E enjte, 02.10.2025, 11:29 PM (GMT+1)

Kulturë » Vataj

Albert Vataj: A është në vullnetin tuaj të zgjidhni, nëse do të jeni dritë apo zjarr?

E enjte, 02.10.2025, 06:54 PM


A është në vullnetin tuaj të zgjidhni, nëse do të jeni dritë apo zjarr?

Nga Albert Vataj

Ligjësitë e jetës në rrafshin ndjesor nuk kanë qenë kurrë të buta me ne. Shpesh na e bëjnë të vështirë të gjejmë përshkueshmërinë e duhur të qenies sonë në marrëdhënie, në pritshmëri, në zgjedhje. Jeta nuk është një çast i vetëm, por një varg shkreptimash; dhe mjafton një prej tyre për të verbuar, për të lënë përgjithmonë pa dritë horizontin e së ardhmes.

Ndjenja, pasioni, intimiteti, këto shpërthime që bartin potencial të pamasë, shpesh tejkalojnë aftësinë tonë për t’i menaxhuar. Arsyeja dhe vetëdija, të ndrojtura përballë impulsit, lëshojnë dorën duke ia dorëzuar gjithçka rastësisë, që shpesh merr kahjen e seksit të çliruar nga çdo përgjegjësi. Dhe befasitë e kësaj dorëzimi nuk janë kurrë falas: ato kërkojnë tarifa të rënda, shlyerje që na ndjek si mallkim, si një detyrim i pashmangshëm ndaj vetvetes.

Ne duhet të ndërgjegjësohemi se komunikimi fizik nuk është vetëm një akt intim, por një shkëmbim i thellë biologjik, bartës i lëndëve dhe energjive që jo gjithmonë gjejnë përputhje. Pasojat, të shfaqura shpesh më vonë, nuk janë aq sociale sa janë shëndetësore, të maskuara nën petkun e pasionit, të lindura nga një verbëri e përkohshme që shndërrohet në plagë të gjatë.

Natyra na ka pajisur me një privilegj të rrezikshëm, zgjedhjen. Ne vendosim nëse do të jetojmë demoniken apo engjëlloren, nëse do të shndërrohemi në dritë që ndriçon ose në zjarr që djeg. Kjo zgjedhje është një zgjedhë e brendshme, një detyrim për të konvertuar potencialet tona ndjesore, për t’i kthyer ato në energji ndërtuese apo shkatërruese.

Shumë gabojnë, dhe shpëtimi i vetëm që u mbetet është ndërgjegjësimi, shpesh i vonuar, se kanë marrë rrugën e gabuar. Por kur kjo ndodh, mundësia për të rishkruar një realitet tjetër është tashmë e pamundur. Nëse do të jesh dritë apo zjarr, këtë shpesh nuk e përcakton zgjedhja e vetëdijshme, por një forcë e pavullnetshme që ka vulosur fatin. Njeriu mbetet vetëm me mundësinë që zjarrin ta kthejë në dritë, edhe teksa digjet.

Ekzistojnë njerëz për të cilët dashuria nuk mjafton, edhe pse ajo është forca më lëvizëse dhe transformuese. Ata janë trupa të ngopur, qenie të ngurtësuara, të mpira, ku çdo gjallëri është shuar në një ngjarje të brendshme mortore. Lëvizin si hije, pa shpresë për të ndjerë ngrohtësinë e një përqafimi. Në to, dashuria kthehet në rrufe të verbër, pas së cilës mbretëron errësira më e dendur se çdo terr tjetër.

Dashuria e lindur nga faji dhe ligështia është një çerdhe me dushk e gjemba, që të gërvisht e të helmon. Por njeriu, po të dojë, mund të ëndërrojë ndryshe: të endë një idil, të mbjellë aty barëra aromatikë dhe lule dehëse, të ndërtojë një kopsht ku shpresa merr frymë. Sepse në fund, çdo zgjedhje është një farë, njëra jep dritë, tjetra djeg.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Vataj: "Shkodra dashnorja e qiellit të kaltër… që Migjeni e deshti me nji “dashuni tragjike” Albert Vataj: Nëse të mendoj, nuk mëkatoj, apo jo? Albert Vataj: Mirash Ivanaj, dishepulli i arsimit, sakrifica e një shpirti që u martirizua për dijen Albert Vataj: Hannah Arendt dhe rreziku i një bote pa të vërtetën Albert Vataj: Thirrja e Faik Konicës në Gazetën Albania, 1897, për shqiptarët krejt Albert Vataj: Ndahet nga jeta “kryeashiku i ahengut shkodran”, Agim Molla, zëri autentik i një tradite Albert Vataj: Figura e gruas dhe zakoneve shqiptare, midis spektaklit dhe sakrificës, në romanin e Pashko Vasës, 'Bardha e Temalit' Albert Vataj: Lec Bushati, aktori që solli në artin skenik thellësinë shpirtërore dhe epikën e personazhit Albert Vataj: Udha që të shpie te dija, sipas gjigandëve të mendimit filozofik Albert Vataj: Komedia që zgjon kujtesën e artë të Shkodrës së artit të vitit 1919 Albert Vataj: Në një moshë të tillë... kur ti guxon të jesh vetja Albert Vataj: Këmbët e Nënë Terezës, këmbët e deformuara nga lodhja dhe mundimet, këmbët që ecën mbi dhembje në rrugën e kalvarit Albert Vataj: Thirrje nga historia i kujtesë kombëtare, 31 gusht 1919, zëri i Komitetit 'Mbrojtja Kombëtare e Kosovës' Albert Vataj: Shenjtëria e shnjtëreshës shqiptare, Nënë Tereza, përmes shenjtërisë së fjalës dhe diellit të mendimit Albert Vataj: Mateus Frroku, artisti rrezatues i mirësisë dhe pozitivitetit, zëri i shpirtshëm i këngës shqiptare Albert Vataj: Bud Spencer i filmave aksion dhe komik, në zemrën e bashkëshortes, Maria Amato Albert Vataj: Roza Xhuxha dhe Dhimitër Anagnosti, si lindi dashuria ikonike e kinematografisë, që sot u nda me lamtumirë dhe lot?! Albert Vataj: Arti i dëbuar nga moderniteti, i flokëve të gjata të shekullit XIX Albert Vataj: Naile Hoxha, këngëtarja që na la një trashëgimi që nuk është vetëm këngë Albert Vataj: Loro Kovaçi, shpirti i paepur që ngadhënjeu për të patur vendin e merituar në artin tonë skenik

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx