Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Bud Spencer i filmave aksion dhe komik, në zemrën e bashkëshortes, Maria Amato
E merkure, 03.09.2025, 06:54 PM
Bud Spencer i filmave aksion dhe komik, në zemrën e bashkëshortes, Maria Amato
Nga
Albert Vataj
Ai
i përket një brezi tjetër, por ende rolet e tij mbeten shkreptimat e atyre
emocioneve që nuk u shuan me të, 27 qershorin e vitit 2016 kur ai u shua në
moshën 86-vjeçare në Romë.
Carlo
Pedersoli (Bud Spencer), gjiganti i kinemasë italiane që fitoi zemrat e botës
me humorin dhe mirësinë e tij, nuk ishte vetëm një ikonë e ekranit, por edhe
një njeri i thjeshtë, i përkushtuar ndaj familjes. Pas figurës së tij të fortë
fshihej Carlo Pedersoli, burri dhe babai i dashur, i mbështetur për gati pesë
dekada nga bashkëshortja e tij, Maria Amato.
Fjalët
prekëse të Maria Amato, bashkëshortes së Bud Spencer, zbulojnë jo vetëm një
pjesë intime të jetës së aktorit, por edhe dimensionin njerëzor që fshihej pas
legjendës së ekranit:
“Ai
nuk ishte burri që të nxirrte për dreka apo të dhuronte trëndafila. Muaji ynë i
mjaltit zgjati vetëm tre ditë. Por kurrë nuk pata rivale në jetën tonë, përveç
motorëve, dashuria e tij tjetër. Carlo ishte një njeri i mirë. E shijoi jetën
në maksimum. Marr ende letra nga fansat që më bëjnë të qaj… aq të ndjera janë.
Shkruajnë: ‘Na dhe paqe mendore. Na dhe gëzim. Shikojmë filmat e tu me fëmijët
tanë, siç i kemi parë dikur me prindërit tanë.’”
Në
këto fjalë të thjeshta, por të mbushura me emocion, ndjehet forca e një
dashurie të madhe, të pashoqëruar nga gjestet romantike klasike, por të
mbështetur në besnikëri, respekt dhe gëzimin e përbashkët për jetën. Maria nuk
flet për një ikonë të kinemasë, por për Carlo-n e saj, për burrin që i përkiste
asaj dhe ekranit njëkohësisht, duke lënë një trashëgimi që nuk kufizohet në
familje, por shtrihet në miliona zemra.
Bud
Spencer ishte i martuar me Maria Amato, këtë grua italiane që mbeti gjithmonë
pranë tij, një prani e përhershme dhe mbështetëse në jetën e aktorit. Çifti u
martua në vitin 1967 dhe solli në jetë dy fëmijë: djalin Giuseppe dhe vajzën
Christine. Maria, e cila qëndroi kryesisht larg syrit të publikut, ishte një
pjesë thelbësore e jetës së Bud-it, si gjatë viteve të suksesit të tij të madh
në kinema, ashtu edhe në vitet më të qeta, larg dritës së kamerave. Marrëdhënia
e tyre ishte ndërtuar mbi dashuri, besim dhe respekt të ndërsjellë, dhe Bud
fliste shpesh me admirim për të.
Megjithëse
ai ishte i njohur për imazhin e tij të fortë në filmat e aksionit dhe komedisë,
jeta e tij private ishte e thjeshtë dhe e qëndrueshme. Bud e vlerësonte Marias
si një shtyllë të jetës së tij, duke e konsideruar shpesh si ankorën e sigurisë
dhe ekuilibrit. Përgjatë martesës së tyre, ata e ruajtën jetën familjare larg
syve të publikut, edhe pse fama ndërkombëtare e Bud-it e mbante shpesh në
qendër të vëmendjes. Maria nuk kërkoi kurrë lavdi apo publicitet, por mbeti
gjithnjë pranë tij, e përkushtuar dhe besnike.
Martesa
e tyre zgjati gati pesë dekada, deri në ndarjen nga jeta të Bud Spencer në
vitin 2016. Dashuria dhe përkushtimi i Marias u dëshmuan në mënyrën se si ajo
qëndroi pranë tij gjatë gjithë jetës. Trashëgimia e Bud-it si aktor i dashur,
baba dhe bashkëshort mbetet gjallë jo vetëm në filmat dhe kujtimet që ai la,
por edhe në forcën e martesës së tij me Maria Amato, e cila mbetet një dëshmi e
gjallë e lidhjes së tyre të pathyeshme.
Trashëgimia
që Bud Spencer la pas, nuk ishte vetëm në formën e filmave të tij plot humor
dhe aksion, por edhe në një ndjesi universale shprese, mirësie dhe paqeje që u
përçua përmes personazheve të tij. Ai u bë një figurë që kapërceu kufijtë e
kinemasë italiane, duke u kthyer në një mit popullor global. Edhe sot, familjet
mblidhen përpara ekranit dhe qeshin me episodet e tij, duke ripërtërirë atë urë
brezash që ai ndërtoi mes të rriturve dhe fëmijëve.
Edhe
shqiptarët e kanë përqafuar këtë ikonë, duke e parë si mikun e përhershëm të
ekranit, si atë figurë të madhe dhe të dashur që u bë pjesë e kujtimeve të
fëmijërisë dhe rinisë së tyre. Bud Spencer mbetet i paharruar, jo vetëm si
aktor e sportist, por si një njeri i mirë që diti ta bëjë botën më të lehtë, më
të gëzueshme dhe më njerëzore.
Maria
Amato, sot është rreth 89-90 vjeçe. Ajo mbetet një figurë e rezervuar dhe e
përkushtuar, larg dritës së publikut, por e pranishme në kujtesën e miliona
njerëzve si bashkëshortja e Bud Spencer.