Kulturë
Kadri Tarelli: Bashkim Saliasi udhëton me shkrimtarët
E diele, 31.08.2025, 06:55 PM
Kadri Tarelli shkruan:
Unë dua t’ju kujtoj se një komb i rrënuar si i
yni, nuk shpëtohet i frymëzuar nga urrejtja. Ai shpëtohet kryesisht prej
dashurisë, arsyes dhe humanizmit.
Teodor Keko.
BASHKIM SALIASI UDHËTON ME SHKRIMTARËT
Kritikë apo vlerësim krijimtarie...!?
Pak
kohë më parë, miku im i vjetër Bashkim Saliasi, koleg në mësuesi, gazetari dhe
tani edhe në shkrimtari e krijimtari, më dhuroi librin e tij më të fundit,
“Udhëtim në vite, me miqtë e mi shkrimtarë”. (Përjetime). Ku hyrjen e ka
qëndisur bukur shkrimtari i njohur Viron Kona, duke sjellë për lexuesin ndjesi
të zgjedhura nga shkrimet e ndryshme, për miqtë e Bashkimit, shkrimtarë e
krijues nga mbarë trojet Arbnore, ndërsa për korrektimin gjuhësor është kujdesur
Muhamet Cenko, mjeshtri i fjalës së shkruar.
Libri
mban një titull që më pëlqen së tepërmi, ndaj do ta grabisja pa mëdyshje për
librin tim të radhës, sepse në ato pak fjalë, jep gjithë idenë dhe brendinë,
fjalën dhe shpirtin, frymën dhe frymëzimin, kënaqësinë dhe përjetimin.
Janë
rreth tridhjetë shkrimtarë, më mirë duhet thënë krijues të letrave shqipe, për
të cilët Bashkimi është kujdesur për t’i vendosur sipas alfabetit, në mënyrë që
askujt të mos i mbetet qejfi. Jo për gjë, por ka nga ata që lakmojnë të jenë të
parët në listë. Kush e njeh sado pak botën e shkrimtarisë, e di që mund të
ndodhë. Nuk janë shumë, por edhe një të jetë, e prish shijen, ndërkohë shton ca
llafe në kafe.
E
admiroj autorin Saliasi, për durimin jo vetëm për të kënduar librat, por edhe
për të shkruar për autorët e ndryshëm, shumica pena të njohura të letrave
shqipe, si Prof. Dr. Murat Gecaj, vlonjate Vilhelme Vrana Haxhiraj, anëtare e Akademisë Shqiptaro-Amerikane, Viron
Kona, Andon Andoni, Delo Isufi, Emine R. Hoti, (Çikë Dardanie, “Marigoja
Shqiptare” në Norvegji), Sejdo Harka, Sadulla Zendeli-Daja, autor i disa
fjalorëve Shqip-Suedisht dhe Suedisht-Shqip, Shpendi Hulësi Topollaj, Sokol
Demaku, Wllmar Qvick, (Suedezi, Miku i Shqipërisë dhe i shqiptarëve), Xheladin
Mjeku, Përparim Hysi, Kadri Tarelli, Hysen Ibrahimi, etj, etj.
Pse
po e përsëris? - E admiroj autorin Saliasi për librin që na shtron në tavolinë,
për ta kënduar më nge. Ka edhe një arsye fare të thjeshtë: - Bashkimi para se
të jetë krijues, është lexues si ne të gjithë, veç me një dallim: - Çdo libër
që merr nga miqtë e tij krijues, bashkë me kënaqësinë e këndimit na sjell
copëza të shkrimeve, ku bashkohen figurat letrare me kumtin e jetës, sepse
secili autor ka derdhur shpirtin, mendjen, dijen dhe përvojën e tij. Është një nga
format më të bukura dhe më të dobishme, që e nderon çdo autor. Të nxjerrësh
gurët e çmuar nga thesari i çdo krijuesi dhe t’i vendosësh në dorë të lexuesit,
i cili bën dallimin: cili gur është më i madh dhe cili më i vogël, për t’i vendosur
në kurorën e lavdisë. Shkrimtari shkruan e krijon, ndërkohë këndonjësi gjen
vetveten.
