Kulturë
Dorian Koçi: Shkolla e Shën Mërisë së Arbërorëvet
E marte, 02.09.2025, 06:57 PM
La Scuola di Santa Maria e San Gallo degli Albanesi në Venecie- Shkolla e Shën Mërisë së Arbërorëvet
Nga
Dorian Koçi
Marrëdhëniet
e Arbërit me Republikën e Shën Markut janë të hershme dhe të ngulitura thellë
në kujtesën e Mesjetës shqiptare. Që nga shekulli XI, Venediku kishte ngritur
ndikimin e tij në bregdetin lindor të Adriatikut dhe në ishujt bizantinë, duke
shtrirë zotërimet deri në disa nga qytetet më të rëndësishme të Arbërisë. Në
këtë mënyrë, Venediku nuk u bë vetëm qendër e fuqisë ekonomike dhe politike,
por edhe një strehë për mërgimtarët arbërorë, të cilët jo vetëm gjetën atje
mundësinë e mbijetesës, por edhe të shkrirjes së kulturës së tyre me humanizmin
dhe Rilindjen Europiane.
Kështu
lindën komunitetet arbërore në lagjet e Venedikut – në Castello, San Croce, San
Polo, Cannaregio dhe San Marco – aq sa disa rrugë nisën të quheshin Calle degli
Albanesi. Shumë afër sheshit të Shën Mauricit, ku sot ende gjendet pallati i
familjes Zguri, arbërit ngritën një nga monumentet më madhore të kujtesës së
tyre kolektive: Shkollën e Arbërve (Scuola di Santa Maria degli Albanesi), e
themeluar në tetor 1442 në famullinë San Severo, pranë manastirit të Shën
Galit, dhe vetëm pesë vjet më pas u zhvendos në zemër të San Mauricios, pranë
Shën Markut.
Dedikimi
fillestar i shkollës ishte ndaj Zojës së Këshillit të Mirë (Nostra Signora di
Scutari), e njohur si mbrojtësja e Shqipërisë, dhe Shën Galit (Gallus),
shenjtorit kelto-gjerman i shekullit VII, emri i të cilit lidhet me themelimin
e manastirit të madh të Shën Galit në Zvicër (St. Gallen). Zgjedhja e tij si
mbrojtës kishte kuptim të thellë: Shën Gali mishëronte kulturën monastike
europiane dhe lidhte Shkodrën me hapësirat e krishterimit perëndimor e qendror,
duke dëshmuar orientimin e arbërve drejt Europës Latine.
Pas
zhvendosjes në San Maurizio, Shën Maurici, komandanti i legjionit të Tebës, u
bë shenjti i tretë mbrojtës. Figura e tij si martir i fesë përputhej me
përvojën historike të arbërve, që shpesh e ruajtën besimin e tyre me sakrifica
të mëdha përballë pushtimeve osmane. Kështu, ikonografia e shkollës bashkonte
tre shtylla: Zojën si simbol i paqes dhe besimit, Shën Galin si urë me traditën
benediktine dhe Europën Qendrore, dhe Shën Mauricin si model të qëndresës
heroike.
Godina
e re, pranë kishës së Shën Mauricios, ishte një Scuola Piccola, sipas modelit
venedikas të vëllazërive bamirëse dhe shoqërore. Ajo kishte altar dhe varreza
për anëtarët e saj. Në vitin 1531, fasada u dekorua me stemat e familjeve
venedikase Loredan dhe Da Lezze, heronj të mbrojtjes së Shkodrës gjatë
rrethimeve të 1474 dhe 1479, si dhe me basorelievët e punëtorisë së vëllezërve
Lombardo.
Këtu
shfaqet skena monumentale e Rrethimit të Shkodrës nga sulltan Mehmeti II, ku
mbrojtja e qytetit lidhet me mbështetjen venedikase dhe qëndresën arbërore. Po
aty gjenden edhe figurat e Zojës me Fëmiun, Shën Galit dhe Shën Mauricit, duke
përforcuar mesazhin e mbrojtjes hyjnore dhe qëndresës njerëzore. Ky program
ikonografik shndërrohet në një testament historik e shpirtëror të lidhjes së
mërgatës me Shkodrën dhe Arbërinë.
Në
fillim të shek. XVI (1504–1508), salla kryesore, e quajtur Albergo, u dekorua
me një cikël pikturash monumentale nga Vittore Carpaccio – Historitë e Zojës.
Ky cikël, sot i shpërndarë në muze të Venedikut, Milanos dhe Bergamos, mbetet
një nga dëshmitë më të vyera të pranisë arbërore në artin e Rilindjes italiane.
Shkolla
lidhi figura të mëdha intelektuale arbërore me humanizmin europian: Marin
Barleti, kronisti i rrethimeve të Shkodrës; Marin Beçikemi, humanist i njohur;
Leonik Tomeu, profesor i logjikës në Padovë dhe mësues i Kopernikut; Gjin
Gazulli, matematikan e astronom i spikatur. Këto figura dëshmojnë se mërgata
arbërore nuk ishte thjesht komunitet refugjatësh, por pjesë aktive e kulturës
europiane.
Në
vitin 1780, Scuola degli Albanesi u suprimua dhe godina iu dha korporatës së
bukëpjekësve (Scuola dei Pistori). Pas mbylljes nga ligjet Napoleonike (1808),
veprat e artit u shpërndanë. Megjithatë, kujtesa e saj jeton ende përmes
basorelievëve, dokumenteve arkivore dhe ndikimit që ky institucion pati mbi
identitetin kulturor arbëror.
Kujtesa
e Shkollës së Arbërve na rikthen në një kohë kur arbërit e shpërndarë në lagjet
dhe kishat e Venedikut arritën të krijonin një institucion unik – fetar,
shoqëror, kulturor dhe politik. Përmes figurave të Zojës së Këshillit të Mirë,
Shën Galit dhe Shën Mauricit, ata shpallën besnikërinë ndaj fesë dhe rrënjëve
të tyre, duke ndërtuar një urë të qëndrueshme midis Arbërisë, Shkodrës dhe
Europës Qendrore e Perëndimore.
Shkolla
e Arbërve mbetet një shembull i rrallë se si një komunitet i vogël
emigrantësh mundi të krijojë një qendër
identitare të fuqishme, që shndërrohet në pjesë organike të qytetërimit
europian dhe në simbol të përjetshëm të rezistencës arbërore.