Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Kur shenjtërohej Nënë Tereza…
E premte, 05.09.2025, 07:00 PM
KUR SHENJTËROHEJ NËNË TEREZA,
SHTETI PËRGJYSMË I
SHQIPTARËVE,
DJAJTË
DHE BUZËQESHJA QIELLORE…
Nga
Visar ZHITI
Sa
dritë kishte ajo ditë, ngjante me mrekullinë… Copëza kujtimesh më vijnë të
bardha si pëllumbat në Sheshin “San Pietro” në Vatikan, atje ku u celebrua
mesha e shenjtë nga Papa Françesku.
Dhe
ne ishim atje…
DELEGACIONI
NË RETROSPEKTIVË
Lejomëni
të rrëfehem…
Po
tregoj. Pata fatin që në ato kohë të drejtoj ambasadën e Shqipërisë në Selinë e
Shenjtë dhe lumturinë të bashkëpunij me Vatikanin..
Po
e nis me dritaret e Përfaqësisë. Në katin e dytë të një pallati të vjetër në
Rrugën “Ottaviano” 43, kishim vënë një portret të madh të Nënë Terezës, që
dukej sikur e qeshura e saj e bënte më të ëmbël ajrin dhe pelegrinët apo
turistët e shumtë ndalnin, e fotografonin dhe vazhdonin në turma të shkonin për
te sheshi më i bukur i të gjithë botës katolike, para Bazilikës “San Pietro”.
Isha
i vetëm në ambasadë, bashkëpunoja me time shoqe dhe me stafin e pakët, punonim
deri pas mesante, dërgoja relacione të shpeshta në Ministrinë tonë të Jashtme,
në Tiranë dhe në Sekretarinë e Shtetit të Vatikan.
Do
të mblidhej e gjithë bota aty në ditën e kanonizimit. Vendet që lidheshin më
shumë dhe drejtpërsëdrejti me Nënë Terezën, Shqipëria e para me Kosovën,
Maqedonia e Veriut, për ne Maqedonia e Jugut dhe India do të kishin
delegacionet më të mëdha shtetërore, edhe mbi 20 veta. Shtetet e tjera jo. Do të vinin kryetarë shtetesh,
president, mbretër, nobelistë…
Ambasadori
i Maqedonisë së Veriut më tha një ditë pas njërës nga meshat në Bazilikë se
s’dinte nga t’ia mbante, ata të qeverisë së tij donin që të vinin që të gjithë
në ceremoni, po me të tutë si i keni punët ju, - më pyeti.
Edhe
unë s’di nga t’ja mbaj, - i thashë, - s’do të vijë asnjëri…
Nga
Presidenca s’kishte përgjigje a do të vinin. Edhe nga Parlamenti po kështu.
Kryeministri do të vinte, por jo delegacion shtetëror, ja ashtu vetëm, me
grupin e tij. Me Ministrin e Jashtëm, mbase. Nga Sekretaria e Shtetit të
Vatikanit donin të dinin sa vetë do të vinin nga Shqipëria, cili do të ishte
kryetari i delegacionit shtetëror? Nëse nuk vinte presidenti? Kabineti i tij
absurdshëm po bashkëpunonte me nunciaturën, jo me ambasadën e vet.
Më
në fund erdhi me fax një listë nga Kryeministria, do të vinte Kryeministri,
bashkëshortja, Ministri i Jashtëm dhe nja dy drejtorë të asaj ministrie. Pastaj
si për sfidë ndaj tyre më vjen një listë e gjatë, ku presidenti i Republikës,
si kryetar delegacioni do të ishte në krye të nja 25-30 vetave, bashkëshortja e
tij, stafi, këshilltarë, roje, vetura. etj. Pra s’kishte vend më për të tjerë,
sipas tyre.
Një
ditë a dy para ceremonisë dëgoi listen e vet parlamenti, do të vinte Kryetari
pa bashkëshorten, me një këshilltar e nja dy deputetë.
Nga
opozita asnjë lajm për pjesëmarrje.
Gjithsesi
kordinuese dhe bashkëpunuese e drejtpërdrejtë duhej të ishte dhe është vetëm
Ministria e Punëve të Jashtme
Sekretaria
e Shtetit të Vatikanit më mirëkuptonte, më donin, priste e qetë çdo sugjerim
timin, kërkesë apo shkresa që anullonin njëra-tjetrën, siç më vinin nga atdheu.
Kaloi mesnata në ambasadë…
Dhe
mbërriti delegacioni shqiptar, tre krerësh, presidenti me të vetët, sa shumë,
që s’donin të kishin punë me askënd, veç me piceritë e Romës, kryeparlamentari,
jo dhe aq shumë në grup, kryeministri – korrekt me pjesëtarët e dërgatës së
tij. Ishin vendosur në hotele të ndryshme, pa paqe midis tyre.
Ndërkaq
Dioqeza e Prizren-Prishtinës kishte organizuar një koncert të madh në Romë, i
ndihmova dhe unë me adresa dhe lidhje, në një kishë të famshme me artistë
shqiptarë nga e gjithë bota, që vërtet ishin të shkëlqyer. Na mblodhi dhe na
frymëzoi Nënë Tereza, thoshim. Mes spektatorëve pafund ishin të gjitha copërat
e delegacionit tonë, edhe nga opozita, por kurrsesi bashkë.
Dhe
ja, mëngjezi i shenjtërimit, me emocione të mëdha e me shqetësime ende më të
mëdha. U kërkua nga protokolli shtetëror dhe policia italiane që makinat e
delegacionit shqiptar si për çdo delegacion tjetër të lartë, të ishin në rresht
bashkë.
Ata
të presidencës, madje vetë presidenti u alarmuan, erdhi me vrap një me kostum
të zi e kravatë, s’ishte presidenti, po një i dërguar i tij, se makina e tyre,
ajo e presidentit duhej të ishte e para, gati bërtiste, i mbytur në djersë nga
vrapi. E sqaruam se para tyre nuk ishin as makinat e Kryeministrit e as të
Kryetarit të Parlamentit, kursesi e ministrit të jashtëm, por ato të policisë
italiane se ato do të çanin rrugët dhe, sipas protokollit, pas tyre vinte
makina e ambasadës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë. Zyrtarisht ju jeni te
parët, Presidenti. Mezi u qetësua ai dhe shpura.
Si
shumë po vepron qoftëlargu mes nesh, thosha me vete këtë varg të Nënë Terezës.
“Qoftëlargu” ajo i thoshte djallit shqip.
U
futëm në Vatikan, vargan vaturash të zeza, nga portat pas dhe do të dilnin në
shesh duke kaluar mespërmes brenda Bazilikës mahnitëse të Shën Pjetrit. Sheshi
ishte plot, një det me njerëz dhe me flamuj nga e gjithë bota. Skuqnin flamujt
u bukur të Shqipërisë. Ja, dhe ata të Kosovës. Rojet e palëvizura zviceriane me
shtiza në dorë, me uniformën me ngjyra, të stilizuara nga Mikelanxhelo.
Delegacionet
shtetërore po zinin vendet e caktuara për to, afër altarit të madh, përballë
kardinalëve.
Pa
i folur njëri-tjetrit u ulën në rreshtin e parë presidenti shqiptar me
bashkëshorten dhe pranë saj bashkëshortja e Kryeministrit me Kryeministrin, Në
rreshtin e dytë – Kryetari i Parlamentit, ndërsa në vendin e Ministrit të jashtëm
ishte ambasadorja në Romë. E zura e para,
tha. Vendet tona si diplomatë i kishin zënë ata të shpurës së klanit të
presidentit dhe bisedonin me zë të lartë, aq sa delegacionet e tjera kujtuan se
po grindeshin.
Nejse.
Rëndësi ka që dielli shkëlqente mahnitshëm. Në taracat sipër, mes statujave të
shumta, kamerat e gazetarëve nga e gjithë bota, edhe nga Shqipëria e Kosova.
Kori i madh kishtar, muzika gregoriane po drithërin ajrin - si biblik dhe ai.
Erdhi procesioni i bardhë me Papa Françeskun. Një mallëgjim hyjnor na mbushte
shpirtrat.
Filloi
mesha e shenjtë. Kanonizimi i Nënë Terezes tonë. U tha që është shqiptare.
Kur
erdhi koha që, sipas ritualit në meshë i duhej dhënë dora tjetrit pranë në
shenjë paqeje, këtë bënë të gjithë në atë shesh me mbi 100 mijë veta, vetëm
presidenti shqiptar nuk i dha dorën kryeministrit të tij dhe e anasjellta.
Ndërkaq
do të ndodhte dhe një si incident, le ta themi, por me Maqedoninë. Në broshurën
e meshes së shenjtë, të shpërndarë ndër të pranishëm, në biografinë e Nënë
Terezës, në anglisht ishte shkruar që ka lindur në Shkup dhe në kllapa:
(Shqipëri). Ambasada e Maqedonisë së Veriut, e Jugut për ne, protestoi, Shkupi
s’është në Shqipëri, por kur lindi Nënë Tereza, në 1910, Shkupi ishte Sanxhak
Shqiptar dhe ende s’ishte shpikur Republika e Maqedonisë. Zyrtarët e Vatikanit
kërkuan ndjesë, broshura s’kishte kohë të rishtypej, pas fjalës Shkup, emri
Shqipëri në kllapa, u nxi, por ashtu tërhiqte më shumë vëmendjen. Nuk di si
ndodhi ky gabim, që s’ishte aq gabim, nuk besoj se u bë qëllimisht, por e
ndolli një e vërtetë historike.
Nuk
po zgjatem më. Thjesht rrëfeva. Një kujtim, një përvojë jo vetëm imja. Thuhet
se çdo popull ka qeverinë që meriton, po dhe çdo qeveri ka popullin që meriton.
Ajo që ndodh lart, përëritet poshtë, diku si komedi e diku si dramë, shpesh
duke ndërruar vendet ngjashëm.
Kujtojmë
në ditën e Shenjtes Nënë Tereza, si qortim dhe si mundësi përmirësimi. Të
shtetit dhe të popullit të tij. Po, po, mund të mësojnë dhe duhet qoftë dhe nga
një njeri i vetëm, kur është “Nënë Terezë”. Ndërkohë të mos harrojmë më të
rëndësishmen, pse jo dhe me krenari, megjithëse Nënë Tereza predikon përuljen,
por dhe kjo të bën krenar, që shqiptarët i dhanë botës sërish një shenjtore,
tani moderne të shekullit XX, që u kanonizua disa vjet më parë.
Të
marrim çdo ditë prej saj besimin e lartë, dashurinë, vullnetin e paepur për
punë, këmbënguljen dhe arritjen, nga plagët tek yjet, - kam shkruar, -
shenjtërinë, por dhe thjeshtësinë dhe nga ato që nuk blihen, sado kapitalist i
pasur qofsh, nuk kostojnë asgjë dhe janë gjithçkaja: hir dhe buzëqeshje. Për
një jetë më të bukur dhe Atdhe më të çmuar e të dashur.
Amen!
FESTA E 5 SHTATORIT
SI NJË BUZËQESHJE
QIELLORE
Dita
e shenjtërimit të Nënë Terezës tashmë është festë e të gjithëve, e shpallur
zyrtarisht dhe vërtet në këtë ditë kur Ajo përkujtohet, duhet të ketë
veprimtari kushtuar shenjtërimit, homazhe, konferenca, botime, koncerte, etj,
etj.
Vepra
e Shenjtores Nënë Tereza bëmat edhe fjala, humanizmi, buzëqeshja… i kanë kaluar
kufijtë e kohëve dhe vendeve. Nënë Tereza nuk është thjeshtë një misionare e
madhe katolike, as vetëm fituesja e Çmimit “Nobel” për Paqe, e konsideruar, me
gjuhën e sotme, si “investitorja e dashurisë”, ‘Industrialiste e buzëqeshjeve”,
etj, duke e quajtur si gruan më të njohur të planetit, Nënën e Botës, etj.
Pse?
Sepse në fund të fundit, me gjithë zhvillimet mahnitëse, kur jeta dhe
botkuptimi shkencor, vetë shkenca, artet, janë modernizuar pabesueshmërisht
shumë, shekulli XX dhe XXI ka sjellë çudira edhe në përditshmëri të
paimagjinuara dot më parë, njeriu eksploron atomin dhe qelizën, po kështu
hapësirat qiellore dhe galaksitë, dhe vetveten të gjithë, ka krijuar dhe
Inteligjencën Artificiale, ndërkaq e kërkon Zotin gjithandej, ndocave u duket
sikur nuk e gjejnë, po është e thjeshtë, sipas meje, edhe sipas mendimit të
vjetër aristetolian që s’ka pasojë pa shkak, pra dhe gjithë ky krijim universal
ka dhe shkak dhe krijues, etj, etj, por një gjë ka mbatur e njëjtë, njerëzit më
shumë se gjithçka kanë nevojë për dashuri dhe buzëqeshje, pra njerëzimi. Këtë
mori si detyrë Shenjtja Nënë Terezë. Këtu mbase fillon për ne misteri
shpirtëror i Krijuesit Suprem, te dashuria dhe buzëqeshja.
Edhe
unë kam shkruar për Shenjten tonë Nënë Tereza: Modeste skajshmërisht, e varfër
po aq skajshmërisht, nga ana materiale e kam fjalën, dinjitoze gjithmonë deri
në madhështi qiellore, Nënë Tereza, Shenjtorja moderne, pa asnjë lloj biznesi,
pa shpikur asgjë, pa udhëhequr asnjë vend e, (nëse ka personalitete që futen në
histori me dhunë, duke bërë plojë të madhe e dalin prej andej duke i zvarritur
statuja), pra, pa zbuluar ligje të fizikës, megjithese rizbulon zjarrin e
shpirtit me shkencën e mrekullisë së besimit, pa shkruar epopera, veç lutej me
mërmërima, duke investuar dhëmbje, Ajo u bë e përbotëshme, u bë vetë botë.
Të
futesh në dashurinë e gjithëkohshme të botës me të vetmen gjë që ke: dashurinë,
të cilën e ke kthyer në profesion dhe njëherësh ta mbash atë në lartësitë
hyjnore, duke bërë të besohet se po aq shumë ajo është dhe njerëzore, e
përditëshme, në Tokën tonë.
Të
rrish në kujtesën e njerëzimit, madje në thelbin e ndërgjegjes së tij, me
dobësinë tënde të shndërruar në fuqinë tënde, të vëna në lëvizje nga shpirti
ashtu si duart që ledhatonin me dhëmbje duke dhuruar shpresë, ngazëllim dhe
besim. Dashuria dhe drita të rimarrin kuptimin që kishin në zanafillë dhe që
kanë përjetë. Sa më shumë shenjtëri Nënë Tereze në qytetet tona, në shtëpitë
tona, në shpirtrat tanë!
SHENJTJA NËNË TEREZË
ËSHTË SHQIPTARE,
POR SA JANË SHQIPTARËT
TË NËNË TEREZËS?
Kjo
është çështje. Është çështje laike. Pyetja që kam bërë më herët dhe e bëj. Për
një të vërtetë njerëzore, është marrëdhënia jonë midis nesh, Të nisemi nga
vetja, nga tjetri, tek shteti. Në fund të fundit edhe Nëna Tereza porosiste: do
të rregullosh botën, filloje nga shtëpia jote, rregullo atë, duaje, buzëqesh.
Nga
e vogla të dalim tek e madhja, janë bashkë pazgjidhmerisht me njëra-tjetrën.
Shenjta
Nënë Tereza është shqiptare, bijë e popullit shqiptar, me prindërit nga
Prizreni dhe Gjakova në Kosovë, lindi në Shkup, në Maqedoninë e sotme të
Veriut, të Jugut për ne, babain ia helmuan kur kthehej nga Beogradi si
veprimtar i çëshjes shqiptare, nëna i vdiq në Tiranë në Shqipëri, e keqtrajtuar
nga diktatura që sundonte atëhere, Nënë Tereza ndjeu Thirrjen dhe u bë murgeshë
katolike, shërbeu gjithë jetën në Indi për më të varfërit e me të varfërve,
hapi shtëpi dashurie siç i quante ajo shtëpitë e mëshirës, të bamirësisë në
shumë vende të botës.
U
bë e përbotshme si shëmbëlltyrë, emblematike, shenjtore. Vendet më të lidhura
me atë, kuptohet, janë Vatikani, Selia e Shenjtë së pari, së cilës i përkiste;
India e madhe si vendi i punës, ku adhurimi për të është jashtzakonshëm dhe
prej saj dhe për shqiptarët; Maqedoni e Veriut, e Jugut për ne përsëris, për
Shkupin ku lindi, që kërkojnë t’ia ndërrojnë kombësinë duke qenë të padrejtë me
shqiptarët, shpesh dhe agresivë; Kosova e prindërve të Nënë Terezës dhe bashkë
me të Shqipëria si shqiptare që është. Duke qenë një komb me dy shtete tani,
Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës kanë privilegjin e përkatësisë
së saj, heronjtë ashtu si dhe historinë e
kemi të përbashkët, Gjergj Kastrioti Skënderbeun dhe pushtimi 5
shekullor otoman, Buzukun, Bogdanin, Frashërllinjtë e mëdhenj, Ismail Qemalin
dhe Isa Boletinin, Luftën II Botërore,
pushtimin sërish, bashkimin dhe ndarjen, po kemi gjuhën dhe zakonet të
përbashkëta, letërsinë dhe artet dhe ardhmërinë euroatlantike të përbashkët,
dhe Shenjten Nënë Tereza, pra kemi dhe përparësinë të bëjmë për të më shumë se
të tjerët, siç marrim nga shenjtëria e saj ta shpërndajmë dhe të dimë t’ia
tregojmë botës, që Shenjten Nënë Tereze, që ju dhamë, e meritojmë…
Mësomë
të dua! - thoshte Nënë Tereza. Botë, mëso të duash!