Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Kur kujtesa kthehet në strehë dhe qyteti në mit, John Updike mbi Kadarenë dhe Márquezin
E marte, 13.05.2025, 06:54 PM
Kur kujtesa kthehet në strehë dhe qyteti në mit, John Updike mbi Kadarenë dhe Márquezin
Nga
Albert Vataj
Në
një reflektim krahasues, i ndritshëm për nga thellësia dhe sinteza, shkrimtari
dhe kritiku amerikan John Updike ndalet te dy figura madhore të letërsisë
botërore të shekullit XX: Ismail Kadare dhe Gabriel García Márquez. Ai i vendos
këta dy gjigantë të letrave përballë njëri-tjetrit jo për të shpallur fitues,
por për të ndriçuar dy mënyra të ndryshme të shkrimit nën pesha të ndryshme të
historisë, kulturës dhe pushtetit.
“Ismail
Kadare dhe Gabriel García Márquez; të dy tregojnë rreth qyteteve që lëshojnë
vezullime magjepsëse dhe mbizotërohen nga klanizmi.”
Në
këtë vëzhgim, Updike e dallon ngjashmërinë e dukshme mes veprave të tyre: të dy
krijojnë botë që përkunden mes realitetit dhe fantazisë, ku qytetet janë më
shumë simbole shpirtërore sesa koordinata gjeografike. Por ai dallon qartë edhe
dallimet thelbësore:
“Qyteti
prej guri i Kadares duket më pak jashtë botës reale, më pak i panjohur, më pak
i paçuditshëm sesa qyteti Makondo i Márquezit, i tëri me ndërtesa të larta me
mure pasqyrash...”
Këtu,
Gjirokastra e Kadaresë është një vend i konkretësuar, i fortë, me rrënjë në
kujtesën historike dhe të fëmijërisë. Ndërsa Makondoja e Márquezit është një
laborator i realitetit magjik — vendi ku kohët përzihen dhe muret reflektojnë
sa vetveten aq edhe fantazinë kolektive të një Amerike Latine të përmbysur.
Por
pyetja më e rëndësishme që ngre Updike është:
“Si
ishte në gjendje Ismail Kadare, nën një regjim famëkeq ksenofobik si ai i Enver
Hoxhës, të krijonte një art kaq të hollë e të shprehej aq lirshëm?”
Kjo
pyetje është thelbi i shqetësimit kritik perëndimor për shkrimtarin që vjen nga
diktatura. Në sytë e Updike, Kadare nuk është thjesht një autor që mbijetoi
censurën; ai është një krijues që e përdori atë si sfond për të ndërtuar një
gjuhë aludimesh, të shtresëzuar e të rafinuar. Sipas tij, ekzistojnë disa
mënyra që lejojnë një shkrimtar të mbijetojë dhe madje të lulëzojë nën
totalitarizëm:
“Kujtimet
nostalgjike të fëmijërisë, sigurisht, përbëjnë strehë mbrojtëse për një
shkrimtar, i cili krijon nën regjim totalitar. Mënyra të tjera krijuese për një
shkrimtar në kushte të tilla janë përkthimet, tregimet për fëmijë dhe romanet
fantastiko-historike.”
Ky
përfundim është një analizë e hollë e poetikës së mbijetesës. Kujtesa personale
bëhet jo vetëm lëndë narrative, por edhe strategji për të mbrojtur veten nga
përplasja direkte me pushtetin. Përkthimi, nga ana tjetër, shërben si një
dritare drejt botës dhe si një mjet për të ushqyer gjuhën dhe stilin. Ndërsa
zgjedhja e një zhanri si romani historik ose ai fantastik është, në të vërtetë,
një mënyrë për të shmangur konfliktin frontal me realitetin politik, duke e
zhvendosur mesazhin në të shkuarën, ose në një univers tjetër.
Në
këtë dritë, Kadareja nuk është një shkrimtar i dorës së dytë që fati e nguli në
një cep të errët të hartës letrare, por një mjeshtër i formës dhe përmbajtjes
në kushte ekstreme. Ai nuk është më pak universal sesa Márquezi — vetëm se
universaliteti i tij vjen jo nga shpërthimi i imagjinatës tropikale, por nga
disiplina e nënkuptimit, simbolikës dhe arketipit ballkanik.
Updike
e lexon Kadarenë me një ndjeshmëri të rrallë për lexuesin anglo-amerikan, duke
na dhënë një mësim se si letërsia e madhe, edhe kur vjen nga një vend i vogël
dhe i mbyllur, mund të jetë universale në ndjeshmëri dhe mjeshtërore në zbatim.