Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Sokrati dhe gruaja e tij Xantipa, një marrëdhënie e tensionuar që hyri në histori
E hene, 28.04.2025, 06:51 PM
Sokrati dhe gruaja e tij Xantipa, një marrëdhënie e tensionuar që hyri në histori
Nga
Albert Vataj
Niçe
ka një shprehje legjendare sipas së cilës, çfarë nuk të vret të bën më të
fortë, ndërkohë që nga antikiteti vjen mësimi i një përvoje, sipas së cilës,
një grua e vështirë nëse nuk të çmend, të bën filozof. Do të ishte ironikisht e
patolerueshme ky krahasim, por ajo çfarë ka thënë Sokrati për veten e tij në
marrëdhënie me gruan, rreken të mbeten një tregues i kësaj të vërtete.
Ky
imazh që shoqëron tekstin është “Sokrati dhe Xantipa”, gdhendje nga një artist
anonim holandez, shekulli XVII, ndodhet në Muzeun Boijmans-van Beuningen,
Rotterdam. Artisti ka arritur ta përcjellë pothuajse plotësisht atë ndodhi të
filozofit me bashkëshorten, e cila qarkullon mes anekdotës dhe faktit dhe që ka
lidhje me një moment ikonik në jetën bashkëshortore të filozofit, sipas së
cilës ndërkohë që gruaja e Sokratit bërtiste dhe shante, filozofi me heshtjen
dhe injorimin e kishte sfiduar si zakonisht. Në zemërim e sipër gruaja Xantipa
i hedh të shoqit një enë me ujë në kokë, dhe ai qetësisht reagon duke thënë:
"Duhej ta prisnim shiun pas gjithë atyre bubullimave.”
Kush
do ta kishte hamendësuar që filozofi i madh Sokrati, i njohur për urtësinë,
intelektin dhe fuqinë e fjalës, të jetonte në një ambient të mbushur me britma,
mospajtim dhe armiqësi nga gruaja e tij.
Kjo
grua ishte e njohur për natyrën e saj sunduese, gjuhën e mprehtë, forcën dhe
faktin që e detyronte burrin të dilte nga shtëpia që në agim dhe të kthehej
vetëm pas perëndimit të diellit çdo ditë. Megjithatë, Sokrati ka thënë për të:
"I jam borxhli kësaj gruaje. Pa të, nuk do të kisha mësuar se urtësia
qëndron në heshtje dhe lumturia në gjumë."
Ai
gjithashtu ka thënë: "Jam goditur nga tre fatkeqësi: gjuha, varfëria dhe
gruaja ime. Të parën e kam mundur me zell, të dytën me kursim, por të tretën,
kurrë nuk munda ta kapërcej."
Një
ditë, teksa Sokrati po rrinte me nxënësit e tij, gruaja e tij nisi, si
zakonisht, të bërtiste dhe ta fyente. Sokrati mbeti i qetë dhe nuk i kushtoi
vëmendje sjelljes së saj. Por këtë herë, për habinë e të gjithëve, ajo i derdhi
një kova me ujë mbi kokë. Duke fshirë fytyrën i habitur, Sokrati tha qetësisht:
"Duhej
ta prisnim shiun pas gjithë atyre bubullimave.”
Thuhet
se përfundimisht, qetësia dhe heshtja e Sokratit çuan në vdekjen e gruas së tij
nga një atak kardiak.
Marrëdhënia
mes Sokratit dhe Xantipës është bërë një metaforë e qëndrueshme për sfidat e
jetës në marrëdhënie njerëzore dhe për mënyrën sesi një shpirt i madh i qëndron
besnik qetësisë dhe urtësisë edhe përballë trazirës më të vogël apo më të
padrejtë.
Xantipa,
e përshkruar si një grua impulsive, kapricoze dhe e vështirë, nuk duhet parë
thjesht si një shëmbëlltyrë e keqe e bashkëshortes, por edhe si një provë e
karakterit të vetë Sokratit. Ajo përfaqëson pjesën më tokësore, më të ashpër
dhe më të paparashikueshme të jetës, ndërsa Sokrati mishëron përmbajtjen,
durimin dhe fuqinë e mendimit të lartë.
Fakti
që Sokrati, njeriu që sfidoi sofistët dhe tiranët me fjalën e tij, zgjodhi të
mos e sfidonte Xantipën, por ta pranonte dhe ta kalonte me humor e durim, është
një mësim i thellë:
Fitorja
më e madhe nuk është të triumfosh mbi të tjerët, por të triumfosh mbi vetveten.
Kur
ai thotë: "Duhej ta prisnim shiun pas gjithë atyre bubullimave", ai
nuk e humbet dinjitetin, por përkundrazi, e ngre veten mbi situatën me një
zgjuarsi të ëmbël, një përulësi fisnike.
Në
mendimin filozofik perëndimor, kjo marrëdhënie është lexuar si një alegori e
marrëdhënies mes shpirtit dhe botës: bota është shpesh e padrejtë, e ashpër,
plot rrëmujë dhe absurditet, por ai që arrin të qëndrojë i qetë, duke ruajtur
mendjen dhe shpirtin e lirë, është ai që në të vërtetë fiton.
Për
më tepër, durimi i Sokratit përbën edhe një kritikë të heshtur ndaj idesë së
kontrollit absolut mbi rrethanat: ai pranon se disa gjëra, si karakteri i
Xantipës, nuk mund të ndryshohen, por mund të përballohen me urtësi.
Në
njëfarë mënyre, Xantipa është një "mësuese e fshehtë" për Sokratin –
duke e forcuar atë në heshtje, duke e thelluar në vetëkontrollin dhe në
filozofinë e tij të brendshme.