Kulturë
Albert Zholi: Kamëza e ndryshimeve të mëdha, ne festën e filmit me 'Open Cinema 2025'
E enjte, 11.09.2025, 06:55 PM
KAMËZA E NDRYSHIMEVE TË MËDHA, NË FESTËN E FILMIT ME "OPEN CINEMA 2025"
(Kinemaja
shëtitëse në Shqipëri)
Nga
Albert Z. ZHOLI
Buzë
liqenit të Paskuqanit, aty ku gjelbërimi i parkut të madh përqafohet me
horizontin e Kamzës, është ngritur një amfiteatër modern, i cili tashmë shënon
një pikë referimi të re për jetën kulturore të qytetit. Me një vizion të qartë
dhe investim serioz të shtetit dhe Bashkisë së Kamzës, ky hapësirë e re kthehet
në tempullin e artit të shtatë, duke sjellë për herë të parë tek banorët e saj
një festë të madhe kinematografike.
Për
tre netë me radhë, formati i veçantë Open Cinema – kinemaja shëtitëse në Shqipëri
do të shpalosë një program të pasur me filma shqiptarë, duke e kthyer këtë
event në një takim emocional me kujtesën dhe të ardhmen e kinematografisë. Në
qendër të homazheve do të qëndrojnë figurat e pavdekshme të ekranit shqiptar –
regjisorët e shquar Dhimitër Anagnosti, Piro Milkani dhe aktorja e madhërishme
Margarita Xhepa, të cilëve publiku do t'u përkulet me mirënjohje dhe nderim.
Mbrëmjet
e festivalit do të pasurohen edhe më tej nga performancat e bukura muzikore të
artisteve të dashura për publikun shqiptar : Irma Libohova, Maya Aliçka,
Liljana Kondakçi, Megi Laska dhe të tjerë, duke e kthyer amfiteatrin e
Paskuqanit në një skenë të gjallë arti e emocion.
Ky
aktivitet zhvillohet nën kujdesin e posaçëm të Kryetarit të Bashkisë Kamëz, z.
Rakip Suli, dhe mbështetet fuqimisht nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë,
Ambasada e Spanjës, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, ndërsa produksioni mban
firmën e Production Cinemania.
Kamëza,
qyteti i energjive të reja dhe i ndryshimeve të mëdha, përqafon kështu artin
dhe kulturën, duke e bërë kinemanë një urë të fuqishme që lidh njerëzit me
kujtesën, historinë dhe shpresën për të ardhmen.