E enjte, 11.09.2025, 11:48 PM (GMT+1)

Kulturë

Rushit Ismajli: Driton Gashi - Njerëz

E enjte, 11.09.2025, 06:56 PM


Recension i librit

"Njerëz" nga Driton Gashi

Nga Rushit Ismajli

Libri i titulluar aq thjesht, aq bukur, aq njerëzor, “NJERËZ”, i publicistit Driton Gashi, na sjell personalitete të rëndësishme të letërsisë, të kulturës, shkencës, estetikës, politikës, muzikës…, që kanë diçka të përbashkët – dëshirën për të kontribuar për Kosovën. Me moton “KOSOVA ËSHTË VENDI YNË QË DUHET TA DUAM”, këta njerëz kanë përshkruar me mall, me emocion, me aq dashuri, shpesh jo pa dhimbje, përpjekjet e tyre për të bërë sado pak diçka të vogël për këtë vend. Disa kanë sakrifikuar shumë, kanë dhënë shumë, më shumë se ç’kanë mundur, kanë vuajtur shumë: përndjekje të vazhdueshme, dhunë brutale fizike dhe emocionale, ndarje nga më të dashurit…, por s’janë dorëzuar kurrë. “E dua këtë popull” – thotë Pal Shtufi, “Nuk e di. E di që jam marrëzisht i dashuruar në popullin tim”.

Duke bërë recensionin e këtij libri, jam mahnitur me volumin e gjithë kësaj pune që Dritoni e ka bërë, gjithë atë energji dhe emocion që ka futur në këtë libër. Çfarë përmban ky libër? Intervista me personalitete të ndryshme nga të gjitha trojet shqiptare, e përbashkëta e të gjithëve ka qenë kontributi që kanë dhënë për vendin ku jetojnë. Disa janë emra shumë të njohur për publikun, disa janë të padëgjuar, por kjo nuk i bën ata më pak të rëndësishëm. Duke kaluar nga njëri te tjetri do të gjesh shumë gjëra nga jeta e përditshme, nga profesioni që ushtrojnë, pikëpamjet politike, fetare-jofetare, pikëpamjet estetike… Por, te të gjithë, mund të vërehet gjithë ajo dashuri, që ata kanë dhe që e japin pa kursim për këtë vend. Në libër do të gjeni edhe publicistikë, recensione, refleksione të autorit, të shkruara me aq mjeshtëri dhe delikatesë. Është vërtet një univers – mos humbisni rastin që ta lexoni!

Shumë nga të intervistuarit tanë kanë një moshë dhe një përvojë, shumë nga ta kanë jetuar në shtetin jugosllav, që mëtonte të ishte model i “jetës së ndritur socialiste”. A ka pasur gjëra të mira në këtë shtet? Më pozitivi është Gani Loshi, i cili thotë se nuk ka qenë aq keq në kuptimin se familja nuk kishte kushte të këqija materiale, dhe, po të mos “përziheshe” në punët e shtetit, liheshe i qetë, megjithëse e thoshte pastaj që shteti jugosllav i shikonte shqiptarët me mosbesim dhe si të rangut të dytë. Pal Shtufi e çon më larg këtë mendim, duke thënë: “Revolta e asaj kohe, nuk ishte revoltë për shkak të shtypjes dhe të varfërisë… Ishte kërkesë e dalë nga vetëdija kombëtare. Ishte kërkesë fine, e cila paralajmëronte se nuk ishim popull jugosllav, ashtu siç na quanin dhe ashtu siç filluan të regjistroheshin shumë shqiptarë”.

Pra, ne jemi shqiptarë, por, në radhë të parë, jemi njerëz dhe gjithë çka duam më së shumti në botë janë ëndrrat tona. Zgjimet e hershme të mëngjesit pranë një kopshti me mollë te pragu i shtëpisë ku jemi rritur. Ne bredhim nëpër botë, që na tërheq si me magji, si te kënga e Rovena Dilos, por gjëja më e shtrenjtë është atdheu ynë, rrugët ku kemi ecur si fëmijë, njerëzit me të cilët kemi ndarë copën e bukës, çiltërsinë e bisedave me ta… Ne kemi pasur në duart tona libra me prozë, me poezi, të formateve nga më të ndryshmet, që flasin për mallin për atdheun, që nga rilindësit tanë, por kurrë nuk mund të gjesh një libër si “NJERËZ” të autorit Driton Gashi, ku e tërë qenia njerëzore shndërrohet në mall, ku të gjitha gjërave të tjera materiale u humb shkëlqimi para imagjinatës për gjërat e vogla që lidhen me atdheun. Vetë autori dëshiron që gjithë dashurinë t’ia japë atdheut dhe të kthehet tek ai si në një ëndërr.

Ika për një vizitë për të vazhduar këtë ‘vizitë’ tani e 30 vjet,”- thotë Luz Thaqi. Arsyet për të cilat mërguan shqiptarët në botën perëndimore ishin nga më të ndryshmet: varfëria, ndjekjet politike, kërkimi i një jete më të mirë, ndonjëherë sa për një vizitë… “U kënaqët atje në Gjermani!”- u thuhet shpesh bashkatdhetarëve tanë. Në këtë libër do të gjeni shumë nga ata që kanë mërguar dhe që kanë mbetur atje për gjithë, disa që janë kthyer, disa të tjerë që bëjnë një jetë herë në mërgim e herë në Kosovë. Aq e madhe është magjia e tërheqjes së vendlindjes, saqë nuk mund ta kalojnë një vit të tërë pa ardhur në Kosovë. Përse gjithë ky mall? Është njerëzore të lidhesh me gjërat e jetuara në fëmijëri, por është edhe një gjë tjetër po ashtu substanciale, që lidhet me këtë – integrimi. Sa e vështirë të integrohesh në kulturën e të tjerëve? Por, a duhet, vallë, të heqësh dorë nga vlerat e tua? Pse vlerat e kombeve të tjera u dashka me qenë patjetër më superiore?! Për ata që e kanë provuar mërgimin, përgjigjja është jo e vështirë – askund më mirë nuk ndihesh se në ngrohtësinë e vendlindjes. Disi janë ngopur me atë sjellje të ftohtë të njerëzve në Perëndim, me gjithë ato rregulla teknike, që duhen ndjekur në çdo kohë, me individualizmin ekstrem dhe me distancën sociale që u është rrënjosur në shpirt që në kohën e fëmijërisë? “E, çfarë të mire ka këtu?”- thonë shumë shqiptarë. Vërtet pse duhet patjetër t’i veshim vetes këto gjëra dhe të heqim dorë nga vlerat tona: çiltërsia, dashamirësia, solidariteti… Natyrisht që ka plot gjëra të mira për të marrë nga kultura perëndimore, por e përbashkëta që do të gjeni në intervistat, që nuk janë të pakta, me tematikën e integrimit, është se shqiptarët jo patjetër duhet të kërcejnë në përqafimin e vlerave të të tjerëve, duke braktisur ato të vetat. E përbashkëta është se ne duhet të vazhdojmë t’i ruajmë dhe t’i kultivojmë vlerat tona, kudo që jemi dhe në çfarëdo rrethanash.

Prej nga gjithë ky mall?! Ndoshta nga liria e munguar! Ndoshta nga robëria, nga skllavëria e padurueshme që ky popull ka vuajtur nën zgjedhën e sllavëve, që padrejtësisht përpiqeshin të na zhbënin nga vatrat tona shekullore. Liria kurrë nuk do të vinte për Kosovën pa lëvizjen çlirimtare, që u përhap në të gjithë vendin. Ishin ata djem dhe vajza që rrokën pushkën në duar për të mbrojtur atdheun e tyre, ata që ishin tharmi i kësaj lirie. Aq shumë e deshën vendin, saqë ishin të gatshëm ta linin jetën luksoze për të dhënë jetën për lirinë e atdheut. Dhe nuk janë të pakta rastet, si e heroit Agim Ramadani, që bëri sakrificën më sublime për vendin e vet. E, pra, do të kishte mundur të rrinte në komoditetin e vet, por zëri i atdheut e thërriste, siç i thërriste mijëra mërgimtarë, për të ndihmuar në mënyra të ndryshme për lirinë e tij. Dhe këtë ndihmë e dhanë pa kursyer bijtë dhe bijat e këtij vendi, qoftë brenda, qoftë jashtë atdheut. “Vitet nëntëdhjetë ishin aq të vështira për të gjithë ne”, – thotë Valbona Morina, “Gjendje e rëndë okupimi. Na vranë e plagosën shumë njerëz. Na helmuan nxënësit. Na mbyllën shkollat, universitetet, televizionin. Na larguan nga puna. Nuk kishim siguri e bazë ekzistence. Çdo gjë vëzhgohej nga policia e ushtria serbe. Ndoshta ka ndikuar edhe kjo kohë e rëndë e popullit tim, që unë fillova të mendoj se cili do të ishte kontributi im konkret për lirinë e Kosovës”.  Si Valbona, edhe shumë të tjerë, nuk kishin si të rrinin indiferentë, duke parë atë që po ndodhte në Kosovë. Shumë nga ta kishin përjetuar tmerret e regjimit serb në Kosovë, duke përfshirë ndjekjet, burgosjet, torturat, persekutimet…. Janë dhimbje që manifestohen gjithandej në libër. Nuk ke si i mban lotët nga rrëfimet e shumë të intervistuarve, por, prapëseprapë, vërehet edhe krenaria për stoicizmin dhe rezistencën që kanë treguar për t’iu gjendur pranë atdheut që po vuante.

Natyrisht, që ndërhyrja ushtarake e NATO-s, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njohja e shtetit të Kosovës nga ShBA-ja dhe ndikimi i saj te shtetet e tjera që ta njohin Kosovën, ishin promotor i lirisë dhe i shtetformimit. Në këtë libër do të gjeni persona joshqiptarë, që, në njëfarë mënyre, nuk i lidhte ndonjë gjë e madhe me këtë vend, por që deshën dhe dhanë gjithë atë kontribut për t’iu gjendur njerëzve që po vuanin, qoftë përmes ndihmës humanitare, qoftë përmes zhvillimit të kapaciteteve që do të ndihmonin në sendërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta. Gjithmonë kur ka misione nëpër botë do të gjenden edhe njerëz të ardhur nga vendet më të ndryshme, që në vend të kontributit, kanë ngatërruar më shumë sesa kanë ndihmuar; prapëseprapë, autori ka sjellë vetëm ata shembuj pozitivë që dhanë shumë nga vetja dhe zemërgjerësia e tyre. Do të gjeni zviceranin, Basil Schader, i cili iu fut studimit të gjuhës shqipe, me qëllimin që nxënësit kosovarë, krahas studimit të gjermanishtes, të inkurajoheshin të mësonin gjuhën e tyre, pasi që kjo kishte shumë rëndësi në zhvillimin e tyre kognitiv. Çështja sesi ndikon gjuha amtare në zhvillimin akademik të nxënësve, që flasin dy e më shumë gjuhë, si në rastin e Zvicrës, është tematizuar detajisht në këtë libër. Do të gjeni Falko Grunau-n, drejtor i një shkolle në Gjermani, ku ka nxënës të nacionaliteteve nga më të ndryshmet, i cili përpiqet shumë që… “diversiteti kulturor dhe gjuhësor, toleranca dhe pranimi i diversitetit, si edhe integrimit”… të jenë në qendër të temave më të rëndësishme të shkollës që ai e drejton. Grunau ka vizituar Kosovën dhe është mahnitur me pritjen që i është bërë, gjë që e shpreh me dashamirësi në intervistën e tij. Do të gjeni një recension të autorit për shkrimtaren dhe gazetaren gjermane, Mechthild Henneke, dhe librin e saj „Ach, mein Kosovo!“ (“Ah, Kosova ime!”) një libër dhimbjeje dhe krenarie për luftën në Kosovë. Autorja ka jetuar në kohën e pasluftës në Kosovë, ka mësuar shqipen dhe libri i saj është bazuar në ngjarje të vërteta, jo në stisje letrare. Këta janë vetëm disa nga të huajt, pjesë e këtij libri, por do të gjeni edhe të tjerë, të cilët janë po ashtu për t’u lexuar dhe për të plotësuar tablonë e pikëpamjeve të të huajve për Kosovën dhe për kulturën e saj.

Dhe erdhi një ditë liria aq shumë e pritur! Ndonjëherë, sikur edhe nuk na besohej se vërtet ishim të lirë, frymonim lirshëm, flisnim shqip kudo, nuk e kishim frikën se milici do të na ndalte në rrugë pa ndonjë arsye dhe do të na keqtrajtonte vetëm se ashtu ia donte qejfi. Por, a ishte ajo si në imagjinatë, si në dëshirat e miliona shqiptarëve, të cilët kanë pritur këtë ditë: të ishin të lirë, të frymonin lirisht?! “Ka ndodhur një fenomen, i cili vështirë të shpjegohet dhe që ka të bëjë me hendekun në mes të pritjeve dhe realitetit” - thotë Murteza Osdautaj. Te shumë të intervistuar në këtë libër nuk mund të fshihet doza e zhgënjimit për mënyrën sesi u bënë gjërat, sesi kastat politike vrapuan pas interesave të ngushta të tyre, duke rrëmbyer gjithçka mundnin, si ra niveli i arsimimit dhe i shëndetësisë, si u shpërndanë lehtë titujt e specializimeve, magjistraturave, doktoraturave, si u zvetënua jeta kulturore, si korrupsioni dhe nepotizmi mbërritën kulmin, duke mos u lënë hapësirë njerëzve meritorë, njerëzve që ia duan të mirën këtij vendi, të dalin në pah dhe të japin kontributin e tij. Zhgënjimi është aq i madh, sa disa të rinj filluan ta shohin ardhmërinë jashtë Kosovës. Shtoji kësaj edhe pritjet tradicionale sesi duhet të jetë dikush… “Është vetëm një mënyrë e caktuar e jetës që shoqëria e pranon, të gjitha të tjerat nuk vlejnë, sipas tyre: fakulteti, martesa, familja tradicionale, një punë e zakonshme, kaq!” - thotë Lyra Goga. Këto dhe shumë të tjera janë plagë të shoqërisë kosovare, të cilat janë shtjelluar thellësisht në këtë libër, bashkë edhe me shpresat për të gjetur forcë ata njerëz, të cilët shohin përtej përfitimeve materiale. Zaten, në këtë libër, autori ka zgjedhur njerëz, që, jo patjetër, janë emra politikë apo VIP-a, apo njerëz që janë pasuruar aty për aty, por njerëz meritorë të shoqërisë kosovare, që duan ta ndërtojnë këtë vend.

Për dashurinë për Zotin, për Njeriun, për Vëllanë, për Motrën, për simbolin tonë kombëtar, Nënë Terezën. Një shkrim frymëzues i monsinjor don Lush Gjergjit. Populli shqiptar ka kaluar nëpër gjithë ato katrahura të pushtuesve të ndryshëm, që deshën ta çrrënjosin nga qenia jonë identitetin kombëtar. Populli i Kosovës gjithmonë ka pasur një frymë tolerance për njëri-tjetrin, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre fetare. Feja e krishterë, e ruajtur nga një pakicë e popullatës, ka pasur rol aktiv në mbajtjen e frymës atdhetare, mjafton të përmendet se shkolla e parë shqipe është hapur në fshatin Stubëll, më 19 qershor 1886, në vendin ku është lindur dhe rritur don Lush Gjergji. “Feja e krishterë është solidariteti i Zotit me njeriun dhe njerëzimin, pa asnjë dallim dhe përjashtim, që mbështetet në dy shtylla: e Vërteta dhe Dashuria, ndaj Zotit – Dashuri e Vëllait apo Motrës – Njeri, që e qiti në dritë, e lindi dhe edukoi edhe Gonxhe Bojaxhiun – Shenjtëreshën e Jetës dhe të Dashurisë, Nënën Tonë Terezë.”- thotë don Lush Gjergji. Në librin “NJERËZ” janë trajtuar shumë tema të vështira, që kanë të bëjnë me luftën dhe vragët që ka lënë kjo te njerëzit tanë. Nëse doni të lexoni diçka që të prehet shpirti, diçka frymëzuese, atë do ta gjeni te monsinjori, i cili njihet edhe për gjuhën e rrjedhshme që përdor në fjalimet e tij.

Libri “NJERËZ” mëton që të ngjallë kureshtjen për të lexuar. Sa shumë kanë dashur njerëzit të lexojnë më parë: dikush që blinte një libër, ua jepte atë të tjerëve, pasi që ishin të kufizuara mundësitë blerëse për të gjithë. Krahas dashurisë për librin dhe për leximin, të intervistuarit nuk mund të mos shfaqin brengën e tyre se kultura e leximit po zbehet në vendin tonë. “Dëshirën time për arsimim më të lartë e më të thellë e kompensoja atëbotë, duke lexuar të gjitha kompletet e Sterjo Spasses, Vedat Kokonës, Jakov Xoxës, Shevqet Musarajt dhe të autorëve të tjerë. Rreth 300 libra i pata lexuar në atë kohë dhe nga atëherë nuk iu kam ndarë kurrë leximit” – thotë Zeqir Rama, profesor i filozofisë. Brenga e z. Rama, edhe të intervistuarve të tjerë, se kultura e shkrimit dhe e leximit ka rënë në Kosovë, pasqyrohet gjerësisht në këtë libër. Përpara kishte kritere të shkrimit, të redaktimit, të botimit, të tirazhit… Sot botohen libra pa ndonjë vlerësim nga ndonjë këshill redaksional dhe me një tirazh aq të ulët, sa për të thënë që është botuar. Më shumë i ngjan një "printimi” sesa një libri të mirëfilltë. Shtoji kësaj që numri i personave të apasionuar pas leximit ka rënë ndjeshëm, mjafton t’i vizitosh kafenetë e stërmbushura të Prishtinës, dhe, pakkush me një libër në dorë, e krijon menjëherë përshtypjen se çfarë po ndodh me shoqërinë tonë. Përse, vallë, kjo indiferencë ndaj fjalës së shkruar?! Kaq pak paska vlerë për një kosovar? E, pra, më parë njerëzit vuanin ta kishin qoftë edhe një copë gazete për të shfletuar diçka nga jeta artistike e vendit. Të intervistuarit kanë dhënë mendimet e tyre se çfarë duhet të bëhet që të rritet cilësia e shkrimit dhe inkurajimi, sidomos i të rinjve, për të lexuar vepra letrare. “Ka shkaqe të ndryshme, sidomos teknologjia ka sjellë një pasivitet dhe njerëzit po kërkojnë dhe po gjejnë informata të shumta dhe të shpejta, përmes Google-s, Wikipedia-s. Diçka si ushqimi i shpejtë –„fast food“, ku përgatitet shpejt, ka shije të mirë dhe nuk është i shëndetshëm. Leximi sistematik është si përgatitja e ushqimit, ku duhen disa orë dhe nga kjo del një gjellë e shëndetshme dhe e shijshme”, – thotë Haki Llullaku, i cili shton se një mënyrë për të inkurajuar të rinjtë që të lexojnë është që prindërit të jenë shembull, se nëse ata vetë rrinë në telefon, si do t’u kërkojnë fëmijëve që ata të lexojnë.

Prishtina, qyteti që na bashkon! Shumë nga të intervistuarit kanë shkruar për Prishtinën, vend që i mblodhi shqiptarët jo vetëm nga Kosova, por edhe nga trevat ku kishte shqiptarë në ish-Jugosllavi. Vetë autori i ka kushtuar një këngë me vargje të poetit Faruk Tasholli. Prishtina është metropoli, Nazareti për Pal Shtufin; është Piemonti për Nuhi Gashin. Do të sjellim një përshkrim të ballafaqimit me Prishtinën nga dr. Sahadete Kelmendi, që për të studiuar la qytetin e bukur të Pejës: “Unë vija nga një qytet tjetër, lindur, rritur dhe edukuar në një familje me rreth të ngushtë familjar. Prishtinën e njihja pak dhe rrallë e kam vizituar dhe pak e kisha idenë sesi ishte jeta dhe se çfarë bëhej këtu. Has në një qytet me pozitë tjetër gjeografike, me klimë ndryshe, me motin që ndërronte brenda minutash, me lëvizje të shumta të njerëzve – një qytet i zhurmshëm. Pastaj, filluan njohjet dhe kontaktet me kolegë të qyteteve të ndryshme, me kultura, me dialekte e nëndialekte dhe me tradita që dallonin nga qyteti im... Të gjitha këto e bënë më të lehtë adaptimin tim në Prishtinë”. Shumë shpejt Prishtina u bë vendlindja e dytë për të gjithë ata që vendosën të jetojnë në të. Se ç’ka diçka magjike në të si në këngën e Rovena Dilos “Ante, i tokës sime!” në këtë qytet që i thërret njerëzit të bëhen pjesë e tij. Disa kanë jetuar në vende të ndryshme të botës, por që Prishtinën nuk do ta ndërronin me asnjërin prej tyre. Asnjë vend tjetër nuk të ofron atë ngrohtësi, atë spontanitet, atë dashamirësi të njerëzve, lehtësi të fillimit të një bisede me ta.

Pa shihni ç’gjuhë e mirë që është/ Sa shije ka dhe hije/ ç’e e bukur dhe e dlirë / Si gjuhë perëndie”, – ka thënë poeti ynë kombëtar, Naim Frashëri. A kanë dashur rilindësit tanë që të ngjallin dashurinë për gjuhën që flasim? Patjetër që po! Por, edhe e kanë dashur këtë gjuhë. Shumë nga ta kanë qenë të rrjedhshëm edhe në gjuhë të tjera, madje edhe kanë shkruar poezi në gjuhë të huaj; prapëseprapë, askund nuk e kanë gjetur prehjen si në gjuhën amtare. Dhe, vërtet, për gjithë ata që shkruajnë shqip, që të gjithë e kanë ndjesinë se është gjuhë magjike, pasi që kur futesh në thellësinë e saj, humb në bukurinë e shprehjeve dhe frazave të veçanta, që nuk i gjen askund.

Në librin “NJERËZ” do të gjeni edhe një logopede gjermane të quajtur Andrea Lehmann. Çfarë t’i marrësh Andrea-s, çfarë t’i lësh?! Atë vërtet duhet lexuar si të tërën dhe me shumë vëmendje, por po veçoj diçka: “Unë gjithmonë e konstatoj - dhe e theksoj vërtet këtë konstatim - se njohuritë e mira në gjuhën e parë (amtare) janë thelbësore, sepse ajo që mësohet në familje, pra gjuha e parë, përbën bazën për të gjithë zhvillimin e gjuhës dhe mësimin e gjuhëve të tjera. Fatkeqësisht, ka ende shumë edukatorë dhe mjekë që supozojnë se fillimisht duhet të mësohet gjuha vendase, gjermanishtja. Në terapinë e të folurit, ky rekomandim nuk konsiderohet efektiv, sepse tani ka shumë prova shkencore që flasin kundër tij. Ndodh vazhdimisht gjatë diagnostikimit në praktikat mjekësore, që, për shembull, një çrregullim i zhvillimit të gjuhës keqinterpretohet si një fenomen natyror i përvetësimit të gjuhës së dytë. Në fakt, është krejt normale qëkur fëmijët rriten, duke folur dy gjuhë, fjalori në secilën gjuhë nuk është aq i madh sa ai i një fëmije tjetër që rritet duke folur vetëm një gjuhë”.

S'ke si të mos përmendësh “Karnavalet e Korçës” me humorin e saj të mprehtë për snobizmin e një pjese të shoqërisë korçare, që përpiqet aq shumë të imitojë kulturën franceze, saqë fillon të sillet me përbuzje ndaj gjuhës shqipe, si në atë momentin kur Olimbia ankohet se kjo shqipja gjithmonë ma ngatërron vajzën…, kur e bija, Afroviti, ia fut kot shqiptimit origjinal të emrit të kompozitorit Chopin. Pse ky nënvleftësim për gjuhën e nënës, me të cilën është rritur dhe është zhvilluar? Nuk është se nuk haset në biseda të bashkatdhetarëve se s’ka ç’duhet gjuha shqipe, se vetëm sa po i pengon fëmijët e tyre që të zhvillohen në vende ku ata kanë emigruar. Andrea sjell një fakt të përkundërt - gjuha bazë është shumë e rëndësishme edhe për zhvillimin emocional, edhe për zhvillimin akademik të fëmijëve.

Janë të shumtë ata që dhanë kontribut për ruajtjen e gjuhës shqipe në mërgatën tonë dhe që e meritojnë të përmenden, si: Sejdi Gashi e Feride Gashi, Rifat Hamiti e Nexhmije Hamiti, Sami Thaçi, Adem Shala e Hajrije Shala, Sami Islami, Rizah Sheqiri, Kemajl Çallaku, Antoneta Miçalliu, Etleva Mançe, Shpresa Përzhaku, Yllka Alidema, Mimoza Leka, Nuhi Gashi, Sylejman Salihu, Zeqir Rama… Kësaj liste do të mund t’i shtoheshin edhe shumë të tjerë, që nuk kursyen mundin për gjuhën shqipe. Të ndërgjegjshëm për atë që thotë Andrea, por, edhe për arsye se e donin gjuhën shqipe…,”këtë gjuhë të Perëndisë”, siç ka thënë Fishta, t’u lihet trashëgim fëmijëve, donin me aq dashuri ta ngulitnin në mendjen dhe në shpirtin e fëmijëve të emigrantëve. Dhe ne vazhdojmë të jemi krenarë me këta fëmijë që u rritën, u bënë emra të njohur në botë, por që flasin një shqipe të rrjedhshme dhe që kudo deklarohen se janë shqiptarë. Gjuha, ky mjet i komunikimit ditor, zë vend të veçantë në këtë libër. Vetë autori e do aq shumë gjuhën shqipe, ndonëse flet gjermanisht në nivelin akademik, saqë emocionohet sa herë që e sjell në diskutim.

Dhe ne po ndalemi këtu, sepse gjithmonë ka një stacion për të ndaluar. Por ky është vetëm fillimi i një vazhdimi të gjatë mbushur plot me befasi. Janë 57 të intervistuar, janë 57 njerëz që flasin, që flasin me gjuhën e zemrës, me gjuhën e shpirtit, flasin vetëm ose të shoqëruar dhe të krijohet një ndjesi për një përzierje zërash, si një polifoni, ku secili ka pjesën e vet dhe të gjithë së bashku, si në një kor, plotësojnë tablonë e këtij libri. Janë 57 mbrëmje të kaluara me faqet e këtij libri, një zgjedhje më e mirë sesa të rrish para TV-së dhe të dëgjosh debate jo mirë të organizuara, e nganjëherë të helmatisura. Janë 57 të intervistuar dhe, pak nga ta, janë përmendur këtu, duke mos i bërë as më të rëndësishëm, as më pak të rëndësishëm, por që kanë shërbyer për t’i dhënë një përshtypje lexuesit se çfarë është natyra e këtij libri, shumë e ndryshme nga ajo çfarë ne hasim në përditshmërinë tonë. I mbetet lexuesit, pastaj, që të thellohet në botën e gjithsecilit dhe të njihet me pikëpamjet, me idetë e tyre për jetën, për filozofinë, estetikën, artin, shkencën, muzikën, gjuhën, dhe, mbi të gjitha, për njeriun, ashtu si edhe titullohet vetë libri - “NJERËZ”. Duke ju lënë në mesin e NJERËZVE, ju uroj lexim të këndshëm!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx