E premte, 26.09.2025, 03:12 AM (GMT+1)

Kulturë

Hamza Halabaku: Takim mbresëlënës me dy ish-nxënës

E enjte, 25.09.2025, 06:55 PM


TAKIM MBRESLËNËS ME DY ISH NXËNËS

Nga Hamza Halabaku

Ishte e hëna e tretë e këtij shtatori kur mu kujtua një tregim i shkurtër i bijave të mia.

Babi, më patën thanë ato, kur ti ishe në Kosovë, pak ditë para se të kthehesh, i kemi takuar dy nxënës që e kishin ndjekur mësimin plotësues të gjuhës shqipe në Bayreuth (Bajrojt), gjatë kohës kur ti atje ke qenë mësues.

Si, i pyeta i habitur?!

- Babi, si është ajo thënia “Rasti është mbret i botës”, tha Albana që ishte për vizitë te motrat e saja binjake!

- Kërkonim një restorant, vazhdoj Albana, që të pushonim me që ishim lodhur gjatë shëtitjes nëpër qytet. E gjetëm restorantin. Ishe një restorant i mrekullueshëm. Edhe shërbimi ishte në nivelin e duhur. Aty na pritën shumë mirë. Derisa konsultoheshim se çka do të merrnim për të pirë, kamerieri na u ofrua dhe pasi na përshëndeti me një mirë se erdhët, u duk si i habitur, po edhe i gëzuar kur na dëgjoi se flisnim në gjuhën shqipe!

- Shqiptarë jeni? - na pyeti kamerieri.

- Po, shqiptarë jemi, - ia kthyem edhe ne njëzëri!

- Ju pyeta, se rrallë na vizitojnë bashkëkombësit tanë, ose më mirë me thënë, rrallë e dëgjojmë gjuhën shqipe këtu brenda lokalit tonë. Mbase mund të ketë pak shqiptarë në këtë qytet e ende nuk janë informuar për restorantin tonë! Dhe tani ishte pyetja e radhës.

- Urdhëroni, me çka mund të ju shërbej, na pyeti me një mirësjellje të veçantë, kamerieri.

Pastaj, erdhi pyetje e radhës, po nga jeni ju – e pyetëm ne gati njëzëri, kamerierin.

- Jemi nga Kramoviku, komuna e Rahovecit. Një herë jemi shpërngulur nga fshati ynë e jemi vendosur në Klinë, kurse këtu, e tërë familja, e jemi një familje jo edhe e vogël,  së pari është vendosur në Bayreuth, afër njëqind kilometra larg nga këtu.

- Eh sa mirë, kishte folur Vatra. Po në Bayreuth a e keni ndjekur mësimin plotësues të gjuhës shqipe?

- Po, vazhdimisht kemi qenë në orët e mësimit plotësues të gjuhës shqipe. Asnjëherë nuk kemi munguar!

- E po mësuesi i mësimit plotësues të gjuhës shqipe në tërë Bavarinë Veriore, pra edhe në Bayreuth, ka qenë babai ynë, kishte vazhduar Albana.

- Të ju tregoj drejtë, ne si fëmijë që ishim, unë kam qenë në klasën e parë, po edhe vëllezërit e mi, kishte folur Durimi, shkonim në orët e mësimit plotësues të gjuhës shqipe jo edhe me shumë dëshirë. Megjithatë, edhe përkundër reagimeve tona, prindërit na detyronin. Mësuesin e kemi pasur shumë të mirë. Ishte i afërt me neve. Mirëpo, tani po e vërejmë se ia ka vlejtur që e kemi ndjekur atë mësim. Po e vërejmë se kemi mësuar shumë në atë shkollë dhe komunikojmë e shkruajmë mirë gjuhën tonë të ëmbël, siç i ka thënë poeti ynë i madh, Naim Frashëri. E shihni, ende nuk i kemi harruar vargjet që na i mësonte mësuesi i ynë.

*

Bijat më njoftuan për këtë ngjarje dhe pas disa ditësh kur kisha ca punë në qytet, e kërkova restorantin ku pronar ishin ish-nxënësit e mi.

Lokali ishte në qendër të qytetit të Nurembergut, në anën e djathtë të Kishës së quajtur Lorenzkirche.

Para hyrjes së lokalit qëndronte Durimi. Në të parë e dija se ai kishte qenë nxënës imi, mirëpo, që është e vërteta nuk e dija cili ishte me emër! Kishin kaluar shumë vite që nuk e kisha parë, por megjithatë e njoha, që kishte qenë nxënës imi. Ai nuk më njohu! Së pari i fola në gjuhën gjermane dhe i bëra pyetjen a bëjnë kafe turke në lokalin e tyre. Me një butësi e sjellje elegante mu përgjigj se kanë disa lloje kafeje, por kafe turke nuk bëjnë. Po si është e mundur që gjithë ky lokal mos të bëjë kafe turke? - e pyeta unë?

- Na vjen keq po nuk kemi, vazhdoj Durimi. Unë u përpoqa që të vazhdoj me pyetjet tjera provokuese deri sa Durimi të më njihte, por e kishte vështirë, se mësuesi kishte ndryshuar shumë. Kishte kaluar një kohë e gjatë nga koha kur ishim takuar së fundmi, para pesëmbëdhjetë vitesh, në Graserschule në Bayreuth.

Durimi atëherë ishte i vogël. Edhe unë, tani, e kam bërë një moshë.

Nga një tavolinë e veçuar, një djalosh tjetër na shikonte dhe e përcillte bisedën tonë pa ndërprerë.

E dëgjova kur i tha Durimit; hej, vëllaçko, është mësuesi ynë, është mësuesi Hamza.

Durimit iu kujtua dhe pa një e pa dy mu hidh në përqafim, duke lëshuar zë: Mësuesi Hamza!

- Po mirë se na erdhe i dashuri mësues. U befasova këndshëm që po ju shoh! Para pak ditësh dy bijat tuaja, me familje, kanë qenë mysafire në lokalit tonë. Kur i dëgjova se po flisnin shqip, u befasova këndshëm. Rrallë herë kemi mysafirë nga njerëzit tanë. Ato na njoftuan se ju banoni në këtë qytet. Derisa me Durimin i ndërruam pak fjali, djaloshi që më njohu, erdhi te ne. E la bashkëshorten dhe dy djemtë e tij të vegjël, si drita, dhe erdhi në drejtim tonin për të më përshëndetur. Edhe ai mu hodh në përqafim, i gëzuar që po më takonte!

- Po si nuk e njohe mësuesin Hamza,  vëllaçko, i tha Durimit?

- Po tani ka kaluar një kohë e gjatë që nuk e kemi parë mësuesin tonë të dashur, tha Durimi. Si do që të jetë, mësuesi ynë i dashur, na gëzove që ke ardhur për të na vizituar. Tani do të ulemi pranë një tavoline dhe do të bisedojmë.

- Ju lutem, ju shikoni punët tuaja, e kur të bëni një pushim, do të bisedojmë. Se unë jam pensionist, kam kohë sa të doni, e nuk dua që juve tu marrë kohën!

U ulëm pranë një tavoline dhe filluam muhabetin duke i bërë pyetje të rëndomta njëri-tjetrit. Durimi filloj të tregonte për kohën kur ai ishte nxënës e unë mësues. Ai fliste e i vëllai Muhameti pohonte me lëvizje koke fjalët e Durimit.

- Mësues i dashur, më besoni që tani po e shohim sa e nevojshme paska qenë ndjekja e mësimit plotësues të gjuhës tonë të bukur shqipe. Atëherë, me ju thënë të vërtetën, na detyronin prindërit. Nuk e kemi pasur të lehtë. Ishte pasdita e së premtes, kur fillonte fundjava e ne duhej të vinim të ndiqnim mësimin plotësues të gjuhës shqipe. Edhe pse ishte kënaqësi të ju dëgjonim për ato që na mësonit për gjeografinë e Kosovës, historinë e saj, për kulturën dhe për fjalët e reja të gjuhës tonë e shumë gjëra të tjera të nevojshme e shumë të vlefshme. Tani po e shohim sa të nevojshme dhe të dobishme kanë qenë ato orë mësimi. Tani mburremi me atë kohë dhe kur takohemi me shqiptarët tanë nga Kosova, po edhe nga të gjitha trojet tona etnike ne pa asnjë pengesë komunikojmë me ta në gjuhen shqipe. Bile bashkëbiseduesit tanë habitem se si nuk e kemi harruar gjuhën tonë të bukur! Përherë u themi se edhe në Gjermani kemi mësuar gjuhën shqipe!

Të jemi përherë mirënjohës edhe për librat që na i dhuroje si dhe për ato që na sugjeroje ti lexojmë. Edhe me revistën “Doruntina” kënaqeshim, sepse shpeshherë dikush nga grupi ynë ishte personazh në faqet e revistës “Doruntina”.

Ju jemi shumë falënderues i dashuri mësues! Më thanë Durimi dhe Muhameti, dy vëllezër, ish nxënësit e mi që tani ishin bërë afaristë të suksesshëm në qendër të qytetit të Nurembergut!

Ishte kënaqësi dhe emocion i veçantë të takoja dy ish-nxënës të mi të para më shumë se dy dekadash, tani afaristë të mirë në Gjermani. Duhet të pranoj se ky takim shumë mbresëlënës pas kaq shumë vitesh me dy ish nxënës të mi, mi trazoi shumë kujtime të asaj kohe kur kreva detyrën e mësuesit të mësimit plotësues në Gjermani, konkretisht në disa qytete të Bavarisë Veriore.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx