E premte, 25.07.2025, 08:58 AM (GMT+1)

Kulturë » Vataj

Albert Vataj: Thimi Filipi, një emër sfidues në artin skenik

E enjte, 03.07.2025, 04:50 PM


35 VITE NGA LAMTUMIRA E THIMI FILIPIT

Thimi Filipi, një emër sfidues në artin skenik dhe qëndroi me përulësi të thellë te tempullin e filmit

Nga Albert Vataj

Në arkitekturën e kujtesës sonë kulturore, disa figura nuk kanë nevojë të shpallen për të qëndruar. Ato janë aty, me një prani që rrjedh natyrshëm nga thjeshtësia, nga përkushtimi me pasion dhe vetmohim dhe nga pesha e karakterit që bartin në kohë dhe kujtesë. Një ndër këto figura është Thimi Filipi, aktor i madh i skenës dhe ekranit shqiptar, që la një trashëgimi të çmuar në artin e interpretimit dhe në ndërtimin e karaktereve që mbeten të pashlyeshëm në memorien e artit shqiptar.

Në galerinë e artit dramatik dhe kinematografik shqiptar, ai është një emër që qëndron me përulësi të thellë, por me peshë të patundshme. Po ai, Thimi Filipit, aktorit që e ndërtoi figurën e vet artistike jo mbi rrahjen e egos, por mbi përkushtimin, karakterin dhe besnikërinë ndaj misionit krijues. I lindur në qytetin e traditave të hershme dhe kontributorëve të zedhshëm të artit skenik, në Korçë më 1906.

Thimi Filipi e nisi udhëtimin e tij drejt skenës nga rrënjët popullore të një shpirti të ndjeshëm dhe të formuar në shpirtin qytetar të Beratit, ku hodhi hapat e parë në teatrot amatorë të këtij qyteti me një traditë të gjallë kulturore.

Në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, ai u përfshi në lëvizjen partizane, duke kontribuar në krijimin e teatrove në formacionet e luftës, një shembull i asaj si arti mbetet shpresë edhe në kohët më të errëta. Pas çlirimit, për një periudhë punoi në spitalin e Beratit, për t’iu kthyer më pas pasionit të vërtetë: aktrimit. Ai ndoqi një kurs profesional për aktorë dhe shumë shpejt, me një natyrshmëri të admirueshme, u bë pjesë e Teatrit Profesionist të qytetit, e më pas, nga viti 1955, trupë e përhershme e Teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë, ku roli i tij i parë në dramën “Lulja e kujtimit” do të shënonte hyrjen e një karakteri të ri në teatrin shqiptar, një aktor që sillte me vete qetësinë e brendshme, mençurinë popullore dhe ndjeshmërinë e matur të njeriut që nuk interpretonte, por jetonte rolin.

Por është kinematografia ajo që do t’i japë atij një shtrirje më të gjerë publike, duke i besuar një seri rolesh që përbëjnë sot një arkivë të çmuar të personazheve dhe identiteteve shqiptare në film. Ai debuton në ekranin e madh me një rol simbolik, Sekretari i Partisë në filmin “Tana” (1958), i cili është edhe filmi i parë i prodhuar tërësisht në Shqipëri. Që nga ky rol e në vazhdim, ai do të ndërtojë një portofol të pasur me mbi 30 filma, ku spikat besueshmëria karakteriale, ngjyresa e matur dramatike dhe një mënyrë interpretimi që nuk e forcon rolin me patetizëm, por e ngulit atë në kujtesën e spektatorit me fuqinë e heshtjes dhe gjurmës njerëzore.

Në çdo rol, Thimi Filipi nuk sillej si një aktor që e impononte veten mbi figurën që portretizonte, por si një shkrirje e plotë në brendinë e karakterit. Nga Neziri në “Përballimi” (1976), një figurë me gravitet moral dhe dinjitet epik, te Fahredini tek “Njeriu me top” (1977), një karakter që ngërthen ngurimin dhe dashurinë prindërore në realitetin e vështirë të jetës shqiptare; nga Xhemal Struga në “Ballë për ballë” (1979), ku shfaqet si përfaqësues i bindjes politike në një klimë tensioni, deri tek usta Nashua në “Si gjithë të tjerët” (1980), një nga rolet më të ndiera të tij, ku përmes një mjeshtërie të matur shpaloset portreti i mjeshtrit popullor, që me një humanizëm të heshtur bart peshën e urtësisë.

