Kulturë
Paulin Zefi: Kisha mesjetare e Shëlbuemit në Velën e Vendit, Malësia e Lezhës
E hene, 08.09.2025, 06:55 PM
Kisha mesjetare e Shëlbuemit në Velën e Vendit, Malësia e Lezhës
Nga
Paulin Zefi
Kisha
Katolike e Shëlbuemit në fshatin piktoresk, Vela e Vendit (Sancti Salvatoris in
Vello), e cila gjendet në qendër të vendbanimit në kuotën 530 m mbi nivelin e
detit, e rrethuar nga një vegjetacion i dendur, përmendet për herë të parë në
dokumentacionin historik së bashku me kishën tjetër të këtij fshati, atë të
Shën Premtes (Sancte Venere in Vello), nga vetë Papa Gregori XII në letrën e
tij drejtuar Arqipeshkvit të Tivarit (Archiepiscopo Antibarensi) më 23 maj
1407, të cilit i kërkon të marrë masa për lirimin e 12 kishave të zaptuara nga
Ipeshkvia e Lezhës në kurriz të Ipeshkvisë së Arbnit [1]. Në territorin e
fshatit Vela e Vendit, që është pjesë integrale e NJ.A. Kolsh, Bashkia Lezhë,
ruhen ende toponime dhe kujtime të banorëve që dëshmojnë edhe praninë e dy
kishave të tjera tashmë të zhdukura: 1) "Kisha e Sh’Llezrit", që
ndodhej në majën e Malit të Velës (1.172 m), e cila ka qenë një kishë
pelegrinazhi, e vizituar nga banorët vetëm një herë në vit, në ditën e festës
përkatëse dhe "Kisha e Shën Gjinit", që shtrihej në jug të fshatit,
në majën e malit të Molungut (633 m), nga e cila sot nuk mbetet tjetër veçse
toponimi i saj në kujtesën e banorëve të vendit [2]. Prania e katër kishave
katolike në një fshat të thellë malor, si Vela e Vendit, dëshmon për
ekzistencën e një komuniteti të qëndrueshëm, me një jetë fetare të gjallë, të
mirëstrukturuar dhe të mbështetur në mënyrë të qëndrueshme nga autoriteti
kishtar. Ky fakt tregon se Vela e Vendit, pavarësisht pozitës së saj
gjeografike, nuk ka qenë një vendbanim i izoluar, por një qendër me identitet
të konsoliduar shpirtëror e kulturor. Prania e katër faltoreve brenda një
territori të kufizuar pasqyron një traditë të thellë të jetës liturgjike, një
kujtesë historike të kultivuar brez pas brezi dhe një rol të rëndësishëm të
komunitetit vendas në ruajtjen dhe përcjelljen e trashëgimisë kishtare e
kulturore. Pas pushtimit të Lezhës nga turqit, në vitin 1478, ipeshkvinjtë e
Dioqezës së Lezhës nuk qëndrojnë më në qytet, por zhvendosen fillimisht në
Malësinë e Lezhës, duke gjetur strehim te banorët e Velës, besnikë të besimit
katolik, dhe më pas ata zbritën nga lartësitë e këtij fshati [3], duke u
vendosur në Kallmet [4]. Kisha e Shëlbuemit dhe Kisha e Shën Premtes së Velës
(S.Salvatore et Santa Veneranda di Velia), përmenden sërish së bashku në një
relacion kishtar dërguar Kongregacionit të Shenjtë të Propagandës Fide nga
ipeshkvi i Lezhës, Benedikt Orsini, në vitin 1629, ku shënohet se ato kishin në
pronësi “vreshta të ndryshme, toka e mullinj”, që shfrytëzoheshin prej fretënve
[5]. Kisha e Shëlbuemit të Velës (Sanctus Salvator de Velia) përmendet më 24
prill dhe 20 dhjetor të vitit 1638 në dy letra të vetë Kongregacionit të
Shenjtë të Propagandës Fide, në të cilën përcaktohen kufijtë e Dioqezës së
