Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Në një moshë të tillë... kur ti guxon të jesh vetja
E enjte, 11.09.2025, 06:53 PM
Në një moshë të tillë... kur ti guxon të jesh vetja
Nga
Albert Vataj
Nëpërmjet
mënyrës se si mendon një grua që ka lënë pas vitet e rinisë, ne arrijmë të
perceptojmë ngjyrën më të mistershme të harkut të ylberit, atë që mban dhe
ushqen të gjitha ngjyrat.
Po
çfarë do të mendonte gruaja që ka kaluar pranverën e jetës dhe i gëzohet
romantikës së vjeshtës, poetikës së ngjyrave dhe prehrit të begatë të natyrës
që mëkon përmes frutave shpirtin etern, për etjen e saj të pashuar për të
jetuar çdo moment.
Në
një moshë si kjo, ato kuptojnë se buzëkuqi nuk i bën më të reja. Sepse kanë
mjaltin e shpirtit që u’a ngjyn buzët dhe u’a skuq qershitë e tulta, që duan të
puthen ende, edhe pse brazdat e rudhave u shkojnë skajeve si notat e një
pentagrami.
Dhe
një hir i vesh fytyrën me hijen e viteve dhe hirin e hijeshisë së asaj butësie
dhe aromave, brishtësisë dhe qëndresës, ndrojtjes dhe guximi, që i përfaqëson
si një zgjim i gruas që rinia u'a ndaloi të ishin.
E
vërteta është se ata e dinë tashmë se rininë nuk e mban ngjyra as marka e
buzkuqit, por buzëqeshja, ai rrezatim që u buron nga thellë. Dhe ata kanë
mësuar të qeshin kaq bukur dhe të reflektojnë pozitivitet kaq hirshëm. Dhe këtë
e kanë mësuar nga dhimbjet dhe plagët, se për të triumfuar, duhet të buzëqeshim
më shpesh, sikur të duan të dëbojnë djallin e mendimeve, me temianin e kohës që
i ngazëllen, me dritën e syve që u buron nga brenda.
Në
një moshë si kjo, kur rinia ka mbetur pas dhe së bashku me të kujtimet, sytë e
tyre zbuten përpara ëndrrave të të rinjve dhe përfytyrimet nxjerrin nga
vezullimi i syve, diellin që dikur i ndizte dhe dalldinë që i teptiste në
dashuri e dëshirime.
Ata,
të rinjtë e të rejat, me guximin e padjallëzuar të shpresës, bëhen kujtesa asaj
që dikur ato kanë qenë, por edhe e atyre momenteve të bukura që i kanë lanë pa
frymë dhe pa gjumë.
Dhe
është bukuri e pashpjegueshme të shohësh jetën të rifillojë në gjakun e tyre,
në vrapin dhe fluturimin me krahë të bardhë në qiejt e ëndrrave.
Ti,
t’i soditësh se si ata mrekullohen, duke rimbushur shpirtin me çastet që
zgjohen dhe drithërimat që të kafshojnë.
Në
një moshë të tillë, kur gjithçka që ishte zemra dhe shpirti, tashmë është
lënda, me të cilën ato janë mbushur përplot. Nuk është mosha që duhet fshehur,
por plagët e zemrës, për të cilat duhet kujdesur gjithnjë.
Ato
kanë nxënë tashmë, se duhet të mësojmë t’i mbajnë brenda, çfarë jeta u mëkoi si
ushqyerje dhe si sprovë, pa ngarkesën që bartin dhe peshën që hedhin.
Sepse,
ashtu si rrudhat që duhen parë si perla, edhe dhimbjet që duhet paqtuar me
balsam shpirti, krejtkëto janë dëshmi e forcës, jo e dobësisë, janë atlasi i
jetës, ai ku shkruhet; çdo breg ku pritën me zemër të ngrirë e shpirt të
drobitur, çdo liman ku përcollën me puthjet e kripura me lot, çdo lëndinë ku
ndoqën flutura dhe çdo udhë që i ftoi të ndiqnim ëndrrat. Eh, ja se si mendon
në një moshë si kjo!
Në
një moshë të tillë, kur gjithçka e bukur është shkruar në ditaret e kujtimeve,
nuk mjafton të mbijetosh ditët, por duhet t’i besosh të ardhmes edhe më shumë.
Duhet të planifikosh sikur përpara të kishe njëqind vite të tjera, sepse
shpresa dhe shpirti nuk maten me kalendar, por me frymë, dhe ritmi i pulsit,
nuk është tregues i rrahjeve të zemrës por i fuqisë së qenies së tyre që zgjohet,
jetës që kthehet për t'i treguar të tjera shqigje dhe të tjera porta për të
hyrë në çastet që u fikën në dëshirime.
Në
një moshë të caktuar, në një kohëjete si kjo, rrethi i njerëzve zvogëlohet, dhe
shumë mirë bën që lejon ata që duhet të ikin, të ikin. Bën përzgjedhjet e
duhura, sepse ke mundësinë pa menduar se kush mendon çfarë. Zgjedh dashuritë që
të mbajnë gjallë dhe flak tutje zhurmën që s’të shërben më. Dhe mbi të gjitha,
mëson të duash pa kushte, pa kërkuar shpërblim, sepse dashuria e pastër është
luks i pjekurisë dhe shërimi i çdo lëndimi që shpesh zgjohet si dhimbje dhe
kujtesë.
Në
një moshë si kjo, kujdesesh për veten si për një send të brishta e të
shtrenjtë. Dhe ndonëse vitet peshojnë, zemra kërkon të kërcejë, të qeshë, të
ëndërrojë, të këndojë, të rebelohet, jo më pak, por më shumë se dikur. Ndoshta
për të marrë çfarë rinia nuk guxoi, dhe vitaliteti i viteve të rrëmbimshme i
kaluan ashtu pa vëmendje.
Sepse,
vjen kjo ditë e kësaj kohe dhe moshe, që nuk pret mëshirë nga askush, dhe nuk
duhet të presësh të të kthehet ajo që ti dhe me mish e me shpirt.
Dhe
atëherë, mëson t’i japësh vetes mbrojtje dhe mëshirë. Mëson të ngrihesh, edhe
kur rrëzohesh, sepse të mbeturit rrëzuar nuk është kurrë zgjidhje. Dhe të
ankohesh nuk është asnjëherë mënyra e duhur për të qëndruar në këmbë, madje
edhe atëherë kur ndoshta duhet të ketë prej atyre që presin kur ti të rrezohesh
për të mos u ngritur më.
Në
një moshë të tillë, kupton se jeta nuk është e dhënë për t’u përballur me
rrudha dhe vraga, dhimbje dhe trishtim, harresë dhe mospërfillje, vetmi dhe
lëngim, por për t’u jetuar me madhështinë e një zemre që rreh ende fort në një
trup që nuk është më si dikur, por shkëlqen në një shprehje fytyre, që nuk
verbon më kur rrezaton, por ndrin.
Në
një moshë si kjo, guxoni, e thoni, dhe e bëni, në djall vafshin gjithë ato
vargonj që nuk na lanë të ishim të çmendura siç donim, të urta siç duhej, të
ditura siç ishim. Në djall vafshin gjithë ato rregulla, norma e paragjykime që
na plakën dhe drobitën, por nuk arritën të na gjunjëzojnë, as me rrudha e as me
vraga, sikurse as me lëndën e errët që shuan etjen e frikës dhe paragjykimeve.
Dhe
sot, në një moshë si kjo, keni mundësinë të jetoni pa e vrarë mendjen për
asgjë, sepse jeta nuk jetohet duke u shqetësuar, por duke kërkuar t’i gëzohesh
momentit, sepse ai mund të jetë i fundit. Të kapërcesh një ditë në tjetrën, pa
kokëçarje sepse nuk e di se cila është e fundit, por çdo ditë vjen si e fundit,
pavarësisht se në një moshë si kjo, e mbushni me ditë të fillimit dhe të
jetuarit me gjithë forcën e zemrës dhe energjinë e shpirtit dhe praninë e
trupit.
Në
një moshë si kjo, Të vdesësh, është më e lehtë se sa të jetosh. Por ju ia thoni
vetes, dhe e bëni, edhe nëse hezitoni ende, duhet të besoni në atë që dëgjoni
si zë zgjimi. Unë dua të jetoj, dhe të jem edhe unë në këtë rrëfim gruaja që në
një moshë si kjo, ajo guxoi për herë të parë dhe të fundit të jetë vetja.