Bashkimi
nuk bën kritikë, por na tregon vlerat. Sa e vërtetë është kjo.....? - Mjafton
të shikojmë vetëm titujt në krye të çdo shkrimi. Po mbetem vetëm në disa prej
tyre: - “Gurra popullore në penën e shkrimtarit Andon Andoni”, - “Vepra e
Wllmar Qvick “Më shumë heroizma se grurë”, monumenti i miqësisë
Suedi-Shqipëri”, - “Një libër me vlera historike”, (Pylli i çuditshëm) nga Sokol Demaku, - “Promete
i kauzës Shqiptare”, kushtuar njohjes dhe veprës së shqiptarit nga Gostivari,
por që jeton prej vitesh në Suedi. Më tej: “Binjakëzim vlerash”, nga zonja e mirënjohur
Vilhelme Vrana Haxhiraj, - “Vështrim rreth librit “Modernët e kohës”, nga Sejdo
Harka, etj, etj.
Një
mendim i kahershëm më shtyn të nxitoj e të gjykoj duke pyetur: - Shkrime të
tilla janë kritika letrare, apo vlerësime dhe përjetime letrare.....? E gjitha
kjo, lindur nga përdorimi i shpeshtë i fjalës “Kritika letrare”, nëpër shkrime
dhe tituj librash, fjalë e huazuar nga kultura e leximit dhe nga koha. Në fakt duhet
pranuar, se vetë fjala “kritika” e përjashton mundësinë e diskutimit, apo
rrahje të mendimit, duke vënë në krye të herës, ato që nuk shkojnë, që nuk
pranohen apo që dëmtojnë shëndetërisht librin dhe letërsinë.
Mendoj
se kritika në një farë mënyre i bën “gjyq” librit, kështu vetiu i ngulfat me pa
të drejtë përjetimet, ndjesitë dhe kënaqësitë individuale të këndonjësit, (Më
pëlqen të përdor këtë fjalë të vjetër shqipe), i cili ka botën e vet të zgjedhjes,
studimit dhe të shkrimit, duke çmuar më së shumti mësimet që përcjell e përfton,
saktësinë e tyre, ndërkohë shijon edhe artin e fjalës. Kështu ai ka në dorë
peshoren, që s’mund t’ia heqë askush.
Bashkimi,
pa u detyruar apo shtyrë nga dikush, veçse nga dashuria për librin dhe
këndimin, është ulur dhe ka shkruar për veprat e tyre, qofshin romane, tregime,
poezi, studime, etj etj, duke nxjerrë në dritë vlerat e tyre letrare artistike
dhe më së shumti vlerat e kumtit që përcjellin për lexuesin. Unë e quaj këtë,
një punë e vyer, natyrisht në mbështetje të krijuesve, pavarësisht se lexuesit
janë rralluar dhe disi kanë braktisur librin. Secili bën aq sa mundet,
natyrisht në fushën që ai e ndjen se është i zoti të japë mendimin e tij,
ndërkohë nxit dhe nuk pengon të tjerët të shprehen.
Kur
mbarova edhe faqen e fundit, disi ashpër po grindem me veten, duke thënë: - Sa
mirë që në botën tonë të letrarëve paska njerëz të “çmendur”, që vlerësojnë
njerëzit e ditur, njerëzit e punës e të penës, dashnorët e letërsisë.
Libri
është goxha i rëndë në peshë, me afro 350 faqe. E mirëkuptoj autorin, pasi nuk
mund të bënte ndryshe. Ai ka përmbledhur të gjithë shkrimet e shumë viteve, në
atë që unë e quaj “Arka e kujtesës”, në një libër sado i rëndë qoftë. Besoj se
kam të drejtë kur mendoj, se libri nuk matet me metër dhe as shitet me peshë,
si mall pazari. Peshën dhe vlerën e tij e bëjnë mesazhet që mbart, të cilat i zbulojnë
dhe i vlerësojnë këndonjësit e shumtë. Pikërisht ato vlera që koha i përjetëson
apo i hedh në kosh.
Natyrisht
jo të gjithë librat kanë fatin të lexohen dhe aq më pak të komentohen, të
analizohen dhe të përgjithësohen. I lumtur ndjehet çdo autor i përfshirë në libra
të tillë. Dikush e shikon këtë si një lloj pune, që kërkon kohë, përkushtim dhe
mundim. Nuk i kundërshtoj.....! Aq më shumë kur gjykoj se, secili ka të drejtë
të mendojë e të veprojë sipas shijes, interesit dhe detyrimit që i ngarkon
vetes. Aq sa unë bashkohem me autorin, madje i përgëzoj dhe bashkohem me ata që
kanë këtë gjykim, duke shfaqur pëlqimin apo edhe mospëlqimin. Besoj se kam të drejtë të them: - “Krijuesi shkruan dhe
shpreh botën e tij, lexuesi zgjedh atë që plotëson dhe kënaq botën dhe
interesin e tij. Besoj se ky është rregulli universal”.
