Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Letra e 8 gushtit 1451 - Zëri i Krujës së Skënderbeut që troket në portat e Sienës
E hene, 11.08.2025, 06:59 PM
Letra
e 8 gushtit 1451: Zëri i Krujës së Skënderbeut që troket në portat e Sienës
Nga
Albert Vataj
Historia
e një kombi shpesh nuk shkruhet vetëm me shpata dhe beteja, por edhe me penë,
vula dhe letra. Një copë letër, e verdhuar nga koha, mund të mbajë në gjirin e
saj një univers të tërë ngjarjesh, rrethanash dhe shpresash. Një prej këtyre
dëshmive të rralla është letra e 8 gushtit 1451, e nënshkruar nga vetë dora e
Gjergj Kastriotit Skënderbeut, heroit tonë kombëtar, drejtuar Bujarisë së
Republikës së Sienës në Itali.
E
prezantuar së fundmi nga Micky Haxhiislami në faqen Albanian Vintage
Photography, kjo letër është një nga vetëm dhjetë autografe të Skënderbeut që
ruhen në arkivat e mëdhenj të botës, në Romë, Venedik, Milano, Napoli, Paris,
Dubrovnik, Zagreb e Beograd. Ajo nuk është vetëm një fragment i shkruar sipas
shkrimit humanistik të kohës, në latinisht e italisht; është një fragment
historie që ndriçon një nga momentet më të tensionuara të rezistencës
shqiptare.
Letra
i drejtohet “fisnikëve të madhërishëm dhe burrave të urtë” të Sienës, duke i
vendosur menjëherë në një raport respekti e dinjiteti. Skënderbeu u rrëfen për
rrethimin e vitit të kaluar (1450), kur “perandori turk” me katërqind mijë
ushtarë kishte mbajtur të rrethuar Krujën, qytetin-simbol të rezistencës
shqiptare, pa mundur ta pushtonte. Ai përshkruan një betejë të madhe, ku
humbjet e ushtrisë osmane arritën shifrën tronditëse prej gjashtëdhjetë mijë të
vrarësh e robërish të krishterë.
Në
këtë sfond dramatik, letra nuk është thjesht një raport ushtarak. Ajo është një
thirrje e fuqishme për ndihmë, një apel i ngarkuar me përgjegjësinë e mbrojtjes
jo vetëm të Krujës, por të gjithë kufirit të krishterimit në Ballkan.
Skënderbeu nuk kërkon ndihmë si një vasal, por si një aleat, duke e lidhur
kërkesën me detyrimin moral e fetar: “jeni të lutur dhe të detyruar nga ana e
Zotit të plotëfuqishëm dhe nga ana jonë…”.
Kjo
letër nuk është një gjest i izoluar. Ajo bën pjesë në një mozaik të gjerë të
diplomacisë skënderbegiane, ku penat e letrave shkonin paralel me shpata e
heshta në fushëbetejë. Skënderbeu dinte të luante në dy fronte: në atë
ushtarak, duke mbajtur të pathyeshëm murin e Krujës, dhe në atë diplomatik,
duke trokitur në dyert e fuqive të krishtera të Italisë, Napolit, Vatikanit,
Venedikut e tani edhe Sienës.
Dërgimi
i abatit Lazër, kapelanit të tij, si sjellës i letrës, është një gjest i
menduar. Ai garantonte autenticitetin e mesazhit dhe krijonte një urë besimi
mes palëve. Në fakt, ky ishte një model komunikimi mesjetar ku personi i
sjellësit konsiderohej një zgjatim i vetë dërguesit.
Nga
pikëpamja dokumentare, letra ka një peshë të jashtëzakonshme. Vetë fakti se
është një autograf i Skënderbeut e bën një relike kombëtare e ndërkombëtare.
Ajo është dëshmi jo vetëm e gjuhës dhe diplomacisë së kohës, por edhe e rrjetit
të aleancave që Skënderbeu ndërtonte me kujdes për të siguruar mbështetje
materiale e morale.
Për
studiuesit e historisë, kjo letër është një dritare ku mund të shihet jo vetëm
situata politike e vitit 1451, por edhe mjeshtëria e heroit tonë në përdorimin
e fjalës së shkruar si armë strategjike.
Sot,
më shumë se pesë shekuj e gjysmë më pas, kjo letër nuk flet vetëm për një
rrethim të Krujës. Ajo na kujton se mbrojtja e atdheut dhe kërkimi i aleancave
janë akte që lindin nga ndërgjegjja e përgjegjshme e një udhëheqësi. Skënderbeu
e dinte se historia nuk bëhet vetëm me heroizmin në fushën e betejës, por edhe
me mençurinë për të zgjeruar horizontin e miqve dhe aleatëve.
Në
fjalët e tij, të ngjizura në pergamenë, ndiejmë ende pulsimin e një kohe kur
Kruja ishte jo vetëm një qytet i vogël në një kodër shqiptare, por zemra e
rrahjes së një Europe të tërë, që përballej me hijen e Perandorisë Osmane.