E merkure, 17.09.2025, 09:30 PM (GMT+1)

Kulturë » Vataj

Albert Vataj: Figura e gruas dhe zakoneve shqiptare, midis spektaklit dhe sakrificës, në romanin e Pashko Vasës, 'Bardha e Temalit'

E merkure, 17.09.2025, 06:53 PM


Figura e gruas dhe zakoneve shqiptare, midis spektaklit dhe sakrificës, në romanin e Pashko Vasës, “Bardha e Temalit”

Nga Albert Vataj

Romani “Bardha e Temalit” i Pashko Vasës, është një vepër e rrallë dhe e rëndësishme në letërsinë shqiptare, jo vetëm për vlerat artistike, por edhe për rolin e saj në afirmimin e identitetit kulturor shqiptar në Europë.

Pashko Vasa (Albanus Albano) e shkroi romanin në gjuhën frënge, me titullin “Bardha de Témal”, Scènes de la vie albanaise, botuar në Paris më 1890 nga shtëpia botuese Albert Savine.

Vepra u shkrua në një kohë kur Europa kishte interes për “eksotikën” e Ballkanit, dhe Vasa Pash Shkodrani e përdori këtë dritare për të prezantuar zakonet, ndjenjat dhe sfidat e shqiptarëve.

Romani përshkruan një histori dashurie tragjike mes Bardhës, një vajze qytetare nga Shkodra, dhe Lulit, një bajraktar nga Temali.

Konflikti lind nga përplasja e zakoneve malësore me ndjenjat e individit, ku Bardha shihet si “e huaj” dhe “e padenjë” nga gratë e malit, për shkak të prejardhjes dhe sjelljes së saj.

Në romanin “Bardha e Temalit”, Pashko Vasa, nën pseudonimin Albanus Albano, ndërton një tablo të pasur dhe dramatike të jetës shqiptare, ku përplasja mes qytetërimit dhe malësisë, ndjenjës dhe zakonit, individit dhe kolektivit, merr trajtën e një tragjedie. Fragmenti që përshkruan kthimin e Bardhës në shtëpinë e prindërve të saj është një skenë e ngarkuar me tension kulturor dhe simbolikë të thellë, por trajtimi që i bëhet meriton një vështrim kritik që shkon përtej sipërfaqes së spektaklit.

Figura e Bardhës, Viktimë apo heroinë?

Vetëm mund të magjinohet dhe të përfytyrohet dinamika e një skene të tillë, të dalë nga mjeshtëria dhe thellësia e penës së Pashko Vasës. Bardha përshkruhet si një “fëmijë e gjorë”, e heshtur, e mbuluar me vellon e bardhë, që kalëron mes një kortezhi të zhurmshëm burrash malësorë. Ajo nuk flet, nuk kundërshton, nuk shpreh ndjenjë, ajo është një trup “i pajetë”, një simbol i sakrificës, një viktimë e një martese që nuk e zgjodhi, por e pranoi. Në këtë trajtim, Bardha nuk është subjekt i historisë, por objekt i saj. Ajo bart peshën e paragjykimeve dhe dhunës simbolike që shoqëria i rezervon gruas së ndryshme, një peshë e rëndë që sfidon gjet e ndjenjave dhe përjetimeve, vullnetin e atyre që duan të shikojnë veten jashtë këtij qerthulli, por ata munden thjeshtë të binden, duke përmbushur me pamëshirë këtë vullnet tragjik që ushtron sipas ligjeve dhe kodeve të saja, të udhëtuar në kohë dhe në pamundësi për të ndryshuar.

Ky përshkrim, ndonëse i fuqishëm vizualisht, e redukton Bardhën në një figurë pasive, duke e zhveshur nga potenciali i saj për të qenë një zë kritik ndaj zakoneve patriarkale. Në vend që të jetë një heroinë që sfidon normat, ajo kthehet në një emblemë të dhimbjes, të përçmimit dhe të heshtjes. Asaj i mbetet thjeshtë të bindet, sepse ligjësia mbi të cilën ata kanë ndërtuar dhe diferencuar jetët dhe përkatësisë e tyre, është shumë më e fortë se çdo kurajë për t’iu kundërvënë, se çdo pasion që thirret në këtë skenë për të shpallur për të hyrë në një betejë humbëse.

Malësorët, mes stereotipit dhe krenarisë

Malësorët përshkruhen si “gjysmë të egër”, të paaftë për delikatesë, të motivuar vetëm nga krenaria e klanit dhe dëshira për të shfaqur forcën. Ky trajtim, ndonëse i zakonshëm në letërsinë e shekullit XIX, bie në një stereotipizim që e redukton kompleksitetin e kulturës malësore në një karikaturë të burrërisë së verbër që sfidon ligjet e humanitetit, për të përfaqësuar ashpërsinë e kodeve zakonore dhe normës që u gatua në egërsinë e atyre maleve, pa mundur do të zbusi njeriu edhe në përballje me një nga ndjenjat më të fuqishme dhe më transformuese, dashurisë. Në vend që të paraqiten si bartës të një tradite të pasur dhe të ndërlikuar, ata shfaqen si spektatorë të një rituali që nuk kuptojnë, por e kryejnë për të ruajtur statusin. Nuk ka altërnativë. Ka vetëm evidentim kokëfortë i një pandryshueshmërie që përdor njerëzit, duke i shndërruar ata në aktorë në një tragjikomedie.

Kortezhi i tyre nuk është akt nderimi, por demonstrim force. Ata nuk e përcjellin Bardhën për respekt, por për të kënaqur krenarinë e bajraktarit. Në këtë mënyrë, spektakli i burrërisë mbulon vuajtjen e individit, duke e kthyer ceremoninë në një paradë të dhunës simbolike, në një spëktakël të pamëshirshëm, ku figurat lëvizin në këtë skenë të ftohtë si hije të zeza që dali nga thellësia e kohës.

Narrativa, mes etnografisë dhe introspeksionit

Trajtimi i skenës është i pasur me detaje etnografike: veshjet, ritualet, reagimet e turmës, përshkrimi i rrugëve të Shkodrës. Por ajo që mungon është introspeksioni. Nuk ka përshkrim të ndjenjave të Bardhës, të mendimeve të saj, të dilemave të saj. Ajo nuk është një personazh, por një pamje. Kjo e bën skenën të fuqishme vizualisht, por të varfër emocionalisht. Ajo është një vdekur, së cilës i duhet të luaj rolin e një të gjalle që është zgjuar nga vdekja për të përmbushur brutalitetin e një kodike zakonore që sundon, njeriun si qënie dhe shoqërinë si produkt i ngurtë i një realiteti që zhvendos gjithçka, pa qasjen për t’iu nënshtruar një transformimi.

Në vend që të eksplorojë dramën e brendshme të gruas që përplaset mes dy botëve, trajtimi mbetet në sipërfaqen e spektaklit, në një skenë teatri absurd. Kjo është një mungesë që e dobëson potencialin kritik të romanit, duke e kthyer në një tablo më shumë për syrin sesa për zemrën, e pse jo, krejt një pasqyrim thelbësor i një fanatizmi që përdor njerëzit dhe kohën e bën të pafuqishme për të sjellë ndryshim.

Bardha si thirrje për ndryshim

Megjithatë, nëse lexojmë përtej fjalëve, Bardha mund të shihet si një figurë që denoncon heshturazi dhunën e zakoneve. Kuptimi i themeltë i pasqyrimit të Pashko Vasës është jo vetëm vizatimi me besnikëri që ai i bë një realiteti, por edhe nevojës që vetë ky realitet thërret për ndryshim. Velloja e bardhë, heshtja, sytë e ulur, janë shenja të një proteste të heshtur, të një refuzimi që nuk ka zë, por ka peshë, elemente të cilat kanë ardhur deri në ditët tona si tregues të një solemniteti, me të cilin tradita zakonore e vesh këtë ritual. Ajo nuk kundërshton me fjalë, por me praninë e saj të ndryshme, me elegancën e saj, me ndjeshmërinë që nuk përputhet me kodin e malësisë, dhe ky është një reagim që u drejtohet atyre që duan të shohin dhe të kuptojnë përtej fasadës, të futen thellë në botën shpirtërore të personazhit dhe të zhveshin lëkurën, me të cilën realiteti mbështillet për të qenë jo vetëm e përfaqësuar, por edhe e mbrojtur. Në një farë mënyre një korace të papërshkrueshme, që duhen vullnete të fuqishme përjetimi që të munda ta çajnë atë, për ta shpërbërë dhe për t’ia shpërfaqur botës me lakuriqsinë e vet, vërtetësisht dhe ngutësisht të prirur për ballafaqim dhe ndryshim.

Në këtë kuptim, trajtimi i Albanus Albanos (Pashko Vasës) është i ndershëm në pasqyrimin e realitetit, por i njëanshëm në interpretimin e tij. Ai e ekspozon dhunën e zakoneve, por nuk e artikulon mjaftueshëm dramën e individit si zë kritik. Bardha mbetet një figurë e heshtur, kur mund të ishte një zë që sfidon.

Dinamika e zhvillimit kulmor

"Luli, bajraktar i fisit Temal, ishte i ri, trim, i flaktë; e donte të bukurën, të madhen dhe mbi të gjitha të renë. Në pamundësi, për mungesë edukimi dhe mjetesh, për të kryer veprime brilante, apo për t’u përfshirë si të parët e tij, në luftime të përgjakshme me fiset fqinje, ai donte të tërhiqte vëmendjen e publikut me një shtysë të paparë në traditat e tij familjare. Ai, burri i malit, kërkoi dhe mori dorën e një vajze të re nga Shkodra, duke u larguar përmes këtij ekscentriciteti nga zakonet e burrave të fisit të tij, të cilët i vlerësojnë gratë vetëm për forcën e tyre fizike, guximin e tyre dhe numrin e fëmijëve meshkuj që ajo i jep të shoqit dhe që, për rrjedhojë, nuk urrejnë asgjë sa aleancat me vajzat e fushës, të cilat i konsiderojnë si krijesa të dobëta dhe të padenja për t’u quajtur nëna nga djemtë e malit.

Duke celebruar këtë martesë, Luli kishte marrë damkën e klanit të tij; e kishin kundërshtuar, madje ishin indinjuar nga fakti që trashëgimtari i krerëve të Temalit, nëpërmjet aleancës së tij me banorët e qytetit, kishte hequr dorë nga avantazhet e një bashkimi më të përshtatshëm me vajzën e një kryemalësori (bajraktari tjetër). Pra, Bardha e gjorë konsiderohej vetëm një “spiune”; fustanet e saj të qëndisura me ar, perlat dhe veshja e saj elegante i bënin gratë e maleve të llafazanonin, të tronditura nga luksi që ajo shfaqte…

Pavarësisht largësisë që Bardha frymëzoi në to, Temalistët, pasi mësuan se ajo duhej të shkonte te prindërit e saj, nxituan të zgjidhnin një grup prej njëqind burrash, midis malësorëve më të guximshëm, të armatosur mirë, të mësuar mirë, për të shërbyer si përcjellës i saj. Nuk ishte me qëllim që ta kënaqnin atë që ata kishin qenë kaq të vëmendshëm, sepse kjo procedurë delikate nuk ishte në harmoni me natyrën e këtyre burrave gjysmë të egër; aparati ushtarak që ata donin të vendosnin me këtë rast ishte vetëm për shkak të dëshirës për të shfaqur fuqinë e udhëheqësit të tyre, duke kënaqur krenarinë e tyre.

Bardha hipi mbi një kalë të bardhë të zbukuar plot me luks oriental; dy gra e ndiqnin me mushka. Përpara saj ecnin rreth njëzet të rinj; pjesa tjetër e kortezhit e ndiqte.

Gjatë udhëtimit, gjithçka që bënë ishte të këndonin, të bërtisnin dhe të qëllonin; herë pas here ndalonin për të pushuar pak e për të pirë për shëndetin e bajraktarit. Sa për gruan, nuk bëhej fjalë për këtë.

Me të mbërritur pranë rrugicës që të çonte në fshat, malësorët ndezën një zjarr në radhë, të cilit iu përgjigjën disa të shtëna pistolete, të qëlluara nga kureshtarët, të cilët, të përzier me gratë, prisnin që Bardha të kalonte.

Kortezhi ndoqi itinerarin e tij nëpër rrugët e qytetit, mes këngëve dhe krismave të pushkëve të malësorëve, mes urimeve të zhurmshme që gratë i drejtonin nuses së re dhe komenteve të larmishme të shkodranëve, vështrimet intriguese të të cilëve drejtoheshin nga dritaret e mbushura me gra të mbuluara që kishin lënë punët e shtëpisë për të parë këtë spektakël të pazakontë.

Teksa kortezhi i afrohej shtëpisë së babait të Bardhës, numri i kureshtarëve shtohej. Për banorët e Shkodrës ishte një ardhje thuajse e paprecedentë; sepse një vajzë e re e qytetit nuk ishte martuar kurrë me një malësor; kurrë nuk kishte ecur një grua në rrugë e ndjekur nga një procesion kaq i zhurmshëm dhe madhështor. Kudo turma u rreshtua për të lënë Bardhën dhe shoqëruesit e saj të kalonin; kudo e përshëndetnin dhe e brohorisnin. Por fëmija e gjorë kalëronte në mes të gjithë këtyre njerëzve, me sytë e saj të zhytur dhe të mbuluar me një vello të bardhë si një viktimë e çuar në sakrificë, duke mos parë askënd dhe duke mos iu përgjigjur urimeve dhe komplimenteve që gratë i drejtonin vazhdimisht me lëvizje të lehta të kokës në formë nderimi.

Kur mbërriti para shtëpisë së babait të saj, dera e madhe u hap dhe mundësoi pamjen e një turme të afërmish të të dyja gjinive që ishin mbledhur për ta pritur e për ti uruar mirëseardhjen. U vërsulën drejt saj. Vëllai e kapi nga beli dhe e zbriti nga kali, duke bërtitur nga gëzimi dhe duke e mirëpritur. Mezi vuri këmbën në tokë, kur e gjeti veten në krahët e nënës së saj, dhe, në këtë përqafim, nënë e bijë i thanë njëra-tjetrës më shumë gjëra nga sa mund të shkruanim brenda një dite.”

Në përvjetorin e 200-të të lindjes së Pashko Vasës, ky roman na fton të reflektojmë jo vetëm mbi historinë, por mbi mënyrën si e tregojmë atë, e pse jo, se si u lexua dhe u kuptua, se si kërkoi vendin e vet të trajtimit dhe se si kaloi pa mundur të shërbejë si një akt revulucionar, ku ndjenja do të udhëprinte individin dhe vetë individi do të bënte normë të shoqërisë.

“Bardha e Temalit” nuk është thjesht një histori dashurie e pamundur, por një thirrje për të parë gruan shqiptare jo si viktimë të zakoneve, por si zë të ndryshimit. Dhe ky zë, edhe kur është i heshtur, ka fuqinë të tronditë themelet e traditës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Vataj: Lec Bushati, aktori që solli në artin skenik thellësinë shpirtërore dhe epikën e personazhit Albert Vataj: Udha që të shpie te dija, sipas gjigandëve të mendimit filozofik Albert Vataj: Komedia që zgjon kujtesën e artë të Shkodrës së artit të vitit 1919 Albert Vataj: Në një moshë të tillë... kur ti guxon të jesh vetja Albert Vataj: Këmbët e Nënë Terezës, këmbët e deformuara nga lodhja dhe mundimet, këmbët që ecën mbi dhembje në rrugën e kalvarit Albert Vataj: Thirrje nga historia i kujtesë kombëtare, 31 gusht 1919, zëri i Komitetit 'Mbrojtja Kombëtare e Kosovës' Albert Vataj: Shenjtëria e shnjtëreshës shqiptare, Nënë Tereza, përmes shenjtërisë së fjalës dhe diellit të mendimit Albert Vataj: Mateus Frroku, artisti rrezatues i mirësisë dhe pozitivitetit, zëri i shpirtshëm i këngës shqiptare Albert Vataj: Bud Spencer i filmave aksion dhe komik, në zemrën e bashkëshortes, Maria Amato Albert Vataj: Roza Xhuxha dhe Dhimitër Anagnosti, si lindi dashuria ikonike e kinematografisë, që sot u nda me lamtumirë dhe lot?! Albert Vataj: Arti i dëbuar nga moderniteti, i flokëve të gjata të shekullit XIX Albert Vataj: Naile Hoxha, këngëtarja që na la një trashëgimi që nuk është vetëm këngë Albert Vataj: Loro Kovaçi, shpirti i paepur që ngadhënjeu për të patur vendin e merituar në artin tonë skenik Albert Vataj: Kur era, të bukurën e bën me faj dhe të përbetuarin e grish në tundim Albert Vataj: Postmortum për Artur Zhejin Albert Vataj: Rikthehet në jetë zemra antike e olimpizmit në Amantian ilire Albert Vataj: Thirrja e dritshme e artit që sjell hyjnoren e biblikes Albert Vataj: Teodor Keko, zëri i shpirtit që u këput duke kënduar Albert Vataj: Gëzuar ditëlindjen President! Albert Vataj: 18 gushti i vitit 1850, nata e fundit e Honore de Balzak, sipas Viktor Hygo

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx