Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Shën Tereza... na thërret të gjithëve në lutje për t'i dhuruar vetes Zotin
E enjte, 17.07.2025, 06:55 PM
SHËN TEREZA ... na thërret të gjithëve në lutje për t'i dhuruar vetes Zotin
Nga Albert Vataj
...Lutja nuk është
kërkesë. Lutja është lënia e vets sonë në duart e Zotit, në dispozicionin e Tij
dhe të dëgjojmë zërin e Tij në thellësinë e zemrës sonë.
...Lutja ta bën
zemrën të madhe, gjersa ajo të jetë në gjendje ta mbajë dhuratën e vetë Zotit.
...Pa shpirtin e
sakrificës, pa një jetë në lutje, pa një qëndrim besnik ndaj pendimit, ne nuk
do të jemi në gjëndje të kryejmë punën tonë.
...Unë besoj se
politikanët kalojnë shumë pak kohë në gjunjë. Jam e bindur se ato do të
bëheshin më të mirë po të vepronin në këtë mënyrë.
...Ka disa njerëz të
cilët ngaqë nuk lotën justifikohen me faktin se jeta e vrullshme nuk i lejon
ata që të luten.
Por nuk është kështu.
Lutja nuk kërkon që
ne të ndërpresim aktivitetin tonë, por ta vlerësojmë dhe kuptojmë atë sikur ajo
të ishte një lutje.
...Nuk është e
nevojshme që të rrimë e të meditojmë, as edhe në mënyrë të vetëdijshme të
përjetojmë ndjeshmërinë se po flasim me Zotin, megjithëse kjo është një gjë
shumë e mirë. Kryesorja është të jemi më Të, ta duam Atë, në vullnetin e Tij.
Të duam me zemër të pastër, t'i duam të gjithë, veçanërisht të varfëritë, kjo
është një lutje e larë në bekim.
Nga unë ...Lutu dhe
beso se edhe në shpirtin tënd ka vend për një vullnet të mirë që ju shpërblen
bujarisht me Zotin... Atë pa të cilin, zbrazëtia juaj, duke ju shtyrë në mohim,
kërkon t'ju ndëshkojë.
Mbyllje
Lutja, ashtu siç na e
mëson Shën Tereza, është frymëmarrja e shpirtit, është akti i heshtur me të
cilin e dorëzojmë veten në duart e të Amshuarit. Në një botë që rend drejt
kotësisë, drejt zhurmës dhe lavdërimit të vetvetes, ftesa e saj tingëllon si
një kambanë drithëruese: kthehuni në lutje, kthehuni në përunjësi, kthehuni në
dashurinë që nuk kërkon asgjë përveç dhurimit të vetvetes.
Kur ajo thotë se
politikanët do të ishin më të mirë nëse do të kalonin më shumë kohë në gjunjë,
ajo nuk flet vetëm për ta, por për secilin prej nesh që, në ngutje e sipër,
harron burimin prej nga rrjedh çdo dritë e mirë. Lutja nuk të largon nga jeta,
ajo e shndrit jetën. Nuk është arratisje, është kthim në zemrën e saj.
Nëse ndonjëherë
mendon se koha e lutjes është luks, kujto fjalët e Shën Terezës: “Lutja ta bën
zemrën të madhe, gjersa ajo të jetë në gjendje të mbajë dhuratën e vetë Zotit.”
Prandaj, përkuluni
përpara Tij, jo nga frika, por nga dashuria. Në heshtjen ku nuk flet askush
tjetër, dëgjoje zërin e Tij që të thotë: Ti nuk je vetëm. Ti je i dashur. Ti je
im.
Lutu, edhe kur të
duket e vështirë. Lutu, edhe kur mendon se zemra jote është e thatë. Lutu,
sepse aty ku ka pak fjalë, ka vend për shumë dashuri. Dhe besoji Atij që, edhe
në zbrazëtinë tënde më të madhe, është gati të mbushë shpirtin tënd me një
bekim që nuk shterret kurrë.
Lutu… dhe beso.