Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Fundi i fjalës së shtypur, një elegji për gazetën që shuhej ngadalë para syve tanë
E marte, 08.07.2025, 06:55 PM
Fundi i fjalës së shtypur, një elegji për gazetën që shuhej ngadalë para syve tanë
Nga
Albert Vataj
"The
Newspaper" e fotografuar nga Sándor Kereki në Budapest, më 1975, na kujton
me forcë poetike se si një gazetë e thjeshtë mund të ngërthente brenda saj
universin e një qyteti, të një kohe, të një njeriu. Sot ajo fotografi mbetet si
dëshmi e një epoke që po ikën, dhe e një zbrazëtie që nuk kemi ende kurajë ta
pranojmë si humbjen tonë më të thellë.
Po
numërojmë ditët e fundit të gazetës në treg, siç numëron njeriu rrahjet e
fundit të një zemre që ka jetuar gjatë e fisnikërisht. Vdekja e medias së
shkruar nuk është më një paralajmërim, ajo është një e tashme që po shpaloset
para nesh me indiferencën që zakonisht i rezervohet të përfunduarës. Në këtë
shuarje të heshtur, nuk janë vetëm fletët që mungojnë, por një epokë e tërë që
po merr fund pa zhurmë, pa ndonjë psherëtimë të madhe, sepse ne paraprakisht
kishim hequr dorë nga zakoni i leximit.
Ato
pak gazeta që, si mbeturina të një kontinenti të mbytur, guxuan të mbijetojnë
përtej apokalipsit të fjalës së shtypur, tani po i dorëzohen ngadalë fatit të
pashmangshëm. Flaka e kohës digjte çdo ditë më shumë mallin për të lexuar në
letër, siç dogji dikur Bibliotekën e Aleksandrisë, duke lënë pas tym dhe
heshtje. Dhe këtë herë, askush nuk po vajton.
Shitësit
e gazetave, ata personazhe të përditshmërisë sonë dikur, që me çantën në krah
dhe zërin e tyre ngjitnin faqet e botës në duart tona, do të shuhen nga rrugët
dhe kujtesa, si hije që nuk gjetën më as dritë as lexues. Dhe ne do të
pajtohemi me këtë boshësi, do ta konsumojmë përditshmërinë në ekrane të
sheshta, pa vrarë mendjen se me gazetën u shua një pjesë e jona, rituali i
mëngjesit, aroma e bojës së freskët, mendimi që zbulohej faqe pas faqeje, dhe
ajo ndjesi që fjala e shkruar kishte peshë dhe përkushtim.
Kjo
nuk është thjesht fundi i një mjeti informimi, është një vdekje simbolike e një
marrëdhënieje të thellë mes mendimit dhe lexuesit. Dhe në një botë ku lajmi
humbet brenda sekondës, ndoshta, bashkë me gazetën, po varrosim dhe aftësinë
për të medituar, për të kuptuar thellë, për të reflektuar ngadalë.