Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Këmbët e Nënë Terezës, këmbët e deformuara nga lodhja dhe mundimet, këmbët që ecën mbi dhembje në rrugën e kalvarit
E hene, 08.09.2025, 06:56 PM
Këmbët e Nënë Terezës, këmbët e deformuara nga lodhja dhe mundimet, këmbët që ecën mbi dhembje në rrugën e kalvarit
Nga Albert Vataj
E
kemi parë Nënë Terezën në një pafundësi fotosh, fytyra e saj e rrudhur nga
përkushtimi, sytë që mbartnin një paqe të thellë dhe një dhimbje të heshtur,
duart e saj të vogla që përqafonin të braktisurit si të ishin fëmijët e saj. E kemi
parë në altarët e bamirësisë, në podiumet e Nobelit, pranë personaliteteve
botërore, si një grua shtatshkurtër që mati botën jo me trupin, por me shpirtin
e mirësisë.
Por
kurrë nuk kemi parë këmbët e saj.
Po,
këmbët e saj, të zbathura, të lodhura, të përvuajtura. Ato që nuk u
fotografuan, por që mbartin në heshtje historinë e një kalvari të gjatë. Këmbët
që ecën nëpër rrugët e Kalkutës, nëpër lagjet e harresës, nëpër dhimbjet e
njerëzimit. Këmbët që nuk kërkuan pushim, por vazhduan të ecin drejt misionit
të saj të shenjtë, të jetë pranë atyre që nuk kishin askënd.
Në
to është gdhendur rruga e shenjtërimit, jo si triumf, por si sakrificë. Janë
këmbët që mbartën peshën e botës, pa u ankuar, pa u ndalur, pa u dukur. Ato nuk
kërkuan lavdi, por shërbesë. Nuk kërkuan skenë, por tokë ku të ecin për të
ndihmuar.
Në
to, historia nuk është shkruar me bojë, por me plagë që nuk u trajtuan dhe nuk
u shëruan kurrë.
Në
një botë ku madhështia shpesh matet me pushtet e pasuri, këmbët e Nënë Terezës
flasin me një gjuhë tjetër, atë të përulësisë që nuk kërkon lavdi, por shërbim.
Të deformuara nga vitet e ecjes në rrugët e Kalkutës, pa rehati, pa mbrojtje,
ato nuk janë shenja të sëmundjes, por dëshmi të dashurisë së palodhur.
Çdo
gisht i shtrembëruar, çdo nyje e lodhur, është një rrëfim i heshtur i një jete
të përkushtuar ndaj të harruarve, të sëmurëve, të braktisurve. Ajo nuk kërkoi
trajtim për veten, nuk u ankua për dhimbjen, sepse dhimbja ishte vendi ku ajo
takonte Zotin, dhe ku dashuria merrte formë njerëzore.
Këmbët
e saj nuk ecën mbi qilima, por mbi pluhur e vuajtje. Ato nuk u ndalën kurrë,
edhe kur trupi i saj kërkonte pushim. Ishin këmbë që bartën mëshirën, që u
gjunjëzuan pranë të vdekurve, që u ngjitën shkallëve të spitaleve pa emër, që
trokitën në dyert e zemrave të mbyllura.
Në
to nuk ka asgjë për t’u fshehur, përkundrazi, ka gjithçka për t’u kujtuar.
Sepse në deformimin e tyre, shohim bukurinë e një shpirti që zgjodhi të vuajë
për të tjerët, që zgjodhi të ecë jo për veten, por për të ata tw cilwve u
kishte ndaluar fati, fikur dritat dhe thyer qielli.
Këmbët
e Nënë Terezës janë një testament i gjallë i kësaj dashurie. Dhe në heshtjen e
tyre, ato na thërrasin të ecim edhe ne, jo drejt lavdisë, por drejt njeriut.