E hene, 15.09.2025, 02:59 AM (GMT+1)

Kulturë » Zhiti

Visar Zhiti: Mitrush Kuteli, Shqipëria si s'ka fuqi ta kujtojë sot?

E diele, 14.09.2025, 06:56 PM


MITRUSH KUTELI…

SHQIPËRIA SI S’KA FUQI

TA KUJTOJË SOT?

- një jetë e dhënë, një jetë e marë -

Sot është ditëlindja e tij, a u përkujtua? Çfarë u bënë, homazhe, konferenca, botime? Po kur do ta rilindë atë atdheu si shpirt dhe si talent të madh?

Nga Visar Zhiti

SHKRIMTARI

Ai erdhi në letërsinë shqipe si një gurrë e freskët, me prozën që rridhte si zë që nga lashtësitë ilirike dhe këngë e popullit me poezinë aq të dhimbshme e ëndërrimtare, krenare si me Poemin Kosovar…

Po ai ishte dhe përkthyes brilant i mjeshtërve të letrave të botës, që i solli në gjuhën tonë si të ishin tanët.

Tjetër. Kuteli si askush tjetër punoi në letrat shqipe dhe me librat e Lasgushit dhe të Nolit, ai u bë arkitekti dhe përkudesësi i tyre me dashuri, - thesare të pavdekshme. Punoi për të tjerët, për kulturën, për gjuhën, më shumë se për veten.

EKONOMISTI

…ndërkohë ai ishte dhe ekonomist i shquar, teoricien dhe hero, e mbrojti floririn e Shtetit Shqiptar në Bankën Kombëtare nga kthetrat e nazistëve. Një akt madhështor, por që shteti i pasluftës e burgosi, kam shkruar për burgun tij, për dramën e pabesueshme të torturës, edhe më pas u përndoq e u komplua vepra me harrim…

Kuteli mbetet kështu një martir i paradoksit shqiptar: ruajti thesarin e kombit, gjuhën e popullit dhe floririn e shtetit shqiptar, teksa vetë u la në varfëri dhe heshtje.

Po lexoj ditarin e tij…

Sot është shumë e më shumë se një datëlindje. Është dhe një qortim dhimbjeje se si Shqipëria di të shkelë mbi ata që i japin dritë dhe zë…

KUTELI ME KOLIQIN DHE KONICËN NË BALLË

Mitrush Kutelit është shkrimtar i rëndësishëm, themeltar, ai nga Jugu me Ernest Koliqin nga Veriu, themeluan prozën moderne shqiptare, me Konicën avangardë, nderkohe dhe themelues i mendimit kritik dhe estetik shqiptar në nivel europian, ndërsa fitimtarët e Luftës II Botërore, që vendosën diktaturën me të keqe se të atyre që u mundën, nazifashistët, do t’i përndiqnin, Koliqin e dënuan me vdekje, por ai emigroi në Itali, në Europë, ndërsa Kutelin e burgosën dhe donin që të vdiste sa më shpejt ai dhe vepra, Konicën e lanë në harresë vrastare…

Çuditërisht kritika e Realizmit Socialist, shkrimtarë të saj, shkruanin keq për tre K-të, kolegë të tyre, jo vetëm ideologjikisht  madje dhe me cinizëm dhe përçmim, ku u shihej dhe zilia, ndërkaq vidhnin nga vepra e tyre, subjekte dhe ide, personazhe dhe gjuhë dhe krijuan një lexues militant të ngushtë të tyre, mediokër në shije dhe lolo në mendim…

Por le të kujtojme Kutelin dhe pak:

CICËRIMA DHE KAMBANË

dëgjoj në veprën e mutelit.

Ja disa rreshta të tij, zogj dhe tempuj:

- Kam mall të fluturoj si një zog i lirë mbi fushat e vendit tim.

- Shqipëria është një përrallë e dhimbshme, që duhet rrëfyer gjithnjë e përsëri.

- Unë jam poet i fshatit tim, i dhimbjes dhe i gëzimit të tij.

- Letërsia është dritë: kush ia fik dritën një shkrimtari, ia fik kombit.

- Jeta ime është një shkrim i grisur nga duar të huaja, por gërmat e saj ende ndriçojnë.

Po testamenti, letra që u la fëmijëve:

- …ta duan vendin dhe gjuhën tonë deri në vuajtje!

- ATDHEU ËSHTË ATDHE, BILE DHE ATËHERE KUR TË VRET.

Por ka dhe një Shqipëri të tij. Ndërkaq në qytetin e lindjes, në Pogradec ngrihet shtatorja në bronz përballë me poetin dhe mikun dhe bashkëqytetarin, Lasgushin parnasian…

Bashkë. Aty shtohen lulet dhe adhuruesit…

ATDHE, DUAJI BIJTË E TU DHE KUR I KE VRARË…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx