E premte, 05.09.2025, 06:21 AM (GMT+1)

Kulturë » Vataj

Albert Vataj: Mateus Frroku, artisti rrezatues i mirësisë dhe pozitivitetit, zëri i shpirtshëm i këngës shqiptare

E enjte, 04.09.2025, 06:57 PM


Mateus Frroku, artisti rrezatues i mirësisë dhe pozitivitetit, zëri i shpirtshëm i këngës shqiptare

Nga Albert Vataj

Prolog

Për komunitetin e artistëve në përgjithësi, e për VIP-at në veçanti, mirësia, thjeshtësia, pozitiviteti dhe akti i lartë i dëshmimit të shpirtit artistik, shpesh gjenden në konflikt interesi. Kjo, sepse qerthulli i botës së tyre duhet të mbetet, sipas logjikës së famës, i papërshkueshëm nga njerëzit e thjeshtë, nga “vulgu”, nga ata që pa e ditur përcaktojnë trashësinë e mureve ku frika e inferioritetit mbyll artistin si të burgosur, ndërsa llamburitja e shkëlqimit ia shërben si dritë dhe si kurth njëkohësisht. Në këtë rreth vicioz, artisti jo vetëm performon, por edhe mat pulsin e një paniku që e rrethon si një kërcënim të përhershëm.

Është sikur admiruesit e tyre, ata që e ndjekin, e duan dhe jetojnë emocionalisht me ta, të mos jenë vetëm publik, por edhe një vetëdijësim i heshtur i mallkimit që ndjek famën e tyre të përkohshme. Ky dualitet e bën shpesh marrëdhënien mes artistit dhe publikut një iluzion të rregulluar, ku afërsia është e simuluar, ndërsa distanca e programuar. Artistët, në shumicën e rasteve, nuk i shohim më afër se në skenë, në rrjetet sociale, apo pas një korace të padepërtueshme, ku ata kyçin jo vetëm imazhin, por shpesh edhe shpirtin.

Por, përtej këtij rregulli të ashpër të lojës së famës, ka edhe përjashtime. Personazhi që marr në shqyrtim, dhe tek i cili gjej të mishëruar një mirësi që shoqërohet me bujarinë e shpirtit dhe begatinë e artit, është Mateus Frroku. Ai e shemb këtë mur të pashkallëzuar, duke e bërë artin jo vetëm një shfaqje të talentit, por edhe një akt komunikimi të sinqertë, ku publiku nuk ndihet i përjashtuar, por i përfshirë.

Ai që e dua, jo si i familjes, por si i shpirtit

Edhe pse e kam shumë për zemër, jo vetëm si një nga dy djemtë e dajës tim të preferuar, por edhe si nip i gjyshes në prehrin e së cilës u rrita, unë, në punën time, nuk kam lejuar kurrë që lidhjet e gjakut të bëhen kompromis për atë që shkruaj apo them. Por me Mateusin është krejt ndryshe. Ai nuk është vetëm pjesë e një fisi, por një prani që më ngjiz një lidhje më të thellë, më intime, një lidhje shpirti.

Këtë shkrim ai do ta lexojë njëherësh me ju të gjithë. Nuk i kam kërkuar leje, as nuk kam pasur një shtysë të posaçme për të shkruar për të, veçse një dashuri dhe respekt që më vjen natyrshëm, nga dëgjimi i tij, nga përcjellja e veprimtarisë së tij artistike, nga vëmendja ime e përhershme dhe kritike. Me Mateusin nuk jam thjesht spektator; jam një bashkëudhëtar që ndjek me syçelësi çdo hap të tij estetik, çdo provë për të sfiduar vetveten dhe kufijtë e muzikës.

Rrallë, në tryezat e familjes, kemi diskutuar për artin dhe këngën, për çështje që shpesh i kam trajtuar edhe publikisht. Janë momente ku kemi shkëmbyer mendime, ndonjëherë duke qëndruar në pole të ndryshme, por që gjithsesi na kanë çuar drejt një dakordësimi të heshtur, se arti nuk është vetëm shije, por edhe përgjegjësi, jo vetëm zë i brendshëm, por edhe pritshmëri që publiku vendos përballë krijuesit.

Në këtë përplasje të mendimeve e gjej të bukurën e marrëdhënies sonë, një marrëdhënie që nuk e shoh si të kushtëzuar nga gjaku, por si të lindur nga një rezonancë më e lartë, nga një thirrje shpirtërore që më bën ta dua Mateusin jo si kushëri, por si artist, jo si i familjes, por si i shpirtit.

Konfuzioni në tregun muzikor dhe ai, Mateus

Në një tashme të mbushur me kaos, ku tregu muzikor e ka humbur shpesh orientimin mes vlerës dhe vulgaritetit, ballafaqimi i artistit me publikun është një provë e rëndë. Ky publik, i ndarë mes asaj që i serviret nga algoritmet dhe asaj që kërkon shpirti, shpesh nuk arrin të njohë se ku ndalet arti dhe ku nis konsumimi. Në këtë realitet, ku imponimi i shijes së përkohshme është trysni gati e pakapërcyeshme, kundërvënia bëhet jo vetëm kërcënim, por edhe mision. Dhe jo të gjithë janë të gatshëm ta marrin përsipër këtë mision.

Por ai, Mateus Frroku, ka dëshmuar se nuk është “djalë frikacak”. Përkundrazi, ai është një sfidues i natyrshëm, një prani që guxon të ecë në një botë pa rregulla loje, ku liria shpesh është e simuluar dhe autenticiteti konsiderohet luks. Të bësh ndryshe, në një univers ku rregullin e përcakton komercializmi i pamëshirshëm, është një sakrificë që kërkon jo vetëm talent, por edhe integritet e dinjitet artistik. Sepse në një realitet ku standardin nuk e caktojnë më krijimi dhe përmbajtja, por logjika e algoritmit dhe shija bastarde e klikimeve, të qëndrosh i pandryshuar është një akt heroik.

Djali nga Shkodra, i lindur në Korçë, një përkim i çuditshëm që tingëllon si një urë mes kulturash dhe qytetërimesh, mishëron brenda vetes një shpirt të bukur, një natyrë të thjeshtë, një pozitivitet të pashprehur por të ndjeshëm. Në këtë përzierje identitetesh dhe frymëzimesh, ai nuk e sheh muzikën si një prodhim të radhës, por si një thirrje të brendshme. Ai ka triumfuar, jo sepse është pjesë e lojës, por sepse ka ditur të mos i nënshtrohet asaj.

Muzika e Mateus Frrokut nuk është thjesht zë i shfrytëzuar për argëtim të momentit. Ajo është gjendje shpirti, një hapësirë filozofike ku kënga bëhet dëshmi. Nuk është zhurmë kalimtare që vdes me sezonin, por një akt krijues që i flet kohës, e shenjon atë, e sfidon dhe mbijeton mbi të. Në të gjejmë jo vetëm tingullin e bukur, por edhe dëshminë e një përkushtimi që e lartëson muzikën në sublimen e saj: një mision që shkon përtej tregut, përtej famës, përtej vetvetes.

Mateus Frroku, portreti i një mirësie që këndon

Ka njerëz që nuk hyjnë në një vend, por vijnë si drita e mëngjesit, pa trokitur, pa bujë, thjesht duke qenë aty. Mateus Frroku është një prej atyre artistëve që nuk e shpall mirësinë si titull, por e bart si frymëmarrje të pandërprerë. Ai është një prani që nuk kërkon të sundojë, por të përfshijë; nuk synon të dominojë, por të afrojë.

Në skenë, drita nuk i bie vetëm mbi fytyrë, ajo duket sikur shpërndahet prej tij. Zëri i tij i ngrohtë nuk është vetëm tingull, por një shtrëngim duarsh, një prekje mbi shpatull, një fjalë e butë në vesh. Çdo këngë e tij është si një tregim ku publiku nuk është dëgjues pasiv, por bashkëpersonazh. Ai nuk e sheh turmën si një masë anonime; e sheh si një mozaik fytyrash që kanë ardhur për të ndarë një moment të vetëm dhe të përjetshëm.

Jashtë skenës, Mateusi mbetet po ai, i buzëqeshur, i butë, i gatshëm të të dëgjojë deri në fund, edhe kur koha është e ngarkuar e dita e gjatë. Në biseda të zakonshme, ai ka po atë dritë që ka në koncert; në takime pune, po atë ngrohtësi që ka kur këndon. Kjo është, ndoshta, më e vështira, të jesh i njëjti njeri kudo, me të gjithë. Dhe ai e bën pa e menduar, sepse nuk është rol, është natyrë.

Në një kohë kur shumë artistë rrethohen nga paprekshmëria e imazhit, ai nuk ngre mure, por hap dyer. Nuk ka nevojë të qëndrojë në një piedestal, sepse forca e tij nuk qëndron në distancë, por në afërsi. Për publikun, ai është një zë që të prek, por edhe një njeri që mund t’i afrohesh, një artist që mund të të frymëzojë, por edhe një mik që mund të të dëgjojë.

Kjo është arsyeja pse ai adhurohet jo vetëm për vokalin e tij depërtues, jo vetëm për komportimin e tij të natyrshëm në skenë e jashtë saj, por sepse dëshmon një të vërtetë të thjeshtë dhe të madhe: arti më i lartë është të jesh njeri i mirë.

Tek Mateus Frroku, mirësia nuk është një shtesë mbi artin, është rrënja nga e cila arti rritet tek ai me të. Është simbioza e dy frymëve që jetojnë në harmoni të plotë, njeriut që përqafon botën dhe artistit që ia këndon asaj. Dhe ndoshta, pikërisht kjo është kënga e tij më e bukur.

Dimensioni estetik, zëri si shpirt dhe identitet

Zëri i Mateus Frrokut është një estetikë më vete, i ngrohtë, i butë, por me rrënjë që pleksën fort në tabanin e traditës së këngës shqiptare. Ai mban brenda timbrin e interpretuesve të vjetër, vibrimin e kordave që përshkojnë çdo nerv dhe sëmbojnë çdo ind, për të ardhur si një zgjim përjetues me frymën e kohës, pa rënë në grackën e nostalgjisë së ngurtë dhe formalizmave. Paleta e ngjyrshme e zërit të tij është një urë mes së kaluarës dhe së tashmes, ku shija e pastër vokale përzihet me një butësi interpretative që nuk imiton, por rilind.

Kjo qasje merr formën e saj më të plotë në “M’fal”, dueti me Bujar Qamilin. Aty, dy zëra nga dy breza takohen jo për të krahasuar forca, por për të shkëmbyer shpirtrat në një nevojë dëshmimi të vazhdimsisë. Nuk ka nevojë për shtresa efektesh studioje, fuqia e këngës qëndron tek sinqeriteti emocional, tek fryma që e mban notën gjallë më gjatë se kohëzgjatja e saj.

Në çdo interpretim të Mateusit, zëri nuk është vetëm mjet muzikal, është një bartës kujtese kolektive. Ai mbart histori të përbashkëta, mallin e qyteteve dhe fshatrave, buzëqeshjet dhe lotët e gjeneratave. Është një zë që nuk flet vetëm për të, por për ne të gjithë. Dhe pikërisht ky dimension estetik, ku teknika shërben ndjenjës dhe jo anasjelltas, e bën Mateus Frrokun një pikë referimi për mënyrën se si arti mund të jetë njëkohësisht i bukur, i vërtetë dhe i përjetshëm.

Performimi live, kur muzika bëhet frymëmarrje e përbashkët

Dritat e skenës ndizen ngadalë, si një agim që lind mes duarve të publikut. Një murmurimë e butë kalon mbi sallë, një pritje që rritet si valë deti para se të përplaset. Mateus Frroku del në skenë jo si një yll i largët, por si një mik i vjetër që vjen të të trokasë në derën e çdo zemre.

