| E hene, 18.08.2025, 06:54 PM |
18 gushti i vitit 1850, nata e fundit e Honore de Balzak, sipas Viktor Hygo
Përgatiti:
Albert Vataj
Ishte
mbrëmja e 18 gushtit të vitit 1850. Viktor Hygo kishte pak kohë që ishte bërë
mik i Balzakut, tregon Stefan Cvajg, një mik i mirë, një mik që e përcolli deri
në pragun e fundit tokësoren e këtij “shenjtori” pa altar. Ishte ai, që do të
mbetej kontakti i fundit i një gjeniu. Një gjeni që do të fliste dhe do të
kujtonte për një gjeni tjetër.
***
I
rashë ziles. Hëna doli përmes reve. Rruga ishte e shkretë. Nuk u duk njeri. I
rashë ziles për herë të dytë. U hap dera. U duk një shërbyese me një qiri në
dorë.
“Ç’dëshironi
zotëri?”
Ajo
po qante. I tregova se kush isha. Më lanë të hyja në sallonin që ndodhej në
katin e parë, ku mbi konsolë, përballë oxhakut është busti i madh prej mermeri
i Balzakut, vepër e David D’Anzherit. Një qiri po digjej në tryezën e shtrenjtë
në mes të sallonit, këmbëzat e së cilës përbëheshin nga gjashtë statueta të
lara në flori, dhe të punuara me shijen më të hollë që bëhet. Hyri edhe një
grua tjetër. Edhe ajo po qante.
“Ai
po mbaron. Zonja Evelin iku në vendin e saj. Mjekët që dje i humbën shpresat.
Ai ka një plagë në këmbën e majtë, i’u bë gangrenë. Mjekët s’dinë ç’të bëjnë.
Hidropozia shkakton ënjtjen e këmbës. Mishi dhe lëkura duken si të prishura,
prandaj është e pamundur të bëhet injeksion. Këtu e një muaj të shkuar zotëria
u pengua në një mobilie të skalitur dhe u dëmtua. Që në orën 9 të mëngjesit ai
nuk po flet më. E ëma dërgoi të thërriste një prift. Ai erdhi dhe e mirosi. Zotëria
bëri një shenj që e kuptoi se ç’ndodhi. Pas një ore ai i dha dorën zonjës Dë
Syrvil, së motrës. Ai ka që në orën 11 që po gulçon. Sontë mbaron. Në
dëshironi, unë shkoj e thërras zotin Dë Survil. Ai s’ka rënë akoma për të
pushuar”. dhe gruaja doli.
Unë
prita disa çaste. Qiriri mezi ndriçonte mobilieritë e salloni dhe tablotë e
mrekullueshme të Porbusit dhe të Holbanit që vareshin mureve. Busti i mermertë
tundej në gjysmerrësirë si fantazma e një njeriu që po vdes. Një erë kufome
mbushte shtëpinë. Hyri zoti Dë Syrvil dhe mi vërtetoi të gjithë ato që më
kishte thënë shërbëtorja.
Ne
kaluam nëpër korridor, i ngjitëm shkallët e shtruara me sixhade të kuqe dhe të
stolisura me statueta, me vazo, me tabllo mureve. Prapë kaluam nëpër një
korridor ku pash një derë të hapur. Dëgjova një gulç të fortë ogurzi.
Hyra
në dhomën e Balzakut. Shtrati i tij ishte në mes të dhomës. Ishte një shtrat
prej druri të kuq me shufërza dhe rripa te koka e te këmbët, mjet për të
ngritur të sëmurin. Balzaku dergjej në këtë shtrat dhe kokën e kishte
mbështetur mbi një pirg jastëkësh, mbi të cilët kishte vënë edhe jastëkun me
damask të kuq të divanit të dhomës. Fytyrën e kishte të mavijosur, thuajse të
nxirë, të anuar djathtas, mjekrën të parruar, flokët e thinjur dhe të shkurtër.
Sytë e hapur e të ngulët.
Një
infermiere e moshuar dhe një shërbëtor qëndronin në dy anët e shtratit. Një
qiri digjej mbi një tryezë aty pranë, kurse një tjetër në komonë afër derës.
Shërbëtori dhe infermierja heshtnin me njëfarë frike dhe mbanin vesh gulçin e
atij që po vdiste. Një erë e padurueshme dilte nga shtrati. Ngrita batanijen
dhe kapa dorën e Balzakut. Ishte e djersitur. E shtrëngova, ai nuk i’u përgjigj
këtij gjesti… Infermierja më tha: “Ndaj të gdhirë ai mbaron” Zbrita poshtë dhe
mora me vete kujtimin e asaj fytyre të zbehtë. Kur po kaloja përmes sallonit,
pashë sërish atë bustin e palëvizshëm dhe të ftohtë, krenar, të rrezatuar nga
ajo dritë e vagëlluar dhe bëra padashur një krahasim midis vdekjes dhe
pavdekësisë.
Ishte
fundi, momentet e shterrimit të frymës së një gjeniu, i një njeriu të
jashtëzakonshëm. Pak orë më vonë ai u dorëzua. Vdekja qe aq e mëshirshme sa të
mos e linte më në atë gjendje, të vuante ende në atë tmerr. Kishte vdekur
Honore de Balzak.