Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Postmortum për Artur Zhejin
E marte, 26.08.2025, 06:59 PM
POSTMORTUM PER ARTUR ZHEJIN
Vdekja që vjen për të na treguar se si duhet
jetuar
Nga
Albert Vataj
Një
zemër pushoi, por jo një zë, një prej atyre zërave të gjëmimshëm, mëtimeve të
përkora dhe mendimeve të shuguruara në dritën e dijes. Një trup u nda nga
fryma. Një mendim që s’u këput nga kafshimi i terratisës i Amokut. Një jetë u
mbyll, por jo jehona e saj, ajo që kaploi krejtkund mendimi i shpirtit të bukur
bëhet qiell për krahët e çdo fluturimi, buzë për këngët e çdo gazmimi, shpresë
për ëndrrat e çdo ngulmimi.
Vdekja
erdhi befas, siç zgjedh gjithnjë të vijë një e paftuar, në një ditë feste, në
një tryezë të ngrohtë familjare, sikur të donte të kujtonte se ajo nuk ka
kalendar, nuk njeh orë gëzimi, as ditë zie. Ajo hyn, me të vetmen madhështi që
i pranohet: absolutja e saj, korrektësia e pamëshirshme e ligjësisë së jetës.
Dhe
megjithatë, nuk ishte një vdekje e thjeshtë, por një akt i fundit artistik, një
skenë e fundme e jetës së një njeriu që gjithçka e ktheu në lartësinë e një
lajmi të mirë. Sipari që bie, skena që mbyllet, dhe heshtja që pason pas
stuhisë frenetike të spektaklit që resht, dhe... të gjithë që ikin duke marrë
nga pak jetë, për të mos i lënë vdekjes çfarë ai e mbrujti për ne.
Artur
Zheji vetë e kishte përshkruar një vit më parë: “Vdekja është Zonja
Madhështore, e pakorruptueshmja absolute, e cila nuk fal dhe nuk bëhet peng i
askujt.” Sikur ta kishte ftuar për kafe, sikur ta kishte një nga të ftuarit e
tij, sikur ta kishte pranuar si bashkëbiseduese, e jo si formë mizore largimi.
Në
këtë bashkëbisedim të fundit mes tij dhe Vdekjes, nuk është fundi ai që flet më
zëshëm, por jeta e tij që kumton mesazhin e një apostulli të thirrjes në besim
dhe zgjim.
Një
jetë e kaluar mes fjalës së lëmuar, mendimit të ngjizur dhe artit të lartësuar
në qëllim, mes pasionit dhe mendimit, mes guximit dhe dyshimit, mes ngjizjes së
asaj magme që çliroi zjarrin përtëritës të një shpirti. Vdekja, duke ardhur për
të ndarë nga ne të gjithë Artur Zhejin, na rikujton se si jetoi ai, me
intensitet, me mendim të lirë, me një shpirt që nuk e trembi as politika, as
konformizmi, as vetmia e mendimit, sikurse as çfarë hijet sjellin në thellësinë
e dritës që shpon.
Në
ikjen e tij, Zheji na lë një mësim të heshtur dhe një amanet për të mvajtur.
Për të nuk kishte rëndësi sa kohë jeton, por si e jetoi atë, duke e mbushur
pareshtur me lëndën qëllimmirë. Siç nuk pati rëndësi numri i ditëve, por pesha
e tyre, që i rëndoi dhe e mbajti, duke risjellë në tashmëri mitin e Sizifit.
Nuk
ka rëndësi se kur të vjen Vdekja, por çfarë gjen ajo tek ti, çfarë ajo vjen të
marrë nga ty, urdhrat mizorë që ajo jep, për të ndaluar, për të mos lejuar as
edhe një fjalë më shumë, as edhe një hap më tej, as edhe një çast të frymshëm
që të lë pa frymë.
Erdhi
“Zonja Madhështore” për ta ndaluar të shkonte më tej në gjurmët e përmbushjes
që u ishte vënë nga pas. Për t’i thënë, kaq ishte, kaq munde, vetëm kaq, asgjë
më shumë.
Gjithëpoaq
vdekja, nuk e zhbën jetën e tij. Përkundrazi, e bën të dukshme, si një pikturë
që fitoi konturet vetëm kur u vendos korniza. Tani e shohim të plotë: Zhejin
analist dhe gazetar, Zhejin artist e dramaturg, Zhejin filozof të fjalës dhe
poet të ideve.
Sepse
“Një lis, vetëm kur rrëzohet, atëherë e dimë se sa i lartë që ishte.”
Në
këtë PostMortum, Vdekja nuk është një pikë fundore, por një pasqyrë, ku ai
shpërfaq veten dhe ne arrijmë të shquajmë reflektimin tonë. Ajo vjen për të na
treguar se Zheji jetoi siç duhej, e pse edhe siç amaneti i ADN-së ia vu si
barrë dhe si krenari, i pakompromis, i lirë, i lidhur me fjalën e tij dhe me
besimin se e vërteta nuk negociohet. Dhe mbi të gjitha, ajo, vdekja vjen për të
na kujtuar se jeta nuk duhet humbur në heshtje, por duhet shkrirë në fjalë, në
ide, në art, në dashuri.
Artur
Zheji u shua shpejt, por nuk iu lejua të ikte në tinëzisht: sqimatari i fjalës
dhe i dritshmi i mendimit. Ai që mbeti një “dramaturg i ekranit”, një “poet i
politikës”, një “trazues i shpirtrave”, i cili nuk e pranoi kurrë të kërkonte
një qoshk për të strukur heshtjen.
Në
një kohë kur fjala shpesh shndërrohet në shërbestari për bukën e gojës, Zheji e
ngriti në rang të artit dhe të nderit, si një shprehje e një integriteti
intelektual të kalibrit.
Në
fund, ikja e tij na rikthen tek shkrimi i vetë Zhejit për vdekjen. Ai e quante
“Zonja Madhështore”, të pashmangshme, të pathyeshme, të barabartë për të
gjithë. Sot, fjalët e tij bëhen epitaf i vetë jetës së tij: një jetë që nuk e
kurseu mendimin, që nuk bëri kompromis me të vërtetën, që mbeti e palodhur në
kërkim të lirisë dhe mëkimit të dritës së dijes dhe mendimit.
Artur
Zheji iku papritur, por jo në heshtje. Ai iku duke na lënë një testament moral
dhe estetik: të flasësh lirshëm, të mendosh thellë, të mos pranosh kurrë
robërinë e konformizmit.
Një
jetë e shkruar mes artit, gazetarisë dhe filozofisë u mbyll me një akt të madh
skenik,një shkrim mbi Vdekjen që, paradoksalisht, shërbeu si parathënie e ikjes
së tij.
Arturi
nuk ishte thjesht drejtues i emisionit “360 Gradë”. Ai ishte një kurator i
mendimit publik, një njeri që zotëronte virtuozitetin e një oratori, por edhe
urtësinë e një dëgjuesi. Dinte të provokonte, të sfidonte dhe të promovonte një
qasje të epërme komunikimi.
Jo
të gjithë ndajnë të njëjtin mendim për Artur Zhejin, por vlerat që ai mëtoi në
shkrimtari dhe publicistikë, në opinionet dhe qëndrimet e tij, në ndërtimin e
një imazhi intelektual, janë ajo që duhet të besojmë, më shumë se ligjërimet
dhe retorika përjetuese e një ndarjeje.
Mundet
që jo gjithçka që tha dhe gjithçka që bëri, ishin siç do të donim ne. Por ai,
në përpjekje të vazhdueshme për të qenë vetvetja, qëndroi besnik asaj që ai
mendonte se ishte e drejtë, edhe pse ishte i bindur se jo të gjithë do të
mendonin si ai dhe të dakordësoheshin me të. Gjithsesi, kjo nuk e zbret atë nga
Panteoni i nderit dhe vlerësimet që i meritoi, për atë që ishte, për atë çfarë
bëri, për çfarë mbeti në homazh dhe në kujtesë.