Kulturë
Prend Buzhala: Biografemë romanore epistolare për një personazh idealist
E merkure, 01.10.2025, 06:59 PM
BIOGRAFEMË ROMANORE EPISTOLARE
PËR
NJË PERSONAZH IDEALIST
(Sabile
Keçmezi Basha: “LETRAT PËR MARTINËN. Një biografi romanore për babin tim”,
roman, 2024)
Nga
Prend Buzhala
Sabile
Keçmezi Basha, e njohur si studiuese e dijeve historike, vazhdimisht e ka sprovuar
penën e saj edhe në fushën e letërsisë, si poete, dramaturge dhe si romansiere.
Kësaj radhe, vjen me romanin e saj të dytë "Letrat Për Martinën".
Është ndër veprat e rralla që përdor trajtën epsitolare në letrat shqipe. Dihet
se romani epistolar përdor procedimin letrar të letrave që shkëmbehen mes
personazheve të ndryshëm. Mirëpo, ndryshe nga letërkëmbimet, kësaj radhe është
babai ai që i shkruan letra së bijës, Martinës.
Pothuajse,
i tërë romani zhvillohet në dy krahë rrëfimesh: në njërën anë, tekstet
narrative në fillim dhe në fund rrëfehen nga Martina, ndërsa dyzetepesë letra i
shkruan e i rrëfen prindi, drejtuar vajzës së tij, me rrëfim-përjetimet që i
bën vajza. Megjithatë, në roman shfaqet një rrëfim shumëplanësh përmes letrave
dhe të reflektimeve të vajzës në të kaluarën dhe të tashmen. Procedimi i tillë
rrëfimor, ngjarjet dhe përjetimet shihen nga këndvështrime të ndryshme dhe në
nivele të ndryshme kohore. Në këtë rast, kur vajza lexon letrat e babait të saj
dhe reflekton mbi ato, përdoret një strukturë që alternon mes dy përmasave: të
kaluarës dhe të tashmes, kur ajo është më e rritur dhe i lexon ato letra.
Kësisoj, autorja Basha, për të krijuar një efekt narrativ shumëplanësh, përdor
dy nivele të kohës dhe të perspektivës narrative: është vajza që lexon letrat
(me përjetimet e pashprehura dhe reflektimi në të tashmen) dhe reflektimi mbi
të kaluarën që e rrëfejnë letrat. Kund e kund, shfaqen edhe përmbysje të
perspektivës dhe ndryshimit të lidhjes mes Vajzës dhe Babait, përmes përvojës
së saj dhe e kujtimeve që ajo ka nga disa periudha kohore.
1. Letra si akt personal
Ndryshe
nga letërkëmbimet që përfaqësojnë zëra të të ndryshëm narrativë, këtu kemi dy
zëra të dy protagonistëve. Letrat shkruhen në mënyrë të thjeshtë dhe të
drejtpërdrejtë, pa ndërlikime procedimesh letrare, që paraqesin situatat e
përjetuara, ndjeshmërinë dhe rreziqet e kohës së përfundimit të Luftës së Dytë
Botërore. Ato ngërthejnë mesazhe kuptimplote e të thella për jetën, familjen,
si dhe për guximin në kohë të errëta. Sigurisht që letrat përfshijnë detaje
personal, të brendshme. Rrëfimi epistolar, nga ana tjetër, i thyen kornizat e
një rrëfimi tradicional. Kësisoj, zhvillohet një frymë autentike e rrëfimit të
ngjarjeve, një përmasë më objektive e këndvështrimit të tyre. Letrat thurin
tensionet e misteret e fatit. Romani i tillë, epistolar, ngërthen dilema
jetësore, etike, filozofike dhe ekzistenciale, që shfaqen më lehtë përmes një
letre, pasi kjo është një trajtë më e personalizuar.
Në
tekstin e fillimit të romanit, me titull “Amaneti i babait”, shfaqet një
pasqyrë e thellë e lidhjeve ndërmjet brezave dhe pasojave që ndodhin për shkak
të marrëdhënieve komplekse familjare. Ky amanet i babait, që fillimisht duket
si një historik i thjeshtë i vendosjes së një emri, është një portret shumë më
i thellë i dashurisë, forcës dhe mbrojtjes që ai kërkonte të ofronte për
fëmijën e tij. Në këtë rrëfim, ndodhin dy ngjarje që e përcaktojnë të ardhmen e
personazhit. E para është lindja e saj, Martinës, e cila, megjithëse e dashur,
krijon tension të fshehur mes babait dhe gjyshes, një tension, që, ndonëse i
vogël, ka pasoja që mbeten në kujtesën familjare. Rrëfimi i gjyshes është një
moment për ta kuptuar thellësinë e trashëgimisë emocionale që kalon nga brezi
në brez. Historia e saj tregon dy përpjekje për të mbajtur një harmoni të
brendshme, të cilat janë të ndërthurura me dhimbje dhe sfida të së kaluarës.
Emri
Martinë është simbol i forcës dhe mbrojtjes. Ky emër përfaqëson dëshirën e
babait për ta siguruar një të ardhme më të mirë për fëmijën e tij, një emër që
lidhet me armët dhe mbrojtjen. Është një alegori që mund të shihet si përpjekje
për t’i ruajtur dhe mbrojtur ata që i duam nga të gjitha rreziqet që vijnë me
jetën. Arma për babanë është simbol i fuqisë dhe mbrojtjes, dhe jo thjesht një
vegël lufte; është një mjet për ta mbrojtur atë që është më e shenjta,
familjen.
Si pasojë, arma bëhet simbol i përkushtimit dhe dashurisë, jo i dhunës, dhe kjo
është një mbrojtje e heshtur që babai ka për familjen e tij. Për babanë armët
dhe emri Martina janë të lidhura ngushtësisht, një mënyrë për të krijuar lidhje
të thellë dhe të papërshkrueshme me fëmijën, duke i ofruar siguri dhe mbrojtje.
Babai, i cili është i qetë, i sjellshëm dhe i dashur, ka një lidhje të thellë
me armët, që është e papritur për fëmijën, që e ka njohur atë si një njeri
paqësor. Historitë e vjetra dhe përvoja e të parëve janë ndërtuar mbi sigurimin
dhe mbrojtjen e atyre që vijnë pas.
Dhurata
e mbajtur në një arkë simbolizon pasurinë e kujtimeve dhe historisë që janë të
fshehura në objekte dhe trashëgimi. Misteri i asaj dhurate dhe mundësia e
zbërthimit të saj pas shumë viteve, krijon një tension emocionues, i cili është
i mbushur me pyetje dhe pasiguri. Gjyshja ka një rol të rëndësishëm si
rrëfimtare e kujtimeve dhe lidhjes me të kaluarën, ndërsa babai është figura që
lidh të kaluarën me të ardhmen përmes dëshirave për emrin e vajzës.
Protagonistja është ajo që përjeton këtë tension të gjeneratave, që shkrin të
kaluarën dhe të tashmen në një histori të përbashkët.
Në
nivel idesh, shqyrtohen konceptet e trashëgimisë, përplasjeve mes dëshirave dhe
besimeve të ndryshme, si dhe rëndësia e emrit si simbol lidhës i identitetit
dhe historisë familjare. Konflikti për emrin Martinë kundruall emrit të
gjyshes, është reflektim i tensioneve ndërmjet ruajtjes së traditës dhe
dëshirës për rinovim dhe ndryshim. Dhurata e misterioze dhe letrat që janë të
lidhura me fjalët e babait të saj, përbëjnë një simbol të trashëgimisë dhe
pasioneve të fshehura që nuk janë zbuluar ende. Fjalët e babait bartin një të
kaluar të dhimbshme të shndërruara në diçka të fshehtë. Pjesa që flet për
letrat e tij dhe periudhën në burg, është e fuqishme dhe paraqet ndjesinë e
thellë të izolimit, si dhe rëndësinë e kujtimeve dhe fjalëve të tij për
protagonisten.
Nënvizohet
edhe tensioni mes historisë personale dhe një historie më të gjerë politike, ku
protagonistja përpiqet ta kuptojë dhe të ndërtojë identitetin e saj në një botë
që nuk i përket. Ata që e rrethojnë protagonisten – xhaxhallarët, mësuesit dhe
gardianët – përfaqësojnë një sistem që e ngarkon atë me dyshime dhe sfida, dhe
e vendos atë në një pozicion ku duhet të bëjë zgjedhje për ta ruajtur
identitetin e saj dhe për t'u përballur me të kaluarën e saj.
Letërkëmbimi
i babait, si një formë e fshehur komunikimi, bëhet simbol i dashurisë dhe
sakrificës, ku çdo letër është një mundësi për ta kuptuar më shumë për atë që
ai ka përjetuar dhe për atë që ai ka dashur t'i përcjellë vajzës së tij.
Romani
është një rrëfim për vuajtjen dhe shpëtimin përmes kujtimeve, për të kaluarën
që nuk mund të harrohet dhe për pasojat e lidhjeve familjare, të cilat mbeten
të pashkëputura, pavarësisht distancës fizike dhe kohës që ka kaluar. Figura e
babait është shumë e rëndësishme për protagonisten, pasi ai është një njeri që
ka kaluar vite të tëra në burg dhe ka kaluar nëpër shumë mundime. Ai ka lënë
një trashëgimi të fortë përmes letrave që i ka shkruar dhe që janë një mënyrë
komunikimi mes tij dhe vajzës së tij, një lidhje që e ka ruajtur edhe përmes
vështirësive të mëdha. Babai shërben si simbol i mundësive të sakrificës dhe
dashurisë së pashuar.
Xhaxhallarët.
mësuesi nga Vraja janë figura që
përfaqëson autoritetin dhe ndikimin e jashtëm në jetën e protagonistes. Mësuesi
përpiqet ta edukojë Martinën në një histori që nuk është e saj dhe e fton atë
të mësojë një gjuhë që ajo nuk e kupton dhe një histori që nuk e lidh me
identitetin e saj. Ai është simbol i presionit të jashtëm dhe i ndikimit të
sistemit në jetën e protagonistes. Gardianët e burgut janë simbol i dhunës dhe
pengesave që babai përjeton gjatë qëndrimit të tij në burg. Ata përfaqësojnë
sistemin dhe strukturat e dhunës, janë figura që ndihmojnë të krijojnë një
atmosferë të errët dhe të mbyllur.
Protagonistja
përjeton tronditje shpirtërore, kur merr dhuratën misterioze me shkrimet që
përmbajnë një sekret të fshehur. Ky moment është shumë i rëndësishëm, pasi ai
krijon një lidhje të fortë emocionale me të kaluarën dhe me babanë e saj.
Letrat bëhen një lidhje e fortë mes dy realiteteve: asaj të mbyllur dhe të
ndarë që babai ka përjetuar dhe asaj të protagonistes që kërkon të kuptojë më
shumë për të kaluarën e tij. Këto letra janë simbol i dashurisë së fshehur, i
sakrificës dhe i mundësive të komunikimit përmes distancave të mëdha që ndajnë
ata. Misteri i të kaluarës dhe lidhja me të tashmen është një nga motivet
kryesore, ku protagonistja përpiqet t’i kuptojë dhe t’i zbërthejë sekretet e së
kaluarës, veçanërisht ato që lidhen me babanë e saj. Ajo që përshkruhet, është
një dashuri që nuk mund të shuhet, përpjekje dhe sakrifica që mbeten të
pashuara edhe në mes të vuajtjeve dhe torturave.
2. Letrat,
testament dashurie i prindit për të bijën
dhe dëshmi e një periudhe të errët
Pushtimi
dhe dhuna që ushtron pushteti i huaj, ushtarët dhe milicët, janë pasqyrë e
mundimeve e vuajtjeve të popullit. Pushtuesit kërkojnë gjithçka që ka populli,
dhe kjo sjell një dhimbje të thellë që nuk mund të shlyhet lehtë. Të dhënat
rreth vdekjes së nënës dhe ndikimi i saj në babanë e protagonistes, e theksojnë
thellësinë e dhimbjes që ka përjetuar. Gjyshja është figurë mbrojtëse, është
përfaqësuesja e një gjenerate që ka kaluar përmes shumë sfidash dhe që e di se
si të mbijetojë përmes sakrificave të mëdha.
Liri
është figurë që simbolizon guximin dhe refuzimin ndaj pushtetit të dhunshëm.
Ai, duke u kthyer nga burgu, është simbol i një lufte të heshtur dhe të
brendshme, bëhet një frymëzim për të tjerët, duke i nxitur të mos nënshtrohen
dhe të qëndrojnë të bashkuar. Fjalët e tij janë thirrje për liri dhe rezistencë
ndaj pushtuesve. Dhimbja është një gjendje e vazhdueshme, që kalon nga brezi në
brez, duke lënë shenja të thella në shpirtin e secilit. Ajo që mbahet mend më
shumë nga tekstet e fillimit romanor, është mesazhi i unitetit dhe qëndresës.
Edhe në errësirën më të thellë, ka mundësi për shpresë dhe një forcë që buron
nga bashkëpunimi dhe solidariteti. Liria është diçka që vjen përmes sakrificës
dhe guximit për t'u ngritur kundër padrejtësisë.
Në
tekstin “Letrat për Martinën”, personazhja ka një ndjenjë të fortë frike dhe
pasigurie kur përgatitet të lexojë letrat e babait. Kur fillon të lexojë, e
kupton se letrat janë pasqyrë e një jete të mbushur me vuajtje dhe mundime, që
ka mbetur e fshehur për shumë kohë. Babai ka mbajtur në heshtje dhimbjen e tij,
ndoshta për të mos e ngarkuar më tej fëmijën e tij, ose sepse ka dashur t’i
mbrojë ata nga tmerri i të kaluarës. Megjithatë, këto letra janë testament i
një periudhe të errët, që flasin me një dhimbje të thellë.
Babai
ka mundur të kalojë përmes vuajtjeve të mëdha, por ka zgjedhur të mos i tregojë
ato për të mbrojtur ata që i do. Kjo është një kujtesë e fortë për mundësinë që
njerëzit të bartin brenda tyre "historinë e fshehur", të cilën askush
nuk e di deri në momentin e zbulimit të saj. Zbulimi i të vërtetës është moment
kthese, ku të gjithë ato që janë të fshehura, kanë qenë të pa thëna dhe të
padukshme, bëhen të dukshme. Kjo është një sfidë e madhe për çdo njeri që
ndeshet me të kaluarën sekrete, pasi ndryshon të gjithë perceptimin që ka pasur
deri më tani për familjen dhe për historinë personale.
Tashmë
romani kalon në një nyje tjetër kompozicionale: në shpalosjen e letrave që nis
me letrën e parë – rrugën për në Tivar. Prindi shkruan për një periudhë të errët
historike, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Babai është i burgosur dhe e
ndjen ngrohtësinë e vajzës së tij, edhe pse ajo ende nuk ka lindur, ndërsa ai
është larg saj. Është një betejë e paepur, ku ai ka sakrifikuar gjithçka për të
qëndruar besnik ndaj popullit të tij dhe idealeve të tij, duke luftuar kundër
pushtimit dhe diktaturës. Përshkruan me detaje tmerrin e luftës, mundimet e
pasluftës dhe vdekjen që ka mbushur çdo cep të vendit, me një skenë të tmerrshme në brigjet e Tivarit,
ku gjaku dhe deti përzihen në një peizazh tragjik. Letrat e tij janë një
testament i forcës dhe qëndresës, por gjithashtu një thirrje për Martinën të
jetë e guximshme dhe të mos lejojë që frika dhe dhimbja ta pushtojnë jetën e
saj.
Nga
letra në letër shpalosen bëma e ngjarje: arrestimet e grupit ilegal, hetuesia
dhe alivanosja, brinjët e thyer nga dhuna, personazhi i Bardhit dhe vdekja e
tij në tortura, dënimet në burg, udbashët, puna në bibliotekë e në sharrë,
grindja me një serb, Hansi, vitet e burgut të babait, lirimi i tij e deri te
lindja e Martinës. Paraqiten aksioni i armëve i viteve ‘50, shkollimi i
Martinës, arrestimi i dytë i babait, takimi në burg, si dhe tekstet rrëfyese
jashtë letrave kah fundi i romanit. Formimi i grupit ilegal jashtë vendit,
shfaqet si lëvizje idealiste e luftës kundër pushtuesve dhe të mbrojë
identitetin e popullit të tij. Kur arrin në tokën e huaj, ai e kupton se ishte
tradhtuar dhe se misioni i tij ishte shumë më i tmerrshëm nga sa mendonte.
Gjithçka është e pasigurt dhe mbushur me frikë dhe mëdyshje. Rrëfen për një
grup të fshehtë, një organizatë ilegale që do të mund t’i bashkonte njerëzit që
ndodheshin aty dhe të luftonin në heshtje kundër pushtuesve; ky akt nënkupton
një luftë të gjatë dhe të vështirë, të mbushur me sakrifica, por gjithashtu
është një akt për mbrojtjen e identitetit dhe dinjitetit të popullit.
Letra
ka pjesë emocionale, kur babai i drejtohet bijës së tij, Martinës, duke e
udhëzuar që, edhe kur ka vuajtur dhe ka kaluar kaq shumë dhimbje, ajo duhet ta
mbajë shpresën dhe ta mbrojë dinjitetin e popullit të saj. Përzgjedhja e emrit
të grupit "Për liri të atdheut" nuk është vetëm një emër, por një
thirrje për veprim dhe simbol i qëllimeve të larta. "Çfarë kërkonim ne, bijtë e shqipes, në atë cep të botës?"
është një pyetje dhe reflektim për ndjesitë e humbjes, për atë që i detyron ata
të jetojnë në mërgim, larg atdheut të tyre.
Ata
ishin të rinj dhe të pafajshëm, të pambrojtur nga dredhitë e jetës. Por siç
ndodh shpesh në historinë e atyre që luftojnë për lirinë, planet e tyre
dështuan. Ata u kapën dhe u arrestuan, një ndodhi që e përshkruan babai në një
mënyrë shumë dramatike dhe emocionale. U kapën nga ushtarët armiq, u lidhën me
tela me gjemba dhe u rrahën me brutalitet. Pjesa më e dhimbshme e këtij momenti
është shprehja e dhunës dhe e fyerjeve që ata pësuan, me fyerjet ndaj nënave të
tyre. Në të gjitha këto vuajtje, dhimbje dhe humbje, babai vazhdon t’i
drejtohet bijës së tij, Martinës, me një mesazh të thellë: "Thuaje të vërtetën, ku do që të jesh; thuaj
sa fisnikë jemi ne shqiptarët dhe sa padrejtësi na janë bërë." Ky
mesazh është thirrje për ta ruajtur dinjitetin dhe krenarinë kombëtare, për të
mos harruar kurrë vuajtjet e popullit të tij dhe për të kërkuar drejtësi.
3. Rrëfimi i letrave dhe
pesha e kujtimeve
Në letrat në vazhdim, këto vuajtje ndërlidhen me
dashurinë dhe sakrificën që ai ka bërë për fëmijën e tij, të cilën nuk e ka
njohur ende. Pavarësisht dhimbjeve të jashtëzakonshme që ai ka përjetuar në
duar të hetuesve, dashuria për fëmijën e tij, të pa lindur ende, është ajo që e
mban ende të gjallë dhe të fortë. Romansierja
ndërthur me mjeshtëri rrëfimet me peshën e kujtimeve e me pasigurinë e
vuajtjet e të shkuarës.
Martina
është tashmë një studente dhe përballohet me një realitet më të qartë, por ka
ende frikë se çfarë mund të zbulojë për të kaluarën e babait të saj, si një
histori e mbushur me dhimbje dhe shpresë. Nëpërmjet rrëfimeve për torturat që
ai kishte kaluar, babai shpreh dhimbjen dhe njëherësh forcën që ka pasur për të
mbijetuar. Fjalët e babait përfundimisht zbulojnë një ndjenjë të pafund
dashurie për bijën e tij, për një fëmijë që ai nuk ka pasur mundësinë ta mbajë
në duar, por që e ka dashur pa kushte.
Letra
e katërt është një përshkrim i tmerrshëm i vuajtjes që babai i protagonistes ka
kaluar, dhe ndjenja e pafuqisë dhe e zemërimit që ajo ndien për torturat që ai
ka përjetuar... Dashuria e tij është një dritë që nuk shuhet kurrë. Babai është
simbol i qëndresës dhe i dashurisë që nuk mund të thyhet, pavarësisht dhimbjeve
dhe padrejtësive që përjeton. Ai është një "gur i fortë" për bijën e tij, dhe lidhja me të mbetet e
gjallë, pavarësisht largësisë dhe torturave që kalon. Martina është rrëfyesja e
tregimit, e cila shpreh dashurinë e pafundme dhe mallin e thellë për babanë e
saj.
Hetuesit
dhe torturuesit janë figura të padrejtësisë dhe mizorisë, që përdorin dhunën
dhe torturat për ta mposhtur shpirtin e babait të saj. Ata janë simbol i
regjimit të dhunshëm dhe i pasigurisë, përdorin mjete brutale për t’i thyer
liridashësit, por dështojnë të thyejnë forcën shpirtërore të babait të
personazhes.
Malli
që protagonistja ndjen për babanë e saj, është një temë tjetër e thellë dhe e
fuqishme. Ky mall mbetet i gjallë dhe i pashuar, një lidhje që vazhdon të
ekzistojë pavarësisht vdekjes dhe distancës. Është si një ngarkesë shpirtërore
që nuk mund të largohet dhe e mbushullon çdo pjesë të qenies. Ai është si një
"frymë" që e shoqëron të bijën edhe pas vdekjes së tij dhe e udhëzon
atë. Ky kujtim dhe dashuria për të, janë si një zjarr që nuk shuhet, një simbol
i përjetësisë dhe vazhdimësisë së lidhjes mes babait dhe bijës.
Te
Letra e pestë dhe të tjerat në vazhdim, përpos dhimbjes, pasigurisë dhe
shpresës së heshtur, përshkruhen edhe vuajtjet e mikut të tij Bardhit dhe trupi
i tij i shkallmuar nga dhuna. Por ajo që është më e rëndësishme është se
dhimbja fizike nuk është asgjë pa dhimbjen shpirtërore që buron nga ndjenja e
pafuqisë, fajit dhe pasigurisë që të ketë mundësi t’i ndihmojë shokët dhe miqtë
e tij. Kjo ndjesi e pafuqisë është shprehja e thellë e një njeriu që e di se po
përjeton një luftë që është e pamundur të fitohet, por që vazhdon të luftojë
për një të ardhme më të mirë. Shpresa dhe idealizimi për një të ardhme të lirë
përbejnë një tjetër bosht motivesh e përshkrimesh narrative. Të burgosurit e
dinë se ndodhin padrejtësi, se vendi i tyre mund të mbetet i robëruar, por ata
janë të sigurt se, duke u bashkuar dhe duke luftuar për çlirimin e atdheut,
mund të sjellin ndryshime. Ky ideal është një shpresë e thjeshtë, por është
edhe një angazhim i thellë dhe një betim për të luftuar deri në fund për një të
drejtë më të madhe. Ky është një element thelbësor i letërkëmbimit – shpresa se
një ditë, me gjithë vuajtjet, dielli do të lindë përsëri për Kosovën, se çdo
akt i dhunës do të hakmerret përmes drejtësisë.
Letrat
janë edhe një denoncim i qartë i padrejtësisë dhe dhunës që u ushtruan ndaj të
burgosurve politikë, si dhe pasojat e pafundme që ndiheshin në trupin dhe
shpirtin e tyre. Torturat ndaj Bardhit janë një përshkrim i brutaliteti të
rëndë, si ata po mbyteshin nga dhuna, pa mundur të bëjnë asgjë për t’i shpëtuar
miqtë e tyre. Përmes këtij portreti të dhunës, letrës i jepet një dimension i
thellë moral, duke e ngritur pyetjen se sa mund të mbijetojnë njerëzit nën një
regjimin që synon të thyejë gjithçka që është e shenjtë për ta: trupin,
shpirtin dhe dashurinë. Letrat shqiptojnë vizionin e një luftëtari të
palëkundur që përpiqet për lirinë dhe drejtësinë dhe spikatin forcën e shpirtit
njerëzor dhe fuqinë e idealizmit dhe të besimit në një kauzë të drejtë. Është një
testament i forcës që ruhet edhe në kushtet më të vështira.
Këto
letra janë një dëshmi e tmerrit dhe dhimbjes që ka përjetuar Bardhi. Torturat
dhe dhunimet që ai ka pësuar janë të përshkruara me detaj të ngjethshme:
shkelmimet nëpër hetuesi e burgje, siç përshkruhet hetuesi Radoja që i trajton
njerëzit si bisha të egra, duke i privuar nga çdo dinjitet njerëzor. Së
këndejmi, fati i Bardhit është sintezë artistike e dhimbjes kolektive të të
gjithë atyre që luftonin për liri. Të burgosurit protestuan në mënyrë të
heshtur, me grevë urie, dhe qëndruan të bashkuar. Ky unitet, edhe në kushtet më
të egra, tregon forcën dhe besimin se liria do të vijë një ditë, pavarësisht se
sa e largët mund të duket ajo.
Babai
i Martinës shkruan se "liria ka
ngjyrën e gjakut", duke i lidhur sakrificat e shumta dhe gjakun e
derdhur për të arritur lirinë me ngjyrën e flamurit të Kosovës, që është një
simbol i atdhedashurisë dhe luftës për një të drejtë të mohuar.
Edhe
në situatat pas torturave, me trupin e tij të shkatërruar, babai ka mendjen me
plot pyetje ekzistenciale; pyet për lirinë dhe mënyrën se si mund ta njohim
atë, kur nuk e kemi pasur kurrë. Këso përshkrimesh të luftërave të brendshme i
hasim sidomos te Letra e shtatë. Protagonisti thekson se "nëse duhet, do të jepja edhe jetën time,
vetëm që Kosova ime të jetë mirë," është shpallje e sakrificës që
nënkupton se pas vështirësive dhe dhimbjeve, është vetëm pasioni i dashurisë
për atdheun që mund ta mbajë gjallë shpresën. Kjo është një temë e përhapur në
shumë letërkëmbime të periudhës së dhunës, ku i burgosuri është i gatshëm të
përballet me çdo mundësi, për ta realizuar një ideal kombëtar.
Gjyshja
është e dashur, e cila përpiqet ta ngushëllojë dhe ta mbrojë vajzën nga dhimbja
e tepruar që i sjellin letrat e babait. Ajo përpiqet ta mbajë gjallë shpresën
dhe të mos e lejojë Martinen të humbasë besimin në të ardhmen. Gjithashtu ajo
është simbol i dashurisë familjare dhe përkujdesjes, por edhe e një nostalgjie
për të kaluarën dhe të dashurit që ka humbur. Hetuesi është figura e
përfaqësuesit të dhunës dhe represionit shtetëror. Ai e përdor forcën për të
thyer nënshtrimin e individëve dhe për të mbajtur nën kontroll ata që i
konsideron armiq.
Vdekja
e Bardhit është një humbje e rëndë që prek të gjithë ata që mbeten pas, duke krijuar
një boshllëk të pamatshëm në jetën e të afërmve dhe shokëve të tij.
Në
këtë rrëfim, letrat janë një procedim artistik për t’i treguar ngjarjet, por
edhe një mënyrë për t’i përjetuar dhe ruajtur kujtimet e të kaluarës. Fjalët që
shkruhen janë të mbushura me dhimbje, por gjithashtu me një forcë shpirtërore
që i bën ata që vuajnë të mbijetojnë. Lidhjet mes personazheve janë thelbësore,
dhe humbja e Bardhit krijon një ndjenjë të fortë solidariteti dhe qëndrese mes
atyre që mbeten.
Martina
luan rolin e rrëfyeses që lexon letrat dhe përjeton emocionet dhe dhimbjet.
Motrat
e Bardhit dhe familja e tij janë pjesë e tragjedisë që ka ndodhur pas vdekjes.
Vdekja e Bardhit shndërrohet në një simbol të dhimbjes kolektive të të gjithë
personazheve. Greva e heshtur e të burgosurve, është një akt i qëndresës dhe
një mënyrë për nderimin dhe ruajtjen e kujtimit për të vdekurit. Idetë e
lidhjes shpirtërore dhe të mbajtjes gjallë të kujtimeve janë të rëndësishme në
këtë strukturë narrative, pasi ato janë e vetmja gjë që mbeten pas humbjes dhe
që japin forcë për t’u përballuar me të ardhmen. Ndjesia e të qenit të harruar,
e jetës në errësirë dhe e humbjes së çdo lidhjeje me të tjerët është e theksuar
shumë te Letra e njëmbëdhjetë.
Familjarët
nuk kanë asnjë informacion për fatin e tyre, duke sugjeruar një ndarje të plotë
dhe një harrim nga bota jashtë. Kjo mungesë lajmesh është tregues i izolimit të
plotë, dhe përshkrimi i shkrimit të letrave të humbura është metaforë për
zhgënjimin dhe humbjen e shpresës. Dërgimi i letrave, dhe më pas mungesa e
përgjigjeve, është përpjekje e kotë për t’i mbajtur lidhjen me të kaluarën, me
ata që janë pas.
Tivari
është përshkruar si vend i mbushur me gjak, dhimbje dhe pasiguri. Ky vend është
metaforë e vdekjes dhe asgjësimit të një populli të tërë, ku njerëzit që nuk
kanë bërë asgjë të keqe janë të ndaluar dhe të shkatërruar. Të shikosh trupat e
vdekur, të përgjakur dhe të braktisur, është përvojë që ndodhet përtej kufijve
të imagjinatës njerëzore, duke reflektuar realitetin e një masakre të pashpjegueshme
dhe të padukshme. Përshkrimi i Tivarit si qytet i vdekur, ku shpresat janë
shuar, dhe ku çdo hap dëshmon dhimbjen dhe vdekjen, është një pamje
shkatërruese e historisë së humbur të shqiptarëve. Pjesa ku flitet për
tragjedinë e kalimit të Bunës dhe humbjen e shokëve të tij në këtë udhë, është
shumë e rëndë. Kalimi i një lumi, përveçse është një vështirësi fizike, është
metaforë për kalimin e kufirit të jetës dhe vdekjes, dhe ndjesia e humbjes së
njerëzve të dashur dhe shokëve, kumton për natyrën e pasigurt dhe të
pamëshirshme të luftës dhe të një konflikti të padrejtë. Lufta është e
përgjakshme, ajo gjithashtu ka një çmim të rëndë personal dhe kolektiv.
Shkrimi
është i mbushur me një dëshirë të thellë për të treguar ta vërtetën dhe për të
siguruar që historitë e këtyre njerëzve të humbur të mos harrohen. Rrëfyesi
beson se masakra e Tivarit dhe periudhës që po kalojnë, duhet të bëhet e njohur
dhe të njihet nga të tjerët, duke kërkuar një dëshmitar për atë që ka ndodhur.
4. Dekonstruktimi i
realitetit:
letrat si simbol i
lidhjes shpirtërore për bijën ende të palindur
Letrat
që janë shkruar si pjesë e një serie, rrëfejnë vuajtjet e të burgosurve,
kërcënimet që përjetojnë dhe ndjesinë e pashpresës, por edhe forcën e shpirtit
që disa prej tyre e ruajnë, pavarësisht gjithçkaje. Rrëfimi i letrave është
ndërtuar mbi disa shtylla të rëndësishme, siç janë përjetimi i torturave dhe
pabesisë; rituali i Gjykatës armike që refuzon drejtësinë; frika dhe shpresa që
përjetojnë protagonistët e letrave, simbolizmi i errësirës me dënimin e
pashmangshëm etj. Para syve të lexuesit shfaqet, edhe një gjyq ushtarak, pas
një periudhe burgimi dhe vuajtjesh të tmerrshme. Secili i dënuar duket i
shkatërruar nga jeta e vështirë dhe vuajtjet, ndonëse ata që mbajnë shpresën janë
të pakët. Ajo që shquhet është shpirti i tij i qëndresës dhe marrëdhënia e
fortë me shokët e tij, si Dika, që pavarësisht gjithë dhimbjeve, mund të gjejnë
ngushëllim te njëri-tjetri. Gjykatësi dhe ushtarët janë përfaqësues të sistemit
të padrejtë dhe të egër, që ka krijuar atmosferë të pashpresë dhe ndjesinë e
forcës e të nënshtrimit. Hetuesi Radoja është një tjetër figurë që del në
letra, përshkruhet si njeri që është angazhuar për të siguruar dënimin më të
rëndë. Dëshmitari serb është një figurë e pabesë dhe tradhtare, që ka pasur një
rol vendimtar në arrestimin e personazhit dhe shokëve të tij.
Babai
përshkruan mbërritjen e një ushtari gjerman që ndryshoi atmosferën në dhomën e
burgut. Ky ushtar, Hansi, që ka një ndikim të dukshëm në jetën e të burgosurve,
ai sjell rregull dhe disiplinë, duke i dhënë një ndjenjë ringjalljeje. Gjatë
këtij tensioni, Hansi, ushtar gjerman, ndërhyn dhe tregon forcën e tij, duke i
dhënë një ndjesi sigurie babait dhe të tjerëve, edhe pse jeta është vazhdimisht
e mbushur me pasiguri. Ky personazh përfaqëson një mundësi për rigjallërim
brenda kaosit, ka ndikim të fortë në ndihmën që ua jep të tjerëve. Konflikti me
të burgosurin tjetër, serbin që përdor dhunë ndaj babait të Martinës
(rrëfim-komentimi bëhet nga këndvështrimi i Martinës), është një moment
dramatik që pasqyron pamundësinë për ta shmangur trajtimin e keq, por
gjithashtu tregon forcën dhe ndërhyrjen e Hansit, i cili ndërhyn dhe ndalon
dhunën, duke i dhënë ndjesinë e drejtësisë brenda një mjedisi ku kjo është
shumë e rrallë.
Një
rrëfim i thellë domethënës ngjet te Letra e gjashtëmbëdhjetë, që shpalos
tensionin dhe trishtimin e personazhit që përballet me dhimbjen e së kaluarës
dhe me humbjen e kujtimeve të tij më të shtrenjta. Letrat e babait janë simbol
i lidhjes shpirtërore dhe emocionali me të, për t’i ruajtur kujtimet dhe
historinë e tij, por kur ato zhduken, ajo humbje është një dhimbje e thellë që
ndjehet në çdo fjalë dhe çdo hap të këtij rrëfimi. Kërkimi për ato letra pas
humbjes, është një përpjekje për rikthimin e diçkaje të zhdukur, që janë pjesë
e rëndësishme e identitetit dhe të së kaluarës që tani duket e fshirë nga
realiteti. Lidhja e fortë shpirtërore që ka me të, edhe kur ai nuk flet hapur,
është një motiv që kalon gjatë gjithë rrëfimit romanor.
Një
rrëfim i fuqishëm dhe gjithë tension psikologjik dhe dramatizëm jepet te Letra
e tetëmbëdhjetë. Personazhi kryesor, i cili është në një gjendje të trazuar
psikologjike dhe shpirtërore, mëson gjuhën gjermane nga Hansi. Mirëpo, ndërkohë
që mësimi po zhvillohet, ka një prani të errët dhe të rrezikshme që ndërhyn
"psikopati", një figurë që paraqitet si simbol i kaosit dhe dhunës që
e rrethon këtë personazh, dhe ata që janë të lidhur me të; ai shkatërron
objektet, bën veprim e të dhunshme, prish qetësinë... Hansi është një figurë e
mësuesit, i matur dhe ka një qasje të qetë dhe të kontrolluar ndaj mësimit dhe
situatave të tensionuara që ndodhin. Psikopati (personazhi i dytë, antagonist)
është figurë e dhunshme dhe e papërmbajtur që paraqet një kërcënim për rendin dhe
mësimin. Shfaqet si njeri i papërgjegjshëm, që shpërndan kaos dhe frikë. Ai i
shkatërron letrat përfaqëson forcën e dhunshme kaotike.
Të
prekshme janë rrëfimet për miqësinë dhe shpresën që mbijeton edhe në ato kushte
të ashpra. Dhurata e Hansit, me laps e letër, si dhe mënyra se si ai e mbështet
protagonistin, janë simbol i përpjekjeve të një njeriu për ta ruajtur
humanizmin dhe dinjitetin në mes të vuajtjes dhe dëshpërimit. Një rrëfim
dramatik është Letra 24, ku Hansi dënohet me pushkatim. Jepet një përshkrim i
tragjedisë njerëzore dhe po ashtu i një lufte të heshtur, të mbushur me frikë,
shpresë dhe guxim. Hansi, megjithatë, tregon një qetësi të jashtëzakonshme
përballë këtij dënimi. Ai e pranon fatin e tij me një qetësi që është pothuajse
e çuditshme, duke theksuar se e dinte se do të ndodhte një ditë dhe se nuk
kishte asnjë arsye të frikësohej. Mirëpo, Hansi i shpëton vdekjes, por me
çmimin e një ndëshkimi të pafund.
T’i
shkruash letra të bijës, një vajze që nuk ka lindur ende, përbën një
çrëndomtësim të realitetit dhe një procedim të pasur artistik. Babai e
imagjinon të bijën e pa lindur si një pjesë të së ardhmes së tij. Është një akt
simbolik i shpresës për jetën pas vuajtjes dhe izolimit, një trajtë për t’i
dhënë kuptim jetës dhe për ta ruajtur lidhjen me të tjerët dhe me të ardhmen.
Një aspekt tjetër thelbësor është se babai, pavarësisht vuajtjeve dhe
dhimbjeve, vazhdon të shkruajë dhe të mbajë një lidhje me Martinën. Ai flet për
frikën që ka se ndoshta nuk do t’i arrijnë asnjëherë këto letra, se ato
përfaqësojnë një mundësi të fundit për të lënë një shenjë pas vetes.
Atij
i falet një vit burgu. Pasi lirohet, mes shpresës dhe dëshpërimit, frikës dhe
solidaritetit, udhëtimi i tij përshkruan një moment të thellë të rikthimit dhe
të humbjes, të lirisë dhe të shkatërrimit të iluzionit. Pasi kthehet në atdhe
pas një periudhe të gjatë në burg, Liri përjeton një ndjenjë çlirimi, por edhe
dhimbjeje për humbjet që ka përjetuar gjatë mungesës së tij. Ai është simbol i
durimit dhe vuajtjes, por gjithashtu edhe i shpresës dhe dashurisë për atdheun
dhe familjen.
Kthimi
i Lirit pas një periudhe të gjatë vuajtjesh dhe vdekjeje të të afërmve, është
një shenjë e ringjalljes dhe shpresës. Tashmë ai punësohet, rrëfen për punën në
xeherore, një punë jashtëzakonisht e vështirë dhe e rrezikshme, por është i
lumtur që e siguron ushqimin dhe gjërat e domosdoshme për familjen e tij. Një
tjetër hap i rëndësishëm në jetën e personazhit është fejesa, si tregues i
fillimit të një epoke të re në jetën e tij, një hap që do ta çojë drejt një
familjeje të re dhe mundësive të reja. Gjen një nuse të cilën e ka dashur dhe
vlerësuar për bukurinë dhe shpirtin e saj. Lajmi se nusja është shtatzënë është
kulmi i gëzimit dhe shpresës.
Ky
është një moment shumë i rëndësishëm, pasi ai do të sjellë një fëmijë që do të
jetë shpresa e ardhme e familjes. Personazhi shpreson se ky do të jetë fillimi
i një jete të re, dhe shfaq gjithashtu një moment të thellë dashurie dhe
optimizmi për të ardhmen. Ai shpreh një emocion të thellë për ardhjen në jetë të
djalit të tij të vogël, Bardhit, që përfaqëson një shpresë të ringjalljes për
të krijuar një të ardhme më të mirë dhe më të ndritshme. E pagëzon me emrin
Bardh, që është një akt simbolik, duke e
nderuar kujtesën e mikut të tij të guximshëm nga e kaluara që e kishte
mbështetur në momentet e vështira.
Por
tragjeditë nuk reshten: vdes Bardhi, djali i vogël. Kështu, letra e tridhjetë e
dytë shqipton së thelli dhimbjen, reflekton mbi jetën, dashurinë, humbjen dhe
ndjeshmërinë kur një prind përballet me tragjedinë e humbjes së fëmijës së
tij. Ngjarjet e jetës janë të
pashmangshme dhe se, pavarësisht përpjekjeve tona, ka çaste që na ndryshojnë
gjithçka. Përshkrimi i gruas së tij, Zojës, është plot me admirim dhe respekt.
Ajo përshkruhet si një grua fisnike, e bukur dhe plot dritë, që mbush shtëpinë
me dashuri dhe ngrohtësi. Kur ai përshkruan momentin e vdekjes së fëmijës,
ndjesia e humbjes është e pakufishme, dhe fjalët që përdor janë të mbushura me
trishtim.
Tashmë
shpalosen edhe pjesë të tjera të kësaj biografie të personazhit: shfaqet Fitor
Bjeshka, një mik i veçantë dhe mbështetës i tij; shfaqet si një dritë në këtë
periudhë errësire. Ai krijon mundësinë për t’i vazhduar mësimet dhe studimet.
Mësimit dhe dijes i jepet një rëndësi e madhe në tekst.
Një
tjetër goditje vjen në jetën e personazhit: i vdes gruaja e dashur e tij.
Tashmë Martina është pjesë e Letrave, me përpjekjen për t’i mbajtur gjallë
kujtimet dhe lidhjen shpirtërore. Personazhi nuk e pranon plotësisht humbjen;
ai kërkon vazhdimisht një ngushëllimi në kujtimet që ka, dhe në ndjenjën që
gruaja e tij nuk e ka lënë kurrë vërtet.
5. Pesha e tragjedive
dhe triumfi i dashurisë
së prindit
Tashmë
te Letra e Tridhjetetetë shfaqen nyja të tjera tematike e kompozicionale. Kjo
letër thur një rrëfim emocional që trajton tema e motive të tilla si familja,
vuajtja, rezistenca dhe pesha e historisë në kohët e shtypjeve nacionale e
politike. Narratori reflekton mbi përvojën e tij personale të jetesës nën një
regjim të egër, ku duhej të pranoheshin kërkesat e pushtetit me çmimin e
sigurisë dhe dinjitetit njerëzor. Protagonisti përballet me kërcënimin për t'u
detyruar ta dorëzojë një armë, një kërkesë që shndërrohet në situatë
tensionuese dhe fatale. Anëtarët e familjes kërkojnë mënyra për t'u përballur
me këtë kërkesë dhe vëllai udhëton për ta marrë një pushkë të vjetër dhe të
ndryshkur. Kjo pushkë bëhet simbol i masave ekstreme që njerëzit duhet të
marrin për të mbijetuar, por gjithashtu përfaqëson absurdin e një shoqërie ku
frika dhe pasiguria janë të pranishme kudo.
Ndërkohë,
thelbi emocional i letrës shfaqet kur narratori përpiqet të vendosë nëse do të
largohet nga vendi, duke u përpjekur të shikojë një mundësi shpëtimi. Por në
fund, vendimi për të qëndruar është një reflektim i thellë i lidhjes me
atdheun, me rrënjët dhe historinë e familjes, të cilat kanë formuar ekzistencën
e vet nëpër breza. Fjalët e nënës, e cila thotë se nuk mund ta braktisin
vendin, për shkak të varreve dhe kujtimeve të tyre, e bëjnë atë të kuptojë se largimi
është i pamundur.
Kryeudbashi
dhe udbashët përfaqësojnë autoritetin e shtetit totalitar, të cilët përdorin
forcën dhe frikën për ta nënshtruar popullin. Ai është personazh cinik dhe i
pamëshirshëm që gëzohet nga vuajtjet e të tjerëve. Udbashët, të cilët janë
oficerët e sigurimit, janë po ashtu të ftohtë dhe të pamëshirshëm. Fshatarët që
përmenden në letër, janë njerëz të thjeshtë, të dërrmuar nga kërkesat e
regjimit dhe dhuna që ata përjetojnë. Ata janë simbol i të pafuqishmëve që
ndodhen në një situatë të dëshpëruar dhe që, për shkak të pamundësisë për të
marrë armë, paguajnë çmimin më të lartë për shmangien e dhunës.
Bëhet
martesa e dytë e babait me Erën. Era, me kalimin e kohës fiton një vend të
rëndësishëm në zemrën e Martinës, kjo grua do të kujdeset për të, do ta dojë
dhe i ofron mbështetje të re. Tashmë ka një kalim emocional nga periudha e
dhimbjes dhe vuajtjes në një fazë të ringjallur të jetës, ku dashuria dhe
kujdesi rinisen edhe pas një humbjeje të thellë. Ky kalim nga dhimbja te
pranimi i dashurisë së re është proces i ngadalshëm dhe i brishtë, por që
gjithsesi është i mundur kur ka pranimin e duhur dhe dashurinë e nevojshme.
Dhe
gëzimet këmbehen edhe njëherë me tragjedi edhe te Letra e dyzet. Rrëfimi kalon
nëpër disa momente prekëse të jetës, me një njoftim të gëzuar për shtatzëninë e
gruas së tij dhe emocionet e lindjes së fëmijës së pritur. Megjithatë, kjo
lumturi shpejt shndërrohet në një varg ngjarjesh shtypëse nën regjimin
komunist. Babai përshkruan detyrimin për t'u bërë anëtar i partisë komuniste,
tensionet që krijohen nga mbështetje e tij për një mësues të dashur, Shpëtim
Shkoza, dhe veprimet shtypëse të autoriteteve. Nëpërmjet një varg ngjarjesh
dramatike, babai i Martinës përfshihet në luftërat politike të kohës, duke u
përballur me kërcënime, survejime dhe madje edhe me kërcënimin e burgosjes.
Kulmi i letrës vjen me lindjen e djalit, që fillimisht sjell gëzim, por më vonë
kthehet në një dhimbje të thellë pasi fëmija sëmuret dhe vdes. Pesha emocionale
e letrës është në reflektimet e babait për jetën, humbjen dhe forcën e
pamposhtur të dashurisë.
Jepet
tashmë edhe përshkrimi i arrestimit të
dytë të babait, në një përshkrim intensiv dhe emocional i vuajtjeve të një
familjeje shqiptare nën regjimin komunist. Ajo shpalos realitetin e frikshëm të
një periudhe të errët historike, ku padrejtësia dhe shtypja ishin të përditshme
dhe njerëzit si babai i Martinës u ballafaquan me pasojat e qëndrimit të tyre
të vendosur për të luftuar për liri dhe drejtësi. Veçanërisht prekës është
momenti kur ai reagon me zemërim dhe e quan armikun "kriminel", duke
e denoncuar manipulimin dhe shkatërrimin e popullit shqiptar. Fjalët e tij janë
shprehje e revoltuar dhe thirrje për reagim ndaj një padrejtësie të rëndë.
Përsëri
përshkrimet e burgut, reflektimet, vetmia në qelinë e ftohtë. Pamja e miut që
ha gishta të dorës, është simbol i brutalitetit dhe i mjerimit që përjeton ai,
por gjithashtu është kujtesë e dhunës që nuk njeh kufij. Tortura dhe traumat që
babai ka përjetuar, janë pjesë të një realiteti të dhimbshëm që duken të
pandashëm nga jeta e tij.
Pavarësisht
torturave dhe tronditjeve të përjetuara, babai vazhdon të shkruajë për vajzën e
tij edhe në burgun e dytë, i jep asaj një mesazh të fortë për rëndësinë e
shkrimit dhe ruajtjes së kujtimeve. Letra është një reflektim i situatës
politike dhe sociale të periudhës, ku regjimi pushtues komunist përdor dhunën
dhe torturën për ta kontrolluar popullin dhe për të eliminuar çdo formë
opozite.
Dashuria që mbijeton.
Shprehet
një dashuri e fuqishme dhe një shpresë që vazhdon të jetojë, pavarësisht nga
çdo tragjedi. Babai kërkon falje për vuajtjet e tij dhe për pamundësinë për t’i
realizuar ëndrrat e nevojat e fëmijës së tij, por ai e di që dashuria që ata
është më e fortë se çdo pengesë. Me tone të ndjeshme është edhe rrëfimi për
takimin në burg. Ky takim nuk është një ngjarje e zakonshme, por një përjetim
që thellon ndjenjat e humbjes, vuajtjes dhe shpresës, duke reflektuar mbi
natyrën e padrejtësisë dhe pasojat e dhimbshme të shkaktuara nga një regjim i
ashpër.
Pavarësisht
traumave, ka momente shprese, si ardhja e motrës së vogël, Uratës, e cila sjell
gëzim dhe shpresë në familje. Shkrimi i letrave është mjet për shërim dhe
kujtim. Protagonisti përdor shkrimin si formë shprese për të ruajtur kujtimet e
kaluara.
7. Ndërthurja e
realitetit me fantazinë
Te
teksti “Ëndrrat e kuqe” ka një reflektim të njëshëm për një jetë të ndarë nga
kohët dhe ngjarjet, ku themelet e kujtimeve dhe ëndrrave janë të lidhura
ngushtë me një të kaluar të dhimbshme, por të pasur me pasione, humbje dhe
shpresë. Ky tekst përfshin një hapësirë të pasur figurimesh letrare dhe një
qasje kuptimplote ndaj natyrës së lidhjeve njerëzore, veçanërisht ato që lidhen
me atdheun, familjen dhe ëndrrat që i përndjekin njerëzit për gjithë jetën e tyre.
Zana është një personazh që shfaqet si një figurë e përhumbur, si simbol i
mundësive të papërmbushura. Pajtimi dhe komunikimi me të, shfaqet si një ëndërr
që nuk mund të realizohet, si një lidhje që ka mbetur pezull për një periudhë
të gjatë. Zana, figurë mitologjike, është simbol i marrëdhënieve që mbeten të
pa realizuara, të mbyllura nga kufizime të padukshme që ekzistojnë në kohë dhe
hapësirë. Ëndrrat e Kuqe, me ngjyrat e veta, në të gjithë tekstin, janë simbol
i dhimbjes, pasionit dhe shpresës së humbur. Ato janë të lidhura me një
trashëgimi të dhimbshme që kalon nga brezi në brez, si një amanet që nuk mund
të fshihet, as të harrohet.
Teksti
e shikon trashëgiminë jo vetëm si diçka materiale, por si peshë shpirtërore të
pandashme. Fjalët e babait të vajzës janë të ngulitura në mendjen dhe shpirtin
e protagonistes dhe ato pasqyrojnë marrëdhënien komplekse që ka ai me të
kaluarën dhe me atë që ai pret të arrihet. Në këtë kontekst, trashëgimia është
një përgjegjësi që është vështirë ta mbajmë, një amanet që ngarkon individët me
një barrë të rëndë, por gjithashtu me një mundësi për t’i realizuar ëndrrat e
humbura. Vendi i Shqipeve është metaforë për një vend të shenjtë që ruan
gjurmët e historisë, por që gjithashtu është i mbushulluar me dhimbje dhe
ndarje. Ushtarët dhe korbat që përshkruhen, janë një simbol i luftës dhe
pasigurisë që kanë karakterizuar këtë vend, por gjithashtu një përpjekje për ta
mbrojtur atë që ka mbetur.
Ky
tekst ndërthur realitetin dhe fantazinë përmes përdorimit të simbolikës,
ëndrrave dhe kujtimeve. Figura e telefonit është element i përsëritur që
simbolizon dëshirën për lidhje dhe komunikim me të kaluarën, por gjithashtu
dështimin për t’i realizuar këto lidhje. Ky është një reflektim i thellë i një
jete të shkatërruar nga koha, ku ëndrrat dhe kujtimet janë të vetmet gjëra që
mbeten të gjalla.
Edhe
teksti “Natë kobi” ka të njëjtën thellësi përjetimi, i mbushur me tension,
frikë dhe pasiguri. Ndërsa dy protagonistët, Era dhe Liri, kanë dashuri dhe
shqetësime, një erë e heshtur, pothuajse e ftohtë, përshkon çdo moment të
rrëfimit, krijon një atmosferë që ndërthur ndjenjat e ngrohta dhe të ftohta, të
njohura dhe të panjohura. Periudhat e dhimbjes nuk prajnë, pasi Era ka humbur
burrin e saj, Lirin, në mënyrë tragjike dhe misterioze. Këndvështrimi narrativ
ndërron qasje, përqendrohet te Era.
Situata
përkeqësohet më tej kur policët vijnë për të marrë trupin e burrit të saj për
obduksion, duke krijuar një atmosferë frike dhe tensioni. Tensioni kulmon me
akuzën që policët mund të kenë qenë të përfshirë në vrasjen e burrit të saj,
një akt i papërmbajtur që tregon humbjen e çdo shprese për drejtësi. Flamuri i
kombit, që përdoret për ta mbuluar trupin e burrit të saj, është simbol i
forcës dhe i nderit, por gjithashtu dhe kujtesë për idealet dhe sakrificat e
bëra nga brezat.
Teksti
shqyrton thellësisht ndjenjat e dhimbjes dhe humbjes pas vdekjes së Lirit. Çdo
kujtim është një ngarkesë për të, duke e mbajtur të bllokuar në një cikël
vuajtjeje të pafund. Çelësat e morgut janë simbol i mbylljes, sekretit dhe
asgjësimit. Ata përfaqësojnë të kaluarën e dhimbshme dhe të padurueshme që
gruaja ka humbur dhe që nuk mund ta rikthejë. Çelësi që hap dyert e
"asgjësë" është metaforë për humbjen totale dhe zhdukjen e çdo
shprese, duke simbolizuar dëshpërimin e thellë të gruas që është e mbyllur në
një realitet të errët, pa mundësi shpëtimi. Në këtë kuadër, morgu është
hapësirë e ngarkuar me shenja të vdekjes dhe asgjësimit, duke përforcuar një
atmosferë tragjike dhe të padurueshme. Ndihma e Hipnosit, që përpiqet ta shërojë
gruan, është një përpjekje për ta lehtësuar dhimbjen e saj, duke kërkuar ta
shndërrojë dhembjen në diçka më të bukur. Megjithatë, ai nuk mund ta ndihmojë
gruan të shpëtojë nga errësira që e mbulon, dhe dhimbja e saj mbetet një
ngarkesë e padurueshme. Fustani i nusërisë që del nga dollapi, është një tjetër
simbol i humbjes dhe shpërbërjes së ëndrrave të gruas. Ky element lidhet me një
kujtim të shkuar, një periudhë që ka humbur në pasojat e dhimbjes dhe vdekjes.
Gruaja i flet fustanit, duke kërkuar një lloj ngushëllimi, dhe duke shprehur
keqardhjen dhe dëshpërimin për fëmijën që ka humbur. Vdekja është trajtuar si
fenomen i pandalshëm dhe i padurueshëm. Ajo përshkruhet jo vetëm si ndodhi
fizike, por gjithashtu si forcë shpirtërore dhe psikologjike që i përshkon
personazhet dhe përvojat e tyre. Era, e cila përjeton këtë dhimbje të thellë të
humbjes, është e mbyllur në një situatë që ka të bëjë me kujtimet e
shkatërruara, të humbura në pasojat e vdekjes.
8. Biografemat romanore
dhe personazhi idealist
Biografemat
romanore janë njësi narrative që i ngërthen në një biografi artistike.
Strukturat tekstuale përfshijnë dialogë imagjinarë, biseda të krijuara për t'i
dhënë më shumë jetë tregimit; përfshijnë introspeksion dhe thellim në
përjetimet, mendimet dhe reflektimet e protagonistëve; ka ndërthurje temash,
motivesh, idesh e mesazhesh etj. Autorja krijon një drejtpeshim midis
përdorimit të detajeve autobiografike dhe atyre fiktive, mes saktësisë dhe
frymëzimit krijues. Biografemat transformohen si biografi në një rrëfim më të
gjerë epik dhe imagjinativ, duke e kapërcyer përshkrimin e thjeshtë faktik për
të krijuar një ngjarje artistike më të thellë dhe më komplekse. Romansierja nuk
kufizohet vetëm në të vërtetën faktike, por synon ta kapë thelbin emocional ose
filozofik të jetës së personazhit. Ato ngërthehen në kontekstin narrativ:
lidhen për disa linja narrative me dinamizëm dhe tension dramatik, siç bëhet në
këtë roman. Perspektiva e rrëfyer është subjektive, duke e interpretuar jetën e
protagonistit përmes një niveli personal e imagjinativ. Poetika e veprës së
tillë shquhet me anë të ndërthurjes së realitetit dhe fiksionit, teksteve e
interteksteve.
Pesha
e tragjikes në roman vazhdimisht këmbehet me momentet e ringjalljes së jetës,
që thurin një kontrapunkt të bukur romanor. Shkrimi epistolar përdoret për t’i
shfaqur dialogët e brendshëm të personazhit kryesor, si dhe lidhjet e tij me të
tjerët. Në këtë roman letërkëmbimi po ashtu përdoret për t’i shprehur ndjenjat
e gruas që është e mbërthyer nga dhimbja dhe humbja. Në përpjekjen për të
mbijetuar, dhimbja e personazhit bëhet gjithashtu një shenjë e mosgjetjes së
paqes. Kjo nuk është vetëm një dhimbje fizike; është një dhimbje e
papërballueshme shpirtërore, që shtrihet përtej trupit dhe përfshin të gjithë qenien
e personazhit. Idealizmi e përshkon si një fill i kuq këtë roman. Vetë
protagonisti i romanit është një personazh idealist që përpiqet për një shoqëri
më të drejtë. Idealizmi i Lirit mbetet forcë motivuese, që i jep kuptim jetës
së tij dhe motivon për të luftuar për një botë më të mirë.
Personazhi
idealist përballet me realitetin e hidhur. Në këtë rast, ai përdor artin e
fjalës së shkruar, letrën, për ta ndryshuar realitetin. Ai shfaqet si
sakrificë, si besim në mundësitë e ndryshimit, shfaqet me mendim kritik,
dashuri dhe humanizëm, dhe luftë për drejtësi. Ky idealizëm ndihmon njerëzit ta
ruajnë shpresën dhe t’i kapërcejnë vështirësitë, duke i mundësuar atyre të
luftojnë për një botë më të drejtë, edhe kur duket se ka humbur çdo mundësi për
ndryshim. Liri është viktimë e sistemeve se shtypjeve të pushtuesve. figurë
tragjike që përballet me realitetin e rëndë.
Ky
roman i Sabile Keçmezit Basha, është vepër e realizuar dhe ka vlera të
mirëfillta artistike.
Dhjetor 2024