Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Njerëz pa koka, turmë e hekurt – aq shumë dëshpëruese…
E enjte, 11.09.2025, 06:55 PM
NJERËZ
PA KOKA,
TURMË
E HEKURT -
AQ
SHUME DËSHPËRUESE…
Nga
Visar Zhiti
Sa
i pashë nga larg, me ta kuptuar ç’ishin, doja të bërtisja…
Në
jug të Chicago-s, në Grant Park, mbi barin e blertë, një turmë e madhe
njerëzish prej hekuri, por pa koka, - ashtu të shtangur më shtangën dhe mua…
Instalacion
monumental, me siguri vepër e ndonjë
skulptori nga vendet diktatoriale, - mërmërita dhe duke e nxjerrë veten nga
ngërçi, nxitova për te shkëmbi aty që të lexoja pllakën me të dhënat:
AGORA
-
vepër e artistes polake Magdalena Abakanowicz… janë 106 figura të hekurta, të
larta…
Po
i kqyrja, ashtu pa koka, pa duar, të zbrazëta përbrenda, të ngrira në ca lëvizje të pashpjeguara.
Agora”
– në Greqinë e lashtë ishte sheshi i
fjalës së lirë dhe i demokracisë –
ndërsa tani kisha përballë një lëndinë ndanë rrokaqiejve me prani
siluetash pa mendjet dhe zërat. Një ironi e dhimbshme mbi kohët.
U
futa mes tyre. Njerëz pa koka, - metaforë e humbjes së mendimit të lirë, i
zhdukjes së identitetit dhe të vetëdijes, - po thosha me vete. - Trupa me
gjeste ecjesh, por që s’ecin, qenie të manipuluara, - kështu duken. Shoqëria që
ecën bashkë, shpesh në një drejtim të panjohur, nën rregulla apo frikë të
padukshme, duke humbur individualitetin. Aq të ngjashëm mes tyre, të bërë nga i
njëjti material, të ngurtë në lëvizjet e tyre të pasigurta, - një fjalor vizual
për turmat, por edhe mbi vetminë brenda masës.
Shkova
më tej. M’u ndërmend romani im “Funerali i pafundmë” si një skenë e tij,
vende të miat, grumbuj njerëzish të
boshatisur, mes tyre dhe unë si ata: po për çfarë po flasim? - desha të pyes, -
nuk po kuptoja, për politikë? Për grindjet, korrupsionin, dënimet? Për
Realizmin Socialist? Për letërsinë mediokre? Ha-ha-ha… dhe s’bëni asgjë vetë?!
Ne jemi vetë ajo për të cilën po flasim…. E si e harruam të qenit pa koka?
Një
shfaqje e tmerrshme e pavetëdijes kolektive. Sa të rrezikshëm janë ashtu
bashkë…
Të
ishte kjo kujtesë nën diktaturë, e çdo vendi të shtypur, por edhe paralajmërim
për çdo shoqëri moderne, kur njeriu humb lirinë e mendimit, pra kokën… atëherë
edhe demokracia mund të kthehet në një grumbull skulpturor të heshtur, të
frikshëm.
Artistja
Magdalena Abakanowicz e krijoi “Agora”-n pas përvojës së saj vetanake dhe
historike në Poloni. Kërkoj të di dhe më. Ajo lindi në 1930 dhe fëmijërinë e
kaloi nën pushtimin nazist, më pas jetoi dekadat e komunizmit polak. Në këto
sisteme totalitare, individi shuhet para turmës, ndërsa liria e mendimit
shtypet, të reduktuar në trupa anonim që ecin sipas komandës së padukshme, në
marshime të organizuara… si në shekullit XX, po dhe në grumbullime të
detyruara, në mitingje pa mendim të lirë… si tani…
Po
i prekja… Kapa dhe kokën time me duar, ishte…
Kjo
kujtesë historike e artit ka një gjuhë universale: aty është populli i gjithë,
kur humb vetveten, nën diktaturë apo edhe në konsumizmin modern. Njerëzimi siç
nuk duhet të jetë…
Një
këmbë e madhe hekuri, e zbathur, me damarët e dalë e variçet e ndryshkura të
vuajtjes, pa dhimbje, pa mëshirë… kur të shkel ajo…
-
Njeri, ku po shkon?