Kulturë
Hysen Ibrahimi: Avdi Beqiri - Kujtimet e një Mërgimtari
E shtune, 06.09.2025, 06:50 PM
Këto ditë doli libri nga shtypi i titulluar “Kujtimet e një Mërgimtari”, Vëllimi II (2025), autor Avdi Beqiri
Nga
Hysen Ibrahimi
Edhe pse nuk mund të jem fizikisht i
pranishëm në këtë ngjarje të rëndësishme kulturore në përurimin e këtij libri,
për shkak se ndodhem në Suedi, dëshiroj që përmes këtij opinioni të ndaj
mendimin tim për librin e ri të autorit Avdi Beqiri, “Kujtimet e një
Mërgimtari”, Vëllimi II (2025). Që nga fjala hyrëse e z. Avdulla Hotit e
deri te faqja e fundit, libri më ka lënë përshtypje të thellë.
Autori është shembull i shkrimtarit që
jetën në mërgim e ka kaluar duke punuar dhe vepruar për çështjen kombëtare. Një
nga veprimet më domethënëse është hapja e shkollës shqipe në Itali, aty ku
jeton, duke u kujdesur që fëmijët shqiptarë të mos e harrojnë gjuhën, kulturën
dhe traditat tona. Përmes rrëfimeve të tij, Beqiri sjell jo vetëm vështirësitë
dhe sakrificat e mërgimit, por edhe gëzimet, sukseset dhe mallin e pashuar për
atdheun.
Vetë titulli i librit – “Kujtimet
e një Mërgimtari” – përmbledh përjetimet, ndjenjat dhe përvojat e një
jete të jetuar larg vendlindjes. Nga njëra anë, mërgimi i detyruar nga
pushtuesi serb; nga ana tjetër, përkushtimi për punë, arsim, studim dhe
veprimtari kombëtare. Autori ka ditur ta shndërrojë mërgimin në mundësi për të
sensibilizuar opinionin ndërkombëtar dhe për të dhënë kontribut në shumë fusha,
si një intelektual i vërtetë i çështjes sonë kombëtare.
Vepra e tij sjell realitetin e dy botëve:
jetën në Itali dhe kujtimet nga vendlindja. Këto rrëfime janë dëshmi të
vlefshme, trashëgimi e kujtesës kolektive për brezat që do të vijnë, për të mos
harruar kurrë sakrificat e mërgimtarëve, në veçanti të atyre që luftuan për
lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Pra, “Kujtimet e një Mërgimtari”
II është një libër që i jep autorit vendin e merituar si intelektual,
arsimtar dhe atdhetar, i cili ka ditur ta dokumentojë jetën e mërgimtarit me
mall, ndjenja dhe përkushtim. Miku im Avdi Beqiri, ju përgëzoj për këtë vepër
të vlefshme. Me shkrimet tuaja keni shndërruar përvojën e mërgimit në frymëzim
dhe udhërrëfim për brezat e ardhshëm.
Ju uroj shëndet, jetë të gjatë dhe shumë
vullnet që të vazhdoni edhe më tej në fushën e krijimtarisë letrare dhe
publicistike.
Me respekt,
Miku juaj mërgimtar në Suedi,
Hysen Ibrahimi
Suedi/Förslöv,
04.09.2025