Lezhës dhe ku saktësohet se kjo kishë përfshihet brenda territorit të Dioqezës
në fjalë [6]. Në vitin 1644, Kisha e Shëlbuemit të Velës (Santo Saluatore di
Veglia) përmendet nga ipeshkvi i Dioqezës së Arbërisë, Mark Skura, në një
relacion kishtar dërguar Kongregacionit të Shenjtë të Propagandës Fide mbi
vizitën e tij të kryer nëpër dioqezat e Arbërisë së Mesme, i cili mëton se kjo
kishë, që tani shërben si Kuvend i Etërve Minorë të Shën Françeskut, është
zaptuar nga ipeshkvi i Lezhës qysh kur vdiq Gjon Kolesi, ipeshkëv i Arbërisë
[7]. Në vitet 1663 e 1672 Kisha e Shëlbuemit përmendet nga ipeshkvi i Lezhës,
Gjergj Vladanji dhe më 1694 nga ipeshkvi tjetër, Nikollë Vladanji [8]. Në
relacionet e tij të viteve 1702-1703, arqipeshkvi i Tivarit, imzot Vinçenc
Zmajeviç (1670-1745), ndër të tjera shkruan se Famullia e Velës, e cila është
më në rregull se gjithë të tjerat dhe që përfshin fshatrat: Velë, Kryezez dhe
Skandaj (Veglia, Cruesesi, Scandai), me 54 shtëpi katolike dhe 460 frymë në
total: “Ka kishën me pajtor Shën Salvatorin (Shëlbuesin), që më parë i përkiste
Etërve Observantë, të cilët aty kishin Kuvendin. Është mbi madhësinë e
zakonshme dhe në gjendje të mirë materiale, e pajisur me orenditë e
shugurueshme, e mbajtur me shumë kujdes, e restauruar nga gjithë dëmet e
tërmetit me veprën dhe shpenzimet e famullitarit. Aty pranë është edhe një
kapelë e Shën Premtes (Cappella di S. Veneranda), por e rrënuar; [do të duhej
për ta meremetuar] një shpenzim prej 40 skudësh. Shërben famullitar Dom
Aleksandër Gjupa (D. Alessandro Xiuppa), 60 vjeç, me arsim të paktë, por me
talent të veçantë të natyrshëm. Është i çmuar prej turqve (myslimanëve) dhe të
krishterëve… [9]." Gjatë viteve në vijim, Kisha e Shëlbuemit të Velës
përmendet në mënyrë të dendur në relacionet kishtare dërguar Selisë së Shenjtë
në Romë, nga ipeshkvijtë e Lezhës, për gjendjen në Dioqezën e tyre. Në vitin
1710 nga Nikollë Vladanji; më 1730, 1735, 1737 dhe 1738 nga Gjon Gallata; më
1743 dhe 1747 nga Simon Negri; më 1749 nga Paolo di Rema Campsi; më 1753 nga
Anton Kryeziu; më 1785 nga Giorgio Junchi; më 1789 e 1792 nga Mikel Kryeziu; më
1800, 1801, 1807, 1817 dhe 1821 nga Nikollë Malçi; më 1844 dhe 1853 nga Ivan
Topich dhe më 1864/65 nga Pal Dodmasej [10]. Në fillim të shek. XX, Kisha e
Shëlbuemit u rindërtua nën kujdesin austro-hungarez. Pas Revolucionit Kulturor
Ateist të vitit 1967 ajo ka qenë përdorur si magazinë e kooperativës dhe me
rikthimin e veprimtarisë së saj, ky objekt i është nënshtruar një rimëkëmbje të
plotë [11]. Materiali i ndërtimit përbëhet kryesisht nga guri gëlqeror i lidhur
me një llaç të fortë gëlqereje. Kisha, e cila është e vendosur me orientim
veriperëndim-juglindje, me planimetri të thjeshtë drejkëndore dhe me përmasa
9.20 m x 20.40 m, duket shumë qartë se respekton të njëjtin model planimetrik
si në Kishën e Shën Gjon Pagëzorit të Mërqisë, edhe përsa i përket portave
binjake në fasadën kryesore dhe përdorimit të tyre për burra dhe gra [12].
Midis dy portave në fjalë dhe pak sipër tyre, ndodhet një kamare e jashtme në
formë katrore dhe e punuar me kornizë të
profiluar, e cila është e zbrazët dhe duket qartë se ka shërbyer si vend për
një mbishkrim, stemë ose pllakë përkujtimore. Hapësira e brendshme e monumentit
ndriçohet nga 8 dritare të gjata të mbuluara me qemerë të harkuar dhe një
dritare e ngushtë rrethore, e cila ndodhet në frontonin e kishës. Kisha është e
pajisur me dy kambana të derdhura në bronz në vitin 1914, të cilat, për fat të
mirë, i mbijetuan fushatës shkatërrimtare të Revolucionit Kulturor Ateist të
vitit 1967. Kjo u bë e mundur falë kujdesit të banorëve, të cilët i ruajtën
duke i përshtatur për përdorim praktik si mjete alarmi (çanga). Kambana e madhe
u përdor në fshatin Lalm-Lukaj, në kodrën e njohur me emrin “Qiqel”, ndërsa
kambana më e vogël shërbeu në vetë fshatin Vela e Vendit, mbi një kodër pranë
qendrës së këtij vendbanimi. Pas lejimit të ushtrimit të lirë të besimit fetar,
të dy kambanat u rikthyen në funksionin e tyre liturgjik. Të dyja mbajnë
dedikime të veçanta, të shoqëruara me datën e prodhimit. E para, më e madhja, e
cila ruhet në brendësi të kishës, mban këtë mbishkrim: “N’ SHPERBLIM PER GJÂA
T’SHELBUËMIT T’ VELËS, MARU N’VJETË 1910. PREJ USHTRIËS S’ TURKUT. U SHKRÎI ME
ZELLË T’ D. NIKOLL KIMEZËS N’ T’ DYTIN VJETË T’ LIRIËS / 1914.” Si e tillë, kjo
kambanë përfaqëson një dëshmi historike të kryengritjeve të vitit 1910 kundër
Perandorisë Osmane, si dhe të njohjes së autoritetit të Qeverisë së Vlorës nga
komuniteti i kësaj zone. Ndërsa kambana e dytë, e vogla, që sot është e
vendosur mbi degën masive të një lisi shekullor në oborrin e kishës dhe në
veriperëndim të saj, është e pajisur me këtë mbishkrim: “ZOT PSHTONA, MORTAJET,
ÛJET, E LUFTET / 1914.” Mbishkrimi pasqyron gjendjen e pasigurisë kolektive të
komunitetit si dhe bindjen e thellë se vetëm “Ndërhyrja hyjnore” mund të
garantonte shpëtimin dhe mbrojtjen përballë rreziqeve e sfidave historike të
kohës. Kisha e Shëlbuemit në Velën e Vendit, krahas aspektit shpirtëror dhe
përmasave të saj, pavarësisht se në fillim të shek. XX është rindërtuar
pothuajse e gjitha mbi themelet e saj të vjetra, ajo përfaqëson një ndër kishat
më të rëndësishme në Dioqezën e Lezhës dhe një ndër monumentet
historiko-kulturore më impozantë në territorin e Bashkisë Lezhë, por edhe në
arealin e pasur etnokulturor të Mirditës.
BIBLIOGRAFIA:
1- A.Meksi, Peshkopata
Arbanense, Gjon Kastrioti dhe grindja për kufijtë me peshkopatën e Lezhës, në:
ResPublica, 27 shtator 2018.
2- G.Hoxha-L.Përzhita-F.Cavallini,
Monumente Historike të Kultit të Krishterë në Dioqezën e Lezhës / Monumeti
Storici di Culto Cristiano della Diocesi di Lezha, Lezhë: Botimet Françeskane,
2007, f. 108.
3- Th.Ippen, Shqipëria e
vjetër, f. 147.
4- M.Shuflaj, Situata të
Kishës në Shqipërinë paraturke: Zona e depërtimit ortodoks në “digën” katolike,
Botimi II, f. 42.
5- P.Bartl, Albania
Sacra: Geistliche Visitationsberichte aus Albanien, 1: Diözese Alessio, f. 86.
6- D.Farlatus &
J.Coletus, Illyricum Sacrum, Tomus septimus, Ecclesia Diocletana, Antibarensis,
Dyrrachiensis, et Sirmiensis, cum earum suffraganeis, Venetiis: Apud
Sebastianum Coleti, Superiorum permissu ac privilegio, MDCCCXVII (1817), f.
204, 286.
7- I.Zamputi, Relacione
dhe dokumente për historinë e Shqipërisë (1610-1650) / Relazioni e documenti
per la storia dell'Albania (1610-1650), (Transkriptuar e perkthyer nga -
Trascritti e tradotti da Injac Zamputti), (Ribotim i perpunuar nga - riedizione
elaborata da Jozef Zamputti), St. Gallen: Alarische Institut; Prishtinë: Faik
Konica, 2018, f. 672.
8- P.Bartl, Albania
Sacra: Geistliche Visitationsberichte aus Albanien, 1: Diözese Alessio, f. 93,
125, 150.
9- V.Zmajevich: P.Bartl
/ I.Zamputi, Relacion i gjendjes së Shqipërisë e Serbisë / Relazione dello stato
d'Albania e Serbia (1702-1703), (Përgjegjës të këtij botimi: Albert Ramaj, Zef
(Ahmeti) Noka), Prishtinë: Faik Konica, 2022, f. 110, 264.
10- P.Bartl, Albania
Sacra: Geistliche Visitationsberichte aus Albanien, 1: Diözese Alessio, f. 178,
183, 187, 189, 192, 195, 199, 216-219, 235-236, 252, 257, 266-267, 283, 286,
291, 298-299, 318, 323, 329, 365, 384.
11-
G.Hoxha-L.Përzhita-F.Cavallini, Monumente Historike të Kultit të Krishterë në
Dioqezën e Lezhës / Monumeti Storici di Culto Cristiano della Diocesi di Lezha,
Lezhë: Botimet Françeskane, 2007, f. 106.
12- Ibidem, f. 106.
Paulin Zefi
Vela e Vendit, Malësia e Lezhës.
Dt.06.09.2025.