Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Kostumi i grave të Mirditës...
E hene, 21.07.2025, 06:55 PM
Kostumi i grave të Mirditës, një simfoni e trashëgimisë, një këngë e rrënjëve që vazhdon të kumbojë në pentagramin e kohës
(Shkas
nga një bisedë me mikun, Gjergj Marku)
Nga
Albert Vataj
Në
pentagramin e gjatë të kohës, ku fijet e kujtesës dhe të shpirtit kombëtar
ndërthuren si një melodi e lashtë që ende kumbon, veshja e grave të Mirditës
është një simfoni e gjallë e etnosit tonë. Ajo nuk është thjesht një kostum;
ajo është një testament i fisnikërisë, një dorëshkrim i endur me fillin e hollë
të shekujve, një poezi vizuale që bart gjurmën e gjakut dhe të rrënjës.
Në
këtë ansambël të veçantë, ku çdo element bart një kuptim, spikasin tre
komponentët kryesorë që e mbajnë gjallë traditën: xhupi i grave, mangorja –
këmisha, dhe brezi me tufat e tij. Në to është derdhur mjeshtëria e nënave dhe
e gjysheve, një përkushtim i heshtur që i ka mbijetuar kohës, duke ardhur deri
tek ne si një psalmodi e trashëgimisë. Brezi dhe stravecja – kjo përparëse e
vogël që lidhet me artin e lashtë të punimit me dorë – janë elementët më të
vjetër, të cilët e përcaktojnë identitetin e gruas mirditore me një fisnikëri
të pashoqe.
Etnografja
e mirënjohur Afërdita Jonuzi kujton se rrënjët e këtyre elementeve shtrihen në
shekujt XIV-XV, në kohën kur Shqipëria ishte një mozaik principatash, kur
përmes feudalizmit u formësua edhe një identitet i ri krahinor. Mirdita, në
këtë përballje me kohën, gdhendi një fytyrë të vetën, një identitet që u
shpalos në petkun e grave, në qepjet e tyre të hollësishme, në dekorin që i dha
gjoksit të veshjes një madhështi që të mahnit edhe sot.
Në
fillesat më të hershme, këmisha e gjatë – njësoj për burra e gra – dhe
dollamja, ajo pallto e hapur me mëngë dekorative, ishin pjesë e përditshmërisë.
Këmisha e rrudhur krijonte efektin e fustanellës, një përqasje që dëshmon një
estetikë të thellë dhe një gjuhë të tërë simbolesh të koduara në veshje. Tek
gratë, kjo gjuhë merrte formën e llahengës, ose xhupit të qëndisur, që rrëfen
përkujdesjen e artizanëve të kohës për ta bërë gruan bartëse të bukurisë dhe të
dinjitetit.
Veçanërisht
pjesa e gjoksit në këtë kostum është një pasuri më vete – një “minierë” siç
thotë Jonuzi – ku eleganca dhe mjeshtëria ndërthuren në qëndisje të holla, me
një fill që shkëlqen dhe flet për një fisnikëri të përhershme. Brezi me rrëmat
që varet nga prapa dhe stravecja përpara e plotësojnë këtë portret, duke
krijuar një unitet formash dhe ngjyrash që sot shihet si një vlerë e çmuar e
trashëgimisë sonë shpirtërore.
Në
fotografinë e Valin Qorrit, ky ansambël nuk është thjesht dokumentim; është një
dëshmi e gjallë, një përthyerje drite mbi një kujtesë kolektive. Është si të
shohësh një partiturë të lashtë të luajtur në një skenë moderne: tre elemente
të vjetra, të përpunuara me elegancë, të cilat edhe sot i japin kuptim
përkatësisë sonë. Kjo veshje nuk mbetet peng i muzeut, por merr frymë mes nesh,
duke na kujtuar se pasuria shpirtërore nuk humbet kurrë, kur ne zgjedhim ta
mbajmë si një amanet të shenjtë.