Kulturë
Meti Rexhepi: Feniksi i ngjyrave
E hene, 01.09.2025, 06:52 PM
FENIKSI I NGJYRAVE
Sherafedin
KADRIU: KUR VDESIN NGJYRAT (poezi)
Shtëpia
botuese BEQIR MUSLIU, Gjilan, 2025
Nga
Meti REXHEPI
Nën
përkujdesjen e editorit Sabit Rrustemi, renditur nga kritiku letrar Timo Mërkuri,
Shtëpia botuese “Beqir Musliu” në Gjilan, gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, botoi
librin me poezi KUR VDESIN NGJYRAT e autorit Sherafedin KADRIU, që solli një
freski poetike si për shtëpinë botuese edhe për shpirtin të tendosur të poetit,
krijues e studiues fushash artistike dhe të dijës: autor shkrimesh e vlerësimesh
nga kritika letrare, në fushën e arkeologjisë dhe, tashmë në gjininë e poezisë. Mbase, ky intelektual
i mjedisit tonë prekë dhe gjurmon edhe në prozë e në sferën e publicistikës
NGJYRAT
SI TRAJTA TË DHIMBJES
KUR
VDESIN NGJYRAT do të thoshim vdes dhe jeta. Por, duke lexuar vëllimin poetik të
Sherafedin KADRIUT prej 144 faqesh më gjithsej shtatëdhjetë e tetë poezi, të
strukturuara në trembëdhjetë cikle, pohimi i sipër thënë, pothuajse, pezullohet.
Çfarë ndodh që poetit i duket se po i vdesin ngjyrat? Mu këtu shfaqet burimi i
lajtmotivit që merr shtrirje për gjatë gjithë shtjellimit të kësaj lënde
poetike. Njeriu dhe poeti janë shtrënguar nga darët tinëzare të depërtimit në
brendi të “sëmundjes së keqe”, madje në afërsi të organeve të frymëmarrjes.
Ndaj dita - ditës nga frymëmarrjet “e kallura” subjekti i shtruar ndjenë se ajo
e brendshme “e keqe” po ia stërkeqë ngjyrat dhe, ato njëra pas tjetrës po ia
humbnin pamjen dritëdhënëse të jetës! Kjo na shpie te zbërthimi i pleksur
jetësor e estetik, se bashkë me sëmundjen vdekkan edhe ngjyrat! Pra vdekka
shija dhe joshja për ngjyrat, për ngjyrat si stoli e bukurisë së jetës. I
kësisoj, kapërcimi nga realja në imagjinare bëhet përmes daljes në pah të
brengës estetike! Duke lexuar vëmendshëm, le t’i zbërthejmë dy lloje
ngërthesash parësore: kuptimin logjik i ngërthyer në dhimbjen e subjektit
njerëzor dhe, reflektimet shpirtërore nga gjëma e tillë jetësore. Andaj, kushtëzohen
dy konceptime: dhimbja dhe zvetënimi. E dyta kushtëzohet nga e para:
“po,
mua m’ka vdekur dashnia për kremte”[1]
Mbi
dhimbjen si dukuri njerëzore dhe trajtat e shfaqjes së saj është konceptuar e
tërë ngrehina e vëllimit artistik KUR VDESIN NGJYRAT. Rrjedhimisht dalim te
pohimi: nuk është vetëm aorta kryesore një dhe e vetme që ushqen zemrën me gjak
dhe, vë në lëvizje trurin edhe tërësinë e fiziologjisë te njeriu. Gjithsesi pa
një për-degëzim damarësh e fijesh nervore s’mund të kemi reflekse të perceptimit
të superstrukturës ndijore e mendore. Dhimbja ngërthyeka në shqisat e veta
gjakimin e brengës për t’i shprehur të shfaqen anë-këndet e ndjesive të së
bukurës, të këndshmes, të fismes, të madhërishmes, dashurisë, të cilat i ka dhuruar
si dhunti Enigma e Përsosjes së Natyrës së Qenies Njerëzore njeriut. Varg pas
vargu arrijmë te konceptimi i strukturuar i trajtës tjetër të dhimbjes; të
dhimbjes jo veçse si përjetim fizik e psikologjik i sikletshëm, por edhe si
konceptim i ndërlidhur me përkufizime poetike për jetën, gjakimin për moshumbje
pa shenja e dëshmi të çmuara për brezat:
“po
sot më paska vdekur edhe një poezi
diku
në thellësi të shpirtit”
Subjektit
poetik të dhimbjes i shtohet pengu i gjakimit për mospërmbushjen e caqeve të
dhuntive të pasurimit të hambarit të mendjes, fisnikërimit të ndjenjave, që t’i
ngjyroste me ngjyra të bukura si dëshmi ekzistence dinjitoze e anës së
ndritshme te njeriu. Meqë fjala ishte
e
para mrekulli - bërës e njeriut, në gjendjen kur ngjyrat po ia gëlltiste e
hirta e zjarrit, poetit pikërisht fjala pa halë e mikut mund t’i shërbente si
një bar shërues nga më të rrallët. Përse ndjehej aq e këndshme një fjalë e
pritur e mikut? Fjala si e tillë shpërfaq shtresimin fisnik njerëzor aty kur
buzët shkrumb kanë nevojë për gllënjkën e ujit të pastër; ngase vetëm me të
njerëzishmen mëkohet njerëzorja:
“Një
fjalë nga Ti e pres
edhe
ditëve pa kremte
si
një nga ilaçet më të rralla të kësaj bote
sepse
n’ato çaste për pak i harroj dhembjet”[2]
Kështu
e përmbyllë që në nismë të librit poeti Sherafedin KADRIU poezinë “M’ka vdekur dashnia
për kremte” një përkushtim për mikun Profesor Anton Nikë Berisha.
FUSHË
SHTRIRJET E METAFORËS
Fushë
shtrirja e metaforës apo e ndërtimit metaforik në vëllimin e poezive KUR VDESIN
NGJYRAT është e gjerë edhe si kumt ekzistencial, si pikëmbështetje referuese e
së pashkruarës së dhimbjes, si kuptim përjetimesh, peripecish të veçanta, si
fat vetjak e përbashkues. Aty ku puqet e s’përputhet njerëzorja kundron
dhimbshëm poezia. Në vargjet e parashtruara na shfaqen përfytyrime dhe prekje
të gjalla me spektrin e ngjyrave dhe të mendësisë së mjedisit. Nga e sotmja tek
e moçmja kapen trajta fatesh të etnisë duke qenë vazhdimësi e një onomastike parakësh
me virtyte dhe vese, me mohime e dëshira si shtytje për mëtime të përmbushjes
autoktone:
“Poshtë
kalasë
Guvat
e Margës shpërthyen currila
Si
loti i vashës Angrinë.”
Ndjesisë
për vashën Angrinë i zgjaten gishtërinjtë nga përdëllesa e gjithëkohshme,
mirëpo edhe në trajtën e dëshirores metaforike:
“Krehri
i artë iu bëfsha flokëve të Saj”
Nga
përmasa vetjake shtrirja e metaforës kap përmasën e zgjeruar largvajtëse:
“Se...
Dymijë
vjet
vetëm
hije pa diell pamë”
Çfarëdo
tematike, secilin motiv që mori për trajtimin e idesë poetike, qofshin
shkëputje fragmentare të mendësisë së legjendave, të figurave mitike apo të
baladave, poeti Sherafedin KADRIU ua gjen vendin e një strukturimi modern,
sikurse një mjeshtër murator i rryer, që rendin e gurëve e drejton sipas perit
të tij:
“Nuk
e di pastaj si shkoi e kur erdhi
Nëpër
një shteg të ngushtë kujtimesh
I
moçmi gjysh”[3]
Përmes
së folurës në monolog ngrihet në dialog trajta e komunikimit me filozofinë e
thjeshtë të traditës, e karakterizuar si thënie tërthore e sprovës së hidhur,
si një përtrollitje pësimesh që nuk u mësuan që të mos përsëritet vazhdimësia e
robërisë, nëpërkëmbja e vetvetes dhe nëpërkëmbjet nga të huajt:
“Guri
asht si njeri, biro
Me
ba me dalë prej venit t’vet
Gjithkush
me çekiç m’i krye i rri.”[4]
Nënvizimit
të urtisë së kahershme nga personazhi i poezisë “Mjeshtëria e Musë Tomakut”,
poeti i jep hapësirë nxjerrjes së dëftimit të nëntekstit poetik në ngastrën e
letrës, që tre vargjet e shkëputur të poezisë më të gjatë përputhen me përngjasim
të metonimisë.
Për
gjatë gjithë shtjellimit poetik në librin KUR VDESIN NGJYRAT fushë shtrirja e
thënies artistike shquhet për pjellori figurash, ngase pjelloria është motivuar
nga të reshurat e shirave të ngrohtë të frymëzimit, ndonëse fatthëna e
ngjarjeve ecën zgripeve ekzistenciale. Dueli mes dashurisë për jetën nën
dhëmbët e shëmtuar të “sëmundjes së keqe” te poeti ynë prodhoi trajta
ndjeshmërie të thellë dhe të gjithanshme, si mburojë për ruajtjen e ngjyrave të
bukurisë së jetës. Megjithatë vardisja e së shëmtuarës dhe përballja me vrazhdësinë
e saj jetësore dhe estetike, nxori në pah forcën e artit të fjalës, që ngre
vlerën e mos tjetërsimit të ngjyrave, dhimbjen për moshumbje të shkëlqimit dhe
të prarimit të stolive të tyre.
Nga
dëftimi i historisë poeti shkëputi fragmente rrëqethëse sprovash dhe, nuk
kishte si t’i shmangej brengës që i erdhi në varg, brenga “e udhës së madhe” që
zbrazte vendlindjen dhe, lidhja e saj me traditën që i kushtëzoi reflektimin në
trajtën e urdhërores paradoksale:
“Rrufja
detit Fundin
K’qyrë
A
mbahet me valë?!”[5]
Mbi
formulime të tilla vargjesh, të sapo cituar, hasim logjikën e ndërtimit të
paradoksit poetik. Poezia e sprovave të thella shpesh ngritët mbi pamjet
paradoksale të dukurive në jetën e kundërthënieve shoqërore. Madje ka
teoricienë bashkëkohës që tërë poezinë e vlerësojnë si mënyrë e shfaqjes
paradoksale të ideve dhe porosive.
Duke
iu kthyer poezisë referuese e përshkuar nga ide të tërthorta, por edhe të
drejtpërdrejta, poezia vjen te porosia e ndërprerjes së “udhës së madhe”, të
asaj udhe fatale:
“Para
Anadollit, Kosovën e kemi”
Nga
leximi i kujdesshëm i poezisë që sjell përballje me egërsinë e natyrës dhe të
njeriut, dalin shfaqje trajtash të filozofisë së urtisë, ta atilla që të
frymëzojnë, të grishin t’i përsëritësh dhe t’i nënvizosh për ngulitje në mendje
për zbërthime situatash e gjendjesh të tendosura në rrjedhat ekzistenciale të ndodhive:
“Heshtja
lindi për ta kallë vuajtjen si shpresë”; apo formulime ironike me kontraste të
karaktereve:
“S’kam
pushkë për cunga me shoka
As
për ato kravata n’qafë thata”; ose më tej:
“Metonimia
ime u ndal te ditëlindja e fisnikut
ngase
para poetit qenka vetëm njeriu”
Këso
nënvizime ngërthesash me shtresime poetike ndërmjet thëniesh, shohim anën e
pashkelur të traditës etike që i shpërfaq dyvargëshi:
“Më
mirë një shtrëngesë
Se
një njollë”
Këtu
pohimi poetik është i qartë, thënia kësisoj e mbanë ose mëton ta mbajë parimin në
nivelin e bardhësisë. Ky parim e përtrollit sojin e njeriut etik, që kurdoherë
e kanë cilësuar parimet e panjollosura për të gjatë rrjedhës për të jetuar me
dinjitet e faqebardhë.
Kësisoj,
shkrimi i këtillë poetik nuk mund t`i shkëputej misionit tradicional, poezia
mori rolin kujdestar për kultivimin e nderit familjar.
PËRSHKALLËZIMET
E SË SHËMTUARËS
Ngërthesave
të poezisë në librin KUR VDESIN NGJYRAT nuk i mungoi estetika e së shëmtuarës,
që ndonjë herë nuk përfillej si kategori e dijes estetike për të bukurën. Por,
kategoria e shëmtuar duke qenë aq e pranishme si shumësi bëmash djallëzore edhe
në shoqërinë urbane, nuk shqitet pa marr haraç, si një lloj pandemie, si diçka
ngjitëse, si ligësi që prodhoi shumësi të këqijash dhe tragjedi njerëzore.
Kësaj rrjedhe të jetës së mjedisit të vet, poeti i piketoi dhe karakterizoi bartësit
përfitues situatash të pasigurisë:
“E
di si iknit shtëpi më shtëpi
Për
të blerë duartrokitje për nesër”[6]
Për
t’i shmangur bartësit e kësaj kategorie shoqërore të shpërfytyruar, poeti
zgjodhi artin e vetmisë: kujtesën e shokëve të vdekur! Si të emërtohet kjo
përzgjedhje, si rebelim apo si zvetënim me koston e vetmitarit? Gjithsesi ky
përcaktim udhërrëfyes është njerëzor, por i ftoftë për qenien qytetëruese.
Ndërtimi ironik i vargut nuk lë pa përshfaqur logjikën dhe psikologjinë provinciale,
demagogjinë e mykur të mjediseve dhe të mëhallëve tona:
“Boll
ke vrarë e ke prerë shterpësi
Para
kohe”[7]
Cilën
udhë zgjodhi të ndiqte subjekti poetik në nivelin e një mendësie të këtillë
zotëruese? A mund ta marrim shmangien e tij pa kundërpërgjigje? A mund të ishte
kundërpërgjigjja si mburojë sinqeriteti apo si pamundësi për luftën e
pabarabartë? Përgjigjja mund të ishte e një vistre dilemash...
“Unë
e di
Nuk
paguhem me ikjen time”
Dy
mendjet për anë kapjet e mesazhit poetik lënë hapësirë për qasje të ndryshme
zbërthyese. Begatia e zbërthimit të idesë artistike shpie në morinë e
këndvështrimeve... A duhej t’i hynte subjekti jetësor alias poetik një
përballjeje dhe të luftonte si një Don Kishot me mullinjtë e erës?! Mendoj se
arti i mirëfilltë i lë të hapura dilemat e tilla. Përsiatjet e këtilla le t’i
zgjojnë vetëdijet e fjetura...
Pa
ngurrim mund të themi se për shumëçka poezia e Sherafedin KADRIUT tipizohet për
qasje vetanake dukurive të dy realiteteve, kapjes së fenomeneve tokësore,
jetësore dhe ndërthurjes me realitetin e imagjinatës. Ai hedh në letër atë që e
brenë, prej të përgjithshmes spikatë të veçantën, të domosdoshmen, personazhet lirike
dhe epike konkrete me cakun e qëllimit të mbresës ndikuese. Vargu i këtij poeti
shquhet për mëvetësi të thurjes, gjithsesi me kulturën e gjuhës dhe të njohjes
së figuracionit, përdorimit të saktë të figurës mu në vendin e duhur. S’ke si
mos të joshesh duke lexuar, çdo varg t’i hap krahët të hysh në botën e tij
magjike të dritësuar dhe, pa fenerë. Përse them pa fenerë? Ngaqë bota e këtyre
vargjeve të hapet me qartësi e bardhësi dhe, s’do të fusë në labirinte të
ndërlikuara ku nuk ka dalje. Autori i kësaj bote të mëvetësishme artistike është
i përkujdesur, që kur të hyjë vetë labirinteve të shkrimit të mos mbetet i
ngujuar nga paqartësia dhe hermetizmi.
Motivin
atdhetar poeti KADRIU e çliroi prej klisheve që e hasim të përsëritur:
“Në
pastë një re që sjell shi në Saharën e tharë
Ti
u bëre bujar
Shiun
e lirisë së munguar e solle”[8]
Freskia
e këtillë erdhi me shiun e një metafore në tokën e plasaritur për shi, për
shiun e lirisë. Është kjo poezia “Shiu i lirisë së munguar” përkushtim Heroit
të thyerjes së kufirit mespërmes shqiptarëve Agim Ramadanit.
Autori
nuk mund t’u ikte qëmtimeve zhgënjyese. “Mall i përshkëllirë” është një qëmtim
i dhimbshëm, djegës, djegie e personazhit lirik të mërgatës, që i zhgënjyer nga
përdhosjet e Vlerave Çlirimtare të gjakut dhe të rendit ligjor, po të mundte do
të ikte edhe nga vetvetja e tij! Togfjalëshi “malli i përshkëllirë” është një përzgjedhje
e bukur e metaforës dhe, ndërtime të tilla edhe kompozitat e pasurojnë fondin e
dendur të ngjarjeve përplot kthesa të befta dramatike të periudhës së
vetëvrasjeve të veteranëve çlirimtarë, kur po përdhosej liria si një e përdalë;
përderisa dymijë e gjashtëqind trupa njerëzish të pagjetur anë e kënd Serbisë
gjakatare lë me pengun e pagjumësisë mijëra familjarë!
NGËRTHESAT
E NGJYRAVE DHE KONOTACIONI I TYRE POETIK
Që
nga cikli “Kur preken ngjyrat”, sipas një ritmi të përshkallëzimit emocional,
zgjerohet gama e përsiatjeve “e pjekjes me fundin.” Termometri i temperaturave të
trupit dhe të mendjes, përpëlitjet nën ethe i një bote shpirtërore, atmosfera e
dramës së asaj bote për çastin e pritur të prekjes së fundit... Se si do të
jetë ai fund i hyrjes në amshim?!... E gjithë kjo sprovë bartet në ngastrat e
letrave të bukurshkrimit kaq bindshëm, aq rrëqethur si pak kush shijon poezi të
tillë:
“Atë
ditë
Përherë
të parë jam ngutur të arrij para fundit”[9]
Poezia
“Prekja me fundin”, për shijen time, mund t’u qëndrojë kritereve të rrepta antologjike:
“Po
kot qenkam ngutur në fund të rrugëtimit”
Pa
dyshim janë ligjet e Enigmës së Natyrës që e përcaktojnë fillimin dhe fundin e
njeriut. Doemos fundi në pranverën e jetës është dhimbshëm i padëshirueshëm.
Drama e përballjes me jetë-shuarjen poetit ia ka zbehur ngjyrat, pikërisht ato
që i japin bukuri detit të syve dhe, na i kënda t’i shijojmë. E zeza i sillet
qiellit të kaltër të poetit si vrastare ose përbindësh ngjyrash. Porse
simbolika e së zezës në letrat e përbotshme të shkrimit lëvroi begati vlerash
të qëndrueshme në poezi. E zeza dhe e keqja përshkojnë themelin e simbolikës të
poezisë së Charles Baudelaire. Në poezinë shqipe simbolika e së zezës me
përbërësit e saj gjeti përfaqësimin më gjithëpërfshirës te poeti, nga më të
veçantët, Beqir Musliu, veçmas te vëllimi “Bukuria e zezë.”
Si
çdo krijues i penës edhe Sherafedin KADRIU një ndikim asimilues nga kultura e
shkrimit mund ta ketë, por është vetëmohues dhe shkrim ndërtues apo shkrim
qëmtues krejt vetanak. Ai arrin të ndërtojë gjendje kontrastive vargjesh mu në
vlugun e dhimbjes së tij!
“Natën
e pashë vdekjen
Se
edhe kur është ditë ajo vjen në terr
Edhe
mirë bën
Pse
të ta nxijë ditën
Err
e terr” (Nuk m’u bë mik)
Jo
rrallë ndodh që në shkrimet tona poetike përpjekjet për të eksperimentuar për
risi formash e stilesh, në ngërthesat e tyre të vargjeve të ketë paqartësi, rrëmujë,
humbje reflektimesh, mungesë idesh, pa një sfond filozofik i poezisë. Këtu më
bindshëm se eksperimentimi flasin simbolet lehtë të zbërthyeshme të
përfytyrimeve dhe, dalja në pah e porosisë.
Për
mbarëvajtjen e diskursit tonë, jo vetëm sytë, por vargjeve duhet t’ua vëmë dhe
veshët t`ua ndjejmë pulsimet damarëve “të kallur”, drithërimave të një shpirti
që rënkon, por nuk jepet, nuk bie në krahët e pesimizmit pa shtegdalje. Arsyet
për një qasje të tillë qëndrojnë:
a: dhimbje është vetë jeta
deshi a nuk deshi njeriu;
b: pa dhimbje nuk mund
t’i njohësh engjëjt mbrojtës dhe engjëjt e shpifur;
c: pa dhimbje nuk çmohet
ëmbëlsia e jetës;
ç: dhimbja e nxori mbi
syprinë gjithë gamën e depërtimit në enigmat e dashurisë për jetën, për ngjyrat
e saj, për njeriun, për bëmat e flijimet, për thesarin e familjes, të miqve dhe:
d: dhimbja i ka përballë,
pas shpinë e gjithandej tradhtinë, ftohtësinë e shëmtinë, pikëllimin për
pandjeshmëritë mizore. Doemos natyra kriminale e njeriut është e ngjizur në
pandjeshmëri, duke mos e pasur të rrënjosur mëshirën dhe të drejtën si virtyte
njerëzore, mu aty buron çnjerëzorja e holokausteve, e Srebrenicave, e Reçakëve,
e Mejeve, e Drenicës të përtrollitur në vijimësi!...
VEÇANËSIA
I QËMTIMIT ARTISTIK
Nëpërmjet
këtij vështrimi të përgjithësuar, mund të konstatohet se libri KUR VDESIN
NGJYRAT, solli freskim të qëmtimit artistik. Përse mund të pohojmë kaq bindshëm
kështu? Është kështu ngaqë gama e motivimit poetik, ty ky poet, është
thellësisht e ndjeshme, e përjetuar dhe pa pozë, e hapur për kultivimin e
çiltërsisë, pa ndërlikime eksperimentale, pa shfaqje shenjash të rrëshqitshme
për kinse sjellje të modës së re në poezi.
Në
poezinë “Poezia e jetës sime” prej njëzet e tetë vargjesh, me një stil të dendësuar
të fjalësit poetik, poeti përmblodhi në kapërcej vitesh momentet e veçantive që
karakterizuan jetën e tij, gëzimet, pikëllimet e zhgënjimet. Në vargje e
ndjejmë frymën e sedrës së modestisë së poetit, një tipar i dukshëm dhe
karakterizues i vlerës së personalitetit të tij. Një Zonjë ngjyrë zezë që i rri
si këmishë në trup, po ia shpeshtonte ftesat për ta futur në gjirin e saj të zi.
Zonja doli të ishte një shtrigë, por poeti zgjodhi përcaktimin besëplotë për
jetën:
“Po
bëhem me Jetën
Para
se të më marrë Vdekja![10]
“Për
ngjyrën e zezë” është cikli që na shpie në përballjet me “sëmundjen e keqe” të
autorit. Sëmundja arrin kulmin dramatik të tendosjes së trupit e të shpirtit në
nëntë poezitë që përmbyllin dhimbjen dhe, dhimbja merr përmasën e saj të
rënduar te poezia “Çafkat.” Si e tillë “Çafkat”është një kapje e realizuar vërtet
mjeshtërisht e shtjellimit artistik. Cikli përfundon te poezia “Para se me u
shtri.”
Poezia
“Çafkat” është një pikturë në lëvizje, në fluturime të çrregullta, sikurse
imagjinata e trazuar nga kanosja e çafkave, e këtyre shpendëve trazovaçe, të
cilat, ndonëse bezdisëse me krrokamat, poetit i sjellin një shpërqendrim vëmendjeje
nga më e zeza e pritshme... Por, këto edhe pse ngjyrë e zezë, ritmet, dinamika e
tyre ia zhdavarisin vetminë horizontale subjektit të shtrirë në spital. Me
gjithë ato krrokama të thekshme të çafkave, ato mund të jenë një mish i thartë
për ndaljen e të “bardhës” gllabëruese në kraharorin e blozës së trashur.
Nëse
te Beqir Musliu “Çdo bukuri e ka edhe të zezën e vet”, te Sherafedin KADRIU
“Edhe e zeza paska një të bardhë!”
Ciklin
e fundit të librit KUR VDESIN NGJYRAT, e dendësojnë simbole të së zezës që
shtrihen gjerë e gjatë, si përfytyrime fushëbetejash kur çafkat me sqepa mbi
bebëza groposin sytë e të rënëve, çukitin si “zëra metalikë të çoroditur.”
Kllapia
e fiziologjisë nuk ia pushtoi dot poetit fluturimet e imagjinatës së tij;
përtej kaplimit nga zezona, e zeza doli të jetë prodhimtare e dendur e stilit
figurativ, begatim i fjalorit poetik të shqipes së shkruar nga pjekuria e kësaj
poezie. Më tej shohim se si trysnia e së zezës nuk arriti t’ia nënshtronte
dëshirat, ngase prej shpirtit nuk u çrrënjos ngjyra njerëzore e dashurisë,
qoftë dhe si një fije e vetme blerimi në dunat e rërës:
“Një
ngjyrë dashurie ma kaplon shpirtin”[11]
RIKTHIMI
I NGJYRAVE
Poezia
brenda librit KUR VDESIN NGJYRAT mund të përkufizohet si dashuri e paepur për
jetën dhe shijet shumëngjyrëshe që shfaq jeta. Veçse nga e përjetuara e mundimshme
dhe dergja e zgjatur, shëmbëllen jetën e autorit, shihen, preken, shquhen,
cilësohen ato dhunti ngjyrash, pasionet, kujtesa që bartë dhe rikthen
avullueshëm të shkuarën me të ëmblat e mallëngjimin, etjen për përmbushje
qëllimesh të fisnikërisë.
Të
errëtën e ngjyrës së zezë bukurshkruesit ia zhdavariti poezia. Poezia si hije e
vetmisë, poetit iu bë dëshmitare e dëftimit të gjendjes së amullt, madje të
skajshme, kur shpirti lypte mëshirën e strukur diku apo një shpëtim që të
kapërcente çmendurinë! Mirëpo, ndodhi poezia kjo ngadhënjimtarja e së bukurës e
çliruar nga kthetrat e së errëtës.
Autori
Sherafedin KADRIU ngadhënjeu mbi apatinë dhe riktheu ngjyrat e jetës me dritën
e poezisë që nuk e la në terr. Si? Kështu. Ai jeton vertikalisht përderisa
solli këso vlerash të denja për shpirtin e tij dhe lexuesit!
Gjilan,
fund gushti 2025