Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Vataj: Përvjetori i një kryevepre të letërsisë

| E diele, 17.08.2025, 06:52 PM |


PERVJETORI I NJE KRYEVEPRE TE LETERSISE

"Ferma e Kafshëve" e George Orwell, një libër që duhet rilexuar, sepse ka ende diçka për të na thënë

Nga Albert Vataj

Sot mbushen plot 80 vite qëkur erdhi në ëndjen për të lexuar, për të menduar dhe për të reaguar, një nga monumentet e letërsisë botërore. Ka libra që nuk plaken kurrë, sepse fjala e tyre nuk i përket vetëm kohës në të cilën u shkruan, por ecën përtej saj, duke e sfiduar çdo epokë me të njëjtën forcë. Një i tillë është “Ferma e Kafshëve” i George Orwell, që lindi më 17 gusht 1945 si një alegori satirike kundër tiranisë dhe korrupsionit të pushtetit. Pas gati tetë dekadash, ky libër nuk ka humbur asgjë nga pesha e tij: përkundrazi, aktualiteti e kthen përsëri para nesh si një pasqyrë e hidhur e realitetit, një paralajmërim se revolucioni, idealet dhe barazia mund të shtrembërohen, dhe se historia ka një prirje të frikshme për t’u përsëritur.

"Ferma e Kafshëve" është një nga librat më të preferuar në 100 vitet e fundit, sipas "Time". Kjo novelë alegorike e George Orwell u botua spari herë në Angli më 17 gusht 1945. Sipas vetë autorit, libri reflekton ngjarjet që çuan në Revolucionin Rus të vitit 1917 dhe më pas në epokën staliniste të Bashkimi Sovjetik. Orwell me pikëpamje socialdemokrate ishte një kritik i ashpër i Joseph Stalinit dhe mbeti armiqësor ndaj Moskës drejtuar nga stalinizmi. Tharmi i kësaj kryevepre ishte ngjizur në shpirtin e shkrimtarit nga përvojat që ai pati gjatë Luftës Civile Spanjolle. George Orwell besonte se Bashkimi Sovjetik, ishte bërë një diktaturë brutale, e ndërtuar mbi një kult të personalitetit dhe i zbatuar nga një sundim terrori . Në një letër drejtuar Yvonne Davet, Orwell e përshkroi "Fermën e kafshëve" si një përrallë satirike. Në esenë e tij "Pse shkruaj " (1946), George Orwell shkroi se "Ferma e kafshëve" ishte i pari libër në të cilin ai u përpoq, me vetëdijen të plotë të asaj që po bënte, për të bashkuar qëllimin politik dhe qëllimin artistik në një tërësi".

Për këtë "përrallë satirike në fermë" Orwell u inspirua pasi pa një djalë të vogël që e rrihte kalin çdo herë kur ai nuk e merrte drejtimin që i thoshte djaloshi. “E kuptova se nëse edhe kafshët e kuptojnë fuqinë e tyre, ne njerëzit nuk do kishin fuqi mbi ta, dhe se njerëzit i shfrytëzojnë kafshët njëjtë si të pasurit që e shfrytëzojnë proletariatin”.

Pasi kanë hequr qafe pronarin e tyre njerëzor, kafshët e fermës "Menër" janë duke shpresuar për një jetë të lirë dhe të bollshme. Por ndërsa një elitë e mençur mizore vjen në pushtet, kafshët e tjera e gjejnë veten në mënyrë të pashpresë të zënë në grackë sipas mënyrave të vjetra.

“Është historia e një revolucioni që pati një një përfundim të hidhur, dhe e justifikimeve të shkëlqyera që gjendeshin në çdo hap për shtrembërimin e doktrinës origjinale”. Kështu shkroi George Orwell në përmbledhjen origjinale për botimin e parë të Fermës së Kafshëve në vitin 1945.

“Ferma e Kafshëve” nuk është thjesht një përrallë satirike e shkruar në vitin 1945. Ajo mbetet një metaforë e gjallë e pushtetit që korrupton, e ideologjive që shtrembërohen, e shpresave që shpërdorohen. Në faqet e saj lexuesi sheh jo vetëm të kaluarën, por edhe të tashmen, sepse cikli i tiranisë, mashtrimit dhe manipulimit nuk i përket vetëm historisë, por është gjithmonë i rrezikshëm të përsëritet.

Ky libër është kujtesa e vazhdueshme se idealet më fisnike mund të shndërrohen në zinxhirë, se revolucioni mund të përpijë bijtë e vet, dhe se liria ka gjithmonë nevojë për vigjilencën e atyre që e duan me të vërtetë. Për këtë arsye, “Ferma e Kafshëve” mbetet një pasqyrë e përhershme ku shoqëritë njerëzore mund të shohin deformimet e veta dhe një thirrje që të mos harrohet kurrë se edhe në emër të barazisë, pushteti mund të përfundojë duke thënë:

“Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa kafshë janë më të barabarta se të tjerat.”

Jo të gjitha ngritjet krye ndaj autoritetit shkojnë keq si në “Ferma e Kafshëve”, por prej kësaj ferme kanë dalë "kafshë" të rrezikshme për diktaturat, sistemet, pushtetin, korrupsionin, të cilat kanë luftuar për të hyrë histori, por pa mundur dot të ndryshojnë asgjë.

Foto: “Ferma e Kafshëve” e George Orwell, ilustruar nga Ralph Steadman