Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Bukuritë që dëshmojnë në fotografi për vlerat, shprehjen e epërme të pasurisë sonë shpirtërore
E shtune, 28.06.2025, 06:57 PM
Bukuritë që dëshmojnë në fotografi për vlerat, shprehjen e epërme të pasurisë sonë shpirtërore
Nga Albert Vataj
Ata nuk janë thjesht
të bukur. Nuk janë vetëm grishës, as vetëm dëshmi e një kohe që nuk kthehet më.
Ata janë vetë magjia e krijimit, në dlirësinë e një shpirti popullor që nuk ka
njohur tjetër ligj veç finesës dhe përkorjes, dhe që sot na paraqitet si një
himn përuljeje përballë së përjetshmes.
Kur i soditim këto
fotografi, shumica e të cilave kanë kaluar mbi një shekull kohë dhe harresë, na
falet ndjesia e një prekjeje në murin e kujtesës, ku nuk ruhen vetëm imazhet,
por shenjat e një epoke të bardhë, të një estetike që buronte nga nevoja për të
qenë në harmoni me vetveten dhe natyrën.
Fotografia këtu nuk
është thjesht art – është dëshmi.
Nuk është vetëm pozë – është lutje.
Nuk është vetëm
kujtim – është pasuri që flet.
Shikojmë fytyra,
qëndrime, vështrime... e më shumë se kaq, shikojmë një botë, një univers të
brendshëm që nuk ka nevojë për fjalë për të ndriçuar thellësinë e shpirtit të
atyre që na paraprinë. Aty ku dora mjeshtërore kapte ngjyrën, gjilpëra rrëfente
historinë, dhe qëndisma sillte bukurinë, vdekja s’kishte fuqi. Aty gjithçka është
jetë, jetë në përjetësi.
Ne nuk jemi duke
shikuar vetëm veshje. Jemi duke parë rrëfime të gdhendura në tekstile, jemi
duke lexuar kodin e një kulture që e njihte identitetin si solemnitet, dhe që
me çdo thek të një motive, me çdo ngjyrë e ornamente, afirmonte përkatësinë,
dashurinë, krenarinë.
Veshjet
karakteristike që përfaqësojnë zona, krahina e mikrokultura të ndryshme të
Shqipërisë, janë më shumë se elemente drite apo nostalgjie. Ato janë një
antologji e heshtur, një doracak i koduar i vlerave, i kontakteve
ndërkulturore, i lashtësisë që nuk mbeti në muze, por lëviz ende në kujtesën
tonë kolektive.
Ato janë shpallje të
padeklaruara të identitetit tonë, gjuha e të bukurës që nuk kishte nevojë për
skenë, sepse skena ishte vetë jeta.
Sot, në këtë përditshmëri
të trallisur nga imitimi dhe përshpejtimi, këto figura të heshtura vijnë si
dritë nga një univers tjetër, për të na kujtuar se mund të jemi modernë pa qenë
të zbrazët, mund të jemi bashkëkohorë pa harruar bukurinë që kemi trashëguar.
Sepse ajo që kemi trashëguar nuk është thjesht veshje, është frymë që nuk
shuhet, është dritë që na bën të njohim veten.
Në një botë që
harxhon, harron dhe konsumon, ato janë një dritë qiriri që nuk tretet në
shpejtësinë e teknologjisë, janë një kryq i padukshëm që vë përballë vlerën dhe
zbrazëtinë, janë një ndërgjegje e materializuar në stof, një bibël e
paqortueshme e shpirtërores sonë kolektive.
Le t’i përulemi
këtyre figurave jo si relike të së shkuarës, por si shpallje të së nesërmes që
kërkon rrënjë. Sepse në to nuk ka vetëm art, por ka një etikë të përshkruar me
ngjyrë e formë, një mënyrë për të thënë se edhe në brishtësinë e tyre, ato
qëndrojnë si kështjella përballë harresës, si monumente përballë zhbërjes.
Të rikthejmë
hijeshinë e të bukurës si akt krenarie.
Të ngjisim këto
silueta në altarin e kujtesës sonë aktive.
Të flasim për to si
për nënat tona, për gjyshërit tanë, për rrënjët që ende thërrasin të njohim
veten përmes asaj që kemi qenë.