E enjte, 18.09.2025, 10:47 PM (GMT+1)

Kulturë » Vataj

Albert Vataj: Ndahet nga jeta “kryeashiku i ahengut shkodran”, Agim Molla, zëri autentik i një tradite

E enjte, 18.09.2025, 06:58 PM


Ndahet nga jeta “kryeashiku i ahengut shkodran”, Agim Molla, zëri autentik i një tradite

Nga Albert Vataj

Me ndarjen nga jeta të Agim Mollës, Shkodra humbi një nga figurat më të dashura dhe më autentike të shpirtit të saj muzikor. Ai nuk ishte i famshëm në kuptimin e skenave të mëdha, të festivaleve apo të ekranit kombëtar, por ishte i madh në atë që përfaqësonte: një ikonë të ahengut, një shpirt bohem që u bë mishërim i gëzimit dhe melankolisë së këngës qytetare shkodrane.

Agim Molla nuk kërkoi kurrë protagonizëm, por e jetoi artin e tij si një mision të heshtur e të përhershëm. Ai ishte aty ku kënga merrte jetë: në tubime familjare, në lokale, në ndeja miqësore, në mbrëmje që s’përfundonin pa ritmin e ahengut. Për shkodranët, prania e tij ishte vetë prania e këngës, ajo ngrohtësi e pashpjegueshme që krijon vetëm arti kur lind nga shpirt i pastër.

Ai ishte “ahengxhija më i vjetër i qytetit”, por edhe më i dashuri. Jo vetëm sepse e zotëronte një repertor prej mbi 350-400 këngësh të ahengut, të kënduara me kujtesë brilante, por sepse çdo varg që dilte nga goja e tij kishte shijen e origjinalitetit dhe peshën e një trashëgimie të çmuar. Kënga për të nuk ishte stoli, nuk ishte shfaqje, ishte frymë, jetë dhe identitet.

Në një akt të rrallë nderimi, BBC Music, dy vite më parë, i masterizoi këngët e tij në studiot e Radio Shkodrës, duke i ruajtur si trashëgimi të përjetshme të kulturës shpirtërore shqiptare. Ky gjest jo vetëm e përjetësoi artin e tij, por i dha Agim Mollës vendin që i takonte: atë të një kujtese të gjallë të qytetit dhe një thesari që nuk do të shuhet kurrë.

Figura e tij mbetet simbolike jo vetëm për artin, por edhe për shpirtin e qytetit. “Kryeashiku i ahengut” ishte një emërtim që ia dha vetë populli i tij, një titull që nuk fitohet me diploma apo çmime, por me dashuri, me respekt dhe me mirënjohje të gjeneratave. Në festivalin e 12-të të “Ahengut Shkodran”, ku ai u ngjit përkrah artistëve si Mukades Çanga, u pa qartë se Agim Molla nuk ishte thjesht një këngëtar, por një gjendje shpirtërore, një frymë që ndizte atmosferën dhe bashkonte njerëzit në një përjetim të rrallë kolektiv.

Kënga e tij ishte lirike, plot pasion dhe intimitet, por mbi të gjitha ishte autentike. Në tingujt e saj gjendje një qytet i tërë, me historinë, me dashurinë, me gëzimin e hidhur e të ëmbël që vetëm Shkodra di ta ruajë e ta shpërfaqë.

Agim Molla ishte një rrëfimtar i jetës së thjeshtë, i dashurive të pafundme, i humorit popullor dhe i dramës së brendshme që kënga e ahengut mbart prej shekujsh. Ai u bë urë mes brezave, duke e përcjellë trashëgiminë e këngës tek të rinjtë, pa e ndryshuar, pa e falsifikuar, por duke e mbajtur të pastër, siç ia kishin lënë të parët.

Me ikjen e tij, Shkodra humbi një zë, por fitoi një legjendë. Agim Molla nuk është më fizikisht mes nesh, por kënga e tij do të vazhdojë të gjallojë në çdo ndejë, në çdo valle, në çdo atmosferë që kërkon gëzim e dritë. Ai nuk ikën, sepse kënga nuk ikën. Ai mbetet përjetësisht një pjesë e pandashme e shpirtit shkodran.

Shpirti i tij u shua, por kënga e tij është e pavdekshme.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Vataj: Figura e gruas dhe zakoneve shqiptare, midis spektaklit dhe sakrificës, në romanin e Pashko Vasës, 'Bardha e Temalit' Albert Vataj: Lec Bushati, aktori që solli në artin skenik thellësinë shpirtërore dhe epikën e personazhit Albert Vataj: Udha që të shpie te dija, sipas gjigandëve të mendimit filozofik Albert Vataj: Komedia që zgjon kujtesën e artë të Shkodrës së artit të vitit 1919 Albert Vataj: Në një moshë të tillë... kur ti guxon të jesh vetja Albert Vataj: Këmbët e Nënë Terezës, këmbët e deformuara nga lodhja dhe mundimet, këmbët që ecën mbi dhembje në rrugën e kalvarit Albert Vataj: Thirrje nga historia i kujtesë kombëtare, 31 gusht 1919, zëri i Komitetit 'Mbrojtja Kombëtare e Kosovës' Albert Vataj: Shenjtëria e shnjtëreshës shqiptare, Nënë Tereza, përmes shenjtërisë së fjalës dhe diellit të mendimit Albert Vataj: Mateus Frroku, artisti rrezatues i mirësisë dhe pozitivitetit, zëri i shpirtshëm i këngës shqiptare Albert Vataj: Bud Spencer i filmave aksion dhe komik, në zemrën e bashkëshortes, Maria Amato Albert Vataj: Roza Xhuxha dhe Dhimitër Anagnosti, si lindi dashuria ikonike e kinematografisë, që sot u nda me lamtumirë dhe lot?! Albert Vataj: Arti i dëbuar nga moderniteti, i flokëve të gjata të shekullit XIX Albert Vataj: Naile Hoxha, këngëtarja që na la një trashëgimi që nuk është vetëm këngë Albert Vataj: Loro Kovaçi, shpirti i paepur që ngadhënjeu për të patur vendin e merituar në artin tonë skenik Albert Vataj: Kur era, të bukurën e bën me faj dhe të përbetuarin e grish në tundim Albert Vataj: Postmortum për Artur Zhejin Albert Vataj: Rikthehet në jetë zemra antike e olimpizmit në Amantian ilire Albert Vataj: Thirrja e dritshme e artit që sjell hyjnoren e biblikes Albert Vataj: Teodor Keko, zëri i shpirtit që u këput duke kënduar Albert Vataj: Gëzuar ditëlindjen President!

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx