E shtune, 23.08.2025, 01:00 AM (GMT+1)

Kulturë » Vataj

Albert Vataj: Teodor Keko, zëri i shpirtit që u këput duke kënduar

E premte, 22.08.2025, 06:55 PM


Teodor Keko, zëri i shpirtit që u këput duke kënduar, 23 vite më parë

Nga Albert Vataj

Më 22 gusht 2002, Teodor Keko i dorëzohej vdekjes ende i ri në moshë, por me një jetë të mbushur me përjetim e me ëndrra, me zjarrin e vargut dhe me fjalën e tij që gjëmonte si kushtrim. Ai nuk jetoi gjatë në vite, por jetoi gjatë në thellësi, duke i dhënë kohës së tij një dendësi të rrallë, ku poezia, proza, gazetaria dhe qëndrimi qytetar u bënë shenja të pashlyeshme të pranisë së tij.

Në kujtesën kolektive, Keko mbetet jo vetëm poeti që tronditi me ndjeshmëri e metaforë, por edhe gazetari e publicisti i “Koha Jonë”, ku ngriti zërin e reagimit për plagët e shoqërisë shqiptare, duke e shndërruar fjalën në një armë të ndërgjegjes. Në faqet e shtypit ai u bë zëri i guximit, ndërsa në vargje mbeti zëri i shpirtit.

Pak para se t’i dorëzohej fundit që do ta ndante nga familja, miqtë dhe jeta e përditshme që ai e mbushte me frymën e tij të jashtëzakonshme, Keko shkroi poezi, sepse një poet nuk mund të shuhet në heshtje. Në takimin e tij të fundit me vdekjen, ai mbeti sërish luftëtari i paepur i betejave të dinjitetshme, duke na dhënë edhe njëherë shembullin e atyre që ikin, por nuk dorëzohen.

Në Selanik, më 26 maj 2002, pas një operacioni dhe pas një konsultimi mjekësor që i mohoi shpresën, ai shkroi vargjet e fundit, poezinë “Kur e di se do të vdesësh”. Një amanet poetik, një fjalë e lënë pezull mes jetës dhe vdekjes, që edhe sot, pas 23 vitesh, na fton të lexojmë jo shuarjen e tij, por ringjalljen e shpirtit të tij nëpërmjet artit.

Kur e di se do të vdesësh

Kur e di se do të vdesësh,

pemët kanë më shumë lule

dhe më shumë yje qielli ka.

Më të mirë dhe më të çuditshëm janë njerëzit,

që nuk e kuptojnë se hija e trupit të tyre

është vetë vdekja.

Kur e di se do të vdesësh,

toka është pjellore si grua

dhe qielli ta shuan përjetësisht etjen me shirat e tij

dhe avionët nuk fluturojnë për t'u rrëzuar

dhe njerëzit nuk lindin për t'u bërë nesër të liq.

Më mirë ta dish se do të vdesësh!

Lulet lule do të jenë dhe nuk do të kundërmojnë më trishtim

dhe njerëzit do kthehen më shpesh te distributori i harruar

të furnizohen falas me besim...

Poezia e fundit e Teodor Kekos, “Kur e di se do të vdesësh”, e shkruar pak para se të mbyllte udhën e tij tokësore, është një nga ato dëshmi që e tejkalon kufirin e thjeshtë poetik dhe ngrihet në shkallën e testamentit shpirtëror. Ajo është një meditim i thjeshtë e i thellë njëkohësisht, ku vdekja nuk shfaqet si ankth, por si zbulesë që e bën jetën më të qartë, më të ndritshme, më të dashur.

Keko na mëson se vetëdija për fundin nuk e zbeh bukurinë e gjërave, por përkundrazi e rrit atë. “Pemët kanë më shumë lule / dhe më shumë yje qielli ka”, shkruan ai, duke treguar se përballja me vdekjen është një mënyrë për ta parë botën me sy të kthjellët, për të kuptuar se çfarë kemi pasur gjithnjë përpara, por nuk e kemi parë. Njerëzit, gjithashtu, duken më të mirë, më të çuditshëm, sepse hija e tyre nuk është veçse vetë vdekja që i shoqëron të gjithë.

Në këtë poezi, e zakonshmja përmbyset: toka bëhet më pjellore, shiu shuante përjetësisht etjen, avionët nuk janë më të destinuar për rrëzim, e njerëzit nuk lindin për t’u shndërruar në të liq. Është një vizion poetik që, në prag të shuarjes, kërkon t’i japë jetës dinjitet, pastërti dhe një lloj shprese që nuk shuhet.

Më i fuqishmi është mesazhi i fundit: “Më mirë ta dish se do të vdesësh!” Sepse vetëm kështu lulet mbeten lule, pa u ngarkuar me trishtim, dhe njerëzit rikthehen te distributori i harruar i besimit, për t’u furnizuar falas me një energji që i shpëton nga humbja shpirtërore. Është një thirrje e heshtur, por e përjetshme, që ai ia lë lexuesve: pranoni përkohshmërinë, sepse vetëm atëherë mund të jetoni me më shumë dritë.

Kjo poezi është, në të vërtetë, amaneti i Teodor Kekos. Një përshëndetje e fundit, ku brenda trishtimit të shuarjes ka një ndriçim të çuditshëm që mbetet i gjallë në kujtesën tonë. Dhe sot, 23 vite pas ikjes së tij, ajo tingëllon si një zë që ende flet, jo për vdekjen, por për jetën, për bukurinë dhe për besimin që nuk duhet harruar.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Vataj: Gëzuar ditëlindjen President! Albert Vataj: 18 gushti i vitit 1850, nata e fundit e Honore de Balzak, sipas Viktor Hygo Albert Vataj: Përvjetori i një kryevepre të letërsisë Albert Vataj: Letra e 8 gushtit 1451 - Zëri i Krujës së Skënderbeut që troket në portat e Sienës Albert Vataj: Klodian Matija, historia e djalit nga Lezha, drejtori i parë jo-italian i Klubit Rotary Albert Vataj: Dom Ndre Mjeda, sipas dy figura monumentale të letrave shqipe, Ernest Koliqit dhe At Gjergj Fishta Albert Vataj: Zef Deda, një zemër e bardhë që driti me dashuri dhe talent traditën e artit skenik të Shkodrës Albert Vataj: Kostumi i grave të Mirditës... Albert Vataj: Shën Tereza... na thërret të gjithëve në lutje për t'i dhuruar vetes Zotin Albert Vataj: Fundi i fjalës së shtypur, një elegji për gazetën që shuhej ngadalë para syve tanë Albert Vataj: Kur një nënë puth të birin, ndodh shumë më shumë se sa ajo që syri sheh Albert Vataj: Thimi Filipi, një emër sfidues në artin skenik Albert Vataj: Tonin Frroku, dashnori i përjetshëm i gazetarisë sportive Albert Vataj: Bukuritë që dëshmojnë në fotografi për vlerat, shprehjen e epërme të pasurisë sonë shpirtërore Albert Vataj: Cangue, dëshmi e një bote ku drejtësia ishte spektakël, poshtërim, edhe dhimbje Albert Vataj: Dhe pyesim ende pse nuk ecin punët në këtë vend Albert Vataj: Homazh për një dashuri që nuk pranon të dorëzohet Albert Vataj: Shkodra, qyteti i parësive të përkatësisë së identitetit tonë kombëtar Albert Vataj: “Kur vdes nëna, fillon vdekja jonë” e ditëpasditshem Albert Vataj: Monumenti i Skënderbeut në Ulqin, skulptura ndryshe që pritet me refuzim dhe Kritika

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx