| E merkure, 17.09.2025, 06:53 PM |
Figura e gruas dhe zakoneve shqiptare, midis spektaklit dhe sakrificës, në romanin e Pashko Vasës, “Bardha e Temalit”
Nga
Albert Vataj
Romani
“Bardha e Temalit” i Pashko Vasës, është një vepër e rrallë dhe e rëndësishme
në letërsinë shqiptare, jo vetëm për vlerat artistike, por edhe për rolin e saj
në afirmimin e identitetit kulturor shqiptar në Europë.
Pashko
Vasa (Albanus Albano) e shkroi romanin në gjuhën frënge, me titullin “Bardha de
Témal”, Scènes de la vie albanaise, botuar në Paris më 1890 nga shtëpia botuese
Albert Savine.
Vepra
u shkrua në një kohë kur Europa kishte interes për “eksotikën” e Ballkanit, dhe
Vasa Pash Shkodrani e përdori këtë dritare për të prezantuar zakonet, ndjenjat
dhe sfidat e shqiptarëve.
Romani
përshkruan një histori dashurie tragjike mes Bardhës, një vajze qytetare nga
Shkodra, dhe Lulit, një bajraktar nga Temali.
Konflikti
lind nga përplasja e zakoneve malësore me ndjenjat e individit, ku Bardha
shihet si “e huaj” dhe “e padenjë” nga gratë e malit, për shkak të prejardhjes
dhe sjelljes së saj.
Në
romanin “Bardha e Temalit”, Pashko Vasa, nën pseudonimin Albanus Albano,
ndërton një tablo të pasur dhe dramatike të jetës shqiptare, ku përplasja mes
qytetërimit dhe malësisë, ndjenjës dhe zakonit, individit dhe kolektivit, merr
trajtën e një tragjedie. Fragmenti që përshkruan kthimin e Bardhës në shtëpinë
e prindërve të saj është një skenë e ngarkuar me tension kulturor dhe simbolikë
të thellë, por trajtimi që i bëhet meriton një vështrim kritik që shkon përtej
sipërfaqes së spektaklit.
Figura e Bardhës,
Viktimë apo heroinë?
Vetëm
mund të magjinohet dhe të përfytyrohet dinamika e një skene të tillë, të dalë
nga mjeshtëria dhe thellësia e penës së Pashko Vasës. Bardha përshkruhet si një
“fëmijë e gjorë”, e heshtur, e mbuluar me vellon e bardhë, që kalëron mes një
kortezhi të zhurmshëm burrash malësorë. Ajo nuk flet, nuk kundërshton, nuk
shpreh ndjenjë, ajo është një trup “i pajetë”, një simbol i sakrificës, një
viktimë e një martese që nuk e zgjodhi, por e pranoi. Në këtë trajtim, Bardha
nuk është subjekt i historisë, por objekt i saj. Ajo bart peshën e
paragjykimeve dhe dhunës simbolike që shoqëria i rezervon gruas së ndryshme,
një peshë e rëndë që sfidon gjet e ndjenjave dhe përjetimeve, vullnetin e atyre
që duan të shikojnë veten jashtë këtij qerthulli, por ata munden thjeshtë të
binden, duke përmbushur me pamëshirë këtë vullnet tragjik që ushtron sipas
ligjeve dhe kodeve të saja, të udhëtuar në kohë dhe në pamundësi për të
ndryshuar.
Ky
përshkrim, ndonëse i fuqishëm vizualisht, e redukton Bardhën në një figurë
pasive, duke e zhveshur nga potenciali i saj për të qenë një zë kritik ndaj
zakoneve patriarkale. Në vend që të jetë një heroinë që sfidon normat, ajo
kthehet në një emblemë të dhimbjes, të përçmimit dhe të heshtjes. Asaj i mbetet
thjeshtë të bindet, sepse ligjësia mbi të cilën ata kanë ndërtuar dhe
diferencuar jetët dhe përkatësisë e tyre, është shumë më e fortë se çdo kurajë
për t’iu kundërvënë, se çdo pasion që thirret në këtë skenë për të shpallur për
të hyrë në një betejë humbëse.
Malësorët, mes
stereotipit dhe krenarisë
Malësorët
përshkruhen si “gjysmë të egër”, të paaftë për delikatesë, të motivuar vetëm
nga krenaria e klanit dhe dëshira për të shfaqur forcën. Ky trajtim, ndonëse i
zakonshëm në letërsinë e shekullit XIX, bie në një stereotipizim që e redukton
kompleksitetin e kulturës malësore në një karikaturë të burrërisë së verbër që
sfidon ligjet e humanitetit, për të përfaqësuar ashpërsinë e kodeve zakonore
dhe normës që u gatua në egërsinë e atyre maleve, pa mundur do të zbusi njeriu
edhe në përballje me një nga ndjenjat më të fuqishme dhe më transformuese,
dashurisë. Në vend që të paraqiten si bartës të një tradite të pasur dhe të
ndërlikuar, ata shfaqen si spektatorë të një rituali që nuk kuptojnë, por e
kryejnë për të ruajtur statusin. Nuk ka altërnativë. Ka vetëm evidentim
kokëfortë i një pandryshueshmërie që përdor njerëzit, duke i shndërruar ata në
aktorë në një tragjikomedie.
Kortezhi
i tyre nuk është akt nderimi, por demonstrim force. Ata nuk e përcjellin
Bardhën për respekt, por për të kënaqur krenarinë e bajraktarit. Në këtë
mënyrë, spektakli i burrërisë mbulon vuajtjen e individit, duke e kthyer
ceremoninë në një paradë të dhunës simbolike, në një spëktakël të pamëshirshëm,
ku figurat lëvizin në këtë skenë të ftohtë si hije të zeza që dali nga
thellësia e kohës.
Narrativa, mes
etnografisë dhe introspeksionit
Trajtimi
i skenës është i pasur me detaje etnografike: veshjet, ritualet, reagimet e
turmës, përshkrimi i rrugëve të Shkodrës. Por ajo që mungon është
introspeksioni. Nuk ka përshkrim të ndjenjave të Bardhës, të mendimeve të saj,
të dilemave të saj. Ajo nuk është një personazh, por një pamje. Kjo e bën
skenën të fuqishme vizualisht, por të varfër emocionalisht. Ajo është një
vdekur, së cilës i duhet të luaj rolin e një të gjalle që është zgjuar nga
vdekja për të përmbushur brutalitetin e një kodike zakonore që sundon, njeriun
si qënie dhe shoqërinë si produkt i ngurtë i një realiteti që zhvendos
gjithçka, pa qasjen për t’iu nënshtruar një transformimi.
Në
vend që të eksplorojë dramën e brendshme të gruas që përplaset mes dy botëve,
trajtimi mbetet në sipërfaqen e spektaklit, në një skenë teatri absurd. Kjo
është një mungesë që e dobëson potencialin kritik të romanit, duke e kthyer në
një tablo më shumë për syrin sesa për zemrën, e pse jo, krejt një pasqyrim
thelbësor i një fanatizmi që përdor njerëzit dhe kohën e bën të pafuqishme për
të sjellë ndryshim.
Bardha si thirrje për
ndryshim
Megjithatë,
nëse lexojmë përtej fjalëve, Bardha mund të shihet si një figurë që denoncon
heshturazi dhunën e zakoneve. Kuptimi i themeltë i pasqyrimit të Pashko Vasës
është jo vetëm vizatimi me besnikëri që ai i bë një realiteti, por edhe nevojës
që vetë ky realitet thërret për ndryshim. Velloja e bardhë, heshtja, sytë e
ulur, janë shenja të një proteste të heshtur, të një refuzimi që nuk ka zë, por
ka peshë, elemente të cilat kanë ardhur deri në ditët tona si tregues të një
solemniteti, me të cilin tradita zakonore e vesh këtë ritual. Ajo nuk kundërshton
me fjalë, por me praninë e saj të ndryshme, me elegancën e saj, me ndjeshmërinë
që nuk përputhet me kodin e malësisë, dhe ky është një reagim që u drejtohet
atyre që duan të shohin dhe të kuptojnë përtej fasadës, të futen thellë në
botën shpirtërore të personazhit dhe të zhveshin lëkurën, me të cilën realiteti
mbështillet për të qenë jo vetëm e përfaqësuar, por edhe e mbrojtur. Në një
farë mënyre një korace të papërshkrueshme, që duhen vullnete të fuqishme
përjetimi që të munda ta çajnë atë, për ta shpërbërë dhe për t’ia shpërfaqur
botës me lakuriqsinë e vet, vërtetësisht dhe ngutësisht të prirur për
ballafaqim dhe ndryshim.
Në
këtë kuptim, trajtimi i Albanus Albanos (Pashko Vasës) është i ndershëm në
pasqyrimin e realitetit, por i njëanshëm në interpretimin e tij. Ai e ekspozon
dhunën e zakoneve, por nuk e artikulon mjaftueshëm dramën e individit si zë
kritik. Bardha mbetet një figurë e heshtur, kur mund të ishte një zë që sfidon.
Dinamika e zhvillimit
kulmor
"Luli,
bajraktar i fisit Temal, ishte i ri, trim, i flaktë; e donte të bukurën, të
madhen dhe mbi të gjitha të renë. Në pamundësi, për mungesë edukimi dhe
mjetesh, për të kryer veprime brilante, apo për t’u përfshirë si të parët e
tij, në luftime të përgjakshme me fiset fqinje, ai donte të tërhiqte vëmendjen
e publikut me një shtysë të paparë në traditat e tij familjare. Ai, burri i
malit, kërkoi dhe mori dorën e një vajze të re nga Shkodra, duke u larguar
përmes këtij ekscentriciteti nga zakonet e burrave të fisit të tij, të cilët i
vlerësojnë gratë vetëm për forcën e tyre fizike, guximin e tyre dhe numrin e
fëmijëve meshkuj që ajo i jep të shoqit dhe që, për rrjedhojë, nuk urrejnë
asgjë sa aleancat me vajzat e fushës, të cilat i konsiderojnë si krijesa të
dobëta dhe të padenja për t’u quajtur nëna nga djemtë e malit.
Duke
celebruar këtë martesë, Luli kishte marrë damkën e klanit të tij; e kishin
kundërshtuar, madje ishin indinjuar nga fakti që trashëgimtari i krerëve të
Temalit, nëpërmjet aleancës së tij me banorët e qytetit, kishte hequr dorë nga
avantazhet e një bashkimi më të përshtatshëm me vajzën e një kryemalësori
(bajraktari tjetër). Pra, Bardha e gjorë konsiderohej vetëm një “spiune”;
fustanet e saj të qëndisura me ar, perlat dhe veshja e saj elegante i bënin
gratë e maleve të llafazanonin, të tronditura nga luksi që ajo shfaqte…
Pavarësisht
largësisë që Bardha frymëzoi në to, Temalistët, pasi mësuan se ajo duhej të
shkonte te prindërit e saj, nxituan të zgjidhnin një grup prej njëqind burrash,
midis malësorëve më të guximshëm, të armatosur mirë, të mësuar mirë, për të
shërbyer si përcjellës i saj. Nuk ishte me qëllim që ta kënaqnin atë që ata
kishin qenë kaq të vëmendshëm, sepse kjo procedurë delikate nuk ishte në
harmoni me natyrën e këtyre burrave gjysmë të egër; aparati ushtarak që ata
donin të vendosnin me këtë rast ishte vetëm për shkak të dëshirës për të
shfaqur fuqinë e udhëheqësit të tyre, duke kënaqur krenarinë e tyre.
Bardha
hipi mbi një kalë të bardhë të zbukuar plot me luks oriental; dy gra e ndiqnin
me mushka. Përpara saj ecnin rreth njëzet të rinj; pjesa tjetër e kortezhit e
ndiqte.
Gjatë
udhëtimit, gjithçka që bënë ishte të këndonin, të bërtisnin dhe të qëllonin;
herë pas here ndalonin për të pushuar pak e për të pirë për shëndetin e
bajraktarit. Sa për gruan, nuk bëhej fjalë për këtë.
Me
të mbërritur pranë rrugicës që të çonte në fshat, malësorët ndezën një zjarr në
radhë, të cilit iu përgjigjën disa të shtëna pistolete, të qëlluara nga
kureshtarët, të cilët, të përzier me gratë, prisnin që Bardha të kalonte.
Kortezhi
ndoqi itinerarin e tij nëpër rrugët e qytetit, mes këngëve dhe krismave të
pushkëve të malësorëve, mes urimeve të zhurmshme që gratë i drejtonin nuses së
re dhe komenteve të larmishme të shkodranëve, vështrimet intriguese të të
cilëve drejtoheshin nga dritaret e mbushura me gra të mbuluara që kishin lënë
punët e shtëpisë për të parë këtë spektakël të pazakontë.
Teksa
kortezhi i afrohej shtëpisë së babait të Bardhës, numri i kureshtarëve shtohej.
Për banorët e Shkodrës ishte një ardhje thuajse e paprecedentë; sepse një vajzë
e re e qytetit nuk ishte martuar kurrë me një malësor; kurrë nuk kishte ecur
një grua në rrugë e ndjekur nga një procesion kaq i zhurmshëm dhe madhështor.
Kudo turma u rreshtua për të lënë Bardhën dhe shoqëruesit e saj të kalonin;
kudo e përshëndetnin dhe e brohorisnin. Por fëmija e gjorë kalëronte në mes të
gjithë këtyre njerëzve, me sytë e saj të zhytur dhe të mbuluar me një vello të
bardhë si një viktimë e çuar në sakrificë, duke mos parë askënd dhe duke mos iu
përgjigjur urimeve dhe komplimenteve që gratë i drejtonin vazhdimisht me
lëvizje të lehta të kokës në formë nderimi.
Kur
mbërriti para shtëpisë së babait të saj, dera e madhe u hap dhe mundësoi pamjen
e një turme të afërmish të të dyja gjinive që ishin mbledhur për ta pritur e
për ti uruar mirëseardhjen. U vërsulën drejt saj. Vëllai e kapi nga beli dhe e
zbriti nga kali, duke bërtitur nga gëzimi dhe duke e mirëpritur. Mezi vuri
këmbën në tokë, kur e gjeti veten në krahët e nënës së saj, dhe, në këtë
përqafim, nënë e bijë i thanë njëra-tjetrës më shumë gjëra nga sa mund të
shkruanim brenda një dite.”
Në
përvjetorin e 200-të të lindjes së Pashko Vasës, ky roman na fton të
reflektojmë jo vetëm mbi historinë, por mbi mënyrën si e tregojmë atë, e pse
jo, se si u lexua dhe u kuptua, se si kërkoi vendin e vet të trajtimit dhe se
si kaloi pa mundur të shërbejë si një akt revulucionar, ku ndjenja do të
udhëprinte individin dhe vetë individi do të bënte normë të shoqërisë.
“Bardha
e Temalit” nuk është thjesht një histori dashurie e pamundur, por një thirrje
për të parë gruan shqiptare jo si viktimë të zakoneve, por si zë të ndryshimit.
Dhe ky zë, edhe kur është i heshtur, ka fuqinë të tronditë themelet e traditës.