Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Vataj: Sokrati dhe gruaja e tij Xantipa, një marrëdhënie e tensionuar që hyri në histori

| E hene, 28.04.2025, 06:51 PM |


Sokrati dhe gruaja e tij Xantipa, një marrëdhënie e tensionuar që hyri në histori

Nga Albert Vataj

Niçe ka një shprehje legjendare sipas së cilës, çfarë nuk të vret të bën më të fortë, ndërkohë që nga antikiteti vjen mësimi i një përvoje, sipas së cilës, një grua e vështirë nëse nuk të çmend, të bën filozof. Do të ishte ironikisht e patolerueshme ky krahasim, por ajo çfarë ka thënë Sokrati për veten e tij në marrëdhënie me gruan, rreken të mbeten një tregues i kësaj të vërtete.

Ky imazh që shoqëron tekstin është “Sokrati dhe Xantipa”, gdhendje nga një artist anonim holandez, shekulli XVII, ndodhet në Muzeun Boijmans-van Beuningen, Rotterdam. Artisti ka arritur ta përcjellë pothuajse plotësisht atë ndodhi të filozofit me bashkëshorten, e cila qarkullon mes anekdotës dhe faktit dhe që ka lidhje me një moment ikonik në jetën bashkëshortore të filozofit, sipas së cilës ndërkohë që gruaja e Sokratit bërtiste dhe shante, filozofi me heshtjen dhe injorimin e kishte sfiduar si zakonisht. Në zemërim e sipër gruaja Xantipa i hedh të shoqit një enë me ujë në kokë, dhe ai qetësisht reagon duke thënë: "Duhej ta prisnim shiun pas gjithë atyre bubullimave.”

Kush do ta kishte hamendësuar që filozofi i madh Sokrati, i njohur për urtësinë, intelektin dhe fuqinë e fjalës, të jetonte në një ambient të mbushur me britma, mospajtim dhe armiqësi nga gruaja e tij.

Kjo grua ishte e njohur për natyrën e saj sunduese, gjuhën e mprehtë, forcën dhe faktin që e detyronte burrin të dilte nga shtëpia që në agim dhe të kthehej vetëm pas perëndimit të diellit çdo ditë. Megjithatë, Sokrati ka thënë për të: "I jam borxhli kësaj gruaje. Pa të, nuk do të kisha mësuar se urtësia qëndron në heshtje dhe lumturia në gjumë."

Ai gjithashtu ka thënë: "Jam goditur nga tre fatkeqësi: gjuha, varfëria dhe gruaja ime. Të parën e kam mundur me zell, të dytën me kursim, por të tretën, kurrë nuk munda ta kapërcej."

Një ditë, teksa Sokrati po rrinte me nxënësit e tij, gruaja e tij nisi, si zakonisht, të bërtiste dhe ta fyente. Sokrati mbeti i qetë dhe nuk i kushtoi vëmendje sjelljes së saj. Por këtë herë, për habinë e të gjithëve, ajo i derdhi një kova me ujë mbi kokë. Duke fshirë fytyrën i habitur, Sokrati tha qetësisht:

"Duhej ta prisnim shiun pas gjithë atyre bubullimave.”

Thuhet se përfundimisht, qetësia dhe heshtja e Sokratit çuan në vdekjen e gruas së tij nga një atak kardiak.

Marrëdhënia mes Sokratit dhe Xantipës është bërë një metaforë e qëndrueshme për sfidat e jetës në marrëdhënie njerëzore dhe për mënyrën sesi një shpirt i madh i qëndron besnik qetësisë dhe urtësisë edhe përballë trazirës më të vogël apo më të padrejtë.

Xantipa, e përshkruar si një grua impulsive, kapricoze dhe e vështirë, nuk duhet parë thjesht si një shëmbëlltyrë e keqe e bashkëshortes, por edhe si një provë e karakterit të vetë Sokratit. Ajo përfaqëson pjesën më tokësore, më të ashpër dhe më të paparashikueshme të jetës, ndërsa Sokrati mishëron përmbajtjen, durimin dhe fuqinë e mendimit të lartë.

Fakti që Sokrati, njeriu që sfidoi sofistët dhe tiranët me fjalën e tij, zgjodhi të mos e sfidonte Xantipën, por ta pranonte dhe ta kalonte me humor e durim, është një mësim i thellë:

Fitorja më e madhe nuk është të triumfosh mbi të tjerët, por të triumfosh mbi vetveten.

Kur ai thotë: "Duhej ta prisnim shiun pas gjithë atyre bubullimave", ai nuk e humbet dinjitetin, por përkundrazi, e ngre veten mbi situatën me një zgjuarsi të ëmbël, një përulësi fisnike.

Në mendimin filozofik perëndimor, kjo marrëdhënie është lexuar si një alegori e marrëdhënies mes shpirtit dhe botës: bota është shpesh e padrejtë, e ashpër, plot rrëmujë dhe absurditet, por ai që arrin të qëndrojë i qetë, duke ruajtur mendjen dhe shpirtin e lirë, është ai që në të vërtetë fiton.

Për më tepër, durimi i Sokratit përbën edhe një kritikë të heshtur ndaj idesë së kontrollit absolut mbi rrethanat: ai pranon se disa gjëra, si karakteri i Xantipës, nuk mund të ndryshohen, por mund të përballohen me urtësi.

Në njëfarë mënyre, Xantipa është një "mësuese e fshehtë" për Sokratin – duke e forcuar atë në heshtje, duke e thelluar në vetëkontrollin dhe në filozofinë e tij të brendshme.