Në
përgjithësi i shmangem analizës së librit. E qetësoj veten, kur mendoj se
fjalët e mia në analiza klasike, i heqin lexuesit kënaqësinë e kënaqësisë, të
zbulimit të bukurisë së fjalës, poezisë dhe ngjyrave të saj. Njëkohësisht bukuria
është e bukur, kur të tërheq duke të futur si pa dashje në misterin dhe lojën e
të fshehtave të ndërthurjes dhe intrigës së mendimit e veprimit, forcës,
lidhjes e pështjellimit, mbase edhe të përjashtimit që kanë mes tyre, duke
thënë ato të vërteta që mbushin e plotësojnë shpirtin e gjithsecilit këndonjës.
Pa
e tjerrë hollë fjalën, duke mos u futur në labirintet e teorive letrare, gjykoj
se autori Bashkim Saliasi, në shkrimet e tij i bën veprave të shkrimtarëve të
ndryshëm analizë sa letrare aq edhe jetësore, me plot mirësi e çiltërsi, duke
gjetur e zbuluar mjeshtërinë dhe kulturën e fjalës, më tej duke u përqendruar
te brendia dhe të veçantat e gjithsecilit autor. Ai e di mirë, se, secili nga
ne është një botë më vete, që meriton të shkruhet.
Jam
plotësisht i bindur se autor Saliasi mendon më shumë për këtë të fundit, si
vlerë të çdo individi dhe veprave të çdo autori. Unë nuk po bëj tjetër veç po e
mbështes, pasi jam në një mendje me të: - Në fund të fundit: - Përse lexohet
një libër, për të kaluar dhe mbushur kohën? - Sa çudi......!? Mbase për t’u
çlodhur apo për të trullosur e hallakatur mendjen.....? - Jo unë, por askush
nuk e beson këtë, madje edhe mendja më naive. Lexuesi shtyhet për të lexuar, kur
e ndjen se i duhet diçka e re, e pa njohur më parë, mbase si përvojë e të
tjerëve, ku e gjen vetveten, duke u zhytur tërësisht në thellësitë e shpirtit
krijues, për të përjetuar edhe dramat, edhe humorin e komeditë, përfshi edhe
tragjeditë, si pjesë të botës që na rrethon. Diku gjen ngushëllim në dhimbje,
diku ndjen ngazëllim apo hidhërim në përqasje. Bota na duket e madhe, por
pjesët e përjetimit dhe mundimit janë njësoj, pavarësisht vendit, kohës dhe
njeriut. Shumica e tyre mbeten si mësime për jetën, për të bukurën dhe të
vërtetën.
Në
fund, mendoj të theksoj edhe dy gjëra të vogla në dukje, por që i japin librit
vlera përjetësie:
Së
pari: Në fund të çdo shkrimi është vendosur data dhe gazeta apo portali ku është
botuar apo publikuar. Kjo hollësi e bën shkrimin dokument që fikson kohën.
Librat nuk janë lexuar në një ditë dhe as shkrimet nuk janë shkruar në një
ditë.
Së
dyti: Në pesëmbëdhjetë faqet e fundit, janë vendosur fotografi të autorëve, një
nderim dhe vlerësim i veçantë për të gjithë. Njëkohësisht ka shumë foto ku
autori ka dalë së bashku me miqtë e tij, natyrisht në kohë dhe vende të
ndryshme. Kujtesa në kohë përbën dokument, sjell përjetime të forta nderimi,
miqësie dhe dashurie të ndërsjelltë.
Besoj
se e gjitha shërben si një përvojë dhe model i bukur për ne.
Urime
miku ynë Bashkim Saliasi.......! Ky libër nuk është fundi dhe as i fundit.
Presim botime të tjerë me po kaq vlerë...!!!!!
Falënderim dhe mirënjohje për kujdesin dhe përkushtimin!
Miqësisht.....!
Kadri Tarelli
Fund gushti, 2025.