Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Klodian Matija, historia e djalit nga Lezha, drejtori i parë jo-italian i Klubit Rotary
E enjte, 07.08.2025, 06:56 PM
Klodian Matija, historia e djalit nga Lezha, drejtori i parë jo-italian i Klubit Rotary, që mbërriti në Itali me gomone 27 vite më parë në moshën 16-vjeçare
Nga
Albert Vataj
Nga
bregu shqiptar i Lezhës në brigjet italiane të shpresës, nga një djalë
16-vjeçar në një gomone me bashkëatdhetarë të panjohur, në drejtues të një
klubi prestigjioz si Rotary Club Cesenatico Mare, kjo është rruga jetësore e
Klodian Matijas, një histori që i ngjan një epike bashkëkohore të mbijetesës,
përkushtimit dhe arritjes.
Në
një profil të botuar nga gazeta italiane Il Messaggero, Klodiani rrëfen se
mbërriti në Itali 27 vjet më parë, në vitin 1998, me një gomone në bregdetin
italian. Ishte vetëm 16 vjeç dhe me të ishin shumë të tjerë që synonin të
njëjtën gjë: një jetë më të mirë. “Nuk turpërohem aspak për aventurën time”,
thotë ai me një dinjitet që vetëm ata që kanë përballuar stuhitë e migrimit dhe
kanë ecur mbi dallgët e fatit mund ta kuptojnë plotësisht.
Origjina
e tij është nga qyteti i Lezhës, një nga vatrat më të rëndësishme të kulturës
dhe historisë shqiptare. Emigrimi i tij nuk u kthye në harresë, por në
pikënisjen e një sfide që do të ndërtonte themelet e një jete të re në Itali.
Ai nisi të punonte në Pistoia, në Toskanë, në punë të zakonshme dhe shpesh të
nënvlerësuara, shpërndarje fletushkash, punë fizike si hamall dhe montim
makinerish. Ishte ky ballafaqimi i parë me realitetin e ashpër të mërgimit, por
edhe me mundësinë për të ndërtuar diçka të qëndrueshme.
Rruga
e tij mori kthesë në momentin që zbuloi thirrjen për industrinë e hotelerisë.
Fillimisht punoi për dy vite në Gran Hotel në Castrocaro, dhe më pas, në vitin
2013, u transferua në Bellaria, ku u mirëprit nga familja Gori, të cilët i
hapën dyert jo vetëm të punës, por edhe të rritjes profesionale dhe integrimit
të thellë në komunitetin vendas. Nga ndihmës, Klodiani arriti të menaxhonte tre
struktura të njohura, Hotel Saint Moritz, Hotel Diana dhe Sweet Home, duke
dëshmuar jo vetëm aftësi menaxheriale por edhe një ndjeshmëri të veçantë për
shërbimin dhe mikpritjen.
Sot,
në moshën 43-vjeçare, Klodian Matija është presidenti i parë jo-italian i një
Klubi Rotary në Itali, më konkretisht i Rotary Club Cesenatico Mare. Në këtë
pozicion, ai nuk është vetëm një përfaqësues i suksesshëm i integrimit, por një
frymëzim për shumë të rinj shqiptarë në diasporë. Ai flet pesë gjuhë dhe është
një shembull i përkryer i bashkëjetesës kulturore, duke u shndërruar në urë të
gjallë mes Shqipërisë dhe Italisë.
Në
një intervistë për Il Resto del Carlino, ai ndau vizionin e tij si drejtues i
Rotary-t: jo thjesht aktivitete sociale rutinë, por projekte konkrete që
ndërtojnë komunitetin dhe mbështesin njerëzit në nevojë. Për datën 6 gusht, ka
planifikuar "Festivalin e Miqësisë dhe Rotarianëve me Pushime", dhe
për më 26 gusht, një tjetër aktivitet madhor në Hipodromin e Cesenës, me
pjesëmarrjen e klubeve të rajonit të Romagnës qendrore.
Aktiviteti
i tij nuk ndalet me ngjarje verore. Ai ka parashikuar një kalendar të pasur për
vjeshtën, përfshirë edhe binjakëzimin me Rotary Club Pavia Ovest, në një takim
që do të mbahet në Badia Pratalia gjatë muajit tetor. Por më tej se kaq,
Klodiani ka vënë në qendër të veprimtarisë së tij ndihmën konkrete për
strukturat lokale dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Në
mesin e projekteve të rëndësishme që po zhvillon janë: Blerja e një makinerie
me ultratinguj për spitalin e Cesenaticos; Mbështetja për të rinjtë që vuajnë
nga fibroza cistike; Granti Global në dobi të "Casa Rozalba" në Shqipëri,
një qendër sociale që trajton fëmijët me probleme zhvillimore; Mbështetje për
projektet e shëndetit publik në Itali, si "Cesenatico Cardiosicura",
si dhe nisma për fëmijët në nevojë.
Të
gjitha këto janë dëshmi të një lideri që e sheh angazhimin publik si mision, jo
si pushtet apo privilegj.
Ajo
që e bën Klodianin të veçantë nuk është vetëm suksesi i tij personal, por
mënyra se si ai e përkthen këtë sukses në dobi të komunitetit. Ai nuk është
vetëm simbol i integrimit, por edhe model i mirënjohjes aktive, i përulësisë
dinjitoze, dhe i solidaritetit konkret. Ai nuk e fshih rrugëtimin e tij,
përkundrazi, e kthen në pjesë të identitetit të tij publik, si një mesazh për
të gjithë ata që luftojnë për një vend nën diell: “Nuk turpërohem aspak për
aventurën time”.
Për
shumë shqiptarë në emigrim, por edhe për vetë shoqërinë italiane që e ka
mirëpritur, historia e Klodian Matijas është një pasqyrë e asaj që ndodh kur
mundësia takohet me përpjekjen. Një histori njerëzore që tejkalon klishetë e
zakonshme të suksesit dhe bëhet manifest i dinjitetit, punës, dhe besimit në
vetvete.