E hene, 01.09.2025, 10:08 PM (GMT+1)

Kulturë

Cikël me poezi nga Anton Marku

E hene, 01.09.2025, 06:52 PM


Anton Marku

Ne ishim libra

që shfletohen nga fundi

për të kuptuar më mirë

fillimin tonë

KUJTESË

Më jep sy

të shoh nga prapa

pas si më vijnë

paudhësitë e mia

Hapat që ngatërruan rrugët

këmbët që më sollën deri këtu

Duart e mia

nuk ishin për lutje

Në kopshtin tim

të gjithë drunjtë

ngjajnë në kryqe.

MBAJTËSIT E QIRINJVE

Një hije

që nuk dihej se e kujt ishte

u shtri pranë tij

Bashkë u nisën

rrugëve të botës

të etur për gjithçka

Pas lanë

tokën e askujt

ku fluturat lajnë sytë natën

Buzët e tyre

gojës së qiellit

i ranë në prehër.

PAS NDARJES

Në dhomën

që ti e braktise e para

ka vite që ëndrrat tona

nata i bën bashkë

në të njëjtin shtrat

Me një të mbyllur syri

e përbinë

gjithë frymën që lamë aty

Ne ishim libra

që shfletohen nga fundi

për të kuptuar më mirë

fillimin tonë

Mbjellë në një tokë

ku askush nuk rrëfehet

për dyert e lëna hapur.

HIJEBARDHA

Pas natës së parë

ti ishe ndryshe

Frymëmarrjet tona

nisen të takohen

çdo herë e më rrallë

Në gjithçka ngjaje

pos në gruan që desha

Më vëreje

vetëm kur pyesje

se sa vajti ora

Mëngjeseve tona

nisi tu rritej

rrethi i syve

Me mëngë këmishe

fshinin gjurmët e buzëve

të lëna në varëse rrobash.

SILUETË

Me duart e veta

i vuri tapën

shishes së jetës

Për të

e djeshmja ishte ende aty

afër sa një prekje ere

Çdo hije që kalonte përskaj

i ngjante asaj

E nesërmja

të larta i kishte ngritur  muret

Me të pamatshmen u mat.

Anton Marku, 31.08.2025



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx