E hene, 18.08.2025, 09:18 PM (GMT+1)

Kulturë » Vataj

Albert Vataj: 18 gushti i vitit 1850, nata e fundit e Honore de Balzak, sipas Viktor Hygo

E hene, 18.08.2025, 06:54 PM


18 gushti i vitit 1850, nata e fundit e Honore de Balzak, sipas Viktor Hygo

Përgatiti: Albert Vataj

Ishte mbrëmja e 18 gushtit të vitit 1850. Viktor Hygo kishte pak kohë që ishte bërë mik i Balzakut, tregon Stefan Cvajg, një mik i mirë, një mik që e përcolli deri në pragun e fundit tokësoren e këtij “shenjtori” pa altar. Ishte ai, që do të mbetej kontakti i fundit i një gjeniu. Një gjeni që do të fliste dhe do të kujtonte për një gjeni tjetër.

***

I rashë ziles. Hëna doli përmes reve. Rruga ishte e shkretë. Nuk u duk njeri. I rashë ziles për herë të dytë. U hap dera. U duk një shërbyese me një qiri në dorë.

“Ç’dëshironi zotëri?”

Ajo po qante. I tregova se kush isha. Më lanë të hyja në sallonin që ndodhej në katin e parë, ku mbi konsolë, përballë oxhakut është busti i madh prej mermeri i Balzakut, vepër e David D’Anzherit. Një qiri po digjej në tryezën e shtrenjtë në mes të sallonit, këmbëzat e së cilës përbëheshin nga gjashtë statueta të lara në flori, dhe të punuara me shijen më të hollë që bëhet. Hyri edhe një grua tjetër. Edhe ajo po qante.

“Ai po mbaron. Zonja Evelin iku në vendin e saj. Mjekët që dje i humbën shpresat. Ai ka një plagë në këmbën e majtë, i’u bë gangrenë. Mjekët s’dinë ç’të bëjnë. Hidropozia shkakton ënjtjen e këmbës. Mishi dhe lëkura duken si të prishura, prandaj është e pamundur të bëhet injeksion. Këtu e një muaj të shkuar zotëria u pengua në një mobilie të skalitur dhe u dëmtua. Që në orën 9 të mëngjesit ai nuk po flet më. E ëma dërgoi të thërriste një prift. Ai erdhi dhe e mirosi. Zotëria bëri një shenj që e kuptoi se ç’ndodhi. Pas një ore ai i dha dorën zonjës Dë Syrvil, së motrës. Ai ka që në orën 11 që po gulçon. Sontë mbaron. Në dëshironi, unë shkoj e thërras zotin Dë Survil. Ai s’ka rënë akoma për të pushuar”. dhe gruaja doli.

Unë prita disa çaste. Qiriri mezi ndriçonte mobilieritë e salloni dhe tablotë e mrekullueshme të Porbusit dhe të Holbanit që vareshin mureve. Busti i mermertë tundej në gjysmerrësirë si fantazma e një njeriu që po vdes. Një erë kufome mbushte shtëpinë. Hyri zoti Dë Syrvil dhe mi vërtetoi të gjithë ato që më kishte thënë shërbëtorja.

Ne kaluam nëpër korridor, i ngjitëm shkallët e shtruara me sixhade të kuqe dhe të stolisura me statueta, me vazo, me tabllo mureve. Prapë kaluam nëpër një korridor ku pash një derë të hapur. Dëgjova një gulç të fortë ogurzi.

Hyra në dhomën e Balzakut. Shtrati i tij ishte në mes të dhomës. Ishte një shtrat prej druri të kuq me shufërza dhe rripa te koka e te këmbët, mjet për të ngritur të sëmurin. Balzaku dergjej në këtë shtrat dhe kokën e kishte mbështetur mbi një pirg jastëkësh, mbi të cilët kishte vënë edhe jastëkun me damask të kuq të divanit të dhomës. Fytyrën e kishte të mavijosur, thuajse të nxirë, të anuar djathtas, mjekrën të parruar, flokët e thinjur dhe të shkurtër. Sytë e hapur e të ngulët.

Një infermiere e moshuar dhe një shërbëtor qëndronin në dy anët e shtratit. Një qiri digjej mbi një tryezë aty pranë, kurse një tjetër në komonë afër derës. Shërbëtori dhe infermierja heshtnin me njëfarë frike dhe mbanin vesh gulçin e atij që po vdiste. Një erë e padurueshme dilte nga shtrati. Ngrita batanijen dhe kapa dorën e Balzakut. Ishte e djersitur. E shtrëngova, ai nuk i’u përgjigj këtij gjesti… Infermierja më tha: “Ndaj të gdhirë ai mbaron” Zbrita poshtë dhe mora me vete kujtimin e asaj fytyre të zbehtë. Kur po kaloja përmes sallonit, pashë sërish atë bustin e palëvizshëm dhe të ftohtë, krenar, të rrezatuar nga ajo dritë e vagëlluar dhe bëra padashur një krahasim midis vdekjes dhe pavdekësisë.

Ishte fundi, momentet e shterrimit të frymës së një gjeniu, i një njeriu të jashtëzakonshëm. Pak orë më vonë ai u dorëzua. Vdekja qe aq e mëshirshme sa të mos e linte më në atë gjendje, të vuante ende në atë tmerr. Kishte vdekur Honore de Balzak.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Vataj: Përvjetori i një kryevepre të letërsisë Albert Vataj: Letra e 8 gushtit 1451 - Zëri i Krujës së Skënderbeut që troket në portat e Sienës Albert Vataj: Klodian Matija, historia e djalit nga Lezha, drejtori i parë jo-italian i Klubit Rotary Albert Vataj: Dom Ndre Mjeda, sipas dy figura monumentale të letrave shqipe, Ernest Koliqit dhe At Gjergj Fishta Albert Vataj: Zef Deda, një zemër e bardhë që driti me dashuri dhe talent traditën e artit skenik të Shkodrës Albert Vataj: Kostumi i grave të Mirditës... Albert Vataj: Shën Tereza... na thërret të gjithëve në lutje për t'i dhuruar vetes Zotin Albert Vataj: Fundi i fjalës së shtypur, një elegji për gazetën që shuhej ngadalë para syve tanë Albert Vataj: Kur një nënë puth të birin, ndodh shumë më shumë se sa ajo që syri sheh Albert Vataj: Thimi Filipi, një emër sfidues në artin skenik Albert Vataj: Tonin Frroku, dashnori i përjetshëm i gazetarisë sportive Albert Vataj: Bukuritë që dëshmojnë në fotografi për vlerat, shprehjen e epërme të pasurisë sonë shpirtërore Albert Vataj: Cangue, dëshmi e një bote ku drejtësia ishte spektakël, poshtërim, edhe dhimbje Albert Vataj: Dhe pyesim ende pse nuk ecin punët në këtë vend Albert Vataj: Homazh për një dashuri që nuk pranon të dorëzohet Albert Vataj: Shkodra, qyteti i parësive të përkatësisë së identitetit tonë kombëtar Albert Vataj: “Kur vdes nëna, fillon vdekja jonë” e ditëpasditshem Albert Vataj: Monumenti i Skënderbeut në Ulqin, skulptura ndryshe që pritet me refuzim dhe Kritika Albert Vataj: Midis shpejtësisë së mendjes dhe thellësisë së shpirtit Albert Vataj: Ana e panjohur e Mbretëreshës Victoria, e zbuluar nëpërmjet dhuratave që ajo i bëri Princit Albert

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx