E hene, 25.08.2025, 06:55 AM (GMT+1)

Kulturë » Vataj

Albert Vataj: Thirrja e dritshme e artit që sjell hyjnoren e biblikes

E diele, 24.08.2025, 06:54 PM


“Lajmërimi” i Andrea Vici-t, një reliev barok mes traditës dhe risisë, thirrja e dritshme e artit që sjell hyjnoren e biblikes

Nga Albert Vataj

Në Bazilikën e Lajmërimit në Nazaret, aty ku toka dhe qielli sikur shkëmbejnë frymë, qëndron e gdhendur në mermer vepra e Andrea Vici-t: “Lajmërimi”, një reliev i lartë që e shndërron çastin biblik në një dramë të përjetshme artistike.

Në këtë skulpturë, figura e Marisë del përpara syve me një ndjesi soditjeje dhe habie. Ajo mban në duar një libër, lutjet ose vetë Shkrimin e Shenjtë, simbol i përkushtimit, devocionit dhe pranimit të vullnetit hyjnor. Vici ka ditur ta ndërtojë këtë moment jo vetëm si një episod fetar, por si një ndërveprim estetik mes njeriut dhe së mbinatyrshmes, mes dritës së materies dhe misterit të besimit.

Ky tip gdhendjeje, alto-rilievo, e bën figurën të shkëputet nga mermeri, të marrë frymë, të kërkojë të dalë jashtë. Trupi, faqja, duart dhe libri i Marisë nuk janë të fiksuara në gur, por të mbërthyera në një përpjekje për t’u gjallëruar.

Vepra bart thelbin e Barokut: teatralitetin, lëvizjen, pasionin. Rrobat që rrjedhin në valëzime, dramatizmi i qëndrimit dhe intensiteti i habisë së Marisë i japin veprës një dinamikë që tejkalon çdo statikë. Baroku nuk ishte vetëm art i formës, por edhe i ndjenjës, dhe kjo ndjenjë shpërfaqet fuqishëm në gdhendjen e Vici-t.

Libri që mban Maria është fjala e Zotit, por njëkohësisht edhe shenjë e dijes dhe meditimit. Qëndrimi i saj i tërhequr, gjesti i habisë, përzihen me qetësinë e pranimit. Këtu ndodh mrekullia: hyjnorja dhe njerëzorja bëhen një.

Në historinë e artit, Lajmërimi është ndër temat më të trajtuara, nga ikonat bizantine te mjeshtrat e Rilindjes dhe Barokut.

Fra Angelico, në fresket e tij në Fiesole (1440), e paraqiti Marinë në një qetësi monastike, të përulur dhe të ndriçuar nga një dritë e brendshme. Çasti është i heshtur, pa dramë, një përulësi engjëllore.

Leonardo da Vinci, në veprën e tij të hershme (1472–1475), solli një dimension tjetër: një kopsht i hapur, një arkitekturë e rafinuar, një engjëll i ulur përballë Marisë. Është një kompozim ku harmonia e natyrës dhe qetësia e figurave flasin për hyjnoren si pjesë e kozmosit.

Caravaggio, ndonëse nuk realizoi një Lajmërim klasik, solli në veprat e tij një tjetër frymë baroke që ndikon dhe tek Vici: dritë-hijet dramatike, thellimi në çastin e tensionit, një hyjni që hyn papritur në skenën njerëzore.

Në krahasim me këto trajtime, Andrea Vici nuk i ikën traditës, por i jep një theks të ri: një dramë e ngrirë në mermer, ku lëvizja dhe heshtja bashkëjetojnë. Nëse Fra Angelico ishte meditativ, Leonardo harmonik dhe Caravaggio i turbullt e dramatik, Vici qëndron diku në mes: ai e bën habinë e Marisë të prekshme, të ngurtësuar në gur, por njëkohësisht të mbushur me frymën e gjallë të Barokut.

Në këtë reliev, ajo që mbetet e paharruar është heshtja. Heshtja e Marisë, e cila sodit librin dhe fjalën e engjëllit; heshtja e gurit që flet përmes formës; heshtja e shikuesit që ndalet para veprës dhe bëhet pjesë e saj. Andrea Vici, në fund të fundit, nuk ka gdhendur vetëm një episod biblik, por edhe vetë përjetimin e mrekullisë: momentin kur fjala e Zotit zbret në botë, duke gjetur strehë në thjeshtësinë e një gruaje.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Vataj: Teodor Keko, zëri i shpirtit që u këput duke kënduar Albert Vataj: Gëzuar ditëlindjen President! Albert Vataj: 18 gushti i vitit 1850, nata e fundit e Honore de Balzak, sipas Viktor Hygo Albert Vataj: Përvjetori i një kryevepre të letërsisë Albert Vataj: Letra e 8 gushtit 1451 - Zëri i Krujës së Skënderbeut që troket në portat e Sienës Albert Vataj: Klodian Matija, historia e djalit nga Lezha, drejtori i parë jo-italian i Klubit Rotary Albert Vataj: Dom Ndre Mjeda, sipas dy figura monumentale të letrave shqipe, Ernest Koliqit dhe At Gjergj Fishta Albert Vataj: Zef Deda, një zemër e bardhë që driti me dashuri dhe talent traditën e artit skenik të Shkodrës Albert Vataj: Kostumi i grave të Mirditës... Albert Vataj: Shën Tereza... na thërret të gjithëve në lutje për t'i dhuruar vetes Zotin Albert Vataj: Fundi i fjalës së shtypur, një elegji për gazetën që shuhej ngadalë para syve tanë Albert Vataj: Kur një nënë puth të birin, ndodh shumë më shumë se sa ajo që syri sheh Albert Vataj: Thimi Filipi, një emër sfidues në artin skenik Albert Vataj: Tonin Frroku, dashnori i përjetshëm i gazetarisë sportive Albert Vataj: Bukuritë që dëshmojnë në fotografi për vlerat, shprehjen e epërme të pasurisë sonë shpirtërore Albert Vataj: Cangue, dëshmi e një bote ku drejtësia ishte spektakël, poshtërim, edhe dhimbje Albert Vataj: Dhe pyesim ende pse nuk ecin punët në këtë vend Albert Vataj: Homazh për një dashuri që nuk pranon të dorëzohet Albert Vataj: Shkodra, qyteti i parësive të përkatësisë së identitetit tonë kombëtar Albert Vataj: “Kur vdes nëna, fillon vdekja jonë” e ditëpasditshem

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx