E hene, 01.09.2025, 10:13 PM (GMT+1)

Kulturë

Dafina Selimi: Promovim i denjë i romanit 'Shpirti i plagosur' në Bibliotekën Kombëtare të Kosovë

E hene, 01.09.2025, 06:55 PM


Promovim i denjë i romanit “Shpirti i plagosur” në Bibliotekën Kombëtare të Kosovë

Nga MBA Dafina Selimi

Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, u mbajt promovimi i romanit të tretë të shkrimtarit Ramiz Selimi, “Shpirti i plagosur”. Ngjarja u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë, ku letërsia, muzika dhe emocionet e lexuesve u ndërthurën në një përvojë të pasur kulturore.

Ky roman është një trilog që vazhdon udhëtimin e nisur me romanin „Rrënjët e Kujtesës“ për të vazhduar pastaj me romanin: „Dëshirë e djegur“

Moderatori Safet Gërxhaliu, që ishte edhe panelist i ngjarjes, foli për biografinë e autorit, duke e vendosur në kontekst jetën brenda dhe veprimtarinë e tij në mërgim. Ai nënvizoi se përvoja personale e Ramiz Selimit dhe përpjekjet e tij për të ruajtur identitetin dhe kulturën shqiptare janë elemente thelbësore që japin ngjyra dhe thellësi rrëfimit të Dardanit në roman. „Sikur të ishim në nivelin e duhur, me këto romane duhej të merrej kinematografia, sepse skenarin e kanë të gatshëm. Ramiz Selimi ka ditur të sjellë në letër jo vetëm një histori, por edhe emocionin e përjetuar nga një brez i tërë shqiptarësh.”, tha Gerxhaliu.

Për romanin folën recensentët Prof.Dr. Salih Bashota, Gazetari, Publicisti dhe Shkrimtari Prof. Prend Buzhala, si dhe Shkrimtari Vilson Culaj, të cilët ishin panelistët e ngjarjes dhe recensentë tëlibrit. Secili në mënyrën e vet analizuan romanin me thellësi, duke vlerësuar strukturën narrative, ndërtimin e personazheve dhe metaforat që pasurojnë mesazhin universal të veprës.

Prof. Dr. Bashota theksoi: “Ky roman nuk është vetëm rrëfim personal, por edhe një reflektim mbi gjendjen e atëhershme në shoqërisë shqiptare dhe sfidat e saj historike. Romani “Shpirt i plagosur” e fut lexuesin menjëherë në një situatë dramatike, shpirtërore dhe psikologjike të thellë, ku protagonistët, Dardani dhe nëna e tij, Rina, janë të preokupuar me përballimin e pasojave të një viti të tmerrshëm. „ Ai tha se romani lexohet me një frymë.

Ndërsa Prof. Prend Buzhala shtoi: “Shpirti i plagosur na ofron një udhëtim emocional, ku dhimbja dhe shpresa ndërthuren në mënyrë të jashtëzakonshme. Rrëfimi është një përzierje e realizmit të hidhur dhe elementëve epikë, ku ngjarjet dhe veprimet zhvillohen në një kontekst të gjerë historik dhe politik. Edhe pse ngjarjet janë të shtrira dhe të lidhura me realitetin e dhunshëm dhe të pasigurt, elementi epik bëhet i dukshëm përmes qëllimeve të mëdha, ideve të larta dhe sakrificës që kërkohet për t'i arritur ato.”

Vilson Culaj e përfundoi analizën duke thënë: “ Dikur Rolan Rolan thoshte :,,Romani është një ankth i përjetshëm deri në vdekje nëse nuk e ke përfunduar‘’. Lidhur me këtë kontest që në fillim mund të themi se emri dhe përkushtimi i Ramiz Selimit në këtë zeje letrare është i madh dhe me sfida, por edhe i suksesshëm. Emri i tij në letërsinë shqiptare po zë vend krejt natyrshëm, triumfalisht dhe pa imponime e ekspozime patetike. Përmasa e rrëfimit në këtë roman ka tri dimensione personale, familjare dhe nacionale. Ky roman është çlirimi nga vuajtja e individit i cili është peng i robërisë nacionale, varfërisë, dhe mungesës së prestigjit në rrethin se ku jeton.”

Një dimension të veçantë i promovimit ishte leximi i fragmenteve nga romani nga gazetarja nga Shqipëria, Mimoza Abrazhda, e cila i dha zë dhe emocione rrëfimit të autorit, duke e bërë përvojën letrare edhe më të prekshme për audiencën.

Pjesë nga romani:

“Në mendjen e tij shihte veten të përgjysmuar, të boshatisur nga qeniet e gjalla, por që po bënte përpjekje ta largonte shpirtin nga tehu i briskut, i cili ia ndante jetën me vdekjen. Një muaj më parë, atë natë kur qetësia kishte rënë mbi fshat si batanije e rëndë pluhuri, ai ishte ndalur përballë një varri bosh në cepin e harruar të varrezave. Asgjë nuk lëvizte, as gjethet, as ndonjë qen i humbur. Heshtja dukej si një marrëveshje e përjetshme mes jetës dhe vdekjes. Atëherë, një mendim i errët, një pështjellim i dendur si nata, i mbështolli shpirtin:

“Po sikur të shtrihej vetë në varr, i gjallë, e të mbulohej me dhe me duart e veta, ngadalë, pa zhurmë, pa britmë?”.

Por jo, e kishte të pamundur! Jo për vdekjen, por për atë akt të heshtur dorëzimi, që nuk kishte as lavdi, as falje. Pastaj kishte murmuritur me vete me një hidhërim, gati si një fëmijë që zbulon se bota nuk është ndërtuar për shpirtin e tij.

“Njerëzit qenkan të ndërtuar nga hekuri! Si e mbajnë këtë barrë? Si nuk pëlcasin nga gjithë ky turpërim dhe poshtërim i përditshëm që s’të lënë as të vdesësh me dinjitet?”.

Herën e dytë, gjithçka kishte qenë gati. Litarin e kishte lidhur me kujdes, si të përgatiste një kurorë për një martesë të fundit me harresën. Asgjë nuk i kishte mbetur brenda, as shpresë, as tmerr, as pendesë, por vetëm një zbrazëti që ushtonte si një pus i errët. Dhe pikërisht kur i ishte dorëzuar aktit final, ndodhi ajo që nuk e priste. Nyja, ajo nyja që ai vetë e kishte lidhur me duart që nuk i dridheshin më, ishte zgjidhur. Jo nga një mrekulli, por si një dorë e padukshme, që në momentin e fundit i pëshpëriti:

-Jo sot!

Ngjarja u pasurua me pikat muzikore të këngëtarit me zë të mrekullueshëm Shaban Krasniqi, i shoqëruar nga pianoja e Nashid Drejtës, duke krijuar momente të ndjeshme që lidhnin fjalën e shkruar me emocionin e tingullit.

Në fund, fjala iu dha autorit Ramiz Selimi, i cili falënderoi panelistët dhe të gjithë të pranishmit për nderimin që i bënë veprës së tij. Ramiz Selimi theksoi se rrëfimi i Dardanit nuk ka marr fund, Shpirti i plagosur ishte vetëm një stacion i rëndësishëm, por jo i fundit, sepse historia e Dardanit do të vazhdojë edhe më tej në romanin e ardhshëm, që tashmë është në përgatitje dhe mban titullin “Hijet e Shpresës”.

Ai tha: „Romani „Hijet e shpresës“ tani më është redaktuar dhe gjendet në përpunim, sipas redaktores, libri i radhës do të jetë kryevepra e romaneve të mia.”

Libri pritet të dalë në dritë në fillim të vitit të ardhshëm.

Vlen të theksohet se një grup i dashamirëve të librit nga Vushtria në krye me Selim Izmakun e zbukuruan ngjarjen, prezent ishin edhe shkrimtarë të njohur si Xhemë Karadaku, Sherife Thaqi, Syhejl Havolli, Bekim Kelmendi, Shaqir Foniqi, Izet Avdyli, ish Ministri Ibrahim Makolli, nga Gjermania, Imer Llladrovci, pastaj gazetari Idriz Zeqiraj, dhe shumë tjerë.....

Promovimi u përmbyll me një koktej rasti, të përgatitur nga familja e autorit, duke lënë tek të pranishmit një kujtim të veçantë të kësaj ngjarjeje letrare dhe artistike.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx