Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Homazh për një dashuri që nuk pranon të dorëzohet
E hene, 09.06.2025, 06:59 PM
HOMAZH PËR NJË DASHURI QË NUK PRANON TË DORËZOHET
Elsa dhe Feridi, ata që sfidojnë sëmundjen me
dashuri, dhe vetë dashurisë i shërbejnë me sakrifica
Nga
Albert Vataj
“Sëmundja
na mëson se sa i pafuqishëm është njeriu para jetës, por edhe sa i fuqishëm
është ai para dashurisë.”, ky përkufizim i Carl Jung, është ajo që përshkon si
një fill drite, ditënetët e asaj sprove ngadhënjimtare, ku po farkëton shpirtin
e vet miku im, Ferid Kola, në betejën për të pranuar si fatin e tij, atë që Gabriel
García Márquez kumton, se: “Më shumë se mungesa, na dhëmb ajo që nuk mund të
rikthehet më siç ishte.”
Megjithatë
barrën e rëndë që i duhet të mbajë në shpirt, torturën e sakrificës që i ka
flijuar gjithë qenien e tij, tek ai ende është e dritshme ajo buzëqeshje. E
përkorë ajo thjeshtësi që begatueshëm e ndanë me të gjithë. E shëlbyer në
shenjtërinë e një shpirti të pastër, ajo mirësi që e mëkon me gjithë zemër.
Dhe... i zjarrtë ai pasion për të artin, për të bukurën, edhe pse lufta që i
duhet të bëjë çdo orë të çdo dite, është një ndeshje për të mbajtur në jetë
dashurinë dhe përmes saj, njeriun më të shtrenjtë, që i tregoj atij se çfarë
vërtetë është dashuria.
Ferid
Kola, skulptori dhe veprimtari i paepur i kulturës dhe qytetarisë shkodrane,
është një prej miqve të veçantë që më ka mbetur në Shkodër. Në telefonatat e
rralla që bëj, e mora një mbrëmje. Më shumë se për shëndetin e tij, e pyeta se
si është Elsa, bashkëshortja, e cila prej vitesh vuan nga Alzheimeri.
-
Përditë e më poshtë më tha. I shqiptoi këto fjalë sikur po i shkulte nga thellë
vetes.
-
Po përpiqem miku im të bëj të pamundurën, por gjithçka është e kotë, vijoi,
ndërsa zëri që kumbonte nga zgafella, sikur filloi të gërvishtej nga vibratot e
një emocioni sëmbues.
-
Ky ishte fati i saj, dhe i imi, tha, me një ton dramatik.
-
Më ka vrarë, shtoi... dhe kjo frazë e plumbtë shoqëroi me një pauz, sikur vetë
biseda duhet të ruante atë teatralitetin ngjethës, në një skenë të errët, ku e
vetmja dritë që pluskonte ishte zëri i tij, që venitej dhe theksonte fuqinë e
shkëndisë nën një ritmikë EKG-je.
Dhe...
nuk desha ta dija, se ai po thoshte se e ka “vrarë” bashkëshortja, të cilës
duhet t’i shërbejë si një fëmije, në përpjekjen për t’ia lehtësuar rrugëtimin e
saj në një botë harrimtare.
Po
në një realitet çfarë premton Alzheimeri për të gjithë fatkeqet, e mbetur
jashtë në natën e stuhishme të këputjes së çdo filli me botën, me të shkuarën
dhe të tashmën.
Po,
të një frymimi që të merr gjithçka, duke të lënë të jesh e huaj mes atyre që të
njohin, e pakuptueshëm në gjerat që dikur ishin kuptimi i jetës tënde.
Apo...
mikun tim e ka “vrarë” pamundësia që ai ka për t’i rikthyer asaj, Elsën e
dikurshme dhe vetes një mike të mirë, një shoqe të pashoqe jete dhe sfidash,
një kolege dhe një shpirt të bukur, mbrujtur me muzikë dhe art, lëmuar me
dashuri dhe përkujdesje.
Sëmundja,
një lëngim që më shumë se të sëmurin, drobit vetë atë që ka fatin e keq t’i
shërbejë, shkallmon çdo ditë e më dhunshëm shpirtin e tij, i cili në një betejë
të pamundur, është më shumë se i mundur. Sepse çdo betejë është një sprovë, por
ai do ta ndërronte me çdo tjetër, mjafton që ai të mund të bëjë diçka në
limitet e së mundshmes, që gjërat të ndryshojnë, që jeta t’i kthente ditët e
dritshme të dashurisë dhe haresë, të cilat Alzhaimeri erdhi t’u marrte, për të
mos ua kthyer më kurrë.
Edhe
pse nuk është krejt i vetëm në këtë betejë të ngadhënjimtë me fatin, sërish
hapat e tij kanë më pak udhë për të bërë, zëri i tij është më pak prezent, ku
Shkodra pluskon në nevojën e saj për t’u përtërirë. Çdo ditë e më pak e
vërejmë, ndërsa tenton të rivendosë lidhjet që e mbajnë atë në jetë, në
përditshmërinë e marrëdhënies me atë që Feridin, më shumë se e thërret për t’u
përfshirë, e ngas për t’u blatuar.
Ai
nuk e ka humbur gruan, të cilën e do ende, siç e ka dashur shumë e shumë vite
të shkuara, por ajo është ndarë nga ai, për të mos ikur, për të qëndruar,
ndoshta për t’ia thënë në një mënyrë tjetër, se sa i rëndësishëm është ai për
të, se sa e thellë dhe e lartësuar ka qenë ajo ndjenjë, që i ka bërë bashkë, aq
sa e ka të pamundur t’i ndajë plotësisht, as sot, as kurrë.
Për
Feridin, por shumë më shumë për Elsën, pas ka mbetur gjithçka, një jetë
dashurore dhe bashkëshortore, për të cilën Feridi flet me kaq përkushtim dhe
pasion, njëjtë sikur po përpiqet ta kthejë në jetë një të larguar pa lamtumirë,
t’i ribëjë gjëra, t’i veshi ende ditët me pranverim, dhe pranitë me aromë
lulesh.
Feridi
dhe Elsa, një nga çiftet model të Shkodrës, nuk janë më në tablotë e ngjyrshme
të qytetit, as në pëshpërimën e hapave nën blirë. I mungojnë më së shumti
haresë së harmonishme dhe muzikalitetit të mbrëmjeve, të cilat për ironi të
fatit kanë filluar të jenë gjithnjë e më të gjallërimshme dhe më dinamike, siç
ata i nxorën nga thellësia e përjetimit dhe përfshirjes së tyre.
Kapja
e tyre dorë për dorë, është krejt ndryshe sot. Ndoshta më e bukur. Më e
ndrojtur ndoshta. Sepse, më shumë se një ngërthim gishtërinjsh, që zbret në çdo
nerv e ndijim, është një shtrëngim duarsh me panik. Njëri ruan tjetrin dhe të
dy mbahen te njëri-tjetri, fort. Sepse një ndarje, ata nuk e dinë se si është,
por ngurojnë ta provojnë, madje kanë fikë ta bëjnë. I kanë ikur ditëve të
dritshme, të dy, duke marrë njëri-tjetrin me vete. Ndoshta mungimi i tyre nuk
bie në sy, por në sytë e tyre gjithçka është si më parë, ndoshta me një pamje
më gri, por ata janë sot aq të zbardhur, sa ikin e vijnë me neonet, duke e
ruajtur solemnitetin ceremonial të llamburitjes së dritshme.
Në
këtë teatralitet tragjik, ndërsa sipari ende është i hapur dhe loja vazhdon, ata
behin me mungimin e tyre në xhirot me biçikleta e shëtitjeve nga Liqeni, të
cilat Shkodra i ruan në kujtesën e saj të vagullt. Ndërsa ata të dy, ata të dy,
i kanë në fotografitë e tyre, të bëra nga miqtë, apo ndonjë video të fiksuar të
spontanitetit.
Në
oborrin e shtëpisë të dy biçikletat janë në disk. Elsa nuk mundet më, por as
Feridi nuk e nget dot i vetëm. Ikën e kthehet në këmbë, për ta mbajtur të
përjetësuar këtë sublimitet në një nga punët e tij më të dashura, që u dergjet
në studio, në pritje për ta kthyer atë në një ikonë të qytetit të biçikletave.
Të
shtrenjtat, vjen një ditë që bëhen të huaja. Nuk ke patur zgjidhje tjetër vetëm
të pranosh. Kjo i ka ndodhur mikut tim, i cili i bën qëndresë kësaj, për t’i
ruajtur si arsye që veçse i shton dhimbjen që lexohet në pasqyrimin ku ai
shihet.
Edhe
peshkimi, një dashuri e kapur për fyti, që merr frymë dhunshëm. Ka mbetur pas
edhe ky pasion për Feridin, të cilin ia sëmbon më keq kur Bunës i kalon përbri
dhe Drini i lag këmbët, kur krapi mbush tavën, e lagjes i vjen era saraga
t’fërgume.
Gjithçka
ka mbetur pas. Ka ndaluar koha. Janë këputur pothuajse të gjithë fijet e
ndijimeve që e lidhin me çdoditshmërinë e tyre. Ai ka braktisur gjithçka,
përfshi dhe veten, për t’i qëndruar asaj te koka, për t’i dhënë dashuri, shumë,
dashuri, të vetmën gjë që ajo kupton, në këtë lidhje që asaj i ka mbetur me
realitetin.
Me
lejen tuaj, që po e lexoni këtë kumtim, do të doja t’i them Feridit:
-
Miku im, vuaj sot sa e ke Elsën, se kur të mos e kesh, do të dhëmbi shumë më
shumë se çdo dhimbje, se çdo mungim tjetër, aq sa do të jepje njëqindfish sa
ç’po jep sot, që ta kishe sërish aty, teksa të puth duart, të puth ballin, të
puth sytë, si mirënjohje e asaj dashurie, me të cilën ti e ushqen atë, në një
botë që i’a ka marrë të gjitha por jo ty, që je arsyeja, të cilën ajo nuk e
arsyeton dot, se pse ende është aty, duke të të parë më thellë se çdo thellësi
ka mundur të zbresë brenda teje.
“Të
qëndrosh kur të gjithë ikin, kjo është forma më e pastër e dashurisë.” miku im,
thoshte Rainer Maria Rilke. Sepse ti ke qenë dhe ke mbetur më shumë se për vete
për Elsën, ai “Heroi i vërtetë... ai që qëndron pranë kur nuk i kërkon më njeri
ta bëjë.”
Po
miku im, tek ty, “Ka një fisnikëri të heshtur në përkushtimin që nuk kërkon
asgjë për vete.” Por gjithçka që jep prej vitesh, çdo orë të çdo dite, është
ajo që ti do, për ti treguar Elsës, se e do ende, e pse jo edhe për të dëshmuar
botës, se ata që duhen vërtetë nuk ndahen kurrë. Ja pse ju jeni ende bashkë,
dhe do të jeni ende bashkë, duke paguar dashurinë me përkushtim dhe sakrificës,
çmimin me të cilin vetëm dashuria mund të blihet, asgjë tjetër.