Roli i babait të Irenës në “Pranvera s’erdhi vetëm” (1988), një nga më prekësit në fundin e karrierës, vjen si një përmbyllje simbolike e një aktori që gjithnjë kishte luajtur babanë, udhëheqësin moral, mësuesin e heshtur të jetës. Në këtë rol ai përçoi ndjeshmërinë e një brezi që po largohej, por që linte pas një trashëgimi të ngrohtë emocionale.

Thimi Filipi nuk ishte aktori që rrëmbente skenën me zhurmë; ai ishte prezenca e heshtur, forca e thellë e fjalës së matur, graviteti i figurës që nuk ka nevojë të flasë shumë për të thënë gjithçka. Ai mishëroi prototipin e shqiptarit të mençur, të përulur, të drejtë, shpesh të vendosur në pozita etike që e shndërronin në udhërrëfyes të dramës filmike.

Në vitin 1987 ai u nderua me çmimin “Aleksandër Moisiu”, një vlerësim që lidhet më shumë me pjekurinë e figurës së tij artistike sesa me kulmin e suksesit. Pas vdekjes së tij në Berat më 11 korrik 1992, një vit më pas, ai u nderua me titullin më të lartë “Artist i Popullit”, një vlerësim i vonuar, por i merituar thellësisht, për kontributin e tij në pasurimin e artit skenik dhe kinematografisë shqiptare.

Thimi Filipi nuk ndërtoi vetëm personazhe, ai gdhendi profile njerëzore, krijoi identitete të kujtueshme, dhe përmes një gjuhë aktoriale të thjeshtë e të ndershme, krijoi një arketip të shqiptarëve të zakonshëm që mbajnë mbi shpinë jetën me dinjitet. Figura të tilla nuk janë vetëm pjesë e historisë së artit tonë, por janë pjesë e ndërgjegjes sonë kulturore, rrënjë që e mbajnë të gjallë kujtesën e një brezi që punoi në heshtje për ta ngritur skenën shqiptare në lartësinë e nderit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Vataj: Tonin Frroku, dashnori i përjetshëm i gazetarisë sportive Albert Vataj: Bukuritë që dëshmojnë në fotografi për vlerat, shprehjen e epërme të pasurisë sonë shpirtërore Albert Vataj: Cangue, dëshmi e një bote ku drejtësia ishte spektakël, poshtërim, edhe dhimbje Albert Vataj: Dhe pyesim ende pse nuk ecin punët në këtë vend Albert Vataj: Homazh për një dashuri që nuk pranon të dorëzohet Albert Vataj: Shkodra, qyteti i parësive të përkatësisë së identitetit tonë kombëtar Albert Vataj: “Kur vdes nëna, fillon vdekja jonë” e ditëpasditshem Albert Vataj: Monumenti i Skënderbeut në Ulqin, skulptura ndryshe që pritet me refuzim dhe Kritika Albert Vataj: Midis shpejtësisë së mendjes dhe thellësisë së shpirtit Albert Vataj: Ana e panjohur e Mbretëreshës Victoria, e zbuluar nëpërmjet dhuratave që ajo i bëri Princit Albert Albert Vataj: "Gomari në shpinën e ushtarit", një çast human në mes të zjarrit të luftës Albert Vataj: E megjithatë “Zjerm”-i i Shkodra Elektronike, ka me shndrit si një flakadan Albert Vataj: Secili nga ju, sonte mund ta shkërmoqi gjeopolitikën diskriminuese të gjykimit të Eurovision Albert Vataj: "Zjerm", kënga që ngjitet nga toka në qiell, si një lutje për me ndez diellin në çdo zemër Albert Vataj: Shuhet "Pepe", revolucionari dhe idealisti i fundit Albert Vataj: Kur kujtesa kthehet në strehë dhe qyteti në mit, John Updike mbi Kadarenë dhe Márquezin Albert Vataj: Kardinali amerikan Robert Francis Prevost është zgjedhur Papa i 267-të i Kishës Katolike Albert Vataj: Maks Velo, zëri i pavarësisë krijuese dhe dinjitetit njerëzor Albert Vataj: Sokrati dhe gruaja e tij Xantipa, një marrëdhënie e tensionuar që hyri në histori Albert Vataj: Një faqe absurditeti nga tregtia e skllevërve

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx