E merkure, 30.07.2025, 10:13 AM (GMT+1)

Kulturë » Vataj

Albert Vataj: Zef Deda, një zemër e bardhë që driti me dashuri dhe talent traditën e artit skenik të Shkodrës

E marte, 29.07.2025, 06:57 PM


NE DITELINDJEN E ATIJ QE KA VEÇ DITELINDJE

Zef Deda, një zemër e bardhë që driti me dashuri dhe talent traditën e artit skenik të Shkodrës

Nga Albert Vataj

Zef Deda mbush sot 75 vjeç. Mungimi i tij prej dy vitesh, ndoshta nuk është shkas as për familjen, as për Migjenin, as për miqtë të ëmbëltohen. Por dimensionet e tilla njerëzore që ai mëkoi me shpirt, kudo ku ai ishte prani dhe përjetim, i njohin si të drejtë të gjithëve të kremtojnë këtë ditëlindje.

Drita e Shkodrës, e këtij qyteti që për të ishte skenë dhe atdhe shpirtëror, ndizet sot për të kujtuar lindjen e tij, atë ardhje në jetë që asnjë ligjësi nuk mund ta ndalonte e as ta ndryshonte.

I lindur më 27 korrik 1950 dhe i ndarë nga jeta më 24 nëntor 2023, Zef Deda vazhdon të jetë këtu, në gjallërinë e kujtimeve, në të qeshurat që shpërthyen falë tij, në mirësinë që la në zemrat e të gjithë atyre që e njohën, si edhe në ovacionet e çdo salle ku ai, me shpirt dhe talent, i dha jetë personazheve dhe karaktereve, duke lënë një trashëgimi të paharruar.

Ai nuk ishte vetëm një aktor. Ai ishte një shpirt fisnik, një zemër e bardhë, një mik që të mbante dorën edhe kur skena zbrazet dhe dritat fiken. Kishte atë hijen e butë të njerëzve të mëdhenj që e dinë se arti nuk është vetëm talent, por edhe përkushtim, dashuri, përulësi. Në çdo rol, ai vinte jo vetëm mjeshtërinë e tij, por edhe një copëz të shpirtit të vet, duke na dhuruar një galeri personazhesh që sot janë pjesë e memories së qytetit dhe të artit shqiptar, nga “Kunati i shokut Xhemal”, te “Kola i dritave”, nga “Kushrini nga Amerika” te pantomimat që bartnin gjurmën e Çarli Çaplinit e Pitkinit.

Në një intervistë që mbetet testament i shpirtit të tij, ai tha një fjali që sot kumbon si një poezi për Shkodrën: “Shkodrani mund të hajë një herë bukë në ditë, por humorin e do në tre vakte.”

Në këtë fjali ka gjithë filozofinë e tij jetësore se jeta nuk është e plotë pa të qeshurën, pa dritën e brendshme që ndan me të tjerët. Dhe Zef Deda nuk e kurseu kurrë këtë dritë.

Në lagjen e tij të fëmijërisë, në kujtimet që rrëfente me një sinqeritet të rrallë, ai përmendte gjyshin Dedokë, babanë Pjetër, kafenë e vogël ku u derdhën lot dhe u lind humor. Nga ato rrënjë ai mori një dashuri për jetën dhe për njerëzit, që e mbajti gjallë deri në ditën e fundit. Ai vetë thoshte se nuk i erdhi rasti të luajë Harpagonin, por në të vërtetë, në skenë ai na dha shumë më tepër se çdo rol i vetëm: na dha një univers të tërë karakteresh, na dhuroi vetveten.

Në përshkrimet e tij për mësuesit e parë, Paulin Lacaj dhe Gjosho Vasia, e ndjen se sa thellësisht ai vlerësonte ata që e hapën për të derën e artit. Dhe po aq thellësisht e ndjen se si ai vetë, më vonë, u bë për të tjerët një dritare, një frymëzim. Kolegia Tinka Kurti, mjeshtri Tano Banushi, breza të tërë aktorësh mund të dëshmojnë se Zefi nuk ishte vetëm ai që mbante humorin në skenë, por edhe ai që sillte dashurinë, respektin dhe ndihmën pas kuintave.

Ai e donte Shkodrën dhe Shkodra e donte atë. Kthimi i tij pas viteve të emigrimit ishte një kthim në djepin ku ai kishte mësuar të qeshë e të bëjë të tjerët të qeshin. Dhe kjo dashuri ishte e dukshme në çdo gjest, në çdo bisedë, në çdo interpretim. Ishte thjeshtësia e tij, ajo që e bënte të madh: nuk e ndante kurrë artistin nga njeriu. Në të njëjtin njeri gjeje aktorin virtuoz dhe mikun që të falte buzëqeshje e këshillë, që të përqafonte me të njëjtën dashuri me të cilën përqafonte një rol të ri.

Sot, në ditëlindjen tënde, Zef, Shkodra të kujton me mall dhe mirënjohje.

Në çdo cep të këtij qyteti, në çdo kënd të Teatrit “Migjeni”, në kujtimet e kolegëve e miqve, në të qeshurat që u kthyen në histori, je ti. Je ai që na mësoi se arti nuk është vetëm lojë, por edhe dritë, se humori nuk është vetëm argëtim, por edhe dashuri për njeriun.

I përjetshëm qofsh në kujtimin tonë, Zef i mirë!

Shkodra sot të përqafon me gjithë zemër, sepse ti na mësove se një qytet nuk jeton vetëm me gurë e rrugë, por me shpirtin e njerëzve që e duan. Dhe ti, Zef Deda, je një prej atyre shpirtrave që nuk do të fiket kurrë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Vataj: Kostumi i grave të Mirditës... Albert Vataj: Shën Tereza... na thërret të gjithëve në lutje për t'i dhuruar vetes Zotin Albert Vataj: Fundi i fjalës së shtypur, një elegji për gazetën që shuhej ngadalë para syve tanë Albert Vataj: Kur një nënë puth të birin, ndodh shumë më shumë se sa ajo që syri sheh Albert Vataj: Thimi Filipi, një emër sfidues në artin skenik Albert Vataj: Tonin Frroku, dashnori i përjetshëm i gazetarisë sportive Albert Vataj: Bukuritë që dëshmojnë në fotografi për vlerat, shprehjen e epërme të pasurisë sonë shpirtërore Albert Vataj: Cangue, dëshmi e një bote ku drejtësia ishte spektakël, poshtërim, edhe dhimbje Albert Vataj: Dhe pyesim ende pse nuk ecin punët në këtë vend Albert Vataj: Homazh për një dashuri që nuk pranon të dorëzohet Albert Vataj: Shkodra, qyteti i parësive të përkatësisë së identitetit tonë kombëtar Albert Vataj: “Kur vdes nëna, fillon vdekja jonë” e ditëpasditshem Albert Vataj: Monumenti i Skënderbeut në Ulqin, skulptura ndryshe që pritet me refuzim dhe Kritika Albert Vataj: Midis shpejtësisë së mendjes dhe thellësisë së shpirtit Albert Vataj: Ana e panjohur e Mbretëreshës Victoria, e zbuluar nëpërmjet dhuratave që ajo i bëri Princit Albert Albert Vataj: "Gomari në shpinën e ushtarit", një çast human në mes të zjarrit të luftës Albert Vataj: E megjithatë “Zjerm”-i i Shkodra Elektronike, ka me shndrit si një flakadan Albert Vataj: Secili nga ju, sonte mund ta shkërmoqi gjeopolitikën diskriminuese të gjykimit të Eurovision Albert Vataj: "Zjerm", kënga që ngjitet nga toka në qiell, si një lutje për me ndez diellin në çdo zemër Albert Vataj: Shuhet "Pepe", revolucionari dhe idealisti i fundit

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx