Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Roza Xhuxha dhe Dhimitër Anagnosti, si lindi dashuria ikonike e kinematografisë, që sot u nda me lamtumirë dhe lot?!
E marte, 02.09.2025, 06:55 PM
Roza Xhuxha dhe Dhimitër Anagnosti, si lindi dashuria ikonike e kinematografisë, që sot u nda me lamtumirë dhe lot?!
Nga
Albert Vataj
Që
prej dje, më 1 shtator 2025, ata nuk janë më bashkë. Vdekja hyri mes tyre, si
një ndarje e pamëshirshme që as koha, as dashuria, as arti nuk munden ta
shmangnin. Por për dekada të tëra ata ndanë gjithçka: jetë dhe sfida, ëndrra
dhe frymëzim, dhimbje e triumfe, dashuri dhe art.
Sot
ndarja erdhi mbi një mal me lule dhe një det me lot. Ajo erdhi mes sysh të
skuqur nga pikëllimi, mes duarve që dridhen në ngushëllim, mes një qyteti që u
mblodh të përcjellë me nderim një nga bijtë e vet më të shquar. Erdhi kjo ditë
fillimshtatori me kaq shumë lamtumira, fjalë të mallshme dhe përshpirtje, me
një ikje që do të peshojë rëndë në kujtesën e njerëzve dhe në kohën që vjen.
Ikja
e Dhimitër Anagnostit nuk është thjesht ndarja e një njeriu nga jeta, por
mbyllja e një epoke. Ai la pas një mal të lartë me të cilin krenohemi, një
kreshtë veprash dhe vlerash që shënjuan artin kinematografik shqiptar dhe më
gjerë. Në filmat e tij jetojnë përjetësisht fytyrat, dilemat, shpresat dhe
plagët e këtij populli.
Por
kjo ikje la pas edhe një grishje, një thirrje të brendshme që troket në zemrat
e atyre që janë pjesë e kësaj dite mortore, në këtë përcjellje të heshtur e
plot nderim. Është një thirrje për kujtesë, për reflektim, për të mos e harruar
dot atë që Anagnosti ndërtoi, si artist dhe si njeri.
Dhe
ndërsa dhimbja shoqëron sot Rozën, bashkëshorten e tij të përjetshme, kujtimet
zgjojnë atë çast të largët, 61 vite më parë, kur ata u njohën në një
sheshxhirim, kur dashuria e tyre nisi në heshtje mes kamerave, për t’u kthyer
në një udhëtim të gjatë gjashtë dekadash. Një jetë e jetuar bashkë, e skalitur
në art, e dëshmuar në kujtime. Një jetë që, edhe pse sot ndahet fizikisht,
mbetet e përbashkët në përjetësi.
Sot,
në ditën e lamtumirës së Dhimitër Anagnostit, pranë arkivolit të tij është
Roza, bashkëshortja dhe bashkëudhëtarja e pandarë e 61 viteve. Ajo shtrëngon
duart e qindra njerëzve që kanë ardhur për ta nderuar, dhe ndërsa sytë i
mbushen me mall e dhimbje, shfaqet ende si zonja e hirshme që dikur shndriti në
ekran me rrezet e “Tokës sonë”. Ky moment është një kujtesë e fortë se historia
e tyre nuk ishte thjesht një lidhje bashkëshortore, por një bashkim i ndjenjës
dhe artit, që mbeti i bukur dhe i dlirë deri në fund.
Në
vitin 1964, gjatë xhirimeve të filmit “Toka jonë”, fati e përplasi këtë yjësi
ndjenjash për të shpërthyer në një lidhje, që zgjatoi një jetë në art. Roza,
vetëm 19 vjeç, sapo kishte nisur rrugëtimin e saj kinematografik, duke luajtur
rolin e Filës. Dhimitër Anagnosti, ndonëse nuk ishte regjisor i filmit (që
mbante firmën e Hysen Hakanit), ishte pjesë e ekipit dhe e vëzhgonte Rozën nga
syri i kamerës. Në kujtimet e saj, Roza ka treguar se ai i bënte me shenjë kur
loja e saj kishte lëkundje. Ishte një komunikim i heshtur, një gjuhë e veçantë
që lindi mes tyre pa fjalë. Shikimet u kthyen në ndjenjë, dhe ndjenja në
dashuri.
Pas
xhirimeve, ata u fejuan dhe në vitin 1965 kurorëzuan dashurinë me martesë.
Filmi “Komisari i dritës” (1966), ku Roza interpretoi Rudinën dhe Dhimitri
mbajti në dorë regjinë, u bë jo vetëm një sukses i kinemasë shqiptare, por edhe
dëshmia e parë publike e simbiozës së tyre artistike dhe shpirtërore. Ishte
fillimi i një jete të përbashkët në Tiranë, ku dashuria dhe arti nuk jetuan
kurrë të ndarë.
Roza
ka rrëfyer me emocion se Anagnosti e kuptonte pa fjalë, e mbështeste në çdo
hap, por edhe e sfidonte me dashuri që ajo të rritej si aktore. Ai, nga ana e
tij, e quante me respekt “bashkëshorte, aktore dhe bashkëpunëtore e rrallë”,
duke e cilësuar frymëzim të shumë prej filmave të tij. Në çdo projekt, në çdo
rol, ata krijuan një botë ku arti dhe jeta ushqenin njëri-tjetrin.
Ky
çift nuk jetoi vetëm një histori dashurie. Ata ndërtuan një univers ku çdo film
ishte një kapitull i përbashkët, çdo rol një dëshmi e ndjenjës, dhe çdo skenë
një reflektim i së bukurës që lind kur dy shpirtra i përkushtohen njëri-tjetrit
dhe artit. Sot, kur Dhimitër Anagnosti ndahet nga kjo botë, ajo dashuri mbetet
ikonike dhe frymëzuese, një shembull i rrallë se si ndjenja e pastër dhe arti
mund të ecin bashkë deri në fund.