Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Vataj: Fundi i fjalës së shtypur, një elegji për gazetën që shuhej ngadalë para syve tanë

| E marte, 08.07.2025, 06:55 PM |


Fundi i fjalës së shtypur, një elegji për gazetën që shuhej ngadalë para syve tanë

Nga Albert Vataj

"The Newspaper" e fotografuar nga Sándor Kereki në Budapest, më 1975, na kujton me forcë poetike se si një gazetë e thjeshtë mund të ngërthente brenda saj universin e një qyteti, të një kohe, të një njeriu. Sot ajo fotografi mbetet si dëshmi e një epoke që po ikën, dhe e një zbrazëtie që nuk kemi ende kurajë ta pranojmë si humbjen tonë më të thellë.

Po numërojmë ditët e fundit të gazetës në treg, siç numëron njeriu rrahjet e fundit të një zemre që ka jetuar gjatë e fisnikërisht. Vdekja e medias së shkruar nuk është më një paralajmërim, ajo është një e tashme që po shpaloset para nesh me indiferencën që zakonisht i rezervohet të përfunduarës. Në këtë shuarje të heshtur, nuk janë vetëm fletët që mungojnë, por një epokë e tërë që po merr fund pa zhurmë, pa ndonjë psherëtimë të madhe, sepse ne paraprakisht kishim hequr dorë nga zakoni i leximit.

Ato pak gazeta që, si mbeturina të një kontinenti të mbytur, guxuan të mbijetojnë përtej apokalipsit të fjalës së shtypur, tani po i dorëzohen ngadalë fatit të pashmangshëm. Flaka e kohës digjte çdo ditë më shumë mallin për të lexuar në letër, siç dogji dikur Bibliotekën e Aleksandrisë, duke lënë pas tym dhe heshtje. Dhe këtë herë, askush nuk po vajton.

Shitësit e gazetave, ata personazhe të përditshmërisë sonë dikur, që me çantën në krah dhe zërin e tyre ngjitnin faqet e botës në duart tona, do të shuhen nga rrugët dhe kujtesa, si hije që nuk gjetën më as dritë as lexues. Dhe ne do të pajtohemi me këtë boshësi, do ta konsumojmë përditshmërinë në ekrane të sheshta, pa vrarë mendjen se me gazetën u shua një pjesë e jona, rituali i mëngjesit, aroma e bojës së freskët, mendimi që zbulohej faqe pas faqeje, dhe ajo ndjesi që fjala e shkruar kishte peshë dhe përkushtim.

Kjo nuk është thjesht fundi i një mjeti informimi, është një vdekje simbolike e një marrëdhënieje të thellë mes mendimit dhe lexuesit. Dhe në një botë ku lajmi humbet brenda sekondës, ndoshta, bashkë me gazetën, po varrosim dhe aftësinë për të medituar, për të kuptuar thellë, për të reflektuar ngadalë.