Kitarat marrin frymë, daullet matin rrahjet, dhe tingujt e parë shpërndahen në ajër si petale të lëshuara nga një dorë e padukshme. Publiku e di këngën, dhe kënga njësohet me publikun. Zërat bashkohen, jo si kor i mësuar, por si një rrëfim kolektiv ku secili shton ngjyrën e vet në tablonë festive. Çdo varg është një hap drejt njërit-tjetrit, çdo refren është një përqafim.

Nuk ka mure mes skenës dhe sallës, as role të ngrira, vetëm një lëvizje e përbashkët e shpirtit. Melodia nuk vjen nga altoparlantët, por nga brenda, nga një vend ku kujtimet, gëzimet dhe plagët lidhen me fijet e padukshme të muzikës. Në këtë gjendje, arti nuk është më një shfaqje, por një akt i pastër marrëdhënieje: një shikim në sy, një buzëqeshje e kapur në mes të një strofe, një ndjenjë që nuk kërkon fjalë.

Kur kënga mbaron, nuk është fundi, është një frymëmarrje e gjatë që mbetet pezull, një puls që vazhdon të rrahë edhe pasi dritat zbehen. Sepse aty, mbi atë skenë, ndodhi diçka më shumë se muzikë, ndodhi një takim i përjetshëm, ku arti u bë altar dhe publiku u bë pjesë e tij.

Bashkëpunimet e Mateus Frrokut, kapituj të një rrugëtimi artistik

"Më ke lënë kujtime" – Kënga Magjike 2015/ Një nga projektet më të njohura e më të dashura për publikun, por edhe një nga më të ngarkuarit emocionalisht për vetë Mateusin. Muzika e Kledi Bahitit, me atë elegancë harmonike që di të të mbajë pezull mes gëzimit dhe mallëngjimit, gjeti te teksti i Rozana Radit, një shpjegim poetik të dhimbjes së kujtesës. Mateusi ka folur gjithmonë me mirënjohje për këtë bashkëpunim: “Kledin e falënderoj për punën profesionale, Rozanën për punën shpirtërore që i dha jetë melodisë.” Kjo këngë nuk ishte vetëm një pjesëmarrje në një festival; ishte një dëshmi se muzika mund të bëhet kujtesë kolektive dhe personale njëkohësisht.

"Ti ëngjëll, unë Promethe", Festival i Këngës 2005/ Një bashkëpunim me Shpëtim Saraçin (muzikë) dhe Sokol Marsin (tekst), që shënoi një prej daljeve të para të rëndësishme të Mateusit në skenën e madhe. Kënga, e mbushur me metafora mitologjike, i dha mundësinë të eksploronte një dimension më të thellë interpretimi, ku zëri i tij nuk ishte vetëm instrument melodik, por edhe bartës i një rrëfimi dramatik. Ky projekt tregoi se Mateusi nuk kishte frikë nga temat e mëdha dhe kërkonte të sfidonte veten artistikisht.

"Trill i një nate", 2006/ Me muzikë nga Adrian Jorgji dhe tekst nga Marsela Jorgji, kjo këngë e solli Mateusin në një zonë më intime, më sensuale në emocion dhe interpretim. Ishte një eksperiment mbi bukurinë e çastit të përkohshëm, një këngë që flet për magjinë e një nate të vetme, por të paharrueshme.

"Testament dashurie", 2007/ Një duet i paharruar me Ani Cuedarin, kompozuar dhe shkruar nga Ardita Bufi dhe Arben Duka. Kjo këngë ishte një akt rrëfimi në formë testamentare, ku dashuria nuk trajtohej si një ndjenjë e përkohshme, por si një trashëgimi shpirtërore. Performanca e tyre solli në skenë një intimitet të rrallë mes dy zërave, duke e kthyer këngën në një dialog poetik.

"Shoqnia", 2024/ Një kthesë e freskët dhe energjike në repertorin e Mateusit. Në bashkëpunim me Adi Sybardhin dhe Bes Kallakun, me muzikë dhe tekst nga Edlir Begolli, kënga solli atmosferën e verës shqiptare me një humor të hollë dhe një frymë bashkësie. Regjia e Elvin Minajt dhe produksioni vizual nga Enis Cela Production e bënë projektin edhe më tërheqës. Publiku reagoi menjëherë, duke e kthyer “Shoqnia” në një hit që kumbonte në plazhe, makina dhe festa familjare.

"M’fal", duet me Bujar Qamilin/ Një takim brezash dhe zërash që rrallë ndodh në muzikën shqiptare. Një baladë e ngarkuar me mall, dhimbje dhe pendim, ku zëri i Mateusit ndërthuret me atë të mjeshtrit Bujar Qamili në një dialog të sinqertë dhe të dhembshëm. Kënga u përjetua nga publiku si një rrëfim i përbashkët për gjithçka që nuk u tha dhe për të gjitha kërkimfaljet që zemra i ruan brenda.

Bashkëpunimi me grupin “Fisnikët”/ Një kapitull tjetër ku Mateusi tregoi se mund të përshtatet me formate dhe stile të ndryshme muzikore pa humbur autenticitetin e tij. Ky bashkëpunim nuk ishte vetëm një shkrirje artistike, por edhe një takim energjish mes traditës dhe interpretimit modern.

Teatri, thirrja e brendshme e Mateus Frrokut

Nga skena e këngës në atë të teatrit, Mateus Frroku nuk ka bërë thjesht një hap artistik; ai ka ndjekur një thirrje të brendshme, si një udhëtar që gjen një portë të fshehtë drejt një bote tjetër. Një botë që, ndonëse ndryshme nga ajo e muzikës, mban në gjirin e saj të njëjtin thelb: fuqinë për të prekur dhe për t’u prekur, për të krijuar një marrëdhënie të gjallë, të përtejshme, me publikun.

Teatri për të nuk është një stacion paralel, por një territor ku fjala kthehet në materie të gjallë, ku çdo gjest, çdo heshtje, çdo frymëmarrje e ngarkuar nga ritmi i brendshëm mbart peshën e një kuptimi të ri. Është magjia e interpretimit që shpalos energjinë e fshehur mes vargjeve, duke e shndërruar çdo moment në një akt intim ndijimi. Në këtë lojë të ndjeshme, publiku nuk mbetet një spektator pasiv, por bëhet bashkëudhëtar në kërkimin e së vërtetës.

Në teatër, Mateusi na kujton se arti nuk është vetëm zbavitje e bukur, por edhe një takim i shpirtit me pasqyrën e vet. Ai nuk e sheh rolin si një kostum të huaj që vishet përkohësisht, por si një shtresë të vetes që pret të dalë nga heshtja dhe të shfaqet në dritë. Çdo personazh që ai mishëron nuk është një maskë që fshihet pas teknikës, por një fragment i shpirtit të tij që guxon të ndahet, të ekspozohet dhe të jetohet në sy të të tjerëve.

Kalimi nga muzika në teatër nuk është për të një ndarje, por një vazhdimësi. Është si një stinë tjetër e të njëjtës jetë artistike, ku tingulli zëvendësohet nga fjala dhe melodia nga heshtja që flet. Dhe pikërisht aty qëndron forca e tij: aftësia për t’i dhënë publikut jo vetëm një histori për t’u parë, por një të vërtetë për t’u ndjerë, një përjetim që nuk mbaron kur mbyllen perdet, por që rri pezull në shpirt, si një pyetje e hapur për vetveten.

Epilog

Në fund të këtij rrugëtimi, ku muzika dhe teatri shkrijnë kufijtë mes artit dhe jetës, Mateus Frroku mbetet një dëshmi e gjallë se arti nuk është një stoli për kohën, por një pasqyrë e shpirtit që e tejkalon atë. Ai nuk është thjesht një këngëtar, një aktor, një interpretues. Ai është një gjendje e brendshme, një drithërimë që të kaplon dhe nuk të lë, një kujtim i bukur që mbetet i gjallë në zëra, në sy, në përjetime që nuk shuajnë kurrë.

Në një epokë ku konsumimi i shpejtë përpiqet ta rrëzojë çdo gjë në vlerën e çastit, ai dëshmon se arti i vërtetë nuk plaket, nuk tjetërsohet dhe nuk shteron. Është si një këngë që, edhe pasi hesht, vazhdon të tingëllojë brenda nesh; si një rol teatror që, edhe pasi dritat mbyllen, na bën të rimendojmë vetveten dhe jetën tonë. Në këtë mënyrë, arti i tij nuk është vetëm shfaqje, por kujtesë, jo vetëm argëtim, por përjetim që e shënon shpirtin.

Mateus Frroku është ai udhëtar që nuk merr me vete vetëm duartrokitje, por lë pas dritë, buzëqeshje dhe mall. Ai nuk e shikon artin si një stacion të përkohshëm, por si një udhë që hapet gjithnjë e më tej, duke u bërë një proces i pandalshëm i dhurimit. Sepse për të, muzika dhe teatri nuk janë profesione, por mënyra më e natyrshme për të jetuar, për të dhënë kuptim dhe për të bartur te të tjerët një pjesë të vetes.

Dhe kështu, zëri i tij mbetet jo si një tingull që shuhet, por si një premtim që përsëritet: se arti i vërtetë është gjithnjë triumfi i shpirtit mbi kohën, një dëshmi se njeriu mund të jetë i përkohshëm, por ajo që shpall me artin e tij mbetet e përjetshme.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Vataj: Bud Spencer i filmave aksion dhe komik, në zemrën e bashkëshortes, Maria Amato Albert Vataj: Roza Xhuxha dhe Dhimitër Anagnosti, si lindi dashuria ikonike e kinematografisë, që sot u nda me lamtumirë dhe lot?! Albert Vataj: Arti i dëbuar nga moderniteti, i flokëve të gjata të shekullit XIX Albert Vataj: Naile Hoxha, këngëtarja që na la një trashëgimi që nuk është vetëm këngë Albert Vataj: Loro Kovaçi, shpirti i paepur që ngadhënjeu për të patur vendin e merituar në artin tonë skenik Albert Vataj: Kur era, të bukurën e bën me faj dhe të përbetuarin e grish në tundim Albert Vataj: Postmortum për Artur Zhejin Albert Vataj: Rikthehet në jetë zemra antike e olimpizmit në Amantian ilire Albert Vataj: Thirrja e dritshme e artit që sjell hyjnoren e biblikes Albert Vataj: Teodor Keko, zëri i shpirtit që u këput duke kënduar Albert Vataj: Gëzuar ditëlindjen President! Albert Vataj: 18 gushti i vitit 1850, nata e fundit e Honore de Balzak, sipas Viktor Hygo Albert Vataj: Përvjetori i një kryevepre të letërsisë Albert Vataj: Letra e 8 gushtit 1451 - Zëri i Krujës së Skënderbeut që troket në portat e Sienës Albert Vataj: Klodian Matija, historia e djalit nga Lezha, drejtori i parë jo-italian i Klubit Rotary Albert Vataj: Dom Ndre Mjeda, sipas dy figura monumentale të letrave shqipe, Ernest Koliqit dhe At Gjergj Fishta Albert Vataj: Zef Deda, një zemër e bardhë që driti me dashuri dhe talent traditën e artit skenik të Shkodrës Albert Vataj: Kostumi i grave të Mirditës... Albert Vataj: Shën Tereza... na thërret të gjithëve në lutje për t'i dhuruar vetes Zotin Albert Vataj: Fundi i fjalës së shtypur, një elegji për gazetën që shuhej ngadalë para syve tanë

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx