Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Vataj: Ndahet nga jeta “kryeashiku i ahengut shkodran”, Agim Molla, zëri autentik i një tradite

| E enjte, 18.09.2025, 06:58 PM |


Ndahet nga jeta “kryeashiku i ahengut shkodran”, Agim Molla, zëri autentik i një tradite

Nga Albert Vataj

Me ndarjen nga jeta të Agim Mollës, Shkodra humbi një nga figurat më të dashura dhe më autentike të shpirtit të saj muzikor. Ai nuk ishte i famshëm në kuptimin e skenave të mëdha, të festivaleve apo të ekranit kombëtar, por ishte i madh në atë që përfaqësonte: një ikonë të ahengut, një shpirt bohem që u bë mishërim i gëzimit dhe melankolisë së këngës qytetare shkodrane.

Agim Molla nuk kërkoi kurrë protagonizëm, por e jetoi artin e tij si një mision të heshtur e të përhershëm. Ai ishte aty ku kënga merrte jetë: në tubime familjare, në lokale, në ndeja miqësore, në mbrëmje që s’përfundonin pa ritmin e ahengut. Për shkodranët, prania e tij ishte vetë prania e këngës, ajo ngrohtësi e pashpjegueshme që krijon vetëm arti kur lind nga shpirt i pastër.

Ai ishte “ahengxhija më i vjetër i qytetit”, por edhe më i dashuri. Jo vetëm sepse e zotëronte një repertor prej mbi 350-400 këngësh të ahengut, të kënduara me kujtesë brilante, por sepse çdo varg që dilte nga goja e tij kishte shijen e origjinalitetit dhe peshën e një trashëgimie të çmuar. Kënga për të nuk ishte stoli, nuk ishte shfaqje, ishte frymë, jetë dhe identitet.

Në një akt të rrallë nderimi, BBC Music, dy vite më parë, i masterizoi këngët e tij në studiot e Radio Shkodrës, duke i ruajtur si trashëgimi të përjetshme të kulturës shpirtërore shqiptare. Ky gjest jo vetëm e përjetësoi artin e tij, por i dha Agim Mollës vendin që i takonte: atë të një kujtese të gjallë të qytetit dhe një thesari që nuk do të shuhet kurrë.

Figura e tij mbetet simbolike jo vetëm për artin, por edhe për shpirtin e qytetit. “Kryeashiku i ahengut” ishte një emërtim që ia dha vetë populli i tij, një titull që nuk fitohet me diploma apo çmime, por me dashuri, me respekt dhe me mirënjohje të gjeneratave. Në festivalin e 12-të të “Ahengut Shkodran”, ku ai u ngjit përkrah artistëve si Mukades Çanga, u pa qartë se Agim Molla nuk ishte thjesht një këngëtar, por një gjendje shpirtërore, një frymë që ndizte atmosferën dhe bashkonte njerëzit në një përjetim të rrallë kolektiv.

Kënga e tij ishte lirike, plot pasion dhe intimitet, por mbi të gjitha ishte autentike. Në tingujt e saj gjendje një qytet i tërë, me historinë, me dashurinë, me gëzimin e hidhur e të ëmbël që vetëm Shkodra di ta ruajë e ta shpërfaqë.

Agim Molla ishte një rrëfimtar i jetës së thjeshtë, i dashurive të pafundme, i humorit popullor dhe i dramës së brendshme që kënga e ahengut mbart prej shekujsh. Ai u bë urë mes brezave, duke e përcjellë trashëgiminë e këngës tek të rinjtë, pa e ndryshuar, pa e falsifikuar, por duke e mbajtur të pastër, siç ia kishin lënë të parët.

Me ikjen e tij, Shkodra humbi një zë, por fitoi një legjendë. Agim Molla nuk është më fizikisht mes nesh, por kënga e tij do të vazhdojë të gjallojë në çdo ndejë, në çdo valle, në çdo atmosferë që kërkon gëzim e dritë. Ai nuk ikën, sepse kënga nuk ikën. Ai mbetet përjetësisht një pjesë e pandashme e shpirtit shkodran.

Shpirti i tij u shua, por kënga e tij është e pavdekshme.