E diele, 21.09.2025, 05:08 PM (GMT+1)

Kulturë » Vataj

Albert Vataj: Hannah Arendt dhe rreziku i një bote pa të vërtetën

E shtune, 20.09.2025, 06:53 PM


Hannah Arendt dhe rreziku i një bote pa të vërtetën

Nga Albert Vataj

Ka momente kur njeriu e ndien se e vërteta nuk është më e sigurt. Kur fjalët rrëshqasin në sheshin publik, kur gënjeshtra vesh petkun e së vërtetës dhe e vërteta ngatërrohet me trillimin, atëherë lind frika më e thellë: humbja e aftësisë për të gjykuar.

Këtë ankth të kohëve moderne e kishte vërejtur qysh në mesin e shekullit XX filozofja gjermane Hannah Arendt, e cila e bëri thelbin e veprës së saj një thirrje për të mbrojtur mendimin e lirë nga shkatërrimi i gënjeshtrës së organizuar.

Në librin e saj monumental “Origjinat e Totalitarizmit”, Arendt nuk i sheh diktaturat e shekullit të kaluar si sisteme që kërkonin t’i bindnin njerëzit me ideologji të forta. Përkundrazi, ajo paralajmëronte:

“Subjekti ideal i sundimit totalitar nuk është nazisti i bindur apo komunisti i bindur, por njerëzit për të cilët dallimi midis faktit dhe trillimit, midis së vërtetës dhe gënjeshtrës, nuk ekziston më.”

Ky është thelbi i edukimit totalitar: jo të ngulë bindje, por të shkatërrojë vetë aftësinë për t’i formuar ato. Një popull që nuk beson më në asgjë bëhet i pambrojtur, i dorëzuar, i gatshëm të pranojë gjithçka.

Arendt shkruante:

“Kjo gënjeshtër e vazhdueshme nuk synon ta bëjë popullin të besojë një gënjeshtër, por të sigurojë që askush të mos besojë më asgjë.

Një popull që nuk është më në gjendje të dallojë midis së vërtetës dhe gënjeshtrës, nuk është në gjendje të dallojë as midis së drejtës dhe së gabuarës.

Dhe një popull i tillë, i privuar nga fuqia për të menduar dhe gjykuar, pa e ditur dhe pa e dashur, i nënshtrohet plotësisht sundimit të gënjeshtrave.

Me një popull të tillë, mund të bësh çfarë të duash.”

Ky reflektim, i shkruar në vitet e pasluftës, sot duket më aktual se kurrë. Në një botë ku lajmet e rreme, propaganda, mashtrimet politike dhe manipulimi i opinionit publik qarkullojnë me shpejtësinë e algoritmeve, rreziku që vizatoi Arendt është bërë pjesë e realitetit të përditshëm.

Kur e vërteta shndërrohet në një lojë pasqyrash dhe asgjë nuk merret më si e sigurt, atëherë edhe gjykimi moral venitet. Shoqëria humb busullën, individi humb dinjitetin, dhe hapet rruga që forcat më të errëta të historisë të rikthejnë pushtetin e tyre.

Arendt na kujton se liria nuk qëndron vetëm në zgjedhjet politike apo në fjalën e lirë, por mbi të gjitha në fuqinë për të menduar, për të gjykuar dhe për të mbajtur gjallë të vërtetën. Nëse kjo fuqi shuhet, shoqëria shndërrohet në turmë të manipulueshme, dhe atëherë, me të vërtetë, mund të bëhet “çfarë të duash”.

Në kohën tonë të paqartësive, mbrojtja e së vërtetës është forma më e lartë e rezistencës. Sepse kush mbron të vërtetën, mbron njeriun.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Vataj: Thirrja e Faik Konicës në Gazetën Albania, 1897, për shqiptarët krejt Albert Vataj: Ndahet nga jeta “kryeashiku i ahengut shkodran”, Agim Molla, zëri autentik i një tradite Albert Vataj: Figura e gruas dhe zakoneve shqiptare, midis spektaklit dhe sakrificës, në romanin e Pashko Vasës, 'Bardha e Temalit' Albert Vataj: Lec Bushati, aktori që solli në artin skenik thellësinë shpirtërore dhe epikën e personazhit Albert Vataj: Udha që të shpie te dija, sipas gjigandëve të mendimit filozofik Albert Vataj: Komedia që zgjon kujtesën e artë të Shkodrës së artit të vitit 1919 Albert Vataj: Në një moshë të tillë... kur ti guxon të jesh vetja Albert Vataj: Këmbët e Nënë Terezës, këmbët e deformuara nga lodhja dhe mundimet, këmbët që ecën mbi dhembje në rrugën e kalvarit Albert Vataj: Thirrje nga historia i kujtesë kombëtare, 31 gusht 1919, zëri i Komitetit 'Mbrojtja Kombëtare e Kosovës' Albert Vataj: Shenjtëria e shnjtëreshës shqiptare, Nënë Tereza, përmes shenjtërisë së fjalës dhe diellit të mendimit Albert Vataj: Mateus Frroku, artisti rrezatues i mirësisë dhe pozitivitetit, zëri i shpirtshëm i këngës shqiptare Albert Vataj: Bud Spencer i filmave aksion dhe komik, në zemrën e bashkëshortes, Maria Amato Albert Vataj: Roza Xhuxha dhe Dhimitër Anagnosti, si lindi dashuria ikonike e kinematografisë, që sot u nda me lamtumirë dhe lot?! Albert Vataj: Arti i dëbuar nga moderniteti, i flokëve të gjata të shekullit XIX Albert Vataj: Naile Hoxha, këngëtarja që na la një trashëgimi që nuk është vetëm këngë Albert Vataj: Loro Kovaçi, shpirti i paepur që ngadhënjeu për të patur vendin e merituar në artin tonë skenik Albert Vataj: Kur era, të bukurën e bën me faj dhe të përbetuarin e grish në tundim Albert Vataj: Postmortum për Artur Zhejin Albert Vataj: Rikthehet në jetë zemra antike e olimpizmit në Amantian ilire Albert Vataj: Thirrja e dritshme e artit që sjell hyjnoren e biblikes

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx