Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Përvjetori i një kryevepre të letërsisë
E diele, 17.08.2025, 06:52 PM
PERVJETORI I NJE KRYEVEPRE TE LETERSISE
"Ferma
e Kafshëve" e George Orwell, një libër që duhet rilexuar, sepse ka ende
diçka për të na thënë
Nga
Albert Vataj
Sot
mbushen plot 80 vite qëkur erdhi në ëndjen për të lexuar, për të menduar dhe
për të reaguar, një nga monumentet e letërsisë botërore. Ka libra që nuk plaken
kurrë, sepse fjala e tyre nuk i përket vetëm kohës në të cilën u shkruan, por
ecën përtej saj, duke e sfiduar çdo epokë me të njëjtën forcë. Një i tillë
është “Ferma e Kafshëve” i George Orwell, që lindi më 17 gusht 1945 si një alegori
satirike kundër tiranisë dhe korrupsionit të pushtetit. Pas gati tetë dekadash,
ky libër nuk ka humbur asgjë nga pesha e tij: përkundrazi, aktualiteti e kthen
përsëri para nesh si një pasqyrë e hidhur e realitetit, një paralajmërim se
revolucioni, idealet dhe barazia mund të shtrembërohen, dhe se historia ka një
prirje të frikshme për t’u përsëritur.
"Ferma
e Kafshëve" është një nga librat më të preferuar në 100 vitet e fundit,
sipas "Time". Kjo novelë alegorike e George Orwell u botua spari herë
në Angli më 17 gusht 1945. Sipas vetë autorit, libri reflekton ngjarjet që çuan
në Revolucionin Rus të vitit 1917 dhe më pas në epokën staliniste të Bashkimi
Sovjetik. Orwell me pikëpamje socialdemokrate ishte një kritik i ashpër i
Joseph Stalinit dhe mbeti armiqësor ndaj Moskës drejtuar nga stalinizmi. Tharmi
i kësaj kryevepre ishte ngjizur në shpirtin e shkrimtarit nga përvojat që ai
pati gjatë Luftës Civile Spanjolle. George Orwell besonte se Bashkimi Sovjetik,
ishte bërë një diktaturë brutale, e ndërtuar mbi një kult të personalitetit dhe
i zbatuar nga një sundim terrori . Në një letër drejtuar Yvonne Davet, Orwell e
përshkroi "Fermën e kafshëve" si një përrallë satirike. Në esenë e
tij "Pse shkruaj " (1946), George Orwell shkroi se "Ferma e
kafshëve" ishte i pari libër në të cilin ai u përpoq, me vetëdijen të
plotë të asaj që po bënte, për të bashkuar qëllimin politik dhe qëllimin
artistik në një tërësi".
Për
këtë "përrallë satirike në fermë" Orwell u inspirua pasi pa një djalë
të vogël që e rrihte kalin çdo herë kur ai nuk e merrte drejtimin që i thoshte
djaloshi. “E kuptova se nëse edhe kafshët e kuptojnë fuqinë e tyre, ne njerëzit
nuk do kishin fuqi mbi ta, dhe se njerëzit i shfrytëzojnë kafshët njëjtë si të
pasurit që e shfrytëzojnë proletariatin”.
Pasi
kanë hequr qafe pronarin e tyre njerëzor, kafshët e fermës "Menër"
janë duke shpresuar për një jetë të lirë dhe të bollshme. Por ndërsa një elitë
e mençur mizore vjen në pushtet, kafshët e tjera e gjejnë veten në mënyrë të
pashpresë të zënë në grackë sipas mënyrave të vjetra.
“Është
historia e një revolucioni që pati një një përfundim të hidhur, dhe e
justifikimeve të shkëlqyera që gjendeshin në çdo hap për shtrembërimin e
doktrinës origjinale”. Kështu shkroi George Orwell në përmbledhjen origjinale
për botimin e parë të Fermës së Kafshëve në vitin 1945.
“Ferma
e Kafshëve” nuk është thjesht një përrallë satirike e shkruar në vitin 1945.
Ajo mbetet një metaforë e gjallë e pushtetit që korrupton, e ideologjive që
shtrembërohen, e shpresave që shpërdorohen. Në faqet e saj lexuesi sheh jo
vetëm të kaluarën, por edhe të tashmen, sepse cikli i tiranisë, mashtrimit dhe
manipulimit nuk i përket vetëm historisë, por është gjithmonë i rrezikshëm të
përsëritet.
Ky
libër është kujtesa e vazhdueshme se idealet më fisnike mund të shndërrohen në
zinxhirë, se revolucioni mund të përpijë bijtë e vet, dhe se liria ka gjithmonë
nevojë për vigjilencën e atyre që e duan me të vërtetë. Për këtë arsye, “Ferma
e Kafshëve” mbetet një pasqyrë e përhershme ku shoqëritë njerëzore mund të shohin
deformimet e veta dhe një thirrje që të mos harrohet kurrë se edhe në emër të
barazisë, pushteti mund të përfundojë duke thënë:
“Të
gjitha kafshët janë të barabarta, por disa kafshë janë më të barabarta se të
tjerat.”
Jo
të gjitha ngritjet krye ndaj autoritetit shkojnë keq si në “Ferma e Kafshëve”,
por prej kësaj ferme kanë dalë "kafshë" të rrezikshme për diktaturat,
sistemet, pushtetin, korrupsionin, të cilat kanë luftuar për të hyrë histori,
por pa mundur dot të ndryshojnë asgjë.
Foto:
“Ferma e Kafshëve” e George Orwell, ilustruar nga Ralph Steadman