shëron plagët...

Faqe nga Ditari i Luftës

Faqet e Ditarit të Luftës janë një tjetër përmasë e krijimtarisë së Bedri Tahirit. Dëshmitar i gjallë i ngjarjeve dhe luftimeve, ai ka shkruar ato në detaje, ka mbajtur shënime e ka shpalosur kujtime të një kohe të hidhur sa dhe krenare. Vlera e këtyre shkrimeve, përmasa e këtyre kronikave bëhet edhe më e veçantë me stilin e rrallë poetik, me dramacitetin e ngjarjeve dhe me bukurinë e shprehjeve që autori ka radhitur me një kujdes të veçantë dhe me një përkushtim që meriton admirim:

Si zëdhënës dhe kronist i luftës, përherë mbaja shënime, mirëpo ditarin e mirëfilltë, ashtu siç kërkohet, për çdo ditë, e mbajta nga dita, 22 shkurt 1999 deri më 22 qershor 1999. Dorën në zemër, here-herë e kisha pisk me fletoret e me stilolapsat. Më harxhoheshin dhe më mungonin. Në një shtëpi të djegur e të braktisur në Ashlan e gjeta një çantë shkollore dhe aty e mora një fletore nxënësish. Paskëtaj, për shkaqe sigurie, fletoret e mbushura, i futja në oxhaqet e shtëpive të djegura, ua qitja sipëri ndonjë tjegull për t’i mbrojtur nga shiu dhe, zakonisht i tregoja edhe dikujt tjetër, se luftë ishte e nuk i dihej…

Në Mbrojtje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Në një kohë kur nuk rreshtin sulmet dhe insinuatat ndaj luftës heroike, kur merret në shënjestër një prej vlerave më të shenjta që ka nxjerrë ky popull nga gjiri i tij, Bedri Tahiri sërish vihen në mbrojtje të Ushtrisë  Çlirimtare të Kosovës. Madje, me krenari dhe me kënaqësi ai e thotë hapur se Atdhetarizmi është njëkohësisht lajtmotivi i tij, kryesor, frymëzimi i tij që e udhëheqë atë në jetë e në krijimtari. Sërish, me peshën e fjalës së tij, me bukurinë e shprehjes së tij, me thellësinë e gjykimit të tij, me mprehtësinë e mendimit të tij, Bedri Tahiri i ka thurur një himn Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës:

‘Është nder dhe krenari për të gjithë ata që ishin pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Dhe, jo vetëm për ta! Secili që i ka dy kokrra mëndë në kokë, duhet ta ketë të qartë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qe e drejtë, çlirimtare, e pastër, e shenjtë. Atë e bën djemtë dhe vashat tona që vdekjen e shikonin drejt në sy dhe i thoshin: Plaç!

Ushtria Çlirimtare e Kosovës është formacioni më i suksesshëm në gjithë historinë tonë. Për herë të parë folëm me një zë dhe bëmë luftë mbarëkombëtare, duke fituar përkrahjen e botës së civilizuar, andaj edhe fituan atë që na mungonte-Lirinë!

Përpjekja për zhvlerësimin e luftës sonë më të lavdishme historike, luftës së UÇK-së, le të rëndojë si ndëshkim nopran mbi të gjithë ata që kanë hak e hile! Tekefundit, ajo është brilante dhe njollat nuk e përlyejnë dot. Kemi të bëjmë me vlerat kombëtare, me mundin, me sakrificën, me gjakun e me gjymtyrët e humbura të atyre që na sollën Ditën e Bardhë- LIRINË, dhe kjo merr përmasat e një mallkimi të pamëshirshëm historik.

Nuk dënohen ÇLIRIMTARËT!

Ata janë vetë LIRIA!

Pastërtia e UÇK-së nuk përlyhet dot!

Lavdi për jetë e mot!

Dëshmorët janë nderi dhe krenaria e kombit dhe e atdheut. Ata janë të shenjtë për popujt e qytetëruar. Vetëm ata që çmojnë gjakun e tyre mund të ecin përpara drejt ardhmërisë. Edhe ne shqiptarët duhet kthjelluar dhe të marrim të mbarën. Nuk thuhet kot: Kush harron historinë është i detyruar ta përsërisë. Sa herë e pësuam ne dhe kurrsesi të mbledhim mend.

Është e vërtetë, shumica e veprave të mia janë me temë historike, andaj edhe shumica me quajnë historian. Ai që nuk e njeh historinë e vet nuk di pse jeton? Historia jonë është e begatë, sepse përherë na u dashtë të qëndrojmë me armë në dorë për tu mbrojtur nga armiqtë e ndryshëm që synonin trojet tona stërgjyshore.

Unë zakonisht merrem me shkrime historiko-letrare, e lëroj me kujdes reportazhin, esenë, monografinë, poezinë, tregimin, romanin dhe publicistikën. Duke e parë se historia ndaj shqiptarëve është treguar njerkë, dhe duke parë që historinë e kemi pasur të shkruar nga të tjerët, mua më lindi ideja që vetë ta shkruajmë historinë tonë, jo duke e glorifikuar, duke e zmadhuar, por duke thënë realitetin. Lajtmotiv i të gjitha veprave të mia është atdhetarizmi.’

Obligim moral e kombëtar

Nga pjesët e ligjërimit të tij vërehet qartë se ai përmes letërsisë bën thirrje për rizgjimin dhe ringritjen e vetëdijes historike e kombëtare mbarëshqiptare, zemër-thirrje kjo aktuale sot e mot, gjë që ai e shtron si imperativ kohe, si obligim moral e kombëtar:

Duhet bërë më shumë e më mirë! Kjo po na kthehet si bumerang. Serbia gjakatare ka publikuar aq shumë dokumente e libra, saqë gati po del si viktimë e ne po mbesim fajtor! Po ngjet e kundërta e asaj që ka ngjarë realisht.

Sot, më shumë se kurrë, kur vlerat e luftës sonë çlirimtare po cenohen qëllimshëm e pa të drejtë, me burgosjet dhe dënimet e çlirimtarëve, kemi obligim moral e kombëtar që ta nderojmë dhe ta lartësojmë veprën e madhe të komandant Adem Jasharit dhe të UÇK-së, formacionit më të lavdishëm që ka krijuar populli shqiptar në historinë e tij, ta nderojmë gjakun e dëshmorëve që solli Lirinë.

Të flasësh e të shkruash për dëshmorët, është sa krenari aq edhe përgjegjësi. Ata, me gjakun e tyre u bënë themeltarë të lirisë e të shtetësisë sonë. Ata nuk kanë nevojë për fjalë të mëdha, sepse vetë janë të mëdhenj, ata nuk kanë nevojë për lëvdata, sepse janë lavdia vetë, ata nuk kanë nevojë për ne, por ne kemi nevojë të krenohemi me ta.

Luftërat tona, që nga Skënderbeu e deri tek Adem Jashari, ishin të drejta, mbrojtëse e çlirimtare.

Roli i shkrimtarit/intelektualit dhe Testamenti i Mentarit Xhemail Abria

Duke e bërë një sintezë të mendimit intelektual si dhe të mençurisë së Xhemail Abrisë, duke iu referuar Rilindasve tanë trima e të mençur, Bedri Tahiri me të drejtë ka bërë thirrje për një rol më të theksuar të intelektualit shqiptar, por njëkohësisht ka bërë thirrje edhe për paqe e vëllazëri ndër shqiptari:

Shkrimtarët dhe intelektualët kanë rol parësor në ndërgjegjësimin e shoqërisë për rëndësinë e historisë dhe identitetit kombëtar! Kjo dëshmohet me punën dhe përkushtimin e rilindësve tanë. Ata e krijuan Shqipërinë! Shkrimtarët dhe intelektualët duhet të jenë largpamës dhe të guximshëm. Ata ku mungon guximi, ndërgjegjja është një mysafir i shkretë!-thoshte një mendimtar.

Duke folur për rolin edukativ poezisë dhe këngës, Lasgushi ynë i madh përmend Himnet kombëtare me të cilat populli mobilizohet, të shkojë në luftë dhe të vritet, duke kënduar. P.sh. Me vargjet: Për Mëmëdhenë, për Mëmëdhenë/ Bashkoi burra se s’ka me prit …, janë vrarë njerëz dhe janë fituar beteja. Prandaj duhet të shkruajmë poezi jo të mirë, po shumë të mirë, shumë të lartë, shumë të thellë, shumë të gjerë, që t’i vëmë shpirtit të kombit themele të shëndoshë.

Porosia që del nga veprat e shkrimtarëve, përherë përbashkuese, unifikuese dhe qëlimmirë! Ajo shkon në vazhdën e thënies së njohur profetike të dijetarit Xhemail Abrija: “Sa t’kërset pushka midis nesh kurrë i huaj pej qafe s’ka me na u hjekë”.

Letërsia si Frymëzim i Përhershëm dhe si Gjakim i Përjetshëm

Leximi si art dhe si përkushtim, leximi si zgjerim i diapazonit dituror, leximi me laps në dorë, duke mbajtur shënime e duke nënvizuar ide dhe mendime të mendjeve të ndritura, është bërë prej kohësh një pjesë e pandashme në veprimtarinë e pandalshme të këtij krijuesi me vepra dhe vlera të shumta:

Që të merresh me shkrime, se pari duhet të lexosh. Të lexosh shumë e shumë që ta formosh konceptin e të perceptuarit për të hartuar. Është e pamundur të lexosh një libër e t’i shkruash dy, siç është shprehur me ironi në një emision shkrimtari i shquar Ymer Berbati!

Në fillim lexoja çka më binte në dorë, ndërsa më vonë fillova të përzgjedh. Kurse autorët fillestarë që më nxitën të shkruaj ishin autorët e traditës, të cilët me kulturën e tyre arritën ta mbajnë gjallë frymën kombëtare. Zakonisht më pëlqente të lexoja librat që kishin tema historike, sepse nga to mësoja... Kurse më vonë dashuria për letërsinë lindi nga autorët e Shqipërisë, siç ishin: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi etj., por edhe poetët e shkrimtarët e ndaluar të asaj kohe. Kur e kam lexuar Sylejman Krasniqin, sidomos veprat e tij “Prijësa e komiteve'' dhe “Mic Sokoli”, pastaj vprat e Ajet Haxhiut “Azem dhe Shotë Galica'', ''Hasan Prishtina'' e ''Bajram Curri'', sikur tërë vëmendja mu kthye nga historia jonë kombëtare. Kështu që veprat të cilat na i ndalonin na nxitnin edhe më shumë që t'i lexonim. Këta ishin autorët të cilët lanë mbresa të pashlyeshme në kujtesën time dhe mund të themi se ishin mësuesit e mi të parë në fushën e letërsisë.

Duke e kthyer kujtesën edhe një here tek fëmijëria e tij, ai kujton me kënaqësi të veçantë fillet e dashurisë së tij për trimërinë dhe historinë e kombit të vet, si dhe të dashurisë së veçantë për letërsinë, fusha këto të cilat do të ndërthuren më tej duke pasur ndikim të veçantë tek njëra-tjetra, në të gjithë opusin krijues të Bedri Tahirit:

Siç e kam theksuar  edhe më përpara, dashuria për historinë dhe letërsinë më kishin lindur herët. Qysh kur isha fëmijë, më pëlqente të rrija nëpër oda dhe të dëgjoja rrëfimet e pleqve për ngjarje e ndodhi historike apo këngëtarët kur u thurnin lavdi heroizmave të të parëve tanë që kurrë nuk u pajtuan me robërinë. Rrija deri pasmesnate, në tymnajën e krijuar nga duhanxhinjtë e pangopur dhe të nesërmen mezi më dilte gjumi për në shkollë. Aty mësova e ç’nuk mësova. Mbamendja ime mbushej e mbushej. Interesimi im i habiste edhe burrat, saqë, dikur me lejonin të qëndroja aty edhe kur nuk ishte vendi për fëmijë. Isha i privilegjuar. Rrija mbi parmak dhe mbaja edhe shënime, si të isha procesmbajtës...

Letër inkurajuese e Albanologut Austriak

Letra e albanologut austriak përveç se është shprehje e një falënderimi dhe e një mirënjohjeje të veçantë, ka peshën e saj edhe për përmbajtjen por edhe me domethënien që ky vlerësim i jep monografisë për kryekapedanin Azem Bejtë Galica, duke qenë kështu jo vetëm shprehje e vlerësimit mes dy intelektualëve por edhe e miqësisë së kahershme mes dy popujve:

Përkundrazi, pata lavdërime. Një letër falënderuese e pranova edhe nga albanologu austriak, Prof. dr. Nermann Olberg, i cili e kishte lexuar me vëmendje librin, të cilin ia pata dërguar përmes mikut tim, Avdi Avdiut nga Kolla, që punonte në Insbruk.

Zotit

Bedri Tahiri                                 Innsbruck, më 30. 05. 1986

Galicë-Kosovë

I nderuari z. Bedri Tahiri

Ju përgëzoj për botimin e librit “Azem Bejtë Galica”, i cili hedh dritë mbi luftërat e pandara te Popullit Shqiptar për Liri e Pavarësi. Është shumë interesante përmbajtja e kësaj monografie mbi luftëtarin dhe trimin e patrembur shqiptar, Azem Bejtë Galica, që pasqyron ndjenjat patriotoke dhe të kaluarën e hershme Krishtjane të popullit shqiptar, që para ardhjes së Perandorisë Osmane e deri në ditët e sotme nën sundimin serb.

Ky libër është, jo vetëm dokument Historik,  që ju me zbulimet e fakteve të reja historike e të gojëdhënave të popullit e bëjnë edhe më interesante kur dihet se vlerat e rëndësishme Historike nga e kaluara e popullit shqiptar janë të pakta, si pasojë e sundimeve të ndryshme, që nga Perandoria Osmane e deri në ditët e sotme, nga pushtetmbjatësit e metejshëm me dhunë të Kosovës që çdo gjë shkatërrojnë e mohojnë, jo vetëm historinë e lashtë shqiptare, por mohojnë edhe besimin e tyre të hershëm krishtjan, me qëllime e prapavijë të caktuar politike, duke mbrojtur tezën e tyre se shumica e popullsisë së sotme i takon atij besimi musliman dhe në këtë mënyrë dëshirojnë mohimin e prejardhjes shqiptare nga paraardhësit e tyre ILIR, duke mos përmendur njëherit edhe elementet krishtjane të popullit shqiptar para ardhjes së pushtuesve turq në Ballkan.

Në anën tjetër, vepra Juaj pasqyron edhe dëshirën e zjarrtë të popullit tuaj për liri dhe sakrificat e parreshtura drejt Çlirimit Kombëtar. Unë si Albanolog ju uroj juve dhe mbarë popullit shqiptar suksese të plota deri në fitorën përfundimtare, në mënyrë që edhe shqipatrët, si gjithë popujt e tjerë ballaknikë e evropianë të gëzojnë të drejtat e tyre të ligjshme për vetëvendosje dhe mbes me shpresë se ky problem të zgjidhet në mënyrë paqësore.

Ju falënderoj shumë për dërgimin e një ekzemplari ku krahas librave të tjerë të Letërsisë Shqipe do të zë vend edhe kjo monografi e Azem Bejtë Galicës.

Ju uroj suksese dhe punë të mbarë në idealin e juaj Kombëtar!

Me respekt,

Univ. Prof. Dr. HERMANNN OLBERG

Libra në Kohë Lufte

Bibliotekën e shkrimtarit e kanë djegur gjakpirësit por mbi shkrumbin dhe hirin fjala shqipe sërish ka mbijetuar. Shkrimtari dëshmon se Serbia gjenocidale, një krim të veçantë ka bërë me djegien e librave dhe të bibliotekave të shkrimtarëve shqiptar, dhe pos të tjerave një ditë do të përgjigjet edhe para këtij krimi, edhe para kësaj padie.

Fatin e librave shkrimtari e përshkruan me po të njëjtën fuqi të fjalës dhe me po të njëjtën dhembje, sikurse edhe fatin e njerëzve e të kryeheroit që u kthye në legjendë përmbi legjendat:

Në kohë lufte kanë lindur edhe librat: “Adem Jashari- legjendë e legjendave”, “Agu i lirisë” (ditari) dhe libri me tregime “Përjetësia”.

Flakët e luftës dhe libri i mbijetuar.

Pas ofensivës së shtatorit 1998, e njohur me emrin e koduar “Qyqavica”, e cila qe ndër më të rëndat për UÇK-në dhe popullatën në përgjithësi, u arrit një armëpushim formal. Atë pauzë disamujore unë e shfrytëzova dhe e përgatita dorëshkrimin “Adem Jashari-legjendë e legjendave”. Sakaq, në shkurt 1999, nisi ofensiva e re dhe pas një rezistence disaditore, më 15 mars piromanët karpatinaë depërtuan edhe në Galicë. Dogjën e shkatërruan çdo gjë mbi dhe, duke zbatuar planin “tokë e djegur”.

Edhe mua ma dogjën shtëpinë. Por, në bibliotekën time u doli punë më shumë. Zunë t’i shfletonin dokumentet, fotot e shënimet e ndryshme. I përdoruan edhe 3700 librat, duke i hedhur në zjarrin bubulak në oborr. Oficeri i nevrikosur një nuk e lëshonte dot nga dora. Ishte libri im i parë “Azem Bejtë Galica”. Nga gjyshi, i cili paskësh qenë pjesëmarrës në rrethimin e vitit 1924, kishte mësuar shumë për këtë trim. Këtë do ta varrosi pranë obeliskut të Azem Galicës,- tha dhe ashtu veproi, pasi më parë kishte prerë me gërshërë foton e autorit...

Këtë të zezë edhe e kisha menduar, por nuk dija ç’të bëja. Gjithë çka mund të bëja qe ruajtja e dorëshkrimit të librit për komandantin legjendar, Adem Jasharin. Pjesën tjetër e ka bartur me vete vajza ime e dytë, Lindita 16 vjeçare, duke rrezikuar edhe jetën. Përpjekjet e saj kanë qenë të jashtëzakonshme. Me asnjë kusht, as edhe kur ka qenë në rrezikun më të madh, nuk e ka lëshuar nga dora dhe kujdesi dorëshkrimin...Kur ngjau Nata e Bartolomeut në Studime e në burgun e kampit të përqendrimit në Smrekonicë, në kolonë ka qenë edhe Lindita, e cila me guximin dhe gjeturinë e saj ia doli mbanë... Ndërkaq, fletoren e shkruar me dorë, bashkë me makinën e shkrimit, i mbështolla me arna e lecka dhe ashtu tok të futara në një pako i lashë në katin e dytë të shtëpisë së pa meremetuar.

Dhe, dreq o punë! Snajperistët serbë zunë pozicion mu në atë dhomë. Natë e ditë qëndruan dhe u ulën mbi pako, pa u shkuar mendja se aty ishte Adem Jashari! Plot 27 ditë! Kur zbrita nga malet (mirë e thotë Kadareja: Liria vjen nga malet!), më 26 maj 1999, fill vajta aty dhe u gëzova kur gjeta dorëshkrimin dhe makinën.

Sot, pas kaq vitesh, ndjej nostalgji për makinën e shkrimit, fletoren me dorëshkrimin e librit“ Adem Jashari legjendë e legjendave”, i cili ka përjetuar dhjetë ribotime me mbi 15 mijë kopje...

Librat tjerë e patën një fat më të mirë...

Modestia është vetë Madhështia

Shkrimtari i mirëfilltë gjithmonë është në mesin e popullit, në gjirin e tij. Aty ai gjen dhe kërkon tema e shtjellon motive, aty takon njerëzit e thjeshtë e bashkëbisedon me ta, aty i gjënë protagonistët e veprave të tij si dhe protagonistët e historisë. Në valët e jetës e në vrullin e popullit, në luftën dhe në përpjekjet titanike për liri, ai gjënë dhe gdhend personazhet e veprave të tij letrare. Ai priret nga parimi i madh universal se: Modestia është vetë madhështia! Ky parim dhe ky vizion e ka frymëzuar dhe e frymëzon atë për të shpalosur në veprat e tij njerëzit e thjeshtë e të sinqertë, të pajisur me tiparet e fisnikërisë e të bujarisë, të së drejtës e të së vërtetës:

Personazhet janë njerëzit e thjeshtë, të cilët sikur të thërrasin vetë, sepse janë në mesin e popullit! Ata, në fakt, janë të mëdhenj, janë vetë historia! Modestia është madhështi! Edhe unë jetoj në mesin e popullit, me dy këmbët në tokë, andaj frymojmë bashkë. Ka ngjarë në letërsinë botërore të lexojmë vepra ku ideologjia e shkrimtarët nuk përputhet me ideologjinë e protagonistit.

Tek unë është e kundërta. Përherë jemi të një mendjeje me protagonistin apo personazhin e përzgjedhur për të përçuar mesazhin te lexuesi. Ata, si prototipa, i gjeja kudo: në shkollë, në punë, në mërgim, në luftë, në protesta, në demonstrate, në burg, në aksione dhe, paskëtaj, duke i plotësuar e mishëruar me elemente shtesë, portretizohen me petkun e tipizimeve letrare, për të shpërfaqur misionin e tyre.

Ata duhet të jenë në rend të parë njerëz, në kuptimin e plotë të fjalës. Njerëz të urtë, të sjellshëm, të natyrshëm, të virtytshëm, të sinqertë, të fjalës e të besës, të pathyeshëm nëpër zigzaget e jetës, në mënyrë që të shëmbëllejnë për brezat e ardhmërisë!

Nuk duhet harruar edhe një fakt, të gjithë shkrimtarët botërorë, në veprat e tyre sikur kanë futur elemente nga jeta e tyre. Kjo ngjet edhe me mua. Po edhe nuk mund të veprohet ndryshe. Sa i qëlluar është mendimi i Dritëro Agollit: “Nëse në letërsi nuk hyn dhe jeta jote, atëherë ti nuk di ç’të shkruash”.

Pena e tij ia ka nisur me kryekapedanin dhe më tej ka vazhduar me gjini e forma të ndryshme të shprehjes së krijimtarisë së tij publicistike, historike e artistike. Ai ka gdhendur kështu në piedestalin e lirisë së mëmëdheut, treqind koka kryengritëse, e lajtmotivi i të gjithë atyre, ashtu sikurse edhe i vetë shkrimtarit është atdhedashuria, përkatësisht dashuria e zjarrtë për atdheun dhe kombin deri në vetëflijim:

Unë sikur e kam prishur rendin që zakonisht ndjekin shkrimtarët. Thuhet poezia është rinia e proza është pjekuria e shkrimtarit. Tek unë ngjau thuajse e kundërta. E nisa nga më e vështira, nga monografia me premisa shkencore, me librin “Azem Bejtë Galica” (1995). Pastaj vazhdova me tregime, me poezi, me reportazhe, me skica, me ditar, me romane, me studime historike (kumtesa, trajtesa, ese, recensione). E vetmja gjini letrare që ende nuk e kam provuar, mbetet gjininë dramatike.

Të tjerët, me çmojnë si specialist të hartimit të monografive!

Deri sot kam arritur të portretizoj mbi treqind profile luftëtarësh e atdhetarësh të periudhave të ndryshme kohore nga mbarë gjeografia shqiptare.

Ndërkaq, unë jam i kënaqur me të gjitha, veçse, edhe pse i kam botuar tri përmbledhje poezish, ende veten nuk e quaj poet në kuptimin e plotë të fjalës!

Dhe, sa i takon frymëzimit, gjegjësisht tematikës, lajtmotiv i të gjitha krijimeve të mia mbetet ATDHEDASHURIA!

Pasioni, Misioni, Vizioni

Në zbërthim të kodit të tij letrar, shkrimtari paraqet kompleksitetin e raporteve që ka letërsia me autorin e ku frymëzimi i thellë krijon kryeveprat, të lindura mes Scillës dhe Haridbës, mes sfidave dhe flakëve, gjithmonë duke mëtuar për të përjetësuar kryeprotagonsitët e ngjarjeve dhe të kthesave të mëdha historike:

Veprat e mia sikur sublimojnë që të tria këta elementë: E para- letërsia është një pasion; e dyta, ajo është edhe mision dhe e treta, letërsia kombëtare është edhe një obligim moral!

Unë kurrë nuk shkruaj sa për të thënë, por shkruaj kur kam frymëzim dhe kur kam diçka që duhet thënë.

Kur e botova librin e parë “Azem Bejtë Galica” ishte kohë e pakohë, ishte viti 1995, kur emri i kryetrimit ende lakohej me vështirësi. Thënë të drejtën nuk ishte fort e lehtë, por ia vlente edhe të rrezikoheshe, ngase libri, dorë me dorë, depërtoi në çdo shtëpi dhe u përpi nga lexuesit e të gjitha shtresat e të gjitha moshat. Ai u bë frymëzim edhe për trimat e lirisë që kishin zënë malet. Kur e kam parë atë në çantën luftarake të Hamëz Jasharit, që trimi e barte me vete dhe ua lexonte edhe të tjerëve me plot kënaqësi, mua zemra më bëhej mal dhe nuk e honepsja frikën.

Edhe librin “Adem Jashari- legjendë e legjendave” e kam shkruar në një kohë, kur ndoshta nuk pritej. Ende ishim në luftë, ishim në pauzën e një armëpushimi të brishtë...Por, e pati efektin e vet...

Dr. Zymer Ujkan Neziri, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, një akademik dhe kreshnik i sfondit epik ku lahuta hyjnore rri në ballin e historisë si një promemorie e cila në kohë gjame dhe gjaku, u thuri përmendore vigajve të lirisë e u dha zemër përpjekjeve titanike për të mos ia leshur tokat tona shovinistëve të vendeve ballkanike. Zymer Neziri me fjalën e tij të peshuar mirë e të latuar bukur, e ka vlerësuar lart dhe drejt kontributin e shkrimtarit, të publicistit e të intelektualit Bdedri Tahiri:

Shkrimtari dhe publicisti Bedri Tahiri dhe vepra e tij ”Adem Jashari-legjendë e legjendave”

Pata thënë para shumë vjetësh e po e them edhe sot, se veprën e Bedri Tahirit “Adem Jashari- legjendë e legjendave”, e lexova në dorëshkrim, me shumë kënaqësi, po edhe me shumë përgjegjësi, në verë të vitit 1999, kur posa kishte përfunduar lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Tashmë dihet se ajo ishte vepra e parë e shkruar ndër ne për këtë personalitet të dimensioneve me përmasa që rrallë shfaqen në historinë e popujve. Ishte nderim i veçantë për mua që autori ma besoi dorëshkrimin e vet për Adem Jasharin, por edhe kënaqësi që pata mundësi të bëj diçka që ky dorëshkrim të bëhet libër sa më i mirë, kushtuar këtij burri të Drenicës, me rrënjë nga fisi i shquar Kuç i Malësisë së Madhe.

Që në fillim dua të them se për veprën e Bedri Tahirit “Adem Jashari- legjendë e legjendave”, do të lexoj për Ju, një fragment recensioni, të shkruar po ashtu para nëntë vjetësh:

“...Kjo vepër e Bedri Tahirit u shkrua për njeriun që i dha kuptim të ri jetës sonë, për burrin që bëri aq shumë për t’ia kthyer Kosovës krenarinë, për trimin që aq guximshëm i doli zot dinjitetit tonë të shkelur.

Është kjo një sakrificë për tokën e të parëve, me dimensione të së madhërishmes. Autori ka meritë për guximin që i pari të përballet me këtë figurë, njërën ndër më të ndritshmet në historinë tonë të re.

Zymer Ujkan Neziri  përpos se bën bashkë epokat dhe shekujt, përveç se bën sintezën e madhe të përpjekjeve atdhetare të breznive orëmira, me poetikën e ligjërimit të tij të hollë, me fjalën e menduar thellë e të thënë gjithmonë bukur-veçori kjo edhe e ligjërimit të tij gojor, është shprehur përplot pietet për autorin një prej kryeveprave më domethënëse të historiografisë sonë të pasluftës, Bedri Tahirin:

Adem Jashari është histori e përsëritur e vetëflijimit të Oso Kukës, të Zhuj Selmanit e të Mic Sokolit. Por, më lehtë e kishte Osa. Edhe Zhuji e Mici e kishin më lehtë. Adem Jashari u sakrifikua me vajza e me djem, me të shoqen, me t’atin Shabanin, me të vëllamë Hamzën e me të tjerë nga familja dhe kështu pagoi çmimin më të shtrenjtë të lirisë. Adem Jashari u bë një nga sfiduesit më të mëdhenj të Lëvizjes sonë Kombëtare.

Prekazi dhe tri kulmet e tij historike në këtë shekull dalin si synim i autorit për të dëshmuar se nuk është rastësi shfaqja e Adem Jasharit në krye të Drenicës së sotme, të Kosovës, pra, të Ushtrisë së saj Çlirimtare. Para tij ishte Ahmet Delia, që e bëri të madh përgjithmonë këtë katund në kujtesën shqiptare. Para tij ishte edhe Tahir Meha, që në emër të Prekazit e të Kosovës qiti pushkë burrërore. Pa vonuar shumë vjen në skenën e historisë edhe i treti, vjen Adem Jashari, me tërë madhështinë e atdhetarit e të burrit, të trimit e të udhëheqësit të një lufte çlirimtare, që e ndali zhbërjen e Kosovës.

Autori synon që pranë kësaj madhështie të Adem Jasharit me familje t’i rendisë edhe të pavdekshmit Fehmi Lladrovci me Xhevën, si dhe Azem Galica me Shotën...”

Krijimtaria e Bedri Tahirit për Drenicën, sidomos në fushën e historisë, si kjo vepër kushtuar Adem Jasharit, dhe vepra të tjera, e në veçanti në fushën e epikës, shënon njërën nga majat më të larta.

Në fund të kësaj fjale dua që autori Bedri Tahiri të këtë shëndet të mirë, kurse për vullnetin e tij, tashmë të dëshmuar, nuk kemi se çka të themi, pos të konstatojmë se duhet t’ia kemi lakmi. Bedri Tahiri është shembull për ata që po e krijojnë brezin pas tij se si duhet punuar me përkushtim.

Përveç Dr. Zymer Ujkan Nezirit, një poet dhe studiues tjetër, një krijues vlerash të shumta dhe një studiues i përkushtuar sidomos i poezisë bashkëkohore shqipe, dr. Agim Vinca gjithashtu ka shprehur vlerësimin e tij për ish-studentin e tij:

LAPIDAR PËR DËSHMORËT E LIRISË

Lufta çlirimtare e Kosovës dhe protagonistja e saj, UÇK-ja, ka gjetur në penën e Bedri Tahirit një nga apologjetët e saj më të zjarrtë. Njeri që i ka njohur nga afër Adem e Hamzë Jasharin, që është rritur dhe brumosur me të njëjtën frymë atdhetarie, Bedri Tahiri e ka ndjekur hap pas hapi lëvizjen çlirimtare të Kosovës, që nga fillimet e saj. Shkrimet e tij tregojnë se ai e ka ndier dhe përjetuar atë si rrallëkush tjetër.

Profesor Agim Vinca, me poetikën e shprehjes së tij ka renditur njëri pas tjetrit figurat që ka përjetësuar autori në lapidarët e fjalës së gdhendur përplot frymëzim e pasion, si dhe ka çmuar lart e drejtë kontributin e veçantë krijues të Bedri Tahirit:

Objekt i interesimit krijues të Bedriut kësaj here janë bërë sidomos disa nga figurat e shquara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të lëvizjes sonë për çlirim në përgjithësi, që nga kaçakët e famshëm Dan Doroci e Mehmet Delia, te luftëtari i paepur Ahmet Selaci, te mësuesi atdhetar e luftëtar Shaban Jashari, babai i komandantit legjendar, Adem Jashari (nuk thuhet më kot në popull se dardha nën dardhë pikon!) e gjer tek organizatori e luftëtari i palodhur Mehë Uka, guerilasi trim, Artim Jashari; sokolesha e Shalës, Fatime Hetemi; kavajasi Indrit Cara dhe vushtrriasi Lutfi Musiqi, që, kur i thirri zëri i Kosovës, erdhën në front nga luksi dhe auditoret e Londrës për të rënë si burra në fushë të betejës- dhe sa e sa luftëtarë të tjerë.

Duke shkruar për breza e profile të ndryshme luftëtarësh, që vijnë nga vise të ndryshme të Kosovës dhe të Shqipërisë, autori ka dashur të nënvizojë idenë e vazhdimësisë së luftës për liri të trojeve të paçliruara shqiptare dhe idealin e madh e të pashuar të bashkimit kombëtar.

Për dëshmorët Bedri Tahiri shkruan me dashuri, me përkushtim, me frymëzim, me mall, me dhembje, me krenari. Figurat e tyre ai i përshkruan me gjallëri, duke rrokur në spektrin e vrojtimit jo vetëm anën e tyre luftarake, por edhe atë njerëzore. Mu për këtë ai i bën heronjtë e tij të çiltër, të besueshëm, të thjeshtë, njerëzorë, por edhe madhështorë, ashtu siç ishin edhe në jetë.

Bedri Tahiri si krijues dhe publicist ka dije, vullnet dhe aftësi për t'i zbuluar, afirmuar dhe mbrojtur vlerat e luftës, njerëzit që e benë atë dhe idealet për të cilat luftuan ata. Libri i tij më i ri “Flakadanët e lirisë” është një lapidar letrar për ata që ranë për lirinë tonë dhe që me vdekjen e tyre u bënë të pavdekshëm.

Përmbajtja nga Përurimet

Duke shprehur mendimet e tij për mënyrën dhe natyrën e përurimeve, shkrimtari sërish ka shfaqur modestinë dhe mençurinë e tij duke bërë thirrje për përurim vlerash të mirëfillta si dhe për një bashkëpunim të sinqertë me mbi parime dhe baza të shëndosha të një komunikimi të mirëfilltë ideo-estetik e duke iu shmangur rrezikut të stereotipeve aq të shumta ku gëlojnë ditirambet nëpër ‘promovimet’ e shumta e shpesh të pavlera:

Përurimi është një punë e rëndësishme, por jo e domosdoshme. Zakonisht autorët që shkruajnë mirë, kanë vepra të mira letrare-artistike, nuk kanë shumë nevojë për përurime, për fjalë të bukura, që thuhen aty për aty. Ato sikur e kanë humbur kuptimin që kishin dikur. Vepra e mirë e gjen lexuesin vetë. Andaj, vlerësimi më i mirë bëhet nga lexuesi.

Kam gjithsej 55 vepra, kam bërë vetëm pesë-gjashtë përurime. Madje, përurimin e librit „Nga Shqipëria në Shqipëri“ ma bënë në Muzeun Historik në Tiranë në mënyrë madhështore! Megjithatë, unë mendoj, përurimet nuk ia shtojnë vlerën librit.

Njeriu mund të mësoj nga cilido, edhe nga njeriu më i thjeshtë, nga një fëmijë e nga një plak, e mos të flasim se sa mëson nga kolegët e një profesioni, nga autorët me përvojë letrare e jetësore.

Bashkëpunimi i shkrimtarëve duhet të jetë i sinqertë, qëllimmirë, i ndërsjellë, me synime përparimtare. Ai është shumë i rëndësishëm dhe i dobishëm. Mua me ngjason me përsëritjen e mësimit në klasë, me bashkëbisedimin e nxënësve. E them këtë nga përvoja ime pedagogjike. Nxënësit më shumë mësonin nga njëri-tjetri, se sa nga librat e nga ligjërimet tona.

Shkëmbimi i përvojave letrare ndihmon në krijimin e personalitetit krijues.

Shqipëria Natyrale

Një meritë tjetër e veçantë e këtij krijuesi është përmasa në të cilën ai e shfaq idenë e njësisë së kombit, idenë e etnisë dhe të gjeografisë shqiptare, si një dhe të pandarë. Ai e thotë shkurt shqip se nuk ka nevojë të eksperimentohet me atë që natyra na fali që në ardhjen tone autoktone. Shqipëria nuk është as e vogël e as e madhe, siç ua ka qejfi qarqeve të caktuara ta paraqesin, por është ajo që ka qenë dhe që do të jetë, sot e mot, Shqipëria Natyrale:

Sa herë që flasim e që shkruajmë për gjeografinë e trojeve tona, duhet theksuar se ajo është një dhe e pandarë, është Shqipëria! Një Shqipëri kemi- Shqipërinë Natyrale, me trung të lashtë ilire-dardan!

Unë ashtu e paraqes në veprat e mia. Sa shumë me pengon kur disa thonë po shkoi në Shqipëri! Për këtë ua tërhiqja vërejtjen edhe nxënësve. Dhe, pikërisht nga kjo më lindi edhe titulli për veprën time “Nga Shqipëria në Shqipëri”! Ashtu është, Shqipëri këtu e Shqipëri atje. Mund të thuhet po shkoj në Tiranë, në Shkodër a në Vlorë, por jo po shkoj në Shqipëri...

Unë kam shkruar njësoj si për Galicën e Drenicën time, si për Kavajën e Indrit Carës, si për Shalën e Bajgorës, ashtu edhe për Shkodër loken e Fishtës e të Mjedës, si për Shkupin, ashtu edhe Vlorën, si për Tivarin, ashtu edhe Çamërinë…

Dhe, kjo, mendoj, është pasuri, është begati, është vlerë që e madhërojnë çdo vepër artistike e dokumentare.

Një Komb, një Gjuhë, një Atdhe!

Këto janë të veçantat e pasurisë sonë kombëtare, të cilat duhet të frymojnë në shpirtin e secilit shqiptar!

Letërsia dhe historia janë simotra

Duke iu kthyer edhe njëherë binomit historia/letërsia, shkrimtari thekson një të vërtetë të hidhur, atë të përplasjes mes intelektit dhe shtetit, paradoks ky aq i theksuar edhe në hapësirën tonë kulturore, ku nuk mungojnë as antagonizmat mes të vjetërve dhe të rinjve, e ku nuk mungon as egocentrizmi, të cilën ai e kritikon dhe e sfidon me vend:

Çuditërisht, letërsinë që nga fillimi, që nga antika e deri këtu e ka përcjellë një fat pothuajse i njëjtë, mospërfillja nga shteti, po edhe nga vetë shoqëria. Andaj, letërsia kurrë nuk e ka fatin e mirë. Letërsia zakonisht shkruhet nga njerëzit që vuajnë, që përjetojnë. Letërsia është akt flijues që kërkon sakrificë nga ai që shkruhet. Prandaj, edhe te ne, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, është i njëjti fat, kulturës, në përgjithësi, nuk i jepet rëndësi e veçantë.

Kultura në përgjithësi dhe letërsia në veçanti i kanë krizat e veta, edhe për lexuesin edhe për shpërndarjet e shumë çështje tjera. Në Shqipëri lexohet më shumë sesa në Kosovë. Libri është “thembra e Akilit” për kulturën. Interneti, rrjetet sociale e kanë bërë të vetën, Mirëpo, ato kurrsesi nuk e zëvendësojnë librin. Letërsia shijohet vetëm duke lexuar librin fizik.

Lufta e brezave gjithmonë hetohet, disa në mbrojtje të traditës, disa duke e mohuar atë, kështu që lufta mes brezave zgjatë. Ku qëndron fatkeqësia jonë si popull, që nuk po mund të mëkëmbemi, fatkeqësia është mohimi i brezave. Çdo gjeneratë që vjen, qoftë në kulturë, qoftë në politikë, ka tendencën që të thotë: Historia fillon me mua! Kjo i bie një fillim nga e para, nga zeroja. Ky mohim i gjithçkaje para nesh, ky mohim brezash, sjell fatkeqësi. Kohëve të fundit ka filluar një vetëdijesim dhe nuk hetohet shumë lufta e brezave, siç ishte fill pas Luftës së Dytë Botërore, por megjithatë ekziston.

Duke e ritheksuar rrezikun e imponimeve të huaja që aq shumë dhe aq gjatë e kanë rrëgjuar qenien tonë atdhetare e intelektuale, Bedri Tahiri sërish vihet në mbrojtje të kulturës e të vlerave të mirëfillta të kulturës kombëtare. I vetëdijshëm se përmasa e imponimeve të tilla është mjaft e ndërlikuar, ai me të drejtë ka bërë thirrje për të mos u ligështuar por për të qëndruar në mbrojtje të vlerave e të identitetit tonë kombëtar shqiptar:

Nëpër labirintet e historisë kapërcyem për vesh gjilpëre dhe mbijetuam si komb, duke e ruajtur identitetin tonë! Sa e sa pushtues, veçan Turqia e Serbia, bën çmos për të na tjetërsuar, por kot! Qëndruam e përballuam. Qëndruam, ngase ishim vendës, ishim autokton, ishim trung me rrënjë të thella në truallin tonë stërgjyshor!

E sot, disi sikur jemi ligështuar dhe me dëshirë (me vetëdije apo pa vetëdije), po rrëshqasim nga tabani ynë kombëtar! Kudo, në mërgatë e në Atdhe! Nëse në mërgatë, ekzistojnë disa arsye dhe rrethana tjera, në Atdhe, nuk kemi asnjë arsye! Po zvetënohet gjuha amtare, po çoroditën kultura dhe tradita kombëtare, po tjetërsohet identiteti ynë! Kultura e huaj po përqafohet aq lehtë, sa nganjëherë, me sjellje të pamatura, po ua kalojmë edhe atyre vendeve nga e kemi marrë!

I vetmi shpëtim është kthimi te rrënjët tona!

Më tej, ai ka shprehur falënderimin e tij për mirënjohjet e shumta e aq të merituara, për konsideratat, respektin dhe nderimet që kanë vlerësuar drejt dhe kanë ngritur lart veprën e tij krijuese, si pjesë e një procesi të cilin e ka shpjeguar duke e krahasuar me poetiken e stilit të tij ligjërimor, si një ndjeshmëri e theksuar shpirti e cila shtrihet valë-valë e përplot frymëzime, përplot afsh krijues e përplot mall:

Krijuesi, në rend të parë shkruan për vete, sepse ashtu ia ndjen shpirti. Një ngjashmëri me bilbilin, i cili, në thellësi të malit këndon për vete, pavarësisht a u pëlqen të tjerëve!

Mirëpo, në ndërkohë, zëri krijues, merr përmasa tjera dhe shtrihet si valë deti dhe arrin deri ku nuk të shkon mendja.

Polisemia e veprës së tij është gjithashtu një tipar tjetër që e shquan opusin e tij krijues, për të cilin janë shkruar e botuar një numër i madh artikujsh por edhe vepra studimore, prandaj edhe autori nuk ka lënë pa shprehur falënderimin dhe mirënjohjen tij të veçantë, duke paralajmëruar edhe botime me studime të reja:

Gjeografia e veprave të mia është e plotë, ajo përfshin gjithë Trojet Etnike Shqiptare. Edhe idetë e veprave bartin mesazhe të qarta dhe të gjitha nënkuptojnë synimet tona shekullore që konsistojnë në ribashkimin tonë kombëtar. Pena ime nuk i lëshon lehtë as dukuritë negative të aktualitetit tonë shoqëror. Ajo ka zgjuar interesim dhe ka cingëluar edhe shpirtin krijues të të tjerëve. Kështu, janë hartuar shumë e shumë shkrime për mua e për veprën time. Diku mbi njëqind sosh i kam përmbledhur në vëllimin “DARDANIA MËSIM LIRIE” (2024), e cila ka 515 faqe, ku janë përfshi 66 studiues me 127 vlerësime për librat e mi..

Në vitin 2008 doli nga shtypi libri “Opusi krijues i Bedri Tahirit- lapidar për dëshmorët e lirisë”, përgatitur nga Zenun Gjocaj e Xhavit Aliu, ndërkaq, në korrik 2015, u botua edhe libri “Pena e Bedri Tahirit përjetëson lavdinë tonë kombëtare” të autorëve Xhemail Peci e Xhevahir Cirongu. Në fund vitin 2016, studiuesi i njohur Xhemail Ali Peci nxori në dritë librin “Zemërthirrja e Bedri Tahirit: Atdhetarizmi jeton në përjetësi”, ndërkaq në vitin 2024, nën përkujdesjen e Atdhe Gecit u botua libri “Gjuha e së dielës- Ese të Bedri Tahirit“.

Në përgatitje e sipër është edhe libri me mendimet e të tjerëve, kryesisht për punën dhe angazhimin tim në shkollë e në jetë, me një titull emblematik “SHEMBËLLTYRË IDEALISTI”. Meqë i gjithë libri është produkt i të tjerëve edhe për ballinë kam përzgjedhur portretin që ma ka ber dhe ma ka dhuruar artisti i madh, Gazmend Freitag!

Më shumë vepra se vite jete!

Bedri Tahiri u takon atyre krijuesve të cilët mbi shpatullat e tyre kanë më shumë vepra se vite jete, dëshmi kjo për një veçanti krijuese e për frymëzime të pashtershme, krijimtari kjo mjaft e gjerë e cila e begaton sfondin e krijimtarisë së vlerave tona kombëtare historike, publicistike e të një letërsie të mirëfilltë vlerash të veçanta ideo-estetike:

Unë edhe për nga natyra jam i heshtur dhe modest. Ndoshta më shumë se sa duhet. Nuk u lakmoj fjalëve të mëdha, më shumë e çmoj punën. Mbase kështu kam mësuar nga populli që thoshte: Kush flet shumë, punon pak!

Sa i përket motivimit, ai është i gatshëm. Mjafton të jetosh me popullin, me atë shtresën që përherë ushqeu lirinë me gjak dhe paskëtaj dihet, personazhet të kapin për mënge…

Më mirë le të flet vetë vepra! Lë të flasin të tjerët! Studiuesit vlerësojnë më mirë e më saktë!

Pjesë e këtij opusi mjaft të pasur është edhe shpalosja e një vetëdije të kristalizuar kombëtare, e cila di të nderojë dhe të lartësojë figurat më markante të këtij trualli:

Populli shqiptar ka një histori të vështirë, por të lavdishme dhe krenare. Përherë jetoi në trojet e veta, por kurrë i lirë. Kjo gjendje e përhershme lufte e bëri këtë popull trim dhe të qëndrueshëm. Çdo pushtuesi i bëri ballë dhe i rezistoi me armë në dorë. Varësisht nga koha dhe momenti historik ekzistojnë edhe format e rezistencës.

Historia jonë kombëtare ka shumë personalitete që me heroizmin e tyre u bën shëmbëlltyrë dhe  frymëzim për brezat. Ata krijojnë epoka. Dhe, unë do t’i veçoja:

Gjergj Kastrioti

Pak kush e ka përfshirë kaq shumë e me kaq fjalë të përzgjedhura figurën kolosale e monumentale të kryeheroit të kombit tonë. Duke u përqendruar tek pikat kulmore e tek ato kardinale që e përjetësojnë figurën e madhërishme të Gjergj Kastriotit-Skëndërbeut, Bedri Tahiri me të drejtë e vë atë në ballë të historisë së Shqipërisë, në sfondin e së cilës lartëson jo vetëm dy emra por edhe dy epoka që i flasin njëra-tjetrës, epokën skënderbegiane dhe epokën ademjashariane:

Gjergji ynë nuk mbaroi brenda kohës kur jetoi. Ai u bë pasuri e kombit që e lindi, por njëkohësisht u bë edhe frymëzim i luftërave të drejta që bënin popujt e tjerë për të fituar lirinë. Me të drejtë, Papa Pali VI veprën unifikuese të Skënderbeut e proklamoi për model të ndërtimit të Evropës së Re. Tekefundit, ajo aleancë popujsh qe edhe një pararendëse e NATO-s së sotme. Luftëtarët tanë, të të gjitha periudhave historike, sikur e ndjenin obligim të respektonin porosinë e Tij: “Kur të jeni në luftë, ju duhet ta udhëhiqni ushtrinë si një gjeneral, kurse në betejë do të luftoni si ushtar”.

Mirëpo, më shumë se kaq, Ai u bë frymëzim i pashtershëm për historianët, për shkrimtarët, për këngëtarët, për piktorët, për skulptorët, për regjisorët. Shumësia e veprave historike-letrare (poezi, poema, drama, tregime, novela e romane), që shkon në mbi gjashtëqind, të shkruara kryesisht në gjuhë të huaja e nga autorë të huaj, është dëshmi e qartë e interesimit të gjallë që zgjoi në krejt Evropën figura e ndritur e Gjergj Kastriotit. Pati edhe të atillë, kryesisht serbë e grekë, që pretenduan ta përvetësonin përkatësinë e tij kombëtare, të cilëve iu kundërpërgjigj i madhi Frang Bardhi me apologjinë “Gjergj Kastrioti”, botuar në Venedik më 1636.

Sidoqoftë, lapidarin e përjetësisë, padyshim që ia ngriti bashkëkohaniku i tij, kronisti e humanisti Marin Barleti, me veprën “Historia e Skënderbeut” në gjuhën latine, e cila u bë bazament për të gjithë ata që mëtuan të thonë ndonjë fjalë për heroin tonë...

Personaliteti i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut edhe sot reflekton atdhedashuri, besim, përkushtim e mobilizim, tipare që i vërejmë qartë edhe tek Adem Jashari, komandanti legjendar i UÇK-së, andaj, për jetë e mot epoka skënderbejane dhe epoka ademjashariane do të mesin unikate, jo vetëm në historinë shqiptare, por edhe atë botërore.

AZEM E SHOTË GALICA -  unikat në histori!

Pas luftës që bëri shpata dhe përkrenarja, doemos do vinte lufta që bëri pushka dhe plisi përmbi vetull. Pena e Bedri Tahirit përjetëson një emër tjetër trimërie e qëndrese, por zemrën me të drejtë e sëmbon paradoksi që nuk ndalet dot. Dy zemra të pandara në lufta e beteja të pandërprera, qëndrojnë të ndar, në kohë paqeje e në kohën e dy shteteve shqiptare. E pafalshme, sepse një varr i zbrazët në Galicë është një zbrazëtirë e madhe, është një mungesë e madhe përgjegjësie e atdhedashurie:

Dymbëdhjetë vjet luftë çlirimtare dhe sakrifica vetëmohuese!

Gjashtëdhjetë beteja fitimtare!

Ata frymëzues edhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës!

Varri i Kryetrimit Azem Galica- Varri më i thellë në botë (73 metra)!

Dhe, nga gurmazi i tij enigmatik, pas dyzet e shtatë vitesh, eshtrat e Tij “fluturuan” në Galicë!

Vdekja e “Nuses së Maleve”- Heroinës Shotë Galica, një nga më të rëndat në historinë tonë; vdiq në mjerim të plotë, e braktisur fare nga pushteti i kohës, madje edhe e kërcënuar nga mbreti e nga uria katandisëse!

O tempora, o mores!

Ende, as sot e kësaj dite, nuk ekziston një lapidar a shtatore e mirëfilltë për këta dy heronj të kombit!!!

Ende, as sot e kësaj dite, nuk ekziston asnjë lapidar a pllakë përkujtimore për luftëtarët e Çetës së tyre kreshnike!!!

Lëri, lëri të gjitha këto. Aq më keq, e që mendjet e shëndosha nuk mund ta pranojnë dot një gjë të tillë, këta dy bashkëshortë e bashkëluftëtarë, të cilët mezi arriti t’i ndajë vdekja, edhe sot e kësaj dite janë të ndarë!!!

Varri i zbrazët i Shotës në Galicë është kenataf i llojit të vet!

Besoj se ka ardhur koha që mos të bëhemi krejt të shurdhër e të verbër!

T’i thërrasim ndërgjegjes sonë kombëtare e ta zgjojmë nga përgjumja!

Vallë, a nuk është një satisfaksion moral e kombëtar që këta dy bashkëluftëtarë e bashkëshortë, të cilët për dymbëdhjetë vjet nuk i ndanë as luftërat, as betejat, që sot t’i bashkojmë!

Azem dhe Shotë Galica tashmë janë shpallur HERONJ TË KOMBIT nga të dy qeveritë dhe i përkasin gjithë SHQIPTARISË! Andaj, Ata meritojnë të jenë ashtu siç ishin në jetë: TË PANDARË!

Azem e Shotë Galica edhe janë dekoruar nga të dy shtetet tona, por, për çudi, asnjë dekoratë nuk ka mbërri aty ku duhet, në duart e familjarëve të Tyre!

Tekefundit, ky bashkim zemrash, eshtrash e idealesh ka simbolikë edhe më të thellë: Ai është amaneti i Tyre dhe paraprakisht nënkupton BASHKIMIN TONË KOMBËTAR!!!

HASAN PRISHTINA- Truri i Lëvizjes Kombëtare

Pena i ka pri pushkës. Duke e gdhendur mjaft bukur e në mënyrë tejet simbolike figurën atdhetare të Hasan Prishtinës, autori e shfaq atë në tërësinë e tij si një atdhetar i kompletuar, i pajisur me dije e me kulturë por edhe i vendosur për ta çuar deri në fund zjarrin e pashuar të kryengritjeve të njëpasnjëshme shqiptare:

Kur, më 1771, një plak me emrin Ali, me qerren mbushur me plaçka, kapërceu kodrat e Galicës dhe zbriti në Vushtrri, askujt nuk i shkonte ndërmend se i nipi do të bëhej aq i madh, sa do ta trandë Perandorinë Turke në themel dhe do t’u prijë shqiptarëve në luftëra e beteja për çlirim e bashkim kombëtar. Ishte ky Ali Berisha i Polacit të Drenicës, i biri i Abdullah Aliut, njeriut të fundit të kësaj familjeje që vdiq dhe u varros në Polac.

Hasan Prishtina u lind në Vushtrri, më 27 shtator 1873. Deri më 1908 është quajtur Hasan Berisha-Polaci, gjegjësisht Hasan Vuçitërni, kurse prej kur zgjedhet deputet i Prishtinës, nënshkruhet Hasan Prishtina. Djaloshi kureshtar dhe inteligjent, mësimet e para i mbaroi në vendlindje, të mesmet në Selanik dhe Fakultetin e Drejtësisë në Stamboll. Gjatë shkollimit fitoi kulturë të gjerë dhe u brumos me ide revolucionare e përparimtare evropiane. Ai shumë shpejt u bë një erudit i madh, dhe pos shqipes njihte mirë: anglishten, arabishten, frëngjishten, çerkezishten, greqishten, gjermanishten, italishten, serbishten dhe turqishten.

Pena e tij nuk lë pa përmendur edhe kontributin e veçantë të këtij atdhetari të papërkulur, edhe në fushën e arsimit, por njëkohësiht edhe përmasën e tij prej politikani e diplomati largopamës që hartonte memorandume e prishte planet ogurzeza të Fuqive të Mëdha që nëpërkëmbnin të drejta legjitime të shqiptarëve:

Hasan Prishtina është unikat edhe në fushën e arsimit kombëtar. Me nismën e tij, u organizua Kongresi i Alfabetit në Manastir (14- 22 nëntor 1908). Atë vit do të nisë punën edhe Shkolla Normale e Elbasanit, ku do të mësojnë edhe shumë nxënës nga Kosova, shumica me harxhimet e Hasan Prishtinës. Ky burrë i madh i kombit organizoi Kryengritjen e Madhe në Kosovë (1910-11), Kuvendin e Junikut (21-25 maj 1912), ku u nxor Memorandum prej 14 kërkesash, që më vonë do të njihen si “14 pikat e Hasan Prishtinës”, ishte kryeministër i Shqipërisë (vetëm katër ditë) etj.

Ideali i Hasan Prishtinës ishte çlirimi i Kosovës dhe bashkimi i kombit shqiptar. Ai ishte i papajtueshëm me çdo përpjekje përçarëse, veri- jug, toskë e gegë. Në një fjalim në Parlamentin shqiptar më 1921, ai deklaroi: Unë nuk jam as toskë, as gegë, por jam shqiptar.

E më tej, sërish paradokset që e ndjekin aq përçudshëm jetën e heronjve, por edhe mirënjohja e merituar si dhe zemër-klithja për të mos harruar mësimet e mëdha të historisë e të atdhedashurisë:

Së fundi, më 14 gusht 1933, spiuni Ibrahim Çelo nga Resnja e Maqedonisë, në rrugën Çimisku të Selanikut, derisa Hasani po shëtiste, i doli pas shpine dhe e qëlloi me katër plumba. Tirana e asaj kohe dhe Beogradi vrasjen e festuan si fitore të madhe. Kjo tregon se sa i rëndësishëm ishte Hasan Prishtina.

Për një kohë, emri dhe vepra e të madhit Hasan Prishtina, mbetën nën tisin e harresës. Fan Noli kishte të drejtë kur thoshte: “Çdo heroi në histori i është dashur të kalojë përmes tri fazave: të glorifikimit, të asgjësimit dhe të rivlerësimit.

Në vitin 1977, eshtrat e tij u sollën nga Selaniku në Shqipëri, në Varrezat e Dëshmorëve, në Kukës. Me dekret presidencial nr. 435, datë 26.01.1993, atdhetari dhe luftëtari Hasan Prishtina është dekoruar me Urdhrin e Lirisë të Klasit të Parë.

Sot, më shumë së kurrë, është koha që kjo figurë e shquar dhe e nderuar kombëtare, të vlerësohet drejt dhe t’i jepet vendi i merituar në historiografinë tonë”. Përndryshe, mos ta harrojmë thënien e tij: “Dhe para se gjithash, ruhuni nga mallkimi i historisë dhe mos e harroni atë kur jepni mendimin tuaj!

Kur mendja ngre një Përmendore, nuk mungon as Mirënjohja Popullore

Një njeri me atdhetarizmin e tij shndërrohet në legjendë e legjendave. Kështu thotë bashkudhëtari dhe mendimtari i tij. Heroi dhe shkrimtari në të njëjtin shteg të lirisë e të dritës. Ecin krah për krah, ballëlartë e krenarë. Shkrimtari sqaron arsyet pse ky është libri i tij më i dashur, mbase jo vetëm për të, por edhe për lexuesit e tij të shumtë:

Libri im që më ka lënë kujtime, mbresa që nuk do të shlyhen kurrë e që nuk e ndërroj me asnjë tjetër, është ”Adem Jashari - legjendë e legjendave ” i botuar më 1999, i cili u ribotua dhjetë  herë.

Bedri Tahiri ka studiuar letërsi dhe gjuhë shqipe, dhe ka ligjëruar gjuhë dhe letërsi shqipe. Ai ka marrë një varg çmimesh e mirënjohjesh, falënderime e shprehje të respektit ndaj punës së tij të pandalur krijuese, për artin e fjalës së tij, por nuk ka dyshim se dhurata dhe mirënjohja më e madhe dhe gjithsesi më e veçantë është ajo që brezat ia falin detyrimin e tyre të veçantë për kontributin e tij të pamohueshëm.

Ai ka kontribuar mendërisht, shpirtërisht, moralisht e financiarisht, për ta nderuar dhe përjetësuar figurën e përmasave monumentale të Adem Jasharit, prandaj edhe nuk ka munguar shprehja e mirënjohjes dhe falënderimit publik:

Mirënjohje

Të nderuar dashamirës të fjalës së bukur artistike!

Autori dhe shkrimtari i mirënjohur drenicas, Bedri Tahiri, pos që po punon vazhdimisht në ndriçimin e figurave tona kombëtare historike, me veprat e tij, që janë më të lexuarat, po e ndihmon edhe materialisht Kompleksin Përkujtimor “ADEM JASHARI” në Prekaz. Kështu, sipas llogarive të bëra, nga shitja e librave të këtij autori, Kompleksi deri sot ka përfituar shumën në vlerë prej 21.850 eurosh.

Nisur nga kjo, Kompleksi Përkujtimor “ADEM JASHARI” në Prekaz, autorit Bedri Tahiri i ndan këtë MIRËNJOHJE.

Prekaz, 27 nëntor 2007                                                                                               Rifat Bejta

ADEM JASHARI- legjendë e legjendave

Duke përzgjedhur fjalët që përjetësojnë një kryehrero dhe epokën e tij, shkrimtari shpalos palë-palë sa portretin po aq edhe meritat e kryetrimit legjendar. Me fjalinë e tij të menduar thellë, me peshën e mendimit të tij, me përmasën e gjykimit të tij, Bedri Tahiri e sjellë të gjallë figurën frymëzonjëse të Adem Jasharit:

Adem Jashari mbetet njëri nga kolosët e trimërisë shqiptare, i cili ndryshoi rrjedhat e historisë. Ai erdhi në këtë botë më ndryshe nga moshatarët e tij, sepse u lind në ditën e fitoreve më të lavdishme të popullit shqiptar, në Ditën e 28 Nëntorit- Ditën e Flamurit. Ai kishte një interesim të veçantë për armët, për të bëmat e të parëve gjatë historisë e sidomos i interesonte akti tepër burrëror i Ahmet Delisë dhe luftërat 12- vjeçare të Azem Galicës.

Ngjarjet e Pranverës së madhe studentore të vitit 1981, të cilat u shndërruan në Lëvizje të madhe popullore, që me vite mbajtën të ndezur flakadanin e lirisë e të çlirimit të kombit, patën ndikim magjik në brezin që formuan, organizuan dhe udhëhoqën politikisht dhe ushtarakisht UÇK-në.

Adem Jashari dhe çeta e tij ka qenë dhe ka mbetur bërthama themeltare e UÇK-së. Në histori ngjan edhe të ndodhin ngjarje të rastësishme, por Adem Jashari, çeta dhe familja e tij nuk janë rastësi e historisë, ata me ndërgjegje e vendosmëri u përgatitën për kthesën vendimtare të historisë sonë më të re. Adem Jashari nuk shkoi rastësisht në Shqipëri për të përsosur artin e luftës, të cilin e përvetësonte me shpejtësi të rrufeshme, dallohej nga i gjithë brezi i tij. Në përgatitjet ushtarake tregoi aftësi dhe cilësi të larta në përvetësimin e artit të përdorimit të armëve të ndryshme për luftën çlirimtare. Trimi, ndryshimet që po bëheshin në vitet 90, i shihte me optimizëm, prandaj sinqerisht e vendosmërisht nisi angazhimin e tij në sferën ushtarake, për organizimin e luftës çlirimtare.

Kur në fund të vitit 1991, në Kosovë po bëheshin arrestime të të gjithë atyre që ishin përgatitur në Shqipëri, Adem Jashari do të njoftojë çetën e tij dhe të kërkojë nga ata, që të ishin vigjilent se çdo natë armiku mund t'iu trokiste në porta. Ai do t'iu thotë shokëve: "Armët nuk i kemi marrë që t'ia dorëzojmë armikut, por që ta luftojmë deri në fishekun e fundit". Më fjalën e komandantit u pajtuan të gjithë.

Flatrat e fjalës shqipe përkujtojnë flakët e kryengritjes e të qëndresës epike. Shkrimtari vihen në anën e drejtë të historisë duke çmuar dhe lartësuar figurën kolosale që i dha vulë lirisë së Kosovës. Duke ia njohur dhe numëruar meritat e pakundërshtueshme, ai e nderon dhe e përjetëson kryeheroin.

Gjuha e nëntekstit të gdhendjes së portretit të kryelegjendës së luftës kryengritëse, na e bën të qartë pse Bedri Tahiri e ka kaq për zemër dhe pse e lartëson kaq shumë këtë emër të përveçëm të lirisë së shumëpritur. Arsyeja është e ditur vetvetiu: Adem Jashari i bëri copë e grimë të gjitha hartat dhe të gjitha vendimet hileqare që nga Kongresi i Berlinit e deri në kohën e tij, që ata kishin bërë ndaj tokave shqiptare. Adem Jashari, e gjithsesi edhe Jasharët e pavdekshëm, nuk e pranuan kurrë Serbinë si palë në bisedime, nuk e pranuan sepse Serbia nuk ka hise në tokat tona, nuk ka hise në vatrat tona, prandaj nuk ka pse të flitet me Serbinë. Masakra barbare ndaj Jasharëve, si dhe katërqind masakra të tjera që kreu Serbia gjenocidiale ndaj shiptarëve të Kosovës në vetëm gjashtë muaj, lë nën hije si tragjeditë e Eskilit ashtu edhe ato të Shekspirit. Prandaj, legjenda e legjendave lartësohet e nderohet në penën e Bedri Tahirit, sepse feniksët ngjallen gjithmonë prej zjarrit, sepse salamanderët ngjallen gjithmonë prej hirit:

Dhe, nuk vonoi e armiku do të trokasë në portën e Jasharëve. Ishte mëngjesi i hershëm i 31 dhjetorit 1991. Adem Jashari me vëllezër e shokë apelit të armikut për dorëzim ju përgjigjen me breshëri armësh nga shumë drejtime. Kështu nisin aksionet luftarake mbi policinë e armikut, fillimisht në Drenicë, e për t'u përhapur më vonë ne Llap, Dukagjin, Drini e kudo në Kosovë. UÇK-ja po bëhej shpresë për popullin dhe tmerr për armikun. Adem Jashari ishte kudo po bëhej legjendë.

Pas luftës së 26 nëntorit 1997, në Klysyrë, ku mori pjesë Ademi me çetën e tij, nga e cila armiku u tërhoq me bisht nën këmbë, armiku do të bëjë plane për zhdukjen e tij.  Më 22 janar 1998, një bandë kriminele kishte sulmuar familjen Jashari, me qëllim që të zhdukej kjo çerdhe e rrezikshme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, falë gjakftohtësisë e guximit të familjes, armiku nuk ia doli...

Pas disfatës së 22 janarit, kishte filluar përgatitja për një sulm të përmasave të mëdha policore dhe ushtarake, dhe ky sulm do të fillojë në mëngjesit e hershëm të 5 marsit 1998, pak ditë pasi policia armike kishte pasur një disfatë të Lisi Gjashtënjak Likoshan. Këtë herë forca të mëdha ushtarake dhe policore e kishin rrethuar Prekazin, me orientim kryesor Lagjen e Jasharëve. Lufta për eliminimin e Jasharëve ishte e rreptë. Armiku Prekazin e kishte vendosur në rreth të hekurt dhe sulmonte nga shumë anë me armatim të rëndë. UÇK-ja aso kohe i kishte mundësitë e kufizuara të sulmit e të depërtimit.

Adem Jashari dhe çeta e tij sulmit armik ju përgjigjen me sulm. Pas një rezistence të gjatë dhe heroike, armiku arriti të djegë e shkatërrojë lagjen e Jasharëve, por jo kurrë vendosmërinë për të vazhduar luftën për liri e pavarësi. Adem Jashari deri në vdekje luftoi e këndoi. Rënia e Adem Jasharit nuk është vdekje, është përjetësi. Ushtria Çlirimtare e Kosovës humbi prijatarin e saj. Kosova fitoi komandantin legjendar. Rënia heroike e Adem Jasharit i dha shtytjen më të fuqishme mobilizimit, strukturimit dhe profesionalizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.’

Flatra të Fjalës Shqipe

Shkrimtari i ngre himn kombit të tij, lirisë së ëndërruar aq gjatë. Me vargjet prush si të Tirteut ai përshkon historinë dhe lavdinë e këtyre trojeve, krenarinë e ligjshme të këtij kombi për të jetuar i lirë dhe i pavarur në tokat autoktone:

Dymijë vjet beteja e luftëra çlirimtare.

Dymijë vjet mbijetesë e gjakime për liri.

Drenica e Millosh Kopiliqit, e Ahmet Delisë, e Shaqir Smakës, e Shotës dhe Azem Galicës, e Hasan Prishtinës, e Shaban Polluzhës, e Mehmet Gradicës, e Tahir Mehës…

Tokë e saj, mbushur me lulëkuqe erë gjaku.

Aromë e saj dehëse mbajti gjallë ndër breza atdhetarizmin- Flakadan të pashuar!

Drenica djep i trimërisë e varr i barbarisë…

Dhe, më në fund, edhe mbi tokën e saj agoi ditë e bardhë.

Adem Jashari dhe Jasharët e tjerë lëkunden globin nga vendi. Me ta nisi epoka e re, epoka e madhe e lirisë. Një Madhështi heroike, që u shkrinë deri në një dhe i dhanë jetë lirisë. Në gjakun e tyre bulbëroi liria.

Bernar Kushner, kur erdhi aty, i mahnitur, tha: «Sikur të kishte çmim Nobel për Liri, ai me siguri do t’i takonte familjes Jashari».

Ndërkaq shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, në librin e përshtypjeve shkroi: «Këtu nisi një flakë e madhërishme, flaka e lirisë që ndriçoi Prekazin, Drenicën e mbarë Kosovën. Ajo shkreptimë e zgjoi nga gjumi Evropën e botën. Shekujt kalojnë, drita e lirisë, drita e atyre që ranë për të nuk zbehet kurrë…».

Sa herë që të vemi në Tempullin e Trimërisë

Pena shkruan kronikat e kohës. Zemra gdhend emra, kujtesa nderon breza. Një ligjërim sa lirik po aq edhe epik. Një copë e gjallë me mall të valë që përkujton flijimin për atdhe. Një epope, që na kujton faqe e shkëputje fragmentesh nga pena e Mihal Gramenos për Luftën e Mashkullorës. Rishfaqen sërish Zeman Mashkullorët e Idriz Guri që tërheqin zorrët zvarrë për lirinë e Shqipërisë. Një kronikë me gjuhë gjaku, gdhendur mermeri më monumental me sfondin ilkiro-dardan. Një pasqyrë e përgjakshme e kryengritjes shqiptare, shkruar nga vetë dora e poetit dhe atdhetarit Risto Siliqi. Një zemër-thirrje në poezi dhe një zemër-klithje në prozë. E para nga Hilë Mosi, e dyta nga Bedri Tahiri. E sërish klithma është e njëjtë, porosia është e qartë, sfida kundër barbarëve. Ah Shqypni, mos thuej mbarova,/se djemtë tu ende janë gjallë,/n’kambë ashtu çue e rrept Kosova,/e ban luftën ballë për ballë:

Vërtet, sa herë që të vemi në Tempullin e Trimërisë, në Prekaz, do të na fanitën ditët e lavdisë, ditët kur me gjak u skalit Epopeja që ndërroi rrjedhat e historisë…

Dhe sërish Porosia e Madhe në flatrat e fjalëve shqipe, porosia si vetëdije historike dhe si vetëdije kolektive:

Kush e harron historinë është i detyruar ta përsërisë!- këshillojnë të mençuritë.

Dhe, kësaj here do të veprojmë ndryshe. Do të bëhemi tok, si një grusht i vetëm dhe, amanetin e brezave, do ta mbajmë vath në vesh deri në realizimin e synimit tonë jetësor: BASHKIMIT KOMËTAR!

Kështu na obligon edhe gjaku i dëshmorëve të të gjitha kohëve.

Kështu na obligojnë edhe mbi dhjetëmijë të vrarë e shumë të plagosur.

Kështu na obligojnë edhe rreth tremijë të zhdukur.

Kështu na obligojnë familjet e dëshmorëve dhe jetimët.

Kështu na obligojnë invalidët e veteranët e luftës sonë çlirimtare.

Mbase, mbase, më mirë së të gjithë, duhet të na vetëdijësojnë arrestimet dhe burgosjet e çlirimtarëve!!!

No comment!!!

Ribashkimi Kombëtar

Shkrimtari kujton fjalët e poetit, Lasgush Poradecit, sa herë që dheu i kuq i arbrit tund palët e fustanellës në truallin bujar të gjakut, sa here që lëshon filiza të ri Trungu Ilir në Gadishullin Ilirik, testament fjalësh e testament prej gjaku:

Synim i përhershëm i shqiptarëve ka qenë dhe mbetet Bashkimi Kombëtar. Në fakt Ribashkimi Kombëtar, sepse ne ishim të bashkuar në një Iliri që shtrihej tej e tej, por gjatë rravgimeve të jetës, na copëtuan grabitqarët përreth.

Këtë e ka shprehur kur e kur mendjendrituri ynë largpamës, i madhi Lasgush Poradeci, kur thoshte: “Do të vijë një kohë, kur do vemi në dasmë e do të urojmë: Mos e pifshim këtë gotë, po të mos bashkohemi me Kosovën! Dhe do të vemi në vdekje e do të ngushëllojmë: Mos e pifshim këtë gotë në mos u bashkofshim me Kosovën!...Do të vijë një kohë kur dollia do të fillojë me këto fjalë: Mos e pifshim këtë gotë në mos u bashkofshim me Kosovën”!

Pra, edhe sot e gjithë ditën, pavarësisht se ku jetojnë shqiptarët: në Shqipëri, në Kosovë, në Mal të Zi, në Maqedoni, në Luginë të Preshevës, në Çamëri etj., e kanë të vetmin synim: Ribashkimin Kombëtar! Tekefundit, kjo nuk është synim, por është një e drejtë historike, morale, natyrore, etnike, gjuhësore, kulturore! Dhe, ky Ribashkim do të ndreqte padrejtësinë e madhe të fuqive të mëdha vendimmarrëse që na  e bënë në kapërcyllet e historisë!

Hëpërhë, plaga që dhemb më së shumti është Çamëria, e cila, herët a vonë duhet të bëhet Shqipëri! Po, po, kjo është domosdoshmëri e kohës!

Gjenocidi grek mbi shqiptarët e Çamërisë është kryer në mënyrë sistematike që nga Luftërat Ballkanike, për të kulmuar me fundin e Luftës së Dytë Botërore. Pabesia e grekëve është aq e njohur në histori saqë ka lindur edhe një fjalë e urtë që thotë: “Ai që shtrëngon duart me grekun, le t’i numërojë gishtat!”

Pastaj, në kujtesën kolektive, sërish flet poeti me fjalën e tij të mençur e me porosinë e tij të madhe për çështjen e pazgjidhur shqiptare:

Aktualisht, Shqipëria në Greqi ka nën pushtim një territor sa një Shqipëri, 23 mijë e 500 qind kilometra katrorë tokë dhe det, dhe mbi 4 milion banorë çamë dhe arvanitë. Çamëria Shqipëri është udha në gjuhën e nënës dhe mision i shenjtë për çdo shqiptar. Republika e Çamërisë e shpallur me 30 tetor 2016 në Egzil, është e angazhuar për zgjidhjen e Çështjes së Çamërisë në rrugë diplomatike dhe juridike si rrugë që e lejon demokracia euro–atlantike. Në Evropë nuk ka një popull të dytë sa populli shqiptar që të ketë aq histori të pasur, dhe njëherit, aq histori masakrash dhe gjenocidesh nga fqinjët e saj sa Shqipëria nga Greqia dhe Serbia”- shkruan Atdhe Geci.

Libri, Leximi, Letërsia dhe Ardhmëria

Së fundmi, një sintezë e gjithanshme, një fjalë si një lapidar ku populli është kryefjala, ku tradita kombëtare është gurra e frymëzimeve të përjetshme, ku trimëria dhe mençuria ecin krah për krah, kur dija dhe drita, libri dhe leximi, letërsia dhe ardhmëria shpalosen aq bukur në penën e shkrimtarit Bedri Tahiri, me një lajtmotiv gjithmonë aktual për ta shtruar dhe për ta gëzuar, ashtu siç thoshte Ernest Koliqi, Sofrën e madhe të Vëllazërisë Gjithëshqiptare!

Vitin e ardhshëm kam 70-vjetorin e lindjes dhe, të shohim, mos do të  fryjë ndonjë erë e mirë dhe po më mundësohet botimi i kompletit të librave!

Dhe, si zakonisht, asnjë ditë pa një varg, siç porosiste Plini!

Londër, tetor 2025

_______

Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (V)

Në fushën e letërsisë dhe studimeve historike shqiptare, Bedri Tahiri spikat si një ndër zërat më të angazhuar në mbrojtje të kujtesës kombëtare. Autor i një opusi të gjerë që përfshin poezi, tregime, romane, monografi dhe punime historike, ai ka dëshmuar një përkushtim të palëkundur ndaj çështjeve që lidhen me identitetin dhe figurat emblematike të historisë sonë...

Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (IV)

Në këtë pjesë të katërt të intervistës ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri, do të zbulojmë rrënjët e hershme të pasionit të tij për shkrimin, temat që e kanë shqetësuar dhe frymëzuar që në fillimet e tij, si dhe mënyrën se si zgjedh personazhet të cilëve u jep jetë përmes penës. Do të ndalemi te...

Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (II)

Një kapitull i veçantë i bisedës sonë mbetet përkushtimi i tij i gjatë në arsim, për dekada me radhë në Gjimnazin “Eqrem Çabej” të Vushtrrisë. Përmes këtij rrëfimi, Bedri Tahiri ndan përvojat më të veçanta që e kanë ndihmuar të formojë gjenerata të tëra nxënësish, si dhe sfidat e përditshme të profesionit të mësuesit në kohë të vështira, të cilat mbeten faqe të ndritshme të historisë sonë kombëtare...

Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (I)

Në këtë pjesë të parë të intervistës ekskluzive me Bedri Tahirin, një nga shkrimtarët dhe publicistët më të rëndësishëm të letërsisë moderne shqipe, kemi kënaqësinë t’i sjellim lexuesit një portret më të plotë të jetës dhe rrugëtimit të tij krijues. I lindur dhe rritur në Galicë të Drenicës, një trevë me histori të pasur...


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx