E hene, 22.09.2025, 09:15 PM (GMT+1)

Kulturë

Shyqyri Fejzo: 'Po' dhe 'Jo' lozonjaret e jetës

E diele, 21.09.2025, 06:59 PM


"Po" dhe "Jo" lozonjaret e jetës

Nga Shyqyri Fejzo

Eh! Me këto "po-të dhe jo- të" sidomos ato që dalin nga goja e njerëzve menjëherë dhe të dyja, çak-bam, ka ngjarje dhe histori që nga e vogla tek e madhja. Dy fjalët vogëlushe "po" dhe"jo" që i lidh zanorja "o" e përbashkët dhe i ndan "p"e "j" të cilat rrinë kurriz më kurriz, mendimet lakohen si të vinë, dhe hapin biseda e orekse të pa imagjinueshme. Kur ka ngjarje me grumbullime të mëdha njerzish, "edhe po edhe jo" ka shërbyer si shkrepse, çakmak apo eshkë e masat për të ndezur zjarre të qeshurash, apo zënka e mëri.

Rrëfejnë se dikur në fshatin tonë një i ri u sevdallis me çupën më të mirë të lagjes tjetër. Me mendjen tufan ai po mendohej dita-ditës si ta shtinte "në çarg" bijën e botës e ta kandiste të bëhej nusja e tij. Ajo e kishte vënë re interesimin e tij po kurrë nuk i shkonte ndër mend të bëhej nusja e tij. "Jo" e kishte në zemër. Një ditë, djali ynë guximtar, e ndali një buzë mbrëmje, kur ajo kishte mbushur bucelat me ujë dhe po drejtohej për në shtëpi. Si e dëgjoi mirë e mirë atë djalë, ajo tha:

-Të mendohem dhe unë aq sa je menduar ti, more kapedan". Foli vajza e skuqur në fytyrë dhe gati të shpërthente të qeshurën.

-Unë e dua një "po"nga ti-këmbënguli djali.

-Një "po" do ta jap kur të shijë Hajdini urovin.- foli ajo dhe me hapin sorkadhe u nis drejt shtëpisë. Më vonë, kur djali pyeti për Hajdinin dhe urovin e tij, mori vesh se prodhimi ishte shirë që në arë nga bagëtitë e fshatit dhe kokrrat e fundit i kishin ngrënë shpendët. Kjo ishte dhe përgjigja e vajzës që prishi mendjen e djaloshit.

Kur u ngritën kooperativat bujqësore nga vitet 50-60, fshatarët nuk ishin entuziastë për këtë.Të deleguarit tre iknin nga fshati e katër vinin. Nuk kishin besim se e njihnin njëri-tjetrin dhe e dinin sa punonin një pjesë. Më në fund u vendos që do "të themi po"thanë fshatarët po të bëhet një mundje në mes të fshatit midis përfaqësuesit të fshatit dhe të deleguarit. Fshatarët e dinin se kishin një mundës me emër që nuk kishte lënë njeri pa palosur në mundje. Po u mund përfaqësuesi ynë nga ideleguari, ne do të themi "po".Ama po u mund i deleguari, ne do ju themi "Jo" dhe mos na shqetësoni më.

Në ndeshjen që u bë në sheshin e fshatit i deleguari e mundi dy herë rradhazi përfaqësuesin e tyre. U mbajt fjala dhe fshatarët thanë "po". Por kjo ishte, me sa duket një "po" eimponuar dhe e mbuluar, pa zemer. Vonë, shumë vonë ata e mësuan se i deleguari i vjetër ishte ndërruar me trainierin e mundjes të qarkut. Ai e mburri mundësin e fshatit, po nuk ja fali. E vuri me shpatulla në barin e sheshit dy herë. Tani ishte shumë vonë për të thënë nga fshati "Jo".

Një fshatar, i mërzitur me mushkën se ajo kishte filluar të shtinte me shkelma, e çoi në pazarin e Korçës. Rrugës mendonte sa mund ta shiste. "Po 40 mijë do ja kërkoj" mendonte. "Dyzet mijë duhen dy herë nga 20 mijë"përsëriste me vete. Në pazar një xhambaz i bëshëm, me mustaqe gjer tek veshi i u qep mushkës tij.

-Çfarë i thua mushkës?-pyeti. I zoti shqipëroi 20 mijë leke dhe më prapa pati në mendje të thoshte 2 herë 20 mijë, po tani ishte vonë për këtë lloj matematike. Xhambazi i numuroi paratë tek dora dhe tani po i vinte mushkës kapistallin e ri.

–Desha të them 2 herë nga 20 mijë.-foli i zoti i mushkës.

-Dëgjo ore zotni. Njëherë flet burri. Më the 20 mijë dhe unë nuk e bëra dy. Të numurova 20 mijë. Ju qënkeni dhe nga fshat i njohur dhe indjerë.Kjo nuk është e mirë dhe do hapij naming e keq,për fshatin dhe për ty.-

-Mirë, mirë se ne andej nuk e bëjmë oxhakun buxhak.Ta gëzosh mushkën. –tha i zoti i kafshës.

-Bravo.Qënke burrë i vërtetë...

Kur e pyetën në fshat, "sa e shite mushkën?"

-E shita lir po fitova një bravo, ama. Bravo pazari. E mori vesh tërë pazari i Korçës, kur i thashë "po" dhe ja urova mushkën."

Për "xhinden e fshatit". Këtë emër i ngjitën një vajze që erdhi nuse në fshatin tonë. Bëmat e saj nuk kishin të mbaruar për së mbari në shtëpinë e dhëndrit. Puntore, e zgjuar, e respektuar, e dhimsur e fjalë ëmbël. Por,"qetësinë" edhe të kësaj familje e prishi emigracioni. Burri i saj i dashur, si të tjerët, la familjen në hallet e saj dhe shkoi në Greqi. Kur qëndrimi i tij u zgjat shumë, me muaj e vite, atëhere, Xhindja" e mërzitur shumë , i shkroi:

Tek ara në mal, te lisi çatall,
Ara e papunuar mbeti batall.
Po nuk erdhe këto ditë vetë,
Arën do e lë në të tretë.

Kuptohet, burri në këtë situatë i tha "po" porosisë së "xhindes" dhe erdhi urgjent të gëzojë krejt shtëpinë. Por:"

Ca meshkuj nepsli u turbulluan

"Donin të ndryshojnë gjellë"

Dahurinë te ajo kërkuan

Të korrnin ku nuk kanë mbjellë.

Dhe "xhindja" ju përgjigjet "po" si dinte ajo:

"Po"Thellë e mendova këtë punë

Nuk ju prish ju xhindja dëshirat

I marr leje burrit sonte unë

Me "Po" do të kini gjith të mirat.

Të nesërmen plaka Nurihan këshillonte "xhinden"- -Moj korba, moj sterra. Kujdes me atë gojën me jo dhe po, se a e dëgjove çfarë ndodhi në fshatin fqinjë? Për një "jo." Desh u bënë gjithë ato. Ndaj çdo herë thuaj "po",por jo si ajo "po"- ja që u kishe thënë atyre sevdallinjve dje, se na vure zjarrë."

Nuk do guxonim të radhitnim ç'na kanë parë loçkat e syve, e ç'na kanë dëgjuar llapat e veshëve, se nuk do të kishte fletore apo libër t'i nxinte brenda ato. Në çdo kanal televiziv del i quajturi "politikan" apo "opinionist" dhe shkumëzon me "po" dhe "jo", dy orë rresht për t'u mbushur mendjen shikuesve se ato që thotë, "po", janë të vërteta. Pastaj i pyet: "A më kuptuat?" – dhe njerëzia nga ekrani vetëm psherëtin: "Jo,o,o,o! të zgjatur e të zgjuar" Pastaj ka thënë dhe ai i lashti: "ku të lënë daullet të dëgjohen sazet!" Njerëzia, i madh e i vogël, me nga një celular në dorë, nuk pyesin më për kohën si po rrjedh, po vetëm në ekranin e vogël i mbajnë sytë. Aty gjen sa të duash "po" edhe "jo": "Po e pëlqej", "Jo nuk më pëlqen", "Po shpërndaje", "Jo bllokoje". Thua sikur jeta është bërë një ankand me dy tabela, ku kush i tund më shpejt "po"-në a "jo"-në, fiton! Jo rrallë nga shikuesit, sidomos ata të moshës së tretë, bëhet pyetja: "A e njeh këtë? Kush është? Kush e ka caktuar që nuk ikën nga ekrani prej 30 vitesh?" Vjen përgjigja: "Po, e njoh. Atë e njeh i tërë populli. Ka premtuar çdo herë një varg me 'po'. Me 'po' shkatërroi vendin, me 'jo' shurdhoi ata që e kundërshtonin."Dëgjoje të lutem çfarë thotë: "Po!" Hajdutët e shtetit tonë kanë qënë më të mirë se hajdutët e shtetit tuaj, se ata shkatërruan e shitën dhe u bënë bosa me pasuritë që la sistemi që rrëzuam. (ose më mirë që u rrëzua.)"Jo!"Nuk janë të mirë hajdutët e shtetit tuaj se ata vjedhin pronën e krijuar rishtaz, dhe si skifterët, nuk ndajnë asgjë me ne." E kështu, u bë "po" e "jo" si dy kumbara që rrinë përherë mbi kokën tonë: njëri të jep shpresë me buzëqeshje, tjetri të vë gjunjëz me mërzi. Po siç thoshte Xha Braushi te mulliri: "More bir, më mirë një 'po' që bëhet, se njëqind "po"-ra që tretën si avull; më mirë një "jo" burrërore, se njëqind "jo"-ra që s'mbajnë as qenin larg kopshtit!"

Në fund të fundit, jeta jonë u bë një lojë me "po" dhe "jo": të dyja të nevojshme, por asnjëra e besueshme pa tjetrën. Dhe siç thotë fjala e urtë e fshatit: "Po-ja pa punë është gënjeshtër, jo-ja pa mend është marrëzi."



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Sevdail Hyseni: Arroganca Albert Vataj: Hannah Arendt dhe rreziku i një bote pa të vërtetën Llesh Ndoj: Rreth veprës studimore dhe krijuese të Prof. Dr. Anton Nikë Berishës Albert Vataj: Thirrja e Faik Konicës në Gazetën Albania, 1897, për shqiptarët krejt Përparim Hysi: Lulet në oborrin poetik të Luan Xhulit Albert Vataj: Ndahet nga jeta “kryeashiku i ahengut shkodran”, Agim Molla, zëri autentik i një tradite Milazim Zeqiraj: Urime për ditën e parë të shkollës Sevdail Hyseni: Buka Armela Hysi: Cicërimat shqip në Parkun për fëmijët dhe kulturën Jahja Drançolli: Durrësakët, në krye të universiteteve prestigjioze europiane (1396, 1497)! Lekë Mrijaj: Këngëtari Neki Emra, bilbil i deshmuar i muzikës së mirëfilltë popullore shqiptare Albert Vataj: Figura e gruas dhe zakoneve shqiptare, midis spektaklit dhe sakrificës, në romanin e Pashko Vasës, 'Bardha e Temalit' Albert Vataj: Lec Bushati, aktori që solli në artin skenik thellësinë shpirtërore dhe epikën e personazhit Albert Zholi: Flet kompozitori i talentuar Enver Shëngjergji Shyqyri Fejzo: Vetmia Albert Vataj: Udha që të shpie te dija, sipas gjigandëve të mendimit filozofik Jahja Drançolli: Rruga e famshme Egnatia, me dy pikat e saj të fillimit në Durrës dhe Vlorë, dhe rëndësia e saj historike! Visar Zhiti: Mitrush Kuteli, Shqipëria si s'ka fuqi ta kujtojë sot? Albert Vataj: Komedia që zgjon kujtesën e artë të Shkodrës së artit të vitit 1919 Milazim Zeqiraj: Hyjnorja Nënë Tereza, shkëlqimi që bekon

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx