E enjte, 24.07.2025, 10:30 PM (GMT+1)

Kulturë » Vataj

Albert Vataj: Dhe pyesim ende pse nuk ecin punët në këtë vend

E marte, 17.06.2025, 06:56 PM


DHE PYESIM ENDE PSE NUK ECIN PUNËT NË KËTË VEND

Letërkëmbimi i Faik Konicës dhe Athanas Tashkos

Përgatiti: Albert Vataj

Në këtë pjesë të rrallë korrespondence letrare, që është më shumë se një përplasje karakteresh, shpaloset drama morale e një kombi në lindje dhe zhgënjimi i thellë me vetveten. Në njërën anë, Faik Konica, aristokrat i fjalës dhe shpirt kritik i epokës, e zhbiron sëmundjen shqiptare me një gjuhë therëse, duke shpallur se themeli i mjerimit tonë nuk është mungesa e institucioneve, por mungesa e ndërgjegjes. Për Konicën, Shqipëria nuk vuan nga politika, por nga morali.

Në anën tjetër, Athanas Tashko, përfaqësues i një shkolle më praktike e më “tokësore” të mendimit patriotik, e sfidon këtë vizion pesimist, duke e konsideruar jo vetëm të tepruar, por të dëmshëm. Për të, misioni i një intelektuali nuk është të përbaltë gjithçka, por të motivojë, të mbështesë, të ndërtojë – jo të rrënojë me ironi.

Ky shkëmbim letrash nuk është vetëm një duel mes dy individëve të penës, por një metaforë e përjetshme e betejës ndërmjet kritikës radikale dhe përpjekjes së matur për ndërtim. Leximi i tyre sot tingëllon çuditërisht aktual: ndodhemi ende mes thirrjes për reformim moral dhe nevojës për t’u bashkuar përtej egove.

Nëse duam të kuptojmë pse shumë gjëra në këtë vend kanë mbetur peng i vetvetes, ky debat i hershëm është një pasqyrë e fortë që nuk ka humbur asgjë nga drita e saj.

Faik Konica

"Po të më pyeste njeri ç'ndryshim ka në mes të popujve të egër dhe popujve të qytetëruar, edhe po të me lutej të përgjigjem shkurt e mirë, në katër a pesë fjalë me kuptim të plotë, - do t'i thosha: popuj të qytetëruar janë ata që kanë për themel Dekalogun (urdhëra të cilat gjenden edhe në Bibël edhe në Kur'an) ose ndonjë kanun që zë vendin e Dekalogut: popuj të egër janë ata që s'njohin asnjë rregull të këtillë...

Do të ma presë njeri fjalën dhe do të më thotë: pse në Francë, në Angli, në Amerikë etj., që janë pa dyshim vende të qytetëruara, a nuk ka për ditë vrasje, vjedhje e njëqind të liga të tjera? -

Përgjigjem: padyshim ka dhe do të ketë kurdoherë, këtë s'e mohon njeri. Po vëni re një ndryshim me rëndësi shumë të madhe: në vende të shtruara e të qytetëruara krimineli shikohet me sy të keq, si një gjë e fëlliqur dhe e poshtër; secili i ndihmon policisë që ta zërë; edhe në qoftë se shpëton keqbërësi nga të mospaturit mjaft prova, dyshimi që e rrethon arrin për ta ftohur e për ta larguar botën. Po është një vend në faqe të dheut ku katilin e kanë për njeri të nderuar; hapen që t'i bëjnë udhë kur ik, e fshehin nga i vet-thëni gjyq, nëse i teket ndonjë të vetë-thëni polic sikur e kërkon; edhe në daltë ndonjë i 'mendur për të marrë anën e kanunit/ligjit, e shajnë dhe e fëlliqin me një zell të çuditshëm. Dhe prandaj ai vend ka fituar një famë shumë të shëmtuar në botë: kur i dëgjohet emri në një sallon a mbi udhë, njerëzve u ngjethet mishi dhe u vjen neveri; në qendrat e diturisë e shikojnë si një shpellë kafshësh të egra ku s'është dukur kurrë ndonjë shenjë njerëzie; në qarqet politike e diplomatike thonë se është për të qeshur të lihet i lirë një popull i cili s'ka ditur qe më tepër se dy mijë vjet vetëm se të derdhë gjak dhe s'njeh tjetër zanat veç vrasjes. Të tilla fjalë janë thënë mijëra vjet me gojë dhe me pendë...

Për cilin vend dhe për cilin popull flas do ta kuptoni menjëherë kur t'ju them që nuk ndodhet në mes të Afrikës, po në Evropë...

Kur m'u poq mendja më tepër, që pesëmbëdhjetë vjet e tëhu, kuptova se problemi i Shqipërisë më tepër se kombëtar ishte një problem moral.

Me fjalë të tjera, kuptova se ky popull që të shpëtojë ka nevojë, më parë se çdo gjë tjetër, t'i stërvitet e t'i lartësohet karakteri e t'i spastrohet zemra..."

Athanas Tashko

“Në orë të mira shkruan shumë bukur dhe i shërben çështjes sonë kombëtare, por në realitet zotrote një herë në mot shkruan për të gëzuar zemrat tona dhe nëntëdhjetë e nëndë për t’i ftohur. Zotrote, kërkon që të mos ketë në botë tjatrë shkrimtar, gazetar, politikan ose kryetar përveç teje. Mirëpo shqiptarët nuk duan kështu e në qoftë se ajo do të bënet nga një Faik, për një Faik e me një Faik... kurrë mos u bëftë!

Mblith mendjen, pra, o zotëri se na plase shpirtin.

Na plase zemrën sepse nuk ke lënë gjë pa sharë, të duruam shumë, por që tani e tutje, nuku do të durojmë se nuku durohesh.”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Vataj: Homazh për një dashuri që nuk pranon të dorëzohet Albert Vataj: Shkodra, qyteti i parësive të përkatësisë së identitetit tonë kombëtar Albert Vataj: “Kur vdes nëna, fillon vdekja jonë” e ditëpasditshem Albert Vataj: Monumenti i Skënderbeut në Ulqin, skulptura ndryshe që pritet me refuzim dhe Kritika Albert Vataj: Midis shpejtësisë së mendjes dhe thellësisë së shpirtit Albert Vataj: Ana e panjohur e Mbretëreshës Victoria, e zbuluar nëpërmjet dhuratave që ajo i bëri Princit Albert Albert Vataj: "Gomari në shpinën e ushtarit", një çast human në mes të zjarrit të luftës Albert Vataj: E megjithatë “Zjerm”-i i Shkodra Elektronike, ka me shndrit si një flakadan Albert Vataj: Secili nga ju, sonte mund ta shkërmoqi gjeopolitikën diskriminuese të gjykimit të Eurovision Albert Vataj: "Zjerm", kënga që ngjitet nga toka në qiell, si një lutje për me ndez diellin në çdo zemër Albert Vataj: Shuhet "Pepe", revolucionari dhe idealisti i fundit Albert Vataj: Kur kujtesa kthehet në strehë dhe qyteti në mit, John Updike mbi Kadarenë dhe Márquezin Albert Vataj: Kardinali amerikan Robert Francis Prevost është zgjedhur Papa i 267-të i Kishës Katolike Albert Vataj: Maks Velo, zëri i pavarësisë krijuese dhe dinjitetit njerëzor Albert Vataj: Sokrati dhe gruaja e tij Xantipa, një marrëdhënie e tensionuar që hyri në histori Albert Vataj: Një faqe absurditeti nga tregtia e skllevërve Albert Vataj: Homazh për Papa Françeskun Albert Vataj: Paradoksi i lutjes së Jezusit: “Fali, o At, sepse nuk dinë çfarë bëjnë” Albert Vataj: Trashëgimia e dinastisë shkodrane të fotografisë “Marubi” në UNESCO Albert Vataj: Ferid Kola, zashmëria shkodrane e shpirtit krijues, mirësia si shëmbëllim vlerash përfaqësuese

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx