Kulturë
Armela Hysi: Cicërimat shqip në Parkun për fëmijët dhe kulturën
E merkure, 17.09.2025, 06:58 PM
Cicërimat shqip në Parkun për fëmijët dhe kulturën
“Gjuha Amtare, shtëpia jonë”
Nga Armela Hysi
Në Athinë për Ditën Botërore të
Shkrimit & Leximit me organizatën «Duke lexuar, rritem»
Po hyjmë pothuajse në dekadën e dytë që aktivitete
të ndryshme në Ditën Ndërkombëtare të Shkrimit e Leximit, përkujtuar në fillim
të Shtatorit, gjejnë edhe komunitetin shqiptar të Athinës në përkushtim të
kësaj date të përzgjedhur, kundër analfabetizmit dhe të drejtave themeltare të
njeriut për arsimim e dije.
Ejani tek pema Portokalli, ishte sërish edhe këtë vit
thirrja publike që grishi. Një ditë kur trungjet e pemëve të parkut, vishen me
ngjyrat e ndezura të ëndrrave dhe jetës, e aty edhe gjuha jonë amtare, shtëpia
jonë e ngrohtë, jo vetëm që gurgullon ëmbël, për të treguar të rejat e takimit
pas pushimeve, mes fëmijëve e të rriturve, por edhe lexohet, në përralla, e
vjersha, merr jetë në lojëra e rrëfime, kthehet të marrë energji të re në
kujtimet dhe rrënjët e atdheut.
Mësuesit pjesëmarrës,
Eriketa Qorlazja Kollçaku, Kristina Roshi dhe Pjerin Lleshi, me vëmendjen e Komunitetit Shqiptar, dhe personalisht të Kryetares
Rovena Xhori, të Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi, nën kupolën e programit të organizatës “Duke lexuar, rritemi”, realizuan një pasdite të veçantë
për të vegjlit e prindërit e tyre, dhe mjaft bashkatëdhetarëve që iu përgjigjën
thirrjes për t’u bërë pjesë e këtij aktiviteti. Mësuesit lexuan përralla ku
fëmijët plotësonin vijimin e fjalëve apo germave që mungojnë, histori për
qytete të Shqipërisë, tregime se sa i vyer është roli i mësuesit dhe shkollimit
në jetën e njeriut, lojëra me fjalë për t’u përgjigjur të vegjlit dhe përherë
ndezën buzëqeshjet e tyre të çiltra gjatë përjetimit të kësaj veprimtarie.
I pranishëm në këtë
aktivitet edhe Liter-Art, shoqata e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë në
Greqi. Poetja Armela Hysi, e nxitur nga vogëlushët lexoi për ta dy poezi të
shkruara kur ajo vetë kishte qenë ende vogëlushe në moshën e tyre, të cilat
ishin lexuar në atë kohë edhe në programin e Radios kombëtare të RTSh-së dhe
vlerësuar me çmim të parë në edicionin përkatës; ndërkohë që mësuese Kristina lexoi dy vjersha për fëmijë nga autorja Valentina Satka, e cila bëri edhe paraqitjen
e dy librave të saj për të mitur, dhe ndau me pjesëmarrësit kujtime të
vegjëlisë.
Fëmijët, që kishin dhe fjalën e parë në këtë
eveniment, - kryesisht nxënës të kurseve mbështetëse të mësimit të gjuhës
shqipe në Athinë - gjithashtu recituan ose dëftuan mbresa të bukura e ngjarje
që kalojnë me gjyshërit e familjarë të tyre, të cilët jetojnë në atdhe a gjetkë,
tanimë që dinë të komunikojnë më mirë në gjuhën shqipe dhe sesi lidhjet me ta e
me miqtë që zënë në atdhe kur shkojnë me pushime janë më të ngushta dhe më
cilësore.
Të shumtë ishin gjithashtu fëmijët grekë apo të
komuniteteve të tjera që banojnë në Athinë, që kalonin pranë “pemës me ngjyrë portokalli”
stolisur me tullumbacet që shkëlqenin me lloj-lloj nuancash për të dëgjuar, të
joshur nga të qeshurat e fëmijëve, për t’u hedhur një sy librave të ndryshëm me
figura e ngjarje fantastike, ose edhe për të marrë ndonjë nga sheqerkat e
karamelet, që ëmbëlsuan këtë pasdite të këndshme pranë librit, pranë miqve e
gjuhës amtare. Kjo datë e shtuar në aktivitetet e përvitshme për gjuhën shqipe,
e kthyer tashmë në një traditë simbolike është një nga përpjekjet e shumta që
bëhen për të vendosur vëmendjen që i nevojitet çdo fëmije me prindër emigrantë
të mësojë e të komunikojë në gjuhën e vet, përveçse si detyrë shoqërore e
shpirtërore, e padyshim si një mjet më tepër për mbarëvajtjen dhe përgatitjen e
tij akademike, por dhe një dritare më tepër në vizionin e tij për jetën,
perceptim më sublim të vetes e shoqërisë, ndjeshmëri më të lartë e humanizëm.
Është dhe një ndihmë psikologjike për të konceptuar harmoninë me veten e të
tjerët, në një jetë e një botë që përherë të vë në sprovë, sa më i mbarsur me
dashuri për rrënjët të jesh, aq më e lehtë mbarvajtja e përgjithshme!
Nga Athina
Armela Hysi




Komentoni
Artikuj te tjere
Jahja Drançolli: Durrësakët, në krye të universiteteve prestigjioze europiane (1396, 1497)!
Lekë Mrijaj: Këngëtari Neki Emra, bilbil i deshmuar i muzikës së mirëfilltë popullore shqiptare
Albert Vataj: Figura e gruas dhe zakoneve shqiptare, midis spektaklit dhe sakrificës, në romanin e Pashko Vasës, 'Bardha e Temalit'
Albert Vataj: Lec Bushati, aktori që solli në artin skenik thellësinë shpirtërore dhe epikën e personazhit
Albert Zholi: Flet kompozitori i talentuar Enver Shëngjergji
Shyqyri Fejzo: Vetmia
Albert Vataj: Udha që të shpie te dija, sipas gjigandëve të mendimit filozofik
Jahja Drançolli: Rruga e famshme Egnatia, me dy pikat e saj të fillimit në Durrës dhe Vlorë, dhe rëndësia e saj historike!
Visar Zhiti: Mitrush Kuteli, Shqipëria si s'ka fuqi ta kujtojë sot?
Albert Vataj: Komedia që zgjon kujtesën e artë të Shkodrës së artit të vitit 1919
Milazim Zeqiraj: Hyjnorja Nënë Tereza, shkëlqimi që bekon
Sevdail Hyseni: Qeveria në pritje
Flutura Maçi: Më shihje si diell
Prend Buzhala: Fatmir Halimi - Shkrimtari që bashkon fjalën, artin dhe virtytet
Kadri Tarelli: Kush guxon më shumë poeti apo shkrimtari?
Kalosh Çeliku: Popull me tre shtete, pa shtet shqiptar
Rushit Ismajli: Driton Gashi - Njerëz
Visar Zhiti: Njerëz pa koka, turmë e hekurt – aq shumë dëshpëruese…
Albert Zholi: Kamëza e ndryshimeve të mëdha, ne festën e filmit me 'Open Cinema 2025'
Albert Vataj: Në një moshë të tillë... kur ti guxon të jesh vetja