Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Shkodra, qyteti i parësive të përkatësisë së identitetit tonë kombëtar
E diele, 08.06.2025, 06:57 PM
Shkodra, qyteti i parësive të përkatësisë së identitetit tonë kombëtar
Nga
Albert Vataj
Shkodra
nuk është thjesht një qytet, por një themel identiteti kombëtar, një vatër
shpirtërore e Shqipërisë dhe shqiptarisë. Është djepi ku historia, kultura,
qytetaria dhe qëndresa shqiptare kanë gjetur shprehjen më të lartë. Qyteti i
përfaqësive të huaja dhe i komunikimit të hershëm me botën; qyteti i
kartolinave të vjetra që flasin me pamje aq sa me fjalë; qyteti i penës dhe i
pushkës, ku figura të shquara të historisë kombëtare, rilindës të ndritur,
artistë të mëdhenj, patriotë e klerikë vizionarë lanë gjurmë të pashlyeshme. Shkodra
është atdhe i shpirtit dhe i mendimit të lirë, një ndër të paktat qendra ku
qytetërimi ka zënë rrënjë herët dhe ka lulëzuar pa u shuar.
Në
këtë truall të lashtë, ku gjuha u mbrojt dhe fjala u shpërnda, ku muzika u
kthye në emblemë dhe drita e dijes në përkushtim qytetar, lindën një varg
parësish që dëshmojnë për rolin e saj udhëheqës në historinë kulturore të
kombit. Më poshtë, një mozaik kuriozitetesh që dëshmojnë këtë epërsi dhe
trashëgimi të vyer.
Shtypshkronja e parë
shqiptare në Shqipëri – 1879
Në
vitin 1879, fretërit françeskanë themeluan në Shkodër shtypshkronjën e parë që
botoi në gjuhën shqipe me alfabetin latin. Ajo u kthye në një vatër përhapjeje
të dijes, ku u shtypën libra shkollorë, fetarë dhe letrarë, dhe ku fjala shqipe
fitoi statusin e saj të natyrshëm: atë të botimit të lirë dhe të kultivuar.
Gazeta e parë në gjuhën
shqipe në Shqipëri – "Gazeta e Shkodrës", 1909
Me
drejtues të tillë si Ndre Mjeda dhe Luigj Gurakuqi, "Gazeta e
Shkodrës" lindi si një fole patriotike, ku gjuha shqipe e shkruar zuri
vend në një arenë publike për herë të parë brenda kufijve të vendit. Ishte një
përpjekje e ndritur për të artikuluar mendimin kombëtar nëpërmjet medias.
Shfaqja e parë teatrore
– 1879 dhe "Besa" në 1899
Në
Shkodër, në po të njëjtin vit me themelimin e shtypshkronjës, u organizua edhe
shfaqja e parë teatrore në gjuhën shqipe, nga nxënësit e Kolegjit Saverian. Më
vonë, në vitin 1899, u vu në skenë "Besa" e Sami Frashërit, me regji
të Kolë Idromenos, shënuar si momenti kur drama shqiptare fitoi fytyrën e saj
publike.
Opera e parë shqiptare –
Prenkë Jakova dhe "Mrika", 1959
Megjithëse
e vu në skenë në Tiranë, opera "Mrika" e Prenkë Jakovës, një
kompozitor i lindur dhe formuar në Shkodër, është vepra e parë operistike
shqiptare. Muzika e tij mbartte shpirtin shkodran, frymën qytetare dhe motivet
kombëtare.
Biçikleta e parë në
Shqipëri – Shkodra, fillimshekulli XX
Shkodra
mban një tjetër rekord simbolik: ajo ishte qyteti ku u përdor për herë të parë
biçikleta në Shqipëri. Mjeti që vinte nga Perëndimi u bë shpejt pjesë e
identitetit shkodran, saqë qyteti njihet sot si "qyteti i
biçikletave".
Fotografia e parë –
Studio Marubi, 1856
Pietro
Marubi, i arratisur nga Italia, vendosi në Shkodër bazat e artit fotografik shqiptar
duke themeluar studion e parë më 1856. Trashëgimia e tij, e vijuar nga djemtë e
tij shpirtërorë, Kel dhe Gegë Marubi, përbën sot një pasuri unike me mbi
500.000 negativë. Në vitin 2024, Arkiva Marubi u shpall pjesë e "Memory of
the World" nga UNESCO.
Banda muzikore e parë
dhe muzika qytetare – "Dudi i Parë", 1878
Banda
e qytetit të Shkodrës u krijua në vitin 1878 dhe ishte ndër të parat në
Shqipëri. Ajo eci në rrugët e qytetit me marshe dhe tinguj që frymëzonin
qytetarët dhe i jepnin jetës publike një ritëm të ri.
Shkolla e parë shqipe
për vajza – 1887
Shkodra
u bë edhe e para në hapjen e shkollës shqipe për vajza, një veprim emancipues
që sfidonte realitetet patriarkale të kohës. Ishte një hap i guximshëm drejt
barazisë dhe përparimit shoqëror.
Kolë Idromeno – i pari
piktor realist shqiptar
Shkodra
i dha artit shqiptar Kolë Idromenon, i cili është ndër themeluesit e pikturës
moderne në Shqipëri. Vepra e tij "Motra Tone" është një ikonë
kombëtare, ndërsa ai vetë ishte edhe arkitekt, fotograf dhe skenograf i dramës
shqiptare.
Këto
"parësi" nuk janë thjesht të dhëna historike. Ato janë dëshmi të një
shpirtërimi qytetar që nuk e pranoi prapambetjen, që e deshi dijen dhe e
përqafoi të bukurën. Shkodra është kujtesë dhe pararendje, është gur themeli në
ndërtimin e vetëdijes shqiptare. Ajo mbetet një frymëzim për të sotmen dhe një
thirrje për të nesërmen, ku kultura nuk është luks, por domosdoshmëri.
Shkodra
ka qenë, është dhe do të mbetet një nga qytetet më të rëndësishme të
Shqipërisë, pavarësisht lëkundjeve të thella transformuese që ka sjellë koha.
Është e pranuar dhe e dëshmuar në mënyrë të përsëritur se ky qytet ka luajtur
një rol përcaktues në fatin e vendit.
Sot,
kur ndryshimet janë kaq të thella dhe erërat e kohës kaq të fuqishme, që kanë
shkaktuar lëvizje dhe zhvendosje të mëdha, të kapaciteteve dhe mundësive,
Shkodra sërish mbetet një “zonjë e rëndë” – e hijshme dhe e shenjtë në truallin
që vetë zanafilla i ka caktuar.
Edhe
pse shumë shkodranë e kanë braktisur qytetin, dhe së bashku me të i kanë kthyer
shpinën mundësisë për të qenë vazhdues të asaj rruge të ndritshme, të atij
urdhri të shenjtë për ta hyjnizuar çdo gjë me vullnetin e shpirtit dhe etjen
për të bukurën – Shkodra vijon të jetojë dhe të ripërtërijë krenarinë. Sërish,
mbi bedenat e saj, valëvitet flamuri i betejave sfiduese.
Edhe
pse shumëçka nuk ka mundur të mbetet si më parë, edhe pse gjithçka është
përballur me një ndryshim të ngulët, shpeshherë edhe rraskapitës për aftësitë e
ripërtëritjes, ky truall ende guxon të besojë. Dhe, i ndier në borxh ndaj
vetes, bën gjithçka për ta ushqyer veten me tharmën e atij shpirti të pashuar
